Hebrenjtë në Arbëri dhe me arbërit gjatë Mesjetës
Fjala në konferencën shkencore ndërkombëtare me temë “Shqiptarët dhe hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore”
Nga Akad. Pëllumb Xhufi
Është bërë tashmë një event i përvitshëm, që në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës Akademia jonë e Shkencave mbledh përfaqësues të botës akademike, të politikës, të artit e kulturës, të organizatave jo-qeveritare, në tubime, si ky i sotmi.
Nuk janë thjesht mbledhje përkujtimore, por janë një rast për një qasje të thelluar njerëzore e shkencore ndaj një tragjedie të papërshkrueshme, shoah-së, që trazon edhe sot, pas gati një shekulli, ndërgjegjen e mbarë njerëzimit. Është e vetëkuptueshme që tema qendrore e kësaj konference të jenë marrëdhëniet e shqiptarëve me hebrenjtë në kohën e Luftës II Botërore kur, mbi bazën e një antisemitizmi të edukuar e të rrënjosur ndër shekuj, diku në Evropë u ideua dhe u vu në zbatim projekti makabër i shfarosjes së një populli të tërë. Kjo kumtesa ime sheh nga kohë të tjera, më të hershme, e besoj se në mos për tjetër, ajo përputhet me objektin dhe frymën e konferencës ngaqë sjell dëshmi të një bashkëjetese e mbarëvajtjeje të përhershme mes dy popujve tanë.
Vite më parë, arkeologët tanë zbuluan mu në qendër të Onchezmit të vjetër (Saranda e sotme) rrënojat e një sinagoge të vjetër, shek. V-VI, e përshtatur brenda perimetrit të një bazilike më të hershme paleokristiane. Mes motiveve gjeometrikë e florealë të mozaikut që zbukuron dyshemenë, shquhen simbolet hebraike menorah, enrog-ut (qitro) dhe shafar-it (briri i dashit). Zbulimi fliste qartë për një prani të hershme të hebrenjve në Onchesmos e, padyshim, edhe në qendrat e tjera të bregdetit adriatiko-jonian. Ai mbështetet edhe nga një zbulim i Prof. Cesare Colafemmina, gjurmues i njohur i historisë dhe i kulturës hebraike të Italisë së Jugut. Këtu, në katakombet e qytetit Venosa (Basilicata) ai lexoi mbishkrimin mortor për një vajzë hebreje, bija e Isakut nga Onchesmos. Mbishkrimi mban datën e saktë, viti 520. Pa dyshim bëhet fjalë për një familje të shpërngulur nga Onchezmosi për shkak të shkatërrimit të këtij qyteti nga invazionet barbare.
Në shekujt e mëvonshëm në Durrës e në Vlorë dëshmohen komunitete të tëra hebrenjsh. Në vitin 1322 udhëtari anglez Symeon Symeonis konstatonte praninë në Durrës të një bashkësie “hebrejsh dinakë” (perfidis hebreis), duke na dhënë edhe një provë të paragjykimeve antisemite që kanë ushqyer persekutimet kundër hebrejve edhe në kohë shumë larg prej nesh.
Por le të themi, se anglezi nuk trajton më mirë as shqiptarët, të cilët i quan barbarë (barbaris Albanensibus). Në Durrës hebrenjtë duhet të ishin në një numër të konsiderueshëm, përderisa në vitin 1417 dëgjojmë të flitet për herë të parë për një “Judaica Durachii”, pra për një lagje të veçantë të hebrejve, që si kudo duhet të ishte jashtë mureve të qytetit. Aq më shumë, që atë kohë Durrësi ishte zotërim i Republikës së Venedikut, dhe në Venedik hebrenjtë trajtoheshin jo fort ndryshe nga ç ’trajtoheshin në gjithë Evropën e krishterë.
Në Durrës hebrenjtë mbanin gjallë veprimtari jetike: në 1281, Michel e Leon de Chura Chalia zotëronin tregtinë e kripës, të cilën në vitin 1319 e kontrollonte një tjetër hebre falë çmimeve më të ulta të shitjes. Dhe kjo e kishte tërbuar qeveritarin Anzhuin të Durrësit, që pretendonte të kishte monopolin në këtë aktivitet. Duke qenë persona me rëndësi për mbarë komunitetin e qytetarëve të Durrësit, mjaft hebrenj përmenden me emra nga burimet: “Muxie fio de Samuel zudio; Mischio zudio; Cahili, zudio; Donado çudio, Josaphat zudio, e të tjerë. Përmendet edhe një “Manichelo zudio sacerdote”, dhe bëhet fjalë sigurisht për një rabin. Mund të jetë një provë indirekte, që Durrësi kishte atë kohë edhe sinagogën e vet. Një dëshmi më të drejtpërdrejtë për çështjen e objektet e kultit hebraik e jep një urdhër i sulltanit i vitin 1699 për kadiun e Vlorës, ku ai interesohet, citoj, “për meremetimin e kishës së vjetër të hebrenjve në qytetin e Vlorës”.
