Akad. Skënder Gjinushi: Dita e Kujtesës, dita e homazhit për mbi 6 milionë jetë të humbura
Fjala e akad. Skënder Gjinushit, Kryetar i Akademisë së Shkencave në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare kushtuar Shqiptarëve dhe Hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore
Fjala e akad. Skënder Gjinushit, Kryetar i Akademisë së Shkencave në Konferencës Shkencore Ndërkombëtare kushtuar Shqiptarëve dhe Hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
**”
Fjala e akad. Skënder Gjinushit, Kryetar i Akademisë së Shkencave
-Akademia e Shkencave e Shqipërisë është anëtare e Lëvizjes Kundër Antisemitizmit (Combat AntiSemitism Movement) dhe pjesëtare e International Holocaust Remembrance Alliance (IHRA), në konferencën shkencore ndërkombëtare: “Shqiptarët dhe hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore”
#AShSh
#IsraeliHouseofAlbania
#DitaNdërkombëtareeKujtesës
#InternationalShoahMemoryDay
I nderuar ministër Esavi (Issawi) Frej;
I nderuar z. Hilik (Yehiel) Bar, zëvendëskryetar i Knesset-it të Izraelit;
I nderuar z. Eitan Drori, President i Lidershipit Botëror të Izraelit
(Global Israeli Leadership);
I nderuar z. Mikael Gejps, anëtar i Parlamentit Britanik;
I nderuar z. Itzhik Shmuli, anëtar i Knesset-it të Izraelit;
I nderuar z. Itzhik Moshe, Zëvendëspresident i Aleancës Europiane për Izraelin dhe President i Shtëpisë së Israelit të Azerbajxhan;
Të nderuar profesorë Shaul Janaj e Ido Liebovitz;
I nderuar z. Indrit Kolleshi, kryetar i Shtëpisë së Izraelit në Shqipëri;
Të nderuar përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare dhe të institucioneve kërkimore-shkencore të kujtesës, posaçërisht të
dokumentimit dhe certifikimit të pasojave të katastrofës më të madhe të shekullit të 20-të, Holokaustit;
Të nderuar akademikë e profesorë të pranishëm në këtë konferencë;
Shkëlqesi, përfaqësues të trupit diplomatik,
Të dashur miq e bashkatdhetarë hebrenj, të nderuar përfaqësues të
familjeve strehuese të hebrenjve gjatë Holokaustit,
Mirëseerdhët në këtë konferencë, të cilën Akademia e Shkencave e ka organizuar bashkërisht me Shtëpinë e Izraelit në Shqipëri (Israeli House of Albania), në nderim e reflektim për Ditën e Kujtesës, ditën e homazhit për mbi 6 milionë jetë njerëzore të humbura për shkak të urrejtjes racore të shprehur në formulën naziste çrrënjosje përfundimtare.
Ne e çmojmë shumë që ju keni ardhur të bashkoheni me ne në këtë ditë të shenjuar dhe dua t’ju pohoj me modesti e kënaqësi se jeni pikërisht në mjediset e një institucioni ku u hartua, u propozua e u mbrojt në Kuvend 20 vjet më parë Ligji për Ditën e Kujtesës; ku u shkrua dhe u adresua kërkesa e aderimit institucional me Lëvizjen kundër Antisemitizmit (Combat anti-Semitism) dhe kërkesa tjetër për pranimin e përkufizimit të sotëm të anti-semitizmit sipas konceptit të propozuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (International Holocaust Remembrance Alliance – IHRA).
