Dalldia blegtorale me Sorosin dhe Mini-Schengenin

Nga Habjon Hasani, botues i gazetës online “Hashtag.al”


Nga Habjon Hasani, botues i “Hashtag.al

Viti 2021 është i katërti vit i përpjekjeve të pandërprera dhe jo fortë të qarta të një bashkëpunimi ndërmjet Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç. Ata të dy kanë lënë plot gjurmë  në ecejaket e tyre, por dihet shumë pak mbi shtysat e tyre, apo planin e tyre rajonal.

Ky shkrim do tentojë të sqarojë e të orientojë disa piketa që lidhen kryesisht me Shqipërinë, por gjithnjë në kontekstin e kësaj nisme rajonale në dukje të paqartë, që disa e quajnë ri-shpikje e ish-Jugosllavisë (favorizim i Serbisë), e disa të tjerë e quajnë imponim okult të Sorosit.

***

Që prej ardhjes së Edi Ramës në pushtet, u lexua një marrëdhënie e veçantë e tij me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Në vitin 2018, ndërmjet Ramës, Thaçit dhe Vuçicit u intensifikuan takimet, gradualisht nisi të përflitej ideja e këmbimit territorial. Kosova do të çedonte mbi zonën e Trepçes ku ndodhen dhe pasuri të mëdha natyrore.

Kam publikuar ekskluzivisht në Hashtag.al në vitin 2019, raportin e Fondacionit Soros Dega Beograd, që detajonte pikërisht skenarët e këmbimit territorial, duke i vënë vulën në njëfarë mënyre spekulimeve mbi rolin e mundshëm të Fondacionit Soros në këtë proces.

Ky Fondacion është entitet global, për çudi shkrimit tonë ju kundërpërgjigj kreu i Fondacionit në Prishtinë (lexo këtu), i cili sfidoi gjithë pritshmëritë e mia, pasi  Fondacioni i Prishtinës po përpiqej të mbronte kolegët e Beogradit me planin për ndarjen e territoreve, ndërsa argumentet që paraqitën ishin jo vetëm spekulative por edhe banale, lehtësisht të demontueshme.

Plani për këmbim territorial u godit fort nga Berlini, shërbimet gjermane vepruan me shpejtësi; Hashim Thaçi u nis pakopostal në gjyq në Hagë edhe si një ndëshkim nga gjermanët, të cilët ishin kategorikisht kundër këmbimit territorial në Kosovë pasi e shihnin si precedent me rrezik edhe për territore të tjera ku ka mosmarrëveshje.

Asokohe plani i ndarjes  gjeti mbështetje dhe nga administrata Trump, sidomos nga Michael Bolton.

I vetmi politikan shqiptar që “e kapi në ajër” rëndësinë e publikimit në Hashtag ishte Sali Berisha.  Gjej rastin ta falënderoj sot publikisht për reagimin e menjëhershëm, të cilin e konsideroj të rëndësishëm dhe thelbësor për sensibilizimin mbi të vërtetën e asaj që po ndodhte.

Pas shpalljes “non grata” në 2021, Berisha thotë se ishte pikërisht roli i tij në denoncimin e kësaj marrëveshje që e shtyu Fondacionin Soros në një hakmarrje ndaj tij.


Jam skeptik mbi këtë pretendim të Berishës, sepse roli i tij ishte vendimtar në sensibilizimin e opinionit publik, por ai nuk kishte asnjë instrument të pengonte ngjarjen, marrëveshjen. Marrëveshja u ndërpre sepse ndërhynë autoritetet gjermane, diplomacia dhe shërbimi inteligjent gjerman ka lozur rol vendimtar në parandalimin e skenarit të ndarjes territoriale.
Logjika ta do se në qoftë se Soros do kishte ndonjë “merak” ai do e kishte me gjermanët më së pari, ata e bënë “dëmin”, madje shumë kohë para se çështja të denoncohej në Hashtag apo para se Berisha të niste denoncimet publike.

Kjo marrëveshje e ndërprerë  krijoi dyshime të forta mbi rolin e Soros, të SHBA-ve e të aktorëve rajonalë, këto dyshime vijojnë të qëndrojnë si hije tashmë sa herë Rama dhe Vuçiç bëjnë ecejake dhe kalisin nismën e tyre rajonale.


Një eksplorim mbi paranojën

10 apo 15 vite më parë nëse përpiqeshe që një proces të caktuar ta shihje në kontekstin e ndikimit të Fondacionit Soros, shumica dërrmuese e politikanëve apo gazetarëve në këtë vend, të akuzonin për prirje konspirative.

Edhe ministra të Berishës apo deri dhe familjarët e tij, gjatë kohës kur ai ishte në pushtet, dekurajuan zërat e shoqërisë civile apo të medias që vinin theksin te ndikimi okult i Soros. Nuk e kam kuptuar dot nëse dekurajonin sepse e kishin frikë Sorosin, apo sepse ishin aq injorantë sa mendonin që me këtë taktikë do tregoheshin më finok se rrjeti Soros.

Problemi është se Soros operon me strategji, jo me taktika apo teknika. Kjo e bën më afatgjatë, më të blinduar, më efikas.

