Ardhja e hebrenjve në Shqipëri ndërmjet dy luftërave
Shqipëria, në këtë periudhë tejet të vështirë për komunitetin hebraik në Evropë, ofroi një tjetër qasje në lidhje me trajtimin e tyre
Nga Dr. Monika Stafa
Hebrenjtë dhe Mbretit Zog i I-rë
Janë vitet 1928- 1939. Toleranca fetare në Perëndim në epokën moderne shpeshherë matet me diversitetin e feve të ndryshme që ekzistojnë dhe bashkëjetojnë si një vlerë e çmuar e një kombi, në paqe dhe liri. Për shqiptarët kjo është një traditë e bukur e empatisë që kemi ne për tjetrin në rrezik.Një vlerë aspak e edukuar ndër shkolla por që unë mendoj se gjendet në gjenezën dhe etnotipin e një kombi. Dhe siç ka treguar historia, shqiptarët e kanë.
Shqipëria, në këtë periudhë tejet të vështirë për komunitetin hebraik në Evropë, ofroi një tjetër qasje në lidhje me trajtimin e tyre.
Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë në vitin 1930, në Shqipëri kishte tri fe: ajo myslimane, ortodokse dhe katolike. Kishte gjithashtu dhe një numër të vogël hebrenjsh, protestantë dhe të besimeve të tjera.
Politika fetare e Mbretit Zog I synonte sa forcimin e pushtetit monarkik, aq edhe konsolidimin e pavarësisë së shtetit shqiptar. Zogu qe i vendosur të zvogëlonte efektet negative të ekzistencës së disa besimeve fetare, duke ndjekur politikën e kombëtarizimit të fesë. Ai nxiti dhe mbështeti laicitetin e shtetit; u përpoq të largonte çdo ndikim të huaj mbi komunitetet fetare; por njëkohësisht u tregua i kujdesshëm për të mos penguar diversitetin fetar të shqiptarëve.
Përsa i përket inkurajimit të diversitetit fetar, politika e Zogut lidhur me hebrenjtë është e spikatur, njëherësh e mrekullueshme. Të gjithë hebrenjtë me të cilët kam bashkëbiseduar tregojnë për një raport të shkëlqyerqë të parët e tyre kanë pasur me shqiptarët dhe autoritetet gjatë qeverisjes së Mbretit Zog i I-rë. Në prill të vitit 1937, pikërisht kur Evropa ishte në kulm të etheve antisemite, qeveria shqiptare i dha njohjen zyrtare komunitetit të hebrenjve.
Që këtej kjo popullsi, hebrenjtë pra, gëzonin të gjitha të drejtat që gëzonin dhe qytetarët shqiptarë, gjë që nuk mund të thuhet për hebrenjtë e Greqisë ose të Italisë të së njëjtës periudhë.
Duke u nisur prej këndej në mesin e viteve ‘30-të numri i hebrenjve që u vendosën në Shqipëri u rrit ndjeshëm. Deri në vitin 1935 dokumentohen qindra hebrenj në Shqipëri të shpërndarë në Vlorë, Gjirokastër, Delvinë, Durrës, Shkodër, Kavajë, Bilisht e Tiranë.
Një prej promotorëve më aktivë në qëndrimin e mbajtur ndaj hebrenjve të rrezikuar ishte dhe vetë familja mbretërore shqiptare. Mbretëresha Geraldinë i mbështeste studentët e huaj me origjinë hebraike që nuk donin të ndërprisnin studimet pavarësisht kushteve të rënda të terrorit që kish përfshirë Europën.
Dr. Paul Ourinovsky, mjek në spitalin civil të Tiranës ishte gjithashtu një mik i mirë i saj, veçanërisht në kauzën e përbashkët për të ndihmuar mjekësinë shqiptare dhe studentët e rinj të saj.
Jeta ndërkohë vazhdonte të ishte e mundimshme në vendin e vogël të Ballkanit ndaj Ahmet Zogu përpiqej fort të lobonte për të nxitur iniciativa të reja në dobi të prosperitetit të Shqipërisë.
Me ftesë të Mbretit Zog, në vitin 1936 në Shqipëri erdhi RockfellerInstitution, me një ekip shumë të mirë mjekësh e infermierësh të cilët bënë të mundur pastrimin e vendit nga malaria.
Ka një njoftim të prefekturës së Tiranës dërguar bashkisë së kryeqytetit për dhënie leje banimi shtetasit gjerman ËilhelmËeitzmann, bashkë me familjen e tij për të qëndruar në Shqipëri. Ai hyri në Shqipëri si reporter nga ku më pas u bë fotograf i Oborrit Mbretëror. Nga ana tjetër për familjen e Ëeitzmann mund të themi se jo më larg se muaji shkurt i vitit 1939, pra dy muaj para se mbreti të ikte nga Shqipëria, të gjithë pjesëtarëve të saj iu dha nënshtetësia shqiptare.
Në një kohë kur shumica e botës së qytetëruar u mbylli derën hebrenjve, qeveria shqiptare mbajti një qëndrim më intransigjent në lidhje me emigrimin e tyre drejt Shqipërisë. Si rrjedhim i këtyre politikave, anëtarë të komunitetit hebre të Shqipërisë e kanë quajtur periudhën e Zogut si “Epoka e artë e hebrenjve në Shqipëri”.
Po cilat ishin arsyet?
Më sipër ju rendita disa nga arsyet;
Një tjetër shpjegim duhet të kërkohet në dëshirën e qeverisë shqiptare dhe të Mbretit Zog I, për të thithur paratë dhe investimet e këtij komuniteti. Gjatë periudhës së qeverisjes së tij, Ahmet Zogu ndërmori një sërë reformash ekonomike, juridike e sociale që synonin zhvillimin e Shqipërisë sipas modelit perëndimor. Hebrenjtë europianë të cilët kërkonin të emigronin në Shqipëri gjatë këtyre viteve mund t’i shërbenin qëllimeve të tij.
Ndërsa shqiptarëve kjo do t’i shërbente për një qasje më emancipuese të jetesës përballë një realiteti anakronik në të cilën ata jetonin.
Reformat e ndërmarra nga monarku shqiptar të shoqëruara herë pas here me ndryshimet e duhura në legjislacionin financiar si dhe një erë e re zhvillimi në qasjen fetare të mbretërisë shqiptare, krijuan kushte për një vend që aspironte modelin europian por dhe të sigurt për të gjetur strehim apo dhe punë në të.
Mbreti Zog i I adaptoi një politikë të jashtme të hapur, e cila nuk kishte asnjë lidhje me politikat antisemite. Duke ndjekur tashmë një politikë të re hapjeje në marrëdhëniet e jashtme, përfshi këtu dhe emigracionin, aiintensifikoi raportet me shumë diplomatë të huaj, personalitete të njohur të jetës publike por dhe investitorë seriozë nga Europa veçanërisht, por edhe SHBA. Duhet veçuar fakti se shumica prej tyre ishin me origjinë hebraike.
Ndërkohë në shtypin europian filluan të shkruheshin mjaft artikuj njohës mbi traditat dhe kulturën shqiptare, por dhe për nevojën e shtetit shqiptar për investime të huaja. Shqipëria duket se u pa nga qarqet diplomatike të kohës si një mundësi reale për strehimin e hebrenjve.
Vendi kishte hapësira të pashfrytëzuara nga pikëpamja ekonomike, kishte treguar ndjenja tolerance të vazhdueshme ndaj komuniteteve të ndryshme fetare dhe etnike dhe për momentin po përpiqej fort të dilte nga vartësia e kushtëzuar e Italisë së Musolinit. Lidhja e Kombeve u shndërrua në këtë periudhë në një lloj ndërmjetësi mes komunitetit hebraik dhe qeverisë shqiptare.
