Prof.dr. Adrian Civici: Mesjeta, pararendëse e një sistemi monetar të mirë organizuar
“Lindja, sfidat dhe krizat e para të sistemit bankar në qytetet mesjetare italiane, franceze, spanjolle, belge, etj., në shek. XIII-XV”
Nga akademik i asociuar, prof.dr. Adrian Civici
Bankierët e parë, në kuptimin historik modern, ishin katolikët italianë, ose më mirë, fiorentinët, venecianët dhe gjenovezët, duke filluar nga fundi i viteve 1200, në rrugët e trafikut detar të kohës, kur Italia ishte strumbullari i ekonomisë tregtare evropiane. Bardi, Peruzzi, Medici i Firences, Soranzo i Venecias ose Banco di San Giorgio i Genovas, ishin bankierët e parë në Evropë. Në shek. XIII-të, në Firence egzistonin dy bankat më të mëdha të Europës së asaj periudhe, të cilat kishin filiale në gjithë Europën. Florini toskan, i bërë prej ari të pastër 24 karatësh, i prodhuar në Firence, ishte monedha e preferuar e këmbimit në Evropë në kohën e Rilindjes.
Bankierët e parë ishin këmbyesit italianë të parave, të quajtur cambiares ose campsores, nga folja latine campsor, të cilët ndërtuan stolat prej druri ku vendoseshin peshoret, peshoheshin, krahasoheshin dhe shkëmbeheshin monedhat. Më pas, ata u mblodhën në panaire, të cilat ishin qëndrat kryesore të shkëmbimit dhe ekspozimit të mallrave, në Shampanjë, Flanders dhe Gjenevë.
Duke filluar nga vitet 1300, ata filluan të jepnin hua dhe të ruanin para për klientët e tyre. Fillimisht vetëm tregtarëve, pastaj familjeve të pasura aristokrate, dhe në fund mbretërve e Papëve.
Për zhvillimin e operacioneve bankare dhe tregtare, pika e kthesës së madhe erdhi me kartëmonedhën (Kartëmonedha ose para letre ishte një lloj kambial i negociueshëm, i bërë nga një bankë që i paguhej mbajtësit sipas kërkesës. Kartëmonedhat fillimisht u emetuan nga bankat komerciale, të cilave u kërkohej ligjërisht të paguanin kartëmonedhat për kurs ligjor – zakonisht monedhë ari ose argjendi – kur i paraqiteshin drejtorit apo arkëtarit të bankës. Këto kartëmonedha tregtare tregtoheshin me vlerë nominale në tregun e shërbyer nga banka emetuese) që vërtetonte depozitimin e monedhave të çmuara, me vulën dhe garancinë e një bankieri- depozitues. Nënshkrimi i kartëmonedhave u mundësoi tregtarëve të merrnin nga dega e huaj të njëjtën shumë të depozituar në atdheun e tyre. Kështu, tregtarët mund të mbështeteshin në paratë e tyre në filialet e qyteteve kryesore të Evropës dhe të përballonin kostot e lundrimit, transportit dhe magazinimit.
Bankat e para, pra, ishin bankat tregtare italiane, partneritete të vërteta bankare tregtare, siç do t’i cilësonim sot. Këto kompani bankierësh-tregtarë, që u jepnin para Mbretërve e Princave për financimin e luftërave, merrnin në këmbim licenca të veçanta eksporti dhe importi, si dhe privilegjin e përjashtimeve doganore dhe mbledhjes së taksave nga nënshtetasit në emër të mbretit. Krahas kontributeve të bashkëpunëtorëve, bankat kryesore merrnin depozita nga familje të mëdha fisnike, klerikë të rëndësishëm, personalitete ushtarake dhe politike. Kompanitë kryesore fiorentine që kryenin transaksione bankare ndërkombëtare nëpërmjet lettera di cambio (akte noteriale me anë të të cilave një bankier që kishte pranuar një shumë monedhash nga një klient, autorizonte një bankier tjetër në një qytet, krahinë apo vend tjetër, që ti paguante këtë shumë një klienti tjetër. Ky dokument, që u cfaq në gjysmën e dytë të shek.XII-të, përbën formën e parë rudimentare të kambialeve, të cilat krijonin mundësi për lëvizjen e kapitaleve nga një bankë apo qëndër financiare në tjetrën, duke evituar rrezikun e transportit fizik të monedhave të arit apo argjendit.
Sistemi i sotëm bankar dhe financiar e ka fillesën e tij që në shek. XIII-të. Po kështu edhe origjina dhe pasojat e gabimeve të mëdha financiare apo monetare që e kanë shoqëruar atë në shekuj. Janë të shumta dëshmitë dhe dokumentet që provojnë se si pasojë e kërkesave dhe efekteve të revolucionit tregtar që ndodhi në Europë në shekujt XII-XIII-të, u ç’faqën bankat dhe bankierët e parë. Fillimisht si këmbyes parash, më vonë si depozitues dhe realizues pagesash në emër të tregtarëve, dhe pastaj si kreditorë e emetues monedhash.
Bankierët e “rinj” u dalluan shpejt nga fajdexhinjtë e mëparshëm si pasojë e dinamizmit dhe shpirtit të tyre kooperues ndërmjet depozituesve dhe huamarrësve, duke u lidhur ngushtë më tregëtinë dhe botën e biznesit, ndërkohë që fajdexhinjtë mbetën të atashuar me prodhuesit bujqësorë dhe konsumatorët individualë.
Krijimi i këtyre bankave i dha mundësi lindjes së një sistemi të vërtetë pagesash ndërkombëtare dhe kreditimi, i aftë që të mobilizonte depozita dhe të bënte pagesa në hapësira të mëdha gjeografike dhe larg vendit të origjinës së burimeve të tij financiare. Bankat e para u ngritën në qytetet mesjetare italiane, franceze, spanjolle, belge, në Xhenova, Venecie, Siena, Firence, Tuluzë, Barcelonë, Bruzh, etj.
Sistemi i depozitave dhe kredive i bëri shumë shpejt këto banka që të “krijonin monedhën” e tyre letër të pagesave, e cila jo gjithmonë ishte e mbuluar në vlerë nga paratë apo depozitat e arit dhe argjendit që këto banka kishin në arkat dhe depozitat e tyre. Studiues të historisë bankare e financiare gjykojnë se “aktiviteti i bankave mesjetare kishte karakter të dukshëm inflacionist që shfaqej në krijimin nga ana e tyre e një monedhe të besueshme të stampuar që në thelb nuk ndryshonte nga çeqet apo monedhat letër të sotme”.
Ky veprim i dha jetë një ekspansioni të madh të kreditit, por nga ana tjetër, evidentoi dhe lindjen e fenomenit të “karakterit të pakontrolluar të transferimit të depozitave” dhe një krediti, jo vetëm të pambuluar nga depozitat, por edhe të palidhur me aktivitetin prodhues. Gjithshka bazohej thjesht te besimi reciprok ndërmjet depozituesve, huamarrësve dhe bankave. Besimi në personin dhe personalitetin e bankierit zëvendësonte atë që ne sot e cilësojmë si mbikëqyrje bankare, transparencë në menaxhimin efektiv të portofolit, performancën dhe vlerësimin e mirë të bankës, etj.
Pothuajse të gjitha bankat e rëndësishme të periudhës mesjetare falimentuan apo e mbyllën aktivitetin e tyre pas një kohe jo shumë të gjatë veprimtarie. Mbas një periudhe shkëlqimi vinte në mënyrë të pashmangshme falimentimi. Duket se ato bënin të gjitha të njëjtin “gabim”. Besimi dhe euforia e fillimit apo e rezultateve të mira në një periudhë të parë rrisnin shumë volumin e kreditit dhe raporti ndërmjet rezervave likuide dhe depozitave ngushