Joe Biden, fjalim përpara Kongresit mbi gjendjen e SHBA
Presidenti Joe Biden pritet të mbajë të martën në Kongres fjalimin e dytë të përvitshëm mbi gjendjen e kombit
Presidenti Joe Biden pritet të mbajë të martën në Kongres fjalimin e dytë të përvitshëm mbi gjendjen e kombit. Por a do të jetë ky fjalim përsëritje e të parit apo do ngrejë çështje të tjera? Analistët përmendin çështjet që presin të dëgjojnë në fjalimin e presidentit, përpara një Kongresi që nuk është më tërësisht në anën e tij.
Eshtë rasti që Presidenti Joe Biden të shpjegojë përparësitë e tij përpara Kongresi me përbërje të re.
Disa ditë para fjalimit që do të mbahet të martën në mbrëmje, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierrre, tha se zakonisht fjalimi rishikohet deri në momentin e fundit, por siç tha ajo, disa çështje janë të sigurta.
“Përparimi domethënës ekonomik që po shohim nën udhëheqjen e tij(Presidentit Biden), vizioni i tij ekonomik për të ndërtuar ekonominë, duke filluar nga shtresat me nivele të ulëta dhe të mesme të ardhurash. Projektligjet historike që janë miratuar gjatë dy viteve të fundit, që kanë krijuar vende pune për shtresën e mesme dhe kanë dhënë rezultate të prekshme për njerëzit, si rikonstruksioni i rrugëve, urave, tuneleve, duke ndikuar në uljen e shpenzimeve tona të përditshme”.
Por, historiani Jeremi Suri thotë se ky fjalim është dhe do jetë përherë i politizuar.
“Politikat që do ndiqen kanë rëndësi për shumicën qeverisëse. Ky është rasti që Presidenti ta shfrytëzojë edhe këtë vit për ta orientuar axhendën dhe debatin publik, në mënyrë të tillë që të përfitojë si ai dhe partia e tij. Ai shpreson gjithashtu të rrisë trysninë për të çuar përpara objektivat e tij politike”.
Zoti Suri thotë se zoti Biden pritet të rikthejë në fjalimin e tij atë që ai e ka cilësuar si “shpirti” i kombit dhe asaj që ai e konsideron si kërcënim të demokracisë nga e djathta ekstreme.
Po kështu një vend do të zërë lufta në Ukrainë, njësoj si një vit më parë, kur sulmi sapo kishte nisur dhe Presidenti Biden foli mbi nevojën që Perëndimi të ndihmonte Kievin të mbrohej nga Moska. Zoti Biden gjithashtu është shprehur se administrata e tij synon miratimin e ligjeve të reja mbi abortin, përdorimin e armëve dhe reformë në polici.
Por ai përballet me një sfidë. Kompetencën për të miratuar ligjet e ka Kongresi dhe Partia Republikane në opozitë kontrollon një nga dy dhomat e tij.
Kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy, i cili do të ulet pas Presidentit të martën, është përfshirë në një debat me Presidentin Biden mbi mënyrën se si duhen shpenzuar paratë e taksapaguesve amerikanë. Republikanët kërkojnë shkurtim të thellë të shpenzimeve qeveritare.
“Kam qenë i qartë. Nuk mund të vazhdojmë më kështu në rrugëtimin tonë. Duhet të ndryshojmë trajektore, për të patur ekuilibër në rrugën tonë. Se si do të arrijmë atje, kjo është cështje për diskutim”.
Zoti Suri thotë se vëmendja do të përqendrohet me siguri tek reagimi i zotit McCarthy, i cili do të qëndrojë ulur pas Presidentit Biden, ndërsa ai mban fjalimin.
“Njerëzit do të shohin mimikën e tij, nëse tregon pakënaqësi, nëse duket i nevrikosur dhe jobashkëpunues, nëse ngjan si ekstremist. Por nëse do do të japë shenja për bashkëpunim me Presidentin Biden, atëherë, sigurisht, kjo do të izolonte të djathtën ekstreme ndër radhët e partisë së tij, grupin e vogël brenda Partisë Republikane dhe Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët kërkojnë që ai ta kundërshtojë Presidentin”.
Gjatë kohës së fjalimit të Presidentit Biden më 7 shkurt në mbrëmje, pritet të përzihen bashkë, politika, pompoziteti e temperamente të ndryshme. /VOA