Pas ardhjes së Trump dhe polemizimit të skajshëm që ndodhi në shoqërinë amerikane, për Sorosin po flitej më hapur, aq sa sot druaj se po inflacionohet përdorimi i rolit të tij, herë duke ja futur kot nga paranoja, e herë duke e implikuar qëllimisht edhe në punë ku ai mund të mos ketë asnjë lidhje.

Gjykoj se çdo arsyetim që e paraqet Sorosin si një individ privat që bën politika private dhe me diabolizmin e tij “peshkon” politikën e virgjër amerikane, është arsyetim NUL, duhet refuzuar.

Soros nuk është aspak një dinozaur që arrin të imponojë Amerikën, por është një dinozaur që vepron me lejen dhe autorizimin special të SHBA-ve.

Ka me qindra të dhëna që sugjerojnë se Soros është instrument i shtetit amerikan, me rol të spikatur sidomos në CIA dhe në Departamentin e Shtetit.

Janë CIA dhe Departamenti i Shtetit ato që përdorin Sorosin, që e kanë caktuar atë (ndër të tjera) menaxher të një infrastrukture të shtrirë sidomos në vendet e Evropës Lindore,  pak a shumë si ato strukturat “paramilitare” që arrijnë pushtimin pa implikuar zyrtarisht “ushtrinë”.

Çdo diskutim i personalizuar mbi George Soros nuk do ishte realist, rrjeti Soros është pjesë integrale e institucioneve amerikane, pararojë e inteligjencës dhe diplomacisë së saj.

Duke e kuptuar dhe duke e gjykuar si të tillë mund ta përballosh, apo dhe mund ta kundërshtosh, por s’mund të thuash që unë jam armik i Soros por mik i SHBA-ve, sepse rrjeti Soros është Amerika dora vet.

Mund të jesh anti-amerikan dhe anti-Soros; por jo anti-Soros dhe pro-amerikan.

Dhe në momentin që pranojmë se Soros po çon përpara një projekt rajonal që aktualisht përfshin Shqipërinë-Serbinë-Maqedoninë, duhet të pranojmë se ky është projekt amerikan.

Projekt i shtetit amerikan.


Në vitin 2018 George Soros bashkë me të birin publikuan një editorial (lexoje këtu) që shpaloste pikëpamjen e tyre mbi atë që ata e quanin “Perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Pak kush e di që ky termi aq shumë i përdorur “Ballkani Perëndimor” gjeografikisht nuk bën asnjë sens, sepse “pellgu” që ata kanë parasysh, në busullën gjeopolitike të SHBA-ve dhe përcaktimin e CIA-s etiketohet si Evropa Juglindore, ky është përcaktimi korrekt.

Përtej emërtesës së gabuar, doktrina e shkrimit të George Soros dhe të birit vinte theksin në këto 5 parime:

1 – Krijimin e një perspektive të përbashkët bashkëpunuese ndërmjet Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi.
2 – Kjo nismë lokale do të bazohet në principe identike me ato të Bashkimit Evropian mbi kufijtë dhe tregun.
3 – Meqenëse Bashkimi Evropian aktualisht ka stanjacion dhe probleme të brendshme dhe pengon aderimin e këtyre shteteve, bashkëpunimi ndërmjet vet shteteve do të krijonte pozita më të favorshme për aderimin e tyre kur BE-ja të jetë gati.
4 – Kjo nismë nuk është absolutisht një ri-shpikje e Ish-Jugosllavisë, por një nismë që hedh hapin e parë për aderimin final të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pamvarura në BE.
5 – Në kushtet e stanjacionit aktual të BE-së, kjo nismë e ideuar dhe kontrolluar nga fuqitë perëndimore, minimizon ndërhyrjet që mund të bëjnë Rusia, Kina, Turqia në “Ballkanin Perëndimor”, duke përfituar nga apatia e BE-së.

Këto janë parimet që ka shpalosur George Soros dhe i biri në vitin 2018, e duke u nisur nga valenca e Fondacionit të shpjeguar më lartë, këto i bie të jenë dhe parimet e SHBA-ve lidhur me këtë proces që aktualisht ka angazhuar Ramën, Vuçiçin dhe Zaevin.

Çka të bën të mendosh se këto ecejaket e Ramës dhe Vuçicit, nuk mund të komentohen në asnjë mënyrë si punë despotësh e mitomanësh ballkanikë, absolutisht jo.

Çdo kundërshti ndaj projektit është kundërshti ndaj interesave strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

SHBA-të duan të ngulin fort flamurin e tyre në pellgun që ata e etiketojnë gabimisht si “Ballkani Perëndimor” duke minimizuar ose duke i bërë bllokadë çdo inkursioni rus, kinez apo turk, që mund të gjejë terren, në kushtet kur pelllgu në fjalë po pret me dëshpërim pas derës së mbyllur të BE-së.

Për këtë arsye etiketimet apo kundërshtitë që po i bën opozita shqiptare këtyre ecejakeve, janë banale dhe primitive.

