Urdhri sekret: Gratë e diplomatëve shqiptarë të veprojnë si agjente të infiltruara
Veprimi i agjentëve shqiptarë të infiltruar pranë mërgatës politike antikomuniste shqiptare.
Nga Dashnor Kaloçi, Memorie.al
Publikohet një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), i cili i përket vitit 1969, ku ndodhet një letër e Drejtorit të Marrëdhënieve me Jashtë pranë aparatit të Komitetit Qendror të të PPSH-së, Behar Shtylla, dërguar eprorëve të tij, të cilën ai e ka titulluar: “Disa mendime mbi punën e Zbulimit tonë jashtë shtetit dhe mbi punën në drejtim të emigracionit reaksionar”. Letra e plotë e Behar Shtyllës për udhëheqjen më të lartë të PPSH-së, ku ai rekomandon krijimin e një modeli të ri organizimi dhe veprimi të agjentëve shqiptarë të infiltruar pranë mërgatës politike antikomuniste shqiptare, (apo “emigracionit reaksionar” siç konsiderohej mërgata politike shqiptare para viteve ’90-të nga Tirana zyrtare), duke treguar madje dhe detajet më të imtësishme se si duhet zhvilluar ai proces.
“Në përcaktimin e detyrave aktuale për punonjësit e Zbulimit jashtë shtetit, të ndahet puna që ka të bëjë me detyrën themelore (mbrojtjen e atdheut) nga puna rutinë ose e dorës së dytë. Për këtë qëllim (mbase kjo bëhet) duhet një shkallëzim e ndarje pune edhe për agjentët; sipas pozitës dhe funksioneve të tyre, mund të ketë nga ata që na japin informata vetëm shumë rrallë, por shumë të rëndësishme për mbrojtjen tonë, pra kontaktet me ta janë shumë të rralla, vetëm kur duhet doemos.
Veç detyrës aktuale dhe në shërbim të kësaj për sot dhe për nesër, duhet zgjeruar puna informative nëpërmjet rrugëve legale, gjithashtu duhet të hedhim baza për perspektivën e largët, pas 10-20 vjetësh, sidomos në drejtim të vendeve fqinjë. Në Perëndim më shumë, por edhe në vendet revizioniste, shumë të dhëna që u interesojnë mbrojtjes dhe politikës sonë mund të merren në mjaft raste në rrugë legale, bile më shpejt, në mënyrë më të sigurt dhe pa vështirësitë që paraqet rruga ilegale. Përveç vëzhgimit direkt atje ku kemi njerëzit tanë, ku mund të bëhet kjo edhe për ato objekte dhe aktivitete që mund të vëzhgohen dhe të ndiqen direkt nga njerëzit tanë, dy janë rrugët kryesore të zbulimit legal”.
Kështu shkruante mes të tjerash në një letër dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, në vitin 1969, Behar Shtylla, asokohe në funksionin e Drejtorit të Marrëdhënieve me Jashtë pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku ai ka shprehur mendimet e dhe sugjerimet e tij, lidhur me mënyrën se si duhet të punonte dhe funksiononte Zbulimi Shqiptar për jashtë shtetit, gjë e cila si duket vinte edhe nga përvoja e tij e gjatë si Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë (1953-1966), ku ishte atashuar Drejtoria e Zbulimit me Jashtë, që varësinë kryesore e kishte nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti në fjalë, të cilin Memorie.al e publikon të plotë dhe pa asnjë ndryshim.
KOMITETIT QENDROR TE PARTISE SE PUNES SE SHQIPERISE
(SEKTORI I JASHTEM)
PERMBAJTJA
DISA MENDIME MBI PUNEN E ZBULIMIT TONE JASHTE SHTETIT DHE MBI PUNEN NE DREJTIM TE EMIGRACIONIT REAKSIONAR
Kam përshtypjen se Zbulimi ynë jashtë merret kryesisht me detyrat aktuale të sigurimit të mbrojtës së atdheut (kjo duhet të mbetet detyra e tij kryesore), dhe këto përgjithësisht në rrugë agjenturale.
Mendoj:
a) Në përcaktimin e detyrave aktuale për punonjësit e Zbulimit jashtë shtetit, të ndahet puna që ka të bëjë me detyrën themelore (mbrojtjen e atdheut) nga puna rutinë ose e dorës së dytë. Për këtë qëllim (mbase kjo bëhet) duhet një shkallëzim e ndarje pune edhe për agjentët; sipas pozitës dhe funksioneve të tyre, mund të ketë nga ata që na japin informata vetëm shumë rrallë, por shumë të rëndësishme për mbrojtjen tonë, pra kontaktet me ta janë shumë të rralla, vetëm kur duhet doemos.
b) Veç detyrës aktuale dhe në shërbim të kësaj për sot dhe për nesër, duhet zgjeruar puna informative nëpërmjet rrugëve legale, gjithashtu duhet të hedhim baza për perspektivën e largët, pas 10-20 vjetësh, sidomos në drejtim të vendeve fqinjë.
Si i kuptoj unë këto?
Puna informative përmes rrugëve legale
Në Perëndim më shumë, por edhe në vendet revizioniste, shumë të dhëna që u interesojnë mbrojtjes dhe politikës sonë mund të merren në mjaft raste në rrugë legale, bile më shpejt, në mënyrë më të sigurt dhe pa vështirësitë që paraqet rruga ilegale. Përveç vëzhgimit direkt atje ku kemi njerëzit tanë, ku mund të bëhet kjo edhe për ato objekte dhe aktivitete që mund të vëzhgohen dhe të ndiqen direkt nga njerëzit tanë, dy janë rrugët kryesore të zbulimit legal:
Shtypi
Kontaktet me njerëzit.
Shtypi: Në shtypin e çdo vendi, sidomos në ato të vendeve kapitaliste dhe revizioniste, botohen shumë materiale që në një formë ose në një tjetër japin të dhëna të vlefshme për Zbulimin. Veçanërisht me rëndësi paraqet këtu shtypi i specializuar (ushtarak, ekonomik, legjislativ etj.) dhe ai i krahinave.
Shfrytëzimi me sukses i shtypit në këtë drejtim kërkon:
– Të caktohen vendet që na interesojnë për Zbulimin.
– Të caktohen drejtimet në të cilat duhet përqendruar studimi i shtypit.
– Të caktohen dhe hidhen në dorë gazetat dhe revistat që na interesojnë për këtë qëllim.
– Të organizohet (pjesërisht në ambasadat tona dhe kryesisht në qendër në organet përkatëse) shfrytëzimi racional i këtij shtypi nga kuadrot që dinë gjuhët përkatëse dhe që kanë përgatitjen e nevojshme për të nxjerrë atë që na intereson.
– Këto të dhëna të ballafaqohen ose të plotësohen me të dhëna të tjera, mandej nxirren konkluzionet e duhura.
Kontaktet me njerëzit
Në shumë vende kapitaliste dhe revizioniste ka mjaft njerëz revolucionare, demokratë dhe përparimtarë apo miq të Shqipërisë që dëshirojnë dhe janë të disponuar të na ndihmojnë në rrugë të ndryshme, sidomos me informatat që u interesojnë politikës apo mbrojtjes sonë. Veç këtyre, ka dhe të tjerë që nuk janë të disponuar; po të dish t’i trajtosh ose të bisedosh me ta, mund të flasin dhe të japin të dhëna interesante. Ne vëmë re edhe sot se njerëz të ndryshëm, zyrtarë, tregtarë apo profesione të tjera, kur takohen me njerëzit tanë, në mjaft raste u japin informata të ndryshme. Midis tyre, natyrisht ka dhe njerëz që duan të na dezinformojnë, ndaj ne duhet të dimë “të ndajmë grurin nga egjra”.
Mendoj se këtij sektori duhet t’i japim një rëndësi të madhe e ta organizojmë punën më mirë se deri sot.
– Për çdo vend konkretisht duhet përpunuar një platformë për punën legale me njerëzit: në ç’drejtim, me cilët kategori kemi interes më shumë etj. Kjo nuk përjashton që në raste të veçanta të jepen udhëzime të posaçme.
– Kryesorja është që të përgatisim njerëzit tanë për një punë të tillë: këta duhet absolutisht që të zotërojnë gjuhët e vendit, të studiojnë mirë vendin ku veprojnë (ekonominë, politikën, historinë etj.), të zotërojnë një kulturë të gjerë dhe të jenë në gjendje të bisedojnë për çështje të ndryshme (edhe për letërsi, art etj.), që mund të zënë njohuri me të tjerët, të fitojnë respektin dhe simpatinë e tyre, edhe për politikën që mbrojnë dhe dinjitetin dhe aftësinë e tyre. Kjo kërkon përgatitje shumë të organizuar dhe serioze të kuadrit për zbulimin me jashtë shtetit, veç përgatitjeve të thella ideopolitike që është themelore, zgjuarsinë dhe shkathtësinë e tyre.
– Në shumë vende të huaja, në pritjet e ndryshme diplomatike, rregullisht ftohet titullari dhe shumë herë bashkëpunëtorët e tij të afërt kur kanë rang të lartë: ministër, këshilltar, atashe ushtarak, dhe shumë rrallë ose aspak, sekretarët. Është e nevojshme pra që në disa vende ku kemi interes për të zgjeruar punën informative legale dhe kemi shokë të përgatitur, këtyre t’u japim rangje diplomatike të përshtatshme (këshilltarë). Këtë mund ta bëjmë edhe në vendet revizioniste ku titullarët janë të ngarkuar me punë.
Me punë informative legale mund dhe duhet të merren edhe kuadrot e tjerë diplomatikë jashtë shtetit veç kuadrove të zbulimit: titullarët, sekretarët, atashetë tregtarë etj. Bile edhe gratë e shokëve diplomatë që dinë gjuhë e kanë rast për kontakte me gra diplomatësh dhe personalitetesh të vendit. Në gjithë këta shokë dhe shoqe duhen instruktuar në këtë drejtim.
Puna për perspektivën
Krahas detyrës për të zhvilluar punën e zbulimit për mbrojtjen aktuale të atdheut tonë socialist dhe duke vënë këtë në plan të parë, ne duhet të mendojmë dhe të hedhim baza të shëndosha për të pasur të ngritur zbulimin tonë edhe për një të ardhme të largët, 10-20 vjet më vonë, sidomos në drejtim të vendeve fqinje, në Itali, Jugosllavi e Greqi. Mendoj se në të kaluarën na kanë shpëtuar disa raste të mira: kontingjenti i robërve italianë e grekë, i emigrantëve jugosllavë etj.
Më duket gjithashtu se në këtë drejtim do të kishim edhe për sot baza mjaft të mira po të kishim punuar në perspektivë me gratë shqiptare të martuara me italianë, duke i lidhur ato më shumë me familjet e tyre në vendin tonë, po kështu edhe me emigrantët ekonomikë dhe fëmijët e tyre në disa vende që na interesojnë më shumë etj.
Sidoqoftë, mendoj se akoma ekzistojnë mundësi që të bëjmë një punë më të mirë edhe në të ardhmen. Unë mendoj se duhet t’i caktojmë vetes objektiv që për një periudhë prej 5-15 vjetësh ne të përgatitim dhe të kemi njerëzit tanë që të jenë kuadro me përgjegjësi në aparatet shtetërore kryesisht në Itali, Jugosllavi e Greqi.
Kjo do të thotë se ne duhet të gjejmë, të zgjedhim dhe të edukojmë e të përgatitim një numër të rinjsh me kombësi shqiptare ose jo, që të duan RPSH-së dhe t’i shërbejnë asaj deri në vdekje, që të nxiten dhe të ndihmohen në rrugë të ndryshme në mënyrë që gradualisht në vendet ku na intereson të zënë vendet me përgjegjësi nga ku mund të marrim informata të rëndësishme për mbrojtjen dhe politikën tonë në të ardhmen.
Puna nuk është e lehtë, por as e pamundur. Ajo duhet diskutuar dhe studiuar me shumë kujdes nga të gjitha anët, kërkon vëmendje, përpjekje, durim dhe seriozitet të madh. Me këtë detyrë duhet ngarkuar një organ special, shumë i kufizuar dhe i përgatitur i Drejtorisë së Zbulimit.
Disa kontingjente ku mund të kërkohen të rinj të tillë janë këta:
a) Bij e bija të emigrantëve shqiptarë në Itali, Francë, Egjipt etj., si dhe grave shqiptare të martuara me italianë dhe grekë.
b) Të rinj kosovarë dhe shqiptarë të Maqedonisë e të Malit të Zi.
c) Fëmijë të disa italianëve që kanë mbetur në Shqipëri dhe janë martuar me gra shqiptare ose të disa shqiptarëve që janë martuar me gra italiane ose të huaja të tjera. Këto familje mbajnë lidhje me familjet e tyre respektive në Itali, bile këmbejnë dhe vizita. Disa djem të tyre, qofshin dhe shumë pak, të rritur dhe të edukuar me dashuri dhe besnikëri për RPSH-së dhe Partinë, mund të lejohen të shkojnë për studime në Itali (apo në vende të tjera) pranë të afërmeve të tyre, herë pas here ndonjëri prej tyre mund “të mbetet” përgjithmonë atje dhe “të bëjë karrierë”. Këta dhe të tjerë, mund të gjenden edhe rrugë të tjera për t’i kaluar jashtë.
d) Kjo duhet menduar që tani edhe në drejtim të vendeve revizioniste.
Vihet re se, që tani, mjaft djem e vajza të emigrantëve shqiptarë në vendet e huaja kanë mbaruar shkolla, janë bërë profesorë, mjekë, kanë punë zyrtare të ndryshme. Mjaft prej tyre akoma dinë shqip dhe krenohen që janë shqiptarë. Ka dhe shumë të tjerë, sidomos në SHBA, që po asimilohen.
Shumë nga emigrantët shqiptarë kanë lidhje familjare me emigrantët shqiptarë që ndodhen në shtete të tjera: mjaft emigrantë shqiptarë në Amerikë po dhe gjetkë, venë e martohen në Greqi me vajza me origjinë shqiptare ose me origjinë greke, edhe në Jugosllavi me vajza shqiptare.
Kështu që, midis tyre, veç rrugëve të tjera, mund të gjenden familje ose të rinj që të venë e të vendosen në Greqi ose ku na intereson neve. Veç shqiptarëve brenda në Jugosllavi, emigracioni kosovar në Turqi e gjetkë është shumë i madh, edhe në radhët e tij mund të gjenden të rinj që kthehen në Jugosllavi.
Natyrisht, kjo është një punë shumë e madhe dhe delikate. Kjo kërkon një punë shumë të organizuar dhe sistematike. Ajo kërkon gjithashtu që të rishikojmë disa rregulla në fuqi lidhur me vizitat në Shqipëri të emigracionit ekonomik, të gjejmë rrugë dhe forma të reja për të afruar të rinjtë shqiptarë jashtë me vendin tonë etj. Për të përpunuar më konkretisht problemet dhe masat përkatëse, po të aprovohet ideja, të ngarkohen Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Mbi emigracionin jashtë shtetit.
Lidhur me emigracionin shqiptar jashtë shtetit, sot vihen re këto fenomene:
a) Brezi i vjetër i emigracionit ekonomik gradualisht po zhduket (vdekje, riatdhesim, tërheqje e plotë nga jeta politike e shoqërore e kolonive) ndërsa brezi i ri gradualisht po asimilohet në vendet ku jeton.
b) Në radhët e emigracionit reaksionar, vazhdojnë të veprojnë organizatat tradhtare dhe zbulimet e huaja, por njëkohësisht thellohet diferencimi midis masës dhe krerëve: një numër i mirë i të arratisurve ose kanë vdekur ose janë plakur, por fëmijët e tyre tani janë rritur, mjaft prej tyre tani punojnë në punë të ndryshme, ndjekin ose kanë mbaruar shkolla.
