Si SHBA-të po i detyrojnë pesë vendet e mbetura të BE-së të njohin Kosovën!
Fati i Kosovës dhe i mbarë faktorit shqiptar në rajon, më shumë se ndonjë përpjekje e forcës dhe e diplomacisë shqiptare, ka qenë dhe mbetet i varur tërësisht nga SHBA-të.
Nga Aranit Muraçi, Agon News
Vendimi i kohëve të fundit, i Izraelit për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën ka vënë sërish në qendër të vëmendjes dhe nën presionin e perëndimit pesë vende të BE-së, të cilat refuzojnë ta njohin si një shtet të pavarur. Izraeli e çoi në 117 numrin e vendeve që e njohin aktualisht shtetin më të ri të Europës, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në 2008, nëntë vjet pasi NATO zhvilloi një fushatë sulmesh ajrore (78-ditë) për të ndaluar spastrimin etnik të popullatës shqiptare të Kosovës.
Shumica e kombeve perëndimore e njohën pavarësinë e Kosovës, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë nga ana e saj (të tilla si SHBA, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe), ndonëse Serbia dhe aleatët e saj si dhe dy nga fuqitë e mëdha Rusia dhe Kina (dhe aleatët e tyre nga ana tjetër) refuzojnë të njohin Kosovën. Po ashtu, pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e njohin ende Kosovën: Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja.
Asnjëra nga vendet e BE-së që nuk e njohin aktualisht Kosovën nuk është një aleat i veçantë me serbët (as me rusët ose kinezët). Përkundrazi, të gjitha vendet e BE-së që nuk njohin Kosovën janë aleate të ngushta të perëndimit. Rumania madje e lejoi NATO-n të përdorte hapësirën e saj ajrore gjatë fushatës së bombardimeve të vitit 1999 (Rumania nuk ishte në atë kohë anëtare e NATO-s). Atëherë pse këto vende nuk e njohin Kosovën, dhe nëse shpërfillin faktorin shqiptar, po atë amerikan? Për të pesë, çështja e pavarësisë së Kosovës nuk ka të bëjë me Kosovën në vetvete dhe kjo është arsyeja pse ato nuk kanë qenë nën presion: mosnjohja është çështje e interesave dhe politikave lokale të secilës prej tyre.
Fati i Kosovës dhe i mbarë faktorit shqiptar në rajon, më shumë se ndonjë përpjekje e forcës dhe e diplomacisë shqiptare, ka qenë dhe mbetet i varur tërësisht nga SHBA-të. Të gjithë sharlatanët që e kritikojnë kur ndërhyn SHBA në çështjet tona të brendshme dhe ato të jashtme, i kujtojnë madje asaj edhe cenimin e “sovranitetit”, ose nuk njohin peshën e faktorit shqiptar në botë, ose janë gati të shesin gjithçka përveç interesit të tyre personal.
Aq i fortë është ndikimi amerikan në mbrojtjen e çështjes shqiptare në rajon, saqë kohët e fundit të pesë vendet e BE-së janë vënë nën presion të vazhdueshëm dhe të madh, madje pa rrugëdalje derisa të njohin me çdo kusht Kosovën. Aq e fortë dhe e hapur pro shqiptarëve është politika amerikane në rajon, saqë edhe vetë Serbia u detyrua nga Uashingtoni të ndalojë fushatën e saj në botë, që kishte të bënte me lobimin kundër njohjeve të Kosovës.
Më shumë se një dekadë që kur Kosova shpalli pavarësinë, megjithëse qëndrimi i vendeve refuzuese të BE-së nuk ka gjasa të ndryshojë qëndrim pa një marrëveshje zyrtare midis Beogradit dhe Prishtinës, njohja e Kosovës shihet si çështje kohe nga Greqia, Spanja dhe Rumania me Sllovakinë. Pavarësisht nga një marrëveshje e rënë dakord në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar (e përshëndetur nga ish-Presidenti i SHBA Donald Trump, por nënçmuese nga thuajse të gjithë të tjerët), për ta shtyrë para procesin e njohjeve duhet të shënohen rezultate pozitive mes Prishtinës dhe Beogradit.
Lëvizja Vetëvendosje – partia në pushtet është edhe ajo para presionit ndërkombëtar pasi në projektin e saj pati shprehur dëshirën të ndryshonte kushtetutën e Kosovës, për të hequr nenin e saj të tretë, e cila ndalon bashkimin e Kosovës me vendet e tjera – dhe në këtë rast me Shqipërinë. Çdo diskutim dhe përpjekje për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë shihet për momentin, si një “bombardim” i diplomacisë dhe për këtë arsye nuk po përmendet as në axhendën e Albin Kurtit. SHBA e do në NATO dhe në BE si Shqipërinë ashtu edhe Kosovën, madje edhe Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, pavarësisht kufirit ndarës, dhe kështu i tërë faktori shqiptar do të jetë i bashkuar në një udhëheqje perëndimore, më i sigurt dhe më i bashkuar se kurrë në historinë e tij.