Mbretërisë Shqiptare nga vetë Lidhja iu propozuan disa projekte për instalimin e hebrenjve të ikur, shoqëruar dhe me investime në vend, një prej të cilëve është kanalizimi i Bunës dhe i Drinit me qëllim instalimin e shumë hebrenjve të dëbuar nga Gjermania.
“Nëse projekti do të marrë udhë me sukses, – shkruan i dërguari shqiptar pranë Lidhjes së Kombeve, – sipas bisedimeve, në dispozicion të tij është parashikuar fillimisht një shumë prej 5-8 milion frangash ari”. Në letër kërkohej mendimi i qeverisë shqiptare mbi zbatimin e planit, madje synohej edhe një i dytë në Myzeqe.
Mediat nxitën menjëherë reagimin e organizatave sioniste të cilat vërshuan drejt konsullatave shqiptare nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, për të marrë më shumë informacion mbi çështjen se si mund të instaloheshin grupe hebrenjsh të rrezikuar në vendin e vogël ballkanik.
Rekordi i lëvizjes së hebrenjve drejt Shqipërisë shenjohet pikërisht në muajt janar, shkurt dhe mars të vitit 1939. Listat e hebrenjve deri në prag të shpërthimit të Luftës Dytë Botërore rriteshin nga dita në ditë.
Për të gjitha sa më sipër, emri i Familjes Mbretërore është cituar i dyti në radhë në një listë prej 63 familjesh shqiptare, të propozuara si “Fisnikë mes Kombesh” nga Muzeu Yad Vashem në Jeruzalem.
Ndërkohënë vitet e fundit të monarkisë, gjatë viteve 1937-1938, interesimi i autoriteteve shqiptare për listat e hebrenjve rritet ndjeshëm. Kërkesat e tyre nuk kishin të bënin vetëm me hartimin e tyre bazuar mbi emrat e emigrantëve të rinj, por edhe me informacione të ndryshme në lidhje me ta.
Cila ishte arsyeja?
Italia kish rritur survejimin ndaj hebrenjve të dëbuar nga Europa dhe ajo po i vëzhgonte më në hollësi, ata që mbërrinin në Shqipëri. Arsyeja nuk ishte thjesht politika antisemite e saj por dhe një lloj konkurrence ekonomike sa kohë hebrenjtë mund të përbënin një rrezik serioz për fqinjin tashmë të shantazhuar nga varfëria dhe mjerimi.
Është lehtësisht e dukshme të vrojtohet se në muajt e fundit të monarkisë situata precipitoi në një formë progresive në favor të masave kufizuese të lëvizjes së hebrenjve, ndoshta dhe për shkak të situatës në një plan më të gjerë, që lidhej me përgatitjet e forcave të Boshtit.
Por pavarësisht këtyre vendimeve, qeveria shqiptare nuk u tregua rigoroze në zbatimin e tyre.
Studiuesi i njohur MicheleSarfatti, një prej njohësve më të mirë të formave të shprehjes së politikës antisemite në ligje dhe vendime, pohon se politika antisemite u provua të zbatohej edhe në Shqipëri. Por, sipas tij, nuk mund të gjendet asnjë ngjashmëri mes legjislacionit italian dhe udhëzimeve që nxori mbretëria shqiptare për të kushtëzuar dhënien e vizave kundrejt garancive bankare.
Po si shpjegohet që Roma e toleroi një qëndrim të tillë në Tiranë, ndërsa vetë miratonte ligje të ashpra antihebraike?
Është një fakt i njohur se fashizmi kishte demagogji dhe retorikë në të gjitha drejtimet, po aq edhe në formulimin e politikave antihebraike. Politika antihebraike e Romës përgjithësisht u mbështet në sloganin Sorvegliare, nonpunire– T’i mbikëqyrim, pa i ndëshkuar.
Shqipëria, ky shtet i vogël me shumë traktate që ia kufizonin vetëveprimin, që u pushtua ndër të parët me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, refuzoi antisemitizmin si filozofi dhe si ligjshmëri duke mos iu bindur ligjeve antihebraike të vendeve edhe si Italia.