Prof. As. Dr. Fatmir Fezga, shkëncëtari përmetar i “Geophysical Consultant Indipedent” në SHBA
Fatmir Fezga, është anëtar aktiv i dy Shoqatave të mirënjohura profesionale si; “Shoqata Ndërkombëtare e Gjeofizikantëve Eksplorues,” (SEG), dhe “Shoqata Europiane e Gjeoshkencëtarëve dhe inxhinierëve” (EAGE).
Nga Gëzim Voda, Gazeta “Dëshnica”
Zakonisht shkruhet më lehtë për njerëz që i njeh nga afër, që i ke takuar drejtpërdrejt dhe je parë sy ndër sy. Kësisoj, shkrimi bëhet më jetësor dhe je më i vërtetë. Por, edhe pse në këtë rast nuk ka ndodhur kështu, besoj se nuk i ikij së vërtetës që po them ca fjalë për gjeofizikantin e ditur, Fatmir Fezga. Nuk i shmangem se, për këtë njeri ka folur një shkencëtar tjetër i fezgëve, matematikani i pagabueshëm, i mënçmi Muçi Fezga, kushëri i tij. Ai e ka thënë përmes një shkrimi në gazetën “Dëshnica” vite më parë. Sikur Muçi të kish “përtuar” ca dhe Dëshnica të mos e kish këtë gazetë, zor ta mësonim këtë fakt. Do ngrinim supet e do shqyenim sytë me habi po t’na e thosh kalimthi dikush. Nuk do ta besonim që krahina jonë paskej nxjerë një shkencëtar në Gjeofizikë. Sos bëhej fjalë për ndonjë degë bujqësie a blegtorie, dhe më ndryshe. Pa le pastaj që flitej se kish kërkuar ta mbante Franca, por ai atë kohë paskej thënë: “i duhem vendit tim…”!!
Fatmir Fezga, është një nga pesë fëmijët e Nazif dhe Qazime Fezgës nga fshati Xhanaj, ndër më të vegjlit në krahinë, por nga më të mëdhejt për njerëz të ditur e të talentuar si poetë, shkrimtarë, mjekë, ekonomistë, mësues, ushtarakë, etj, deri dhe gjeofizikantë, siç është vet ai. Thuhet por dhe shkruhet, se edhe baballarët e Fatmirit e të Muçit (Nazifi e Feriku), ndonse pa shkollimin e këtyre djemve, ishin mëntarë të lindur, po dhe nga jeta. Nuk thonë kot “dardha, bje nën dardhë”. Dhe erdhi një kohë që shkencëtar Fatmiri i bëri ”bisht” Francës, por jo Amerikës. Po të tha ajo, “më duhesh mua”, nuk i thuhet “Jo”. Ku mund të shkonte më shumë se sa te vendi që çmon me tepëri trurin dhe kapacitetet më mëndjehapura të botës? Dhe gjithëçka me zell, me mund, me përkushtim e me besim te vetja, jo “për sadaka”, a për hatër të dikujt.
Të dalësh shkëlqyeshëm në shkollën 7-vjeçare, siç kish ndodhur me të, nuk përbën ndonjë habi të madhe. Fundja, cilki i ulët ishte. Mirëpo fjala e urtë: “dielli duket që në mëngjez”, e ka një të vërtetë. Kur ai në vitin 1974 përfundoi kështu edhe arsimin e mësëm, sigurisht meritonte vëmëndje. Si maturant ekselent jo vetëm në mësime por dhe në aktivitete kulturore, sportive e shoqërore duke qënë konviktor i gjimnazit të Përmetit, kërkoi të vazhdonte studimet e larta për shkencat ekzakte. Si edhe sot, rrallë ishin ata që e parapëlqenin këtë profil, ndonse Fatmiri kish prirje për të. E kish dëshmuar dhe në olimpiada ndërshkollore. Politikisht, djalë partizani ishte dhe pse të mos i jepej kjo mundësi, ca më shumë që disa të tjerë nga që s’kishin “këllqet” e tij, kërkonin “fürfulla”, ato pa mundim. Mirëpo, një letër anonime nga fshati i vet ose rrotull, e cila ndodhej në dosjen e tij (pa e ditur ai), po shërbente si punë “stërkëmbthi”. Fati i tij, që u ndodh dikush që e njihte rrënjë e degë, dhe i gjeti “vendin” asaj të shkruare. Disi “jo e pranueshme” në dukje, por e domosdoshme për kohën si veprim. Shpifësit dhe intrigantit, nuk i bëhet “rixha” të heqij vesin. Ndojëherë për ta duhet dhe kundërhilja. Në vitin 1980, ai kreu përsëri shkëlqyeshëm Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë dhe u diplomua “Fizikant”.