Aktualisht teza e një bashkimi me Shqipërinë nuk po e ndihmon Kosovën për të avancuar bisedimet në dialogun e nisur me Serbinë. Mungesa e një diplomacie të unifikuar që të ishte e tëra në shërbim kombëtar, diplomaci që duhet ta kishte sot Kombi shqiptar, nuk bën gjë tjetër veçse shton debate politike boshe në Tiranë dhe Prishtinë, duke i fryrë zjarrit kundër interesave kombëtarë, madje ndonjëherë e “çon ujin” sipas interesave diplomatike të vendeve të tjera të rajonit.
Kosova është pjesë e pandarë e kombit shqiptar, kjo dihet, ndërsa për ndryshimin e mundshëm të kufijve, të fundit që janë pyetur dhe pyeten edhe atëherë kur janë cenuar interesat e tyre, janë shqiptarët. Prandaj, rruga e vetme e Kosovës është që të shënojë rezultate konkrete në diplomaci për të siguruar njohjet me pesë vendet që nuk e njohin ende në BE. Dhe këtë po e arrin falë të njëjtin aleat që ajo dhe Kombi shqiptar kanë fatmirësisht: SHBA-të.
Spanja. Nuk dëshiron të ketë një shembull tjetër në Europë, që ndihmon lëvizjen e pavarësisë në provincën e saj të Katalonjës. Në vitin 2018, kryeministri i atëhershëm i Spanjës, Mariano Rajoy refuzoi të merrte pjesë në një Samit të BE-së për Ballkan Perëndimor që u zhvillua në kryeqytetin Bullgar, Sofje, duke pretenduar se prania e Kosovës në samitin ishte e papranueshme. Samiti u zhvillua më pak se një vit pasi Katalonia mbajti një referendum për pavarësi, referendum që Madridi u përpoq të parandalonte. Deklarata e mëvonshme e pavarësisë së Katalonjës u injorua nga bashkësia e gjerë ndërkombëtare, ndërsa shumë nga udhëheqësit e saj u burgosën. Ende sot zyrtarisht qëndrimi i Spanjës mbetet i njëjtë, megjithëse kohët e fundit ka ardhur duke u zbutur karshi njohjes së mundshme të Kosovës. Vitin e kaluar Spanja deklaroi se nuk do të kishte problem në njohjen e Kosovës nëse do të kishte një marrëveshje me Serbinë dhe gjithashtu e ka bërë të qartë se ajo do të njohë një Skoci të pavarur – nëse qeveria e MB miraton një referendum të ri. Spanja e pranoi Kosovën në të njëjtin grup kualifikues për Kupën e Botës 2022. Ndërsa organi drejtues i futbollit evropian i mban larg shtete me probleme politike (të tilla si Gjibraltari dhe Spanja, Armenia dhe Azerbajxhani, Ukraina dhe Rusia, si dhe Kosova dhe Serbia, apo Bosnjë-Hercegovina dhe Rusia).
Qipro & Greqia. Kundërshtimi i Qipros ndaj pavarësisë së Kosovës bazohet në një logjikë të ngjashme, për pushtimin e Turqisë në një të tretën veriore të ishullit: Republika Turke “de facto” e Qipros Veriore, krijuar pas një grushti shteti në 1974 që u përpoq të aneksonte ishullin. Ka pasur pak kontakte midis Nikosisë dhe Prishtinës gjatë viteve të fundit (sërish diplomacia e futbollit ka luajtur një pjesë: të dy vendet janë takuar disa herë). Qipro mbetet megjithatë e palëkundur kundër njohjes së Kosovës derisa të arrihet një marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit, e miratuar nga Kombet e Bashkuara. Ndërsa qëndrimi i Greqisë ndaj Kosovës është një mbështetje për Qipron. Megjithatë, Athina mban një ambasadë jozyrtare, e njohur si Zyra Ndërlidhëse Greke, në Prishtinë dhe zyrtarët grekë në shumë raste kanë thënë se zgjidhja e mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi qëndron në integrimin e Bashkimit Evropian për të dy këto vende.
Një deklaratë e paqartë nga Ministri i Jashtëm Grek Nikos Dendias në lidhje me Kosovën, i cili u shpreh se pozicioni Grek mbi statusin e Kosovës nuk ka ndryshuar, por shtoi që deklarata e vitit 2010 e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel ligjin ndërkombëtar, ka ndezur “zjarrin” brenda kampeve diplomatike të Ballkanit. Megjithëse ai tha se pozicioni i Athinës për statusin e Kosovës nuk ka ndryshuar, Greqia po mban një qëndrim më konstruktiv dhe mbështet dialogun Beograd-Prishtinë. Duket qartë se Athina është vënë nën presionin amerikan, aq sa besohet se e detyroi Dendias të vizitonte Prishtinën, duke shtuar ndjeshëm “temperaturat” e verës në Beograd.
Sa i përket legjitimitetit të një njohjeje të mundshme, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë vendosi në 2010 që deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e shkelte ligjin ndërkombëtar, pasi nuk ishte produkt i një përdorimi të paligjshëm të forcës, që nuk mori as miratim nga Këshilli i Sigurimit, siç ishte rasti i Qipros Veriore në 1983.
Nëse disa vende si Greqia nuk e njohin Kosovën, ose pranimi e saj nuk do të ndodhë, kjo bie ndesh me politikat e SHBA-së në rajon. Por çështja shtrohet, politika amerikane a do të dështojë? Greqia po ashtu nuk dëshiron ta njohë Kosovën, sepse atëherë ajo do të ndërpresë marrëdhëniet e saj tradicionale dhe miqësore me Serbinë. Nëse e njeh, ka shumë të ngjarë që Serbia të njohë Qipron si hakmarrje. Është po aq e mundur që serbët të njohin formacionin qipriot turk, në përgjigje të një njohje të mundshme greke të Kosovës, edhe pse ligjërisht nuk është i njëjti problem. Greqia ka krijuar një marrëdhënie tradicionale të mirë me Serbinë në rajon, edhe mbi baza fetare. Në të njëjtën kohë, përpjekja e Turqisë për të infiltruar me Serbinë përmes marrëveshjeve të tregtisë dhe biznesit është bërë shqetësuese kohët e fundit për Athinën.
Sllovakia dhe Rumania. Më pak të qarta, dhe pa dyshim shumë më të vështira për t’u justifikuar, janë kundërshtimet ndaj pavarësisë kosovare nga ana e Sllovakisë dhe Rumanisë. Megjithëse prania e pakicave të mëdha etnike hungareze në të dy vendet ofron disa të dhëna. Për Sllovakinë çështja shkon deri në shpërbërjen e Monarkisë Austro-Hungareze në periudhën 1918-20, kur Sllovakia për herë të parë doli në një hartë me territor që përfshinte rajone etnike hungareze në jug të vendit.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gjermania Naziste e Hitlerit shpërbleu aleatin e saj, Hungarinë, me rivendosjen e kufijve të vjetër, e cila u anulua nga zgjidhja e paqes pas vitit 1945. Edhe pse Sllovakia nuk e ka njohur Kosovën, pas ’90 e krijoi edhe ajo shtetin e saj të Pavarur. Bratislava ka treguar se ka qenë e gatshme të angazhohet me çështjen e Ballkanit Perëndimor, për stabilitetin rajonit. Sllovakia mban aktualisht një prani zyrtare në Prishtinë sikurse ka pasur kontakte të shpeshta politike midis zyrtarëve të Kosovës dhe asaj Sllovake. Për më tepër, në prill 2020, një ish-ministër i jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak, u emërua nga Këshilli i BE-së si përfaqësuesi i posaçëm për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.
Pakica etnike hungareze ka kërkuar prej kohësh autonomi të krahinës “Székely”, një zonë e vendosur në Transilvaninë lindore dhe e populluar kryesisht nga Hungarezë. Ka edhe një çështje tjetër për Rumaninë: republika e shkëputur e Transnistrisë në Moldavi. Ekspertët besojnë se pavarësisht politikës së saj të vazhdueshme për të mos e njohur Kosovën, Rumania ka qenë pragmatike dhe ka punuar me vendet e tjera anëtare të BE mbi çështje praktike, në lidhje me zhvillimin e Kosovës dhe integrimin e saj në BE. Rumania ka qenë gjithashtu një nga kontribuesit kryesorë në misionet ndërkombëtare të Kosovës, të tilla si UNMIK, EULEX dhe KFOR.
Katër shtete anëtare të NATO-s, përfshirë Greqinë, nuk e njohin Kosovën, duke u justifikuar deri më tani se dialogu midis Serbisë dhe Kosovës nuk ka përparuar. Por një politikë e NATO-s që të përfshijë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, midis tyre edhe Kosovën ka shtuar presionin sidomos tek fqinjët. Të gjithë anëtarët duhet të bien dakord për këtë.
Duket qartë, se NATO e udhëhequr nga SHBA, ashtu siç e çliroi Kosovën, ashtu po vepron edhe për ta mbrojtur me çdo çmim pavarësinë e saj, teksa pas një periudhe të gjatë po i kushton sërish vëmendjen e duhur, duke u përpjekur të rimarrë terrenin e humbur me qëllim për të ri-integruar Kosovën, në dobi të rritjes së sigurisë dhe të stabilitetit në Rajon.