Jo rrallë, hebrenjtë financonin edhe veprimtari publike për llogari të autoriteteve të vendit. Sansoni, për shembull, në 1417 mori përsipër të marrë mbi shpinë pagat e ushtarëve të garnizonit të Durrësit. Interesante është, që qeveritari venecian Matteo Gradonico, në vend të të hollave i kërkoi tregtarit Sanson një sasi stofi, të cilin ai e llogariti me dyfishin e çmimit dhe kështu e shiti, duke nxjerrë një fitim të majmë për vete. Një histori korrupsioni, sigurisht. Lidhur me marrëdhëniet mes banorëve shqiptarë dhe hebrenj të Durrësit, ngjall interes rasti i një dërgate të bashkisë së Durrësit në Venecie, në vitin 1401. Në emër të komuniteti durrsak, ajo i kërkoi Senatit që të lironte hebrenjtë e Durrësit nga një taksë e posaçme për ta, që konsistonte në dorëzimin e 16 pashë stofi në vit. Në atë rast, të dërguarit e bashkisë së Durrësit gënjyen diçka, kur deklaruan para Senatit se hebrenjtë e Durrësit ishin të paktë në numër, dhe ishin të varfër. Si për të thënë që shteti venecian nuk fitonte gjë nga ajo taksë, kurse hebrenjtë rrezikonin të rrënoheshin fare ekonomikisht. Sigurisht, durrsakët gënjyen në atë rast, por gënjyen për t’u bërë mirë bashkëqytetarëve të tyre hebrenj. Ndoshta edhe ishin marrë vesh mes tyre.
Si në Durrës, edhe në Vlorë prania e hebrenjve dëshmohet herët. Falë tyre Vlora, zotërim i mbretit Manfred Hohenstaufen të Siçilisë prej vitit 1258, u bë qendër për shpërndarjen e beharnave drejt Venecies, Raguzës e tregjeve të tjera të Adriatikut. Në shek. XIII-XIV, në qendër të kësaj tregtie fitimprurëse ishin tregtarë hebrenj të shpërngulur nga Jerba e Tunizisë në Siçili nga babai i Manfredit, Frederiku II Hohenstaufen. Sigurisht, këta e shtrinë tregtinë transite të beharnave edhe në zotërimet shqiptare të Manfredit. Por përveç beharnave, Vlora njihej në tregjet e Adriatikut edhe për një prodhim të vetin, për “kripën e bardhë” (sal albus). Në vitin 1368 grosisti i saj ishte hebreu David, që e eksportonte atë në Venecie, Raguzë e qytetet e tjera dalmate.
Në vitin 1430, hebreu vlonjat, Gozio, kishte një rol të dorës së parë në eksportet e drithit drejt Venecies dhe kolonive të saj në Dalmaci. Në 1399 një tjetër tregtar hebre nga Vlora, Davidi, shërbente edhe si i dërguar special i zotit të Vlorës, Merkshës, në oborret e huaja. Një tjetër hebre, rabini Jakob Codutto, bënte në vitet 1550 rolin e konsullit të Republikës së Raguzës. Njëherësh, ishte njeri i besuar i Sanxhakbeut, dhe në një moment të caktuar Raguzanët filluan të dyshojnë se mos bënte më shumë interesat e zotit të tij, se të tyre. Me misione diplomatike ngarkoheshin shpesh edhe hebrej të Durrësit. Si në Durrës, Vlorë e gjithashtu në Berat, hebrenjtë marrin pjesë në nënshkrimin e kontratave tregtare mes të tretëve. Në regjistrin e Kadiut të Vlorës të vitit 1568, shfaqen në rolin e garantit në lidhjen e kontratave civile mes qytetarëve të krishterë, apo mes qytetarëve të krishterë dhe atyre myslimane.
Prania e hebrenjve në Shqipëri njohu një rritje eksponenciale me mbërritjen e hebrenjve sefarditë nga Spanja dhe atyre italiotë nga Italia e Jugut. Për afërsinë gjeografike me Brindizin italian, Vlora u bë destinacioni kryesor i asaj vale të jashtëzakonshme migratore, që vazhdoi për disa vjet. Në vitin 1520, regjistrimi i popullsisë i bërë nga osmanët, atë kohë padronë të Vlorës, thotë se qyteti kishte gjithsej 1558 familje, nga të cilat 945 ishin familje të krishtera, 85 ishin myslimane dhe 528 familje ishin hebreje.
Pas gjysme shekulli, në 1568, një tjetër regjistër osman jep një numër më të vogël të tyre, edhe sepse një pjesë ndërkohë ishin konvertuar në islam, siç thotë i ndjeri Gilles Veistein, i cili e lidh këtë fenomen me shfaqjen në këto troje të “mesias së rremë”, Sabatah Zevi me lejë të Vezirit të Madh, që atë kohë ishte shqiptari Ahmed Qyprili. Një pasardhës të këtyre hebrenjve të islamizuar do mund të konsiderohej një farë Hysen Davidlli, që në vitin 1647 ishte sanxhakbej i Vlorës.
www.akad.gov.al