“Gruaja që e dashuroi dhe e vrau me heshtje”
“Gruaja që e dashuroi dhe e vrau me heshtje” është romani i ri i autorit Bledar Kurti.
“Gruaja që e dashuroi dhe e vrau me heshtje” është romani i ri i autorit Bledar Kurti.
Kjo vepër i kushtohet dashurisë së maturuar, bashkimit të dy botëve të ndryshme dhe në fokus ka zemërthyerjen mashkullore:
“Të ndiçëm nga poemat, këngët dhe veprat e pafundme të artit të kushtuara zemërthyerjeve femërore, zotat nisën të dëfrehen me vrerosjen dhe pikëllimin e një burri, sepse vdekja e një luleje është një ceremoni makabër e sakrilegj bukurie, por që zgjat fare pak kohë, ndërsa shpërbërja e një shkëmbi, ashtu siç ishte ai burrë, kërkon mijëra vite dhe vuan gjatë, shumë gjatë, nën torturën e kohës,” shkruhet që në hyrje të romanit.
Në këtë libër ngjarja zhvillohet në Nju Jork, ku një burrë dhe një grua, dy intelektualë të arrirë, nga dy kontinente e kultura të ndryshme, dashurohen çmedurisht me njëri-tjetrin. I gjithë universi duket se është vënë në lëvizje për t’i bashkuar ata edhe pse dashuria e tyre është e privuar. Burri dhe gruaja kanë prejardhje e botëkuptime të ndryshme por edhe pse ai shprehet me fjalë e ajo me heshtje, ata arrijnë të gjejnë për pak kohë momentin e lumturisë sublime.
Libri është i mbushur me momente pasioni, përshkrime të gjalla emocionale dhe e fton lexuesin të udhëtojë bashkë me çiftin përmes vuajtes së dashurisë por edhe ti bashkohet personazheve në muzetë e artit, tingujt e muzikës, dhe mbi të gjitha në thellësitë e zemrës njerëzore.
“Ai nuk e di se mua nuk më ka pëlqyer kurrë të prekem. E kam urryer gjithë jetës të prekesha prej dikujt. Ndërsa tani lëngoj për prekjen e tij. Më bën të jem e lirë. Më bën të ndiej, të dëshiroj, të ndizem, të shpresoj, të dëshpërohem. Ai më bën të jem një qenie njerëzore, një femër, dhe jo një kukull. Oh, prekja e tij! Porsi një pickim nëpërke që të bën të vdesësh me dëshirë. Po jetoj një ëndërr brenda një ëndrre, pa dashur të zgjohem.”
Në fund të romanit historia merr dimension të gjerë duke e kapërcyer historinë e dashurisë midis dy njerëzve por duke dhënë mesazhe universale të cilat prekin çdo qenie njerëzore pavarësisht kombësisë, fesë, apo origjinës.
E veçanta e këtij libri është se vetë autori, Dr. Bledar Kurti, duket se ka përçuar përmes penës të gjitha sferat e profesionit dhe krijimtarisë së tij.
Dr. Kurti është lektor universiteti, analist e këshilltar politik, publicist, artist dhe muzikant, e të gjitha këto fusha i gjejmë të ndërthurura në romanin Gruaja Që e Dashuroi Dhe e Vrau Me Heshtje.
Ky roman është një udhëtim në një botë dashurore të rrallë, e të bën të mendosh në çdo paragraf të historisë. Në fund të librit, pas përshkrimeve magjepëse lexuesi nuk është më i njëjtë si më parë.
Fragment nga romani:
Ajo mbështeti rëndë kokën mbi supin e tij dhe i merte erë.
-Dua të qëndroj këtu përgjithmonë, – i tha ajo duke zbritur kokën nga rrëzëqafa për te kraharori i tij.
-Qëndro, i tha ai.
-Këtu është paqja ime.
-Qëndro.
-Kjo është streha ime.
-Qëndro.
Ajo ia mori dorën, ia puthi dhe mbuloi njërën faqe. Mbylli sytë, mori frymë thellë dhe i tha, -Ti mban aromë parajse. A e di? Ti mban aromë parajse. Aromë parajse, imzot. Më duket sikur e kam ndjerë prej së largu këtë aromë. Është kaq e njohur për mua. E kam ndjerë që ditën kur linda. Ja, nuhate, – dhe ia afroi dorën poshtë hundës. – A e ndien? Aromë parajse. Dua të qëndroj këtu, dhe ia rrahu kraharorin duke ngjeshur fort kokën te zemra e tij.
-Qëndro. Mos u largo kurrë.
-Sa do doja, imzot. Sa do doja. Por kafazi i artë na pret.
-Qëndro.
-Kafazi i artë na pret me dyert hapur. Me kangjellat e veta të zbukuruara me arin e moralit, me argjendin e traditës, me xhevahirët e pritshmërive shoqërore. E me të hyrë brenda na kyç me çelësin e fatit.