Bota ka nevojë për një multilateralizëm të ri
Sot ne jetojmë jo vetëm nën hijen e armëve bërthamore, por edhe nën intensitetin e ndryshimit të klimës dhe në pandemi.
Nga Gordon Brown, The Economist
Viti 1945 solli fundin e një lufte, fillimin e epokës bërthamore, dhe padyshim lindjen e multilateralizmit. Një armë që ishte aq shumë shkatërruese, i detyroi udhëheqësit botërorë-dhe një publik të shqetësuar-të kuptonin se vendet duhet të bashkëpunojnë ose të shfarosen.
Sot ne jetojmë jo vetëm nën hijen e armëve bërthamore, por edhe nën intensitetin e ndryshimit të klimës dhe në pandemi. Që të gjitha këto na kujtojnë brishtësinë e ekzistencës sonë. Nëse nuk do të ekzistonte multilateralizmi, atëherë do të na duhej që ta shpiknim atë.
Por pikërisht kur kemi nevojë për më shumë multilateralizëm,në fakt kemi më pak prej tij. Teksa bota është duke u përballur me sfida të mëdha, ne duhet që ta rindërtojmë natyrën e bashkëpunimit ndërkombëtar, në mënyrë që ai të jetë efektiv dhe t’i përgjigjet në kohë sfidave që dalin përpara.
Kriza e shpërndarjes së vaksinave Covid-19, është një shembull që e ilustron problemin aktual. Vendet perëndimore po grumbullojnë aktualisht qindra miliona doza, të cilat mund të shpëtojnë miliona jetë njerëzish në vendet e varfra, ku janë vaksinuar vetëm 2 për qind e njerëzve.
Deri në dhjetor të këtij viti, do të ketë një tepricë prej të paktën 1 miliardë vaksinash. Dhe ajo që po shohim nxjerr në pah një dobësi themelore nga ana e vendeve të zhvilluara,duke mos u bashkuar dot për të bërë atë që është e drejtë. Asnjë vendim tjetër në kohë paqeje nga ana e udhëheqësve botërorë, nuk mund të shpëtojë kaq shumë jetë në një kohë kaq të shkurtër.
“Samiti i Vaksinave” i presidentit amerikan Joe Biden më 22 shtator, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB -së, duhet të bjerë dakord që t’i transferojë vaksinat e papërdorura të Perëndimit në vendet që kanë më shumë nevojë. Kjo nuk është vetëm moralisht e drejtë, por në interesin vetjak të Perëndimit, pasi nëse nuk vaksinohen në masë
të varfrit ashtu si të pasurit, virusi do të pësojë mutacione dhe variantet e reja do të na dëmtojnë të gjithëve, përfshirë të vaksinuarit.
Bashkëpunimi global shihet shumë shpesh si një lojë me shumën zero, ku fitimi i një vendi përbën humbje për një vend tjetër. Por shpërndarja e të mirave publike globale dhe parandalimi i “politikave të lëmoshës” midis fqinjëve, luftimi ndaj sëmundjeve infektive dhe shmangia e proteksionizmit mjekësor, janë fusha ku koordinimi global është i nevojshëm dhe shumë efektiv.
Kapërcimi i hendekut në sasinë e vaksinave, duhej të ishte në fakt pika fillestare e një multilateralizmi të ri, në të cilin vendet duke pranuar detyrimet e tyre të përbashkëta, do të binin dakord që të punonin bashkë për synimet e përbashkëta.
Por dështimi na detyron të pyesim:në rast se nuk mundemi që ta zgjidhim problemin relativisht të drejtpërdrejtë të shpërndarjes së vaksinave kur kemi një tepricë furnizimesh,
si do t`i përballojmë sfidat e tjera shumë më komplekse, si ndryshimi i klimës, përhapja e armëve bërthamore, siguria kibernetike dhe parajsat fiskale, të cilat kërkojnë po ashtu një përgjigje globale?
Kriza në bashkëpunimin ndërkombëtar ka kohë që po zien. Për shembull marrim rastin e G7-ës, klubin e ekonomive më të mëdha të zhvilluara në botë. Dikur komunikatat e saj lëviznin tregjet, diktonin kurset e këmbimit në bursa, dhe ishin vendimtare në përcaktimin e niveleve globale të rritjes dhe punësimit.
Në vitin 2005 nën drejtimin e Britanisë, G-7 bëri histori duke rënë dakord të fshinte 40 miliardë dollarë borxhe për 18 vendet më të varfra (lista më vonë u zgjerua) teksa dyfishoi ndihmën për Afrikën. Por kohët e fundit, G7 ka rënë më shumë në sy për atë që nuk ka arritur, duke shënuar nivelin më të ulët në vitin 2018 kur presidenti amerikan Donald Trump braktisi samitin e Kanadasë.
Udhëheqësit nuk arritën të binin dakord as edhe për një deklaratë të përbashkët për shtyp.