Karakteristikë është se këta e mbajnë veten të gjithë për shqiptarë, e duan Shqipërinë dhe shumë prej tyre nuk kanë ndaj RPSH ndjenja armiqësore të prindërve të tyre. Gradualisht këta po zënë vendin e emigracionit ekonomik në mbajtjen gjallë të lëvizjes shqiptare jashtë shtetit: në një farë shkalle, varet nga puna jonë që veprimtaria e tyre të mos ketë karakter armiqësor dhe të karakterizohet në rrugë patriotike.
c) Për shkak të persekutimeve titiste, është shtuar shumë emigracioni kosovar jo vetëm në Turqi, por edhe në Francë, Belgjikë, Austri, Suedi, Kanada, Amerikë etj. Këta janë më kompaktë në qëndrimet e tyre kundër Titos, kundër emigracionit reaksionar dhe pro RPSH-së dhe shokut Enver, qëllimi i tyre politik kryesor është bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Ata nuk janë të organizuar në masë: ato organizata të pakta kosovare që ekzistojnë, janë në duart e elementit reaksionar. Natyrisht edhe në radhët e tyre punojnë zbulimet imperialiste dhe agjenturat titiste.
Mendoj se duhet forcuar puna në drejtim të tri palëve dhe të gjejmë disa forma të përshtatshme për të realizuar politikën tonë në drejtim të tyre. Ndër të tjera mund të mendohen disa masa në këto drejtime:
Të ruajmë sa të jetë e mundur më gjatë qëndrimin e veprimtarisë patriotike të emigracionit ekonomik (jo vetëm në SHBA, por edhe në vende të tjera), duke përkrahur forma të reja organizimi që mund të tërheqin edhe brezin e ri, të njohim dhe të afrojmë edhe këtë të fundit (më të mirët, më aktivët), shkolla dhe qendra kulturore shqiptare dhe këtu të jepet mësimi i gjuhës shqipe dhe i historisë, të ketë bibliotekë, muzikë shqiptare, ndonjë muze të vogël të lëvizjes patriotike në koloni, foto-ekspozita, shtypi ynë, disa filma etj.
Të organizohen konferenca mbi Shqipërinë nga shqiptarë dhe të huaj etj.: mund të mendohet për vizita të rinjsh shqiptarë të kolonive në Shqipëri në grup të organizuar për një periudhë të caktuar si turistë të huaj; në raste shumë të rralla mund të jepet ndonjë bursë; të mos mbyllet krejtësisht shpresa për emigracionin ekonomik për të vizituar Shqipërinë etj. Të përmirësojmë emisionet e “Radio Tiranës” në drejtim të tyre, gazetën dhe revistën “Shqipëria e Re”, të organizojmë mirë punën që të marrin sa më shumë gazeta dhe revista nga Shqipëria.
Krahas punës për demaskimin e krerëve dhe organizatave të emigracionit reaksionar, për thellimin e divergjencave midis tyre dhe të diferencimit në radhët e këtij emigracioni, të kërkojmë disa forma të reja pune që të na ndihmojnë në këtë drejtim edhe për të vënë sa më shumë masën e këtij emigracioni, sidomos brezin e ri, nën influencën tonë.
Një formë e dobishme do të shihte p.sh. që nën drejtimin e njerëzve tanë të besuar, dhe atje ku është nevoja, me ndihmën tonë, të çelen qendra apo klube (këto mund të jenë edhe restorante apo kafene me ndonjë sallë të veçantë) ku të gjendet shtypi shqiptar, muzikë shqiptare, bibliotekë me libra shqip, të dëgjohet “Radio Tirana” etj.).
Sa më sipër mund të bëhet edhe me kosovarë në emigracion. Veç kësaj, mbase ka ardhur koha që kosovarët të organizohen në shoqëri kulturale e patriotike nën influencën tonë, të kenë edhe një gazetë të tyre, redaksia e së cilës të përbëhet nga njerëz patriotë dhe që ndjekin direktivat e Partisë dhe të Qeverisë sonë.
Këto janë vetëm disa mendime, që natyrisht duhen diskutuar e plotësuar nga shokët dhe organet që merren më direkt me këto probleme.
Tiranë, më 28 mars 1969
Behar Shtylla