Akademia jonë e Shkencave, ashtu si simotrat e saj në Europë e në
Botë, ka për mision themelor kultivimin e zhvillimin e të vërtetave shkencore, përfshirë ato historike. Ajo, me prioritet dhe me shumë përgjegjësi, nëpërmjet botimeve dhe konferencave të organizuara prej saj, ka vënë në pah disa nga vlerat morale e politike kombëtare të shoqërisë dhe të popullit shqiptar, siç janë antifashizmi gjatë Luftës së Dytë Botërore e më këndej, karakteri europian dhe unik i identitetit shqiptar, njësia e gjuhës letrare shqipe, konvergjenca e bashkëjetesa fetare, që përbëjnë kauza koherente dhe konstante tonat. E po këtij rendi është për ne edhe përurimi i vlerave njerëzore që kanë të bëjnë me rezistencën e përbashkët dhe bashkëjetesën e shqiptarëve me hebrenjtë gjatë Shoah, si dy popuj që rezistuan bashkë në vendin tonë ndaj dhunës nazifashiste dhe nuk e shitën njëri-tjetrin.
Ne nuk e konsiderojmë Holokaustin çështje të arkivuar a si çështje
thjesht të historisë. Dhuna, agresioni e deri pushtimet në formë klasike, janë shfaqur sot në zemër të Europës. Situata e sotme në Ukrainë është dëshmia më e qartë se urrejtja për shkak të dallimit, etnik, gjuhësor, fetar apo thjesht të orientimit gjeopolitik është bërë e vazhdon të bëhet shkak për forma të reja dhune kolektive, në formën e gjenocidit, etnocidit, urrejtjes fetare e krahinore, që ne shqiptarët i kemi provuar jo më larg se deri para 15 vjetësh. Urrejtësit janë gjallë dhe afër nesh.
Prandaj nuk na lejohet ta shohim gjithë çfarë ndodhi gjatë Shoah me luksin e pozicionit ex cathedra. Thelbi i Ditës së Kujtesës është reflektimi, profilaksia ndaj infektimit prej fjalës dhe veprimit të urrejtjes. Prandaj kemi zgjedhur si slogan të veprimtarisë së sotme me titullin e një poezie të Edgar Allain Poe-s Never more, Never again, Kurrë më.
Ditët e përkujtimit kanë shërbyer shpesh për të shtruar pyetje
thelbësore, si në Forumin Ndërkombëtar të Holokaustit që u mbajt në Stockholm në vitin 2000, ku u rekomandua që në vend të termit
Holokaust të përdorej Shoah, sepse holokausti rrezikonte t’i jepte qëllim fisnik ideologjisë së zhdukjes me zjarr, nisur prej burimit. Para historianëve, antropologëve e dijetarëve në përgjithësi mbeten ende pyetje të tjera. Gjatë Luftës së Dytë Botërore humbën jetën 6 milionë.
Një individ a grup mund të quhet viktimë, por një popull i programuar për t’u zhdukur në zbatim të një idelogjie raciste nuk mund të quhet thjesht viktimë.
Akademia jonë e Shkencave është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha institucionet e vendit për pasaportat e shenjave të kujtesës
kushtuar 3750 hebrenjve që hynë dhe mbijetuan në Shqipëri gjatë
Luftës së Dytë Botërore; për nderimin e disa qindra familjeve
shqiptare strehuese të tyre në atë periudhë të rrezikshme; në mënyrë të veçantë për një memorial dedikuar 17 hebrenjve dëshmorë të luftës antifashiste që luftuan përkrah shqiptarëve për lirinë e popullit tonë.
Të gjitha këto të dhëna mund dhe duhet të depozitohen në Muzeun Kombëtar e Kulturës Hebraike që po ndërtohet në Vlorë, në një amzë të posaçme. Për të gjitha këto ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me institucionet e kujtesës në Izrael, me Institutin e Muzeun Yad Vashem, me Akademinë e Shkencave të Izraelit dhe me universitetet e atjeshme. Në Shqipëri gjendet një bankë e vërtetë të dhënash për praninë këtu të hebrenjve ndër shekuj, që prej inkuizicionit deri sot.
Mbi 20 mijë fletë dokumente presin thellimin e studiuesve për
nxjerrjen e të vërtetave. Akademia e Shkencave do të mbështesë me përparësi programet dhe nismat shkencore në këtë fushë.
Faleminderit për vëmendjen dhe punime të mbara konferencës.
www.akad.gov.al