Samiti i fundit i G7 në Kornualli organizuar nga kryeministri britanik Boris Johnson, ishte një mundësi për të ringjallur këtë grupim si një motor të multilateralizmit dhe në shërbim të vlerave globale.
Covid-19 dhe recesioni ekonomik që ai shkaktoi hodhën mbi G7 një përgjegjësi të re. Ndaj ai takim siguroi platformën që donte Amerika për të treguar udhëheqjen e saj globale, dhe për të demaskuar atë që cilësohej një oportunizëm i Kinës, diplomacia e vaksinave e së cilës,për të furnizuar me vaksinat e saj vetëm miqtë e saj të preferuar -përbënte një ndarje dhe jo bashkim të botës.
Duke ia dorëzuar vaksinat e tyre të tepërta COVAX, një program ndërkombëtar për t’i garantuar vaksina vendeve të varfra, Amerika dhe Evropa mund të shpërfaqin një qasje shumëpalëshe të udhëhequr nga Perëndimi, në qendër të përgjigjes ndaj pandemisë.
Gjithsesi, samiti përfundoi me një premtim deri diku modest,për t’i dhënë vetëm 870 milionë vaksina vendeve më të varfra në botë, dhe këto vetëm verën e vitit të ardhshëm. Tre muaj më vonë, COVAX ka marrë në formë donacionesh vetëm 100 milionë doza.
Në gusht u zbulua se Bashkimi Evropian (ku janë vaksinuar deri tani rreth 65 për qind e njerëzve), po transportonte miliona vaksina drejt Afrikës (ku ishte vaksinuar vetëm 4 për qind e popullsisë).Me sa duket të gjitha mëkatet e epokës koloniale, për të cilat Perëndimi ishte penduar, po shlyheshin në Afrikën bashkëkohore.
Por Perëndimi po ia mohon Afrikës mjetet për të krijuar një kapacitet prodhues autokton, duke penguar transferimin e teknologjisë, heqjen e patentave dhe marrëveshjet e licencimit, dhe duke ofruar vetëm ekuivalentin e disa “thërrimeve” nga tryeza e “burrit të pasur”.
Në një kohë kur 1.5 miliardë vaksina po prodhohen çdo muaj, dhe kur nevoja e Afrikës për vaksina është më urgjente, u desh të mbërrinte muaji shtator që BE të binte dakord për të zëvendësuar dozat që dërgoi në Afrikë.
Ky dështim tregon sa bashkëpunimi shumëpalësh vjen në plan të dytë pas nacionalizmit të vaksinave. Gjatë dy dekadave të fundit, bota ka parë rritjen e një nacionalizmi mbrojtës si në vendet liberale ashtu edhe ato jo-liberale. Ka pasur një shtim të tarifave, kontrolleve kufitare dhe ndërtimit të mureve, gardheve dhe barrierave që ndajnë vendet.
Kohët e fundit është bërë agresive një formë e re e nacionalizmit fisnor. Amerika e Para.
Kina e Para, Rusia e Para etj. “E ardhmja nuk i përket globalistëve, por patriotëve”- deklaroi presidenti Trump në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në fjalimin që mbajti në vitin 2019.
Edhe pse presidenti aktual i SHBA-së, Joe Biden, premton bashkëpunim shumëpalësh, bindjet e tij gjeopolitike, dhe pikëpamja e tij se Kina e ka shndërruar politikën nënjë lojë me shumën zero, kanë fituar avantazh mbi teorinë standarde ekonomike e cila mbron përfitimet reciproke nga tregtia dhe ndërveprimet e hapura.
Megjithatë, pavarësisht nga gjendja e marrëdhënieve ndërkombëtare,problemet globale kërkojnë përgjigje globale. Amerika nuk mund ta përkufizojë veten si sfera e vetme e ndikimit në këtë botë të re shumë-polare, dhe as nuk duhet të përballet e vetme me botën.
Sa për të perifrazuar fjalët e Dean Acheson, një burrështetas i madh amerikan së pasluftës:Amerika e ka humbur hegjemoninë e saj, por nuk ka gjetur ende një rol të ri.
Ndaj SHBA duhet të imagjinojë një botë, në të cilën ajo nuk është më superfuqia e vetme. Siç e kanë treguar ngjarjet e fundit në Afganistan, asnjë komb, sado i fuqishëm apo i pasur qoftë, nuk mund t’i diktojë botës dëshirat e tij në mënyrë të njëanshme.
E jona duhet të jetë një botë ku udhëheqësit e fuqive të mëdha mund të bëjnë që gjërat të ndodhin duke u bashkuar. Dhe në këtë epokë shumë-polare, shpresa më e mirë në botë mbetet një masë thelbësore e udhëheqjes amerikane. Nëse nuk dëshiron të jetë më xhandari i botës, SHBA mund të jetë zgjidhësja e problemeve në botë:e domosdoshme, më pak për shkak të shembullit të forcës,dhe më shumë për forcën e shembullit.
Përgatiti në shqip: Abcnews.al