Emërimi i tij fillestar qe në Institutin e Kërkimeve të Naftës e të Gazit në Fier, si inxhinier gjeofizik dhe drejtues teknik i Departamentit të Kërkimeve Sizmike. Për rezultatet e larta në fakultet dhe në punë, në vitin 1985, u propozua për të ndjekur studimet e thelluara pasuniversitare në Francë, por realisht shkoi atje një vit më pas. Shtyrja prej një viti, mesadukej ndikohej nga hijet e anonimatit të mëparshëm që “tirreshin” në Përmet. Pas pesë vitesh, në vitin 1991, përfundoi me rezultate shumë të larta Universitetin “Luis Pastër” të Strasburgut në Francë dhe u laurua “Doktor” në gjeofizikën e aplikuar dhe iu propozua të qëndronte me detyrë po aty. Por ai vendosi të kthehej si gjeofizikant aty ku kish qënë më parë, edhe pse pati jo pak dashamirës që i thanë: “gabove që nuk qëndrove atje”. Studimet në Francë dhe angazhimi i tij për të njohur më tej përvojat ndërkombëtare, i dhanë mundësi të zgjeronte kontaktet dhe njohjet me qarqe shkencore homologe në Europë e më tej, madje të realizonte studime e të referonte kumtesa në simpoziume ndërkombëtare të profilit të tij. Pas katër vitesh, meritoi titullin ”Mjeshtër Kërkimesh” dhe “Asistent Profesor”. Në vitin 1997, emërohet Drejtor i atij Instituti me mbi 100 inxhnierë. Për shkak të “shthurjes” politike e shtetërore të atij viti dhe të vitit më pas që shpuri dhe në rënien ose shpërbërjen e mjaft instituteve kërkimore në këtë vend, Fatmiri në vitin 1998 do të bëhej pjesë e Kompanisë amerikane “Oil & Gas (OXY)” me qëndër në Tiranë, si gjeofizikant në Departamentin e Eksplorimit, duke kryer studime me vlerë për disa blloqe nafte në Shqipëri.
Në vitin 2005, ai transferohet si gjeofizikan në Kompaninë “Gardline Syrveys Inc.” në Houston të Teksasit në SH.B.A. Kush nuk e do njeriun e mirë dhë specialistin e zot. Ai i bën vend vetes kudo. Në vitin 2007, ai vazhdoi fizikant në Kompaninë “TGS-NOPEC GEOPHYICAL. L.P.” në Departamentin e Përpunimit dhe Modelimit të të dhënave sizmike në plan dy dhe tre dimensional, që shpinin në interpretimin strukturor të strukturave nëntokësore në thellësitë mbi 13 mijë metra. Projekte që mbulonin zona detare e tokësore prej Amerikës së Veriut deri në Gjirin e Meksikës, apo në Brazil dhe Afrikën Perëndimore. Prej vitit 2018 ai është në “Geophysical Consultant Indipedent” po në Houston te Teksasit, si një njeri i vlerësuar maksimalisht. Fatmir Fezga, është anëtar aktiv i dy Shoqatave të mirënjohura profesionale si; “Shoqata Ndërkombëtare e Gjeofizikantëve Eksplorues,” (SEG), dhe “Shoqata Europiane e Gjeoshkencëtarëve dhe inxhinierëve” (EAGE). Është botues i artikujve të ndryshëm në organe e revista të specializuara në Europë, Amerikë e gjetkë dhe pjesëmarrës në simpoziume shkencore në disa vende të botës. Ndërkohë, ai nuk e shkëput vëmëndjen nga vendlindja. Gazeta “Dëshnica” përmes internetit ka qënë faktor lidhës për të. Madje, është shfaqur deri me shkrime dhe kontribut financiar për nxjerjen e saj. Nuk ka munguar ai as në përkrahjen dhe mbështetjen e Shoqatës që përfaqëson krahinën tonë. Figura të tilla shkencore, nuk mbeten vetëm vlerë vetiake, apo e familjes, fisit e fshatit, por dhe më gjerë. Duke i risjellë ata në kujtesë, lartësojmë krahinën tonë, trevën e Përmetit si dhe mbarë kombin shqiptar.
Tiranë, 11 gusht, 2021.
Marrë nga grupi “Unë jam përmetar”