Nuk mund të thuash brroçkulla të tipit “Vuçiçi është shefi i Ramës”“Rama i shërben interesit serbomadh”“Soros armik i shqiptarëve dhe mik i serbëve” dhe pastaj të shtosh “Amerika është aleati ynë strategjik dhe ylli ynë polar”.

Është injorancë dhe propagandë imbecilësh kjo gjë.

Mund të thuash që jam kundër SHBA-ve në lidhje me këtë projekt duke renditur arsyet dhe je më i ndershëm dhe më i besueshëm, por kurrsesi nuk mundet që një projekt strategjik të SHBA-ve ta trajtosh me akuza dhe teori qepujkash, duke nxitur nacionalizma boshe dhe duke i dhënë Ramës dhe Vuçiçit, apo dhe vet Sorosit, valenca që në fakt nuk i kanë.

Personalisht kam bindjen se projektet perëndimore për Shqipërinë dhe “Ballkanin Perëndimor” janë apriori më të mira për interesin e botës shqiptare se çdo projekt rival që mund të vijë nga Lindja.

Kjo është kredoja ime.

Do mirëkuptoja dhe ndonjë që e mendon ndryshe, që ka rezerva apo që është kundër, por nuk mund të mirëkuptoj dot në asnjë mënyrë dikë që thotë se mbështet interesin amerikan, por nga ana tjetër diskretiton projektin amerikan të “Ballkanit Perëndimor” sikur të ishte kapriço e Vuçiçit apo amanet i shokut Josif Broz Tito.

Gjykoj se opozita shqiptare duhet të heqë dorë përfundimisht nga përdorimi i projekteve strategjike afatgjata si instrument për luftën politike të ditës në Tiranë.

Do të dëshiroja një opozitë që shfaq hapur skepticizmin e saj ndaj një projekti strategjik qoftë ky dhe amerikan, por me argumente të renditura, nëse i ka.

Është e pafalshme që hija e Soros të përdoret në Tiranë për interesa vetjake, e mbi këtë hije të goditen dhe interesa strategjike amerikane që lidhen me rajonin.

Kjo nuk është politikë, është vetvrasje.


Shembulli i vitit 2018 i planit për ndarjen territoriale të Kosovës tregoi që Soros dhe vet SHBA u futën në një qorrsokak që më pas e ndreqën gjermanët.

Ky është precedent që na shërben të kuptojmë se SHBA-të dhe projektet e saj mund edhe të na kanosin ose të na dëmtojnë.

Fundja në SHBA lobimi është i sanksionuar me ligj, e serbët kur vjen puna te interesi shtetëror punojnë si makinë qepse.

SHBA-të mund dhe të gabojnë në segmente të caktuara, Soros gjithashtu, por kjo nuk është arsye që çdo projekt apo çdo nismë e Soros duhet konsideruar konspirative apo anti-shqiptare. Sepse në këtë mënyrë nuk je duke i shpallur luftë atij individit, atij plakut, apo multimiliarderit George, por je duke sfiduar interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Personalisht ashtu siç kam denoncuar me sa kam patur takat në vitin 2019 planin për ndarjen territoriale të Kosovës, ashtu dhe mendoj sot se parimet që ka shpalosur George Soros dhe i biri në shkrimin për “Ballkanin Perëndimor”, më duken korrekte dhe në favor të botës shqiptare.

E gjykoj tepër korrekt  një plan të bazuar mbi këto parime dhe mendoj se është në interesin e botës shqiptare blindimi i indikimit amerikan në pellgun e ashtuquajtur “Ballkani Perëndimor”.

Do isha shumë i interesuar të dëgjoja nga profesionistë të fushës apo dhe nga opozita kritika profesionale mbi këtë plan strategjik amerikan, ndërsa çdo përpjekje për ta paraqitur këtë plan si djallëzi të “Plakut Soros” apo si muhabet qepujkash ndërmjet Vuçiçit dhe Ramës e konsideroj dalldi blegtorale.

Amerikanët ndoshta as nuk duhet ta kishin emërtuar pellgun në fjalë si “Ballkani Perëndimor”, ndërsa klasa politike shqiptare duhej të kishte këmbëngulur që ne të quhemi vetëm Evropë Juglindore. Jam i vetëdijshëm për kufizimet dhe kulturën “fast food” të burokratëve amerikane dhe për  mungesën e prestigjit të elitës politike shqiptare, më mjafton emërtesa “Ballkani Perëndimor” për ta kuptuar dhe në rastin konkret,  mirëpo këto dizavantazhe të elitës sonë apo të burokracisë amerikane duhen përballuar profesionalisht, duhen amortizuar, duhen kritikuar hapur, pa komplekse.

Çdo qëndrim prej struci, i tipit mbështesim Amerikën por Sorosin e kemi armik se e ka blerë Jugosllavia, është qëndrim parapolitik që vetëm sa e nxjerr opozitën jashtë loje, duke u mohuar shqiptarëve një instrument të çmuar, me të cilin mund të korrektojnë gabimet e amerikanëve dhe vet qeverisë së tyre. / Hashtag.al


Gazetari Habjon Hasani, botues i gazetës online “Hashtag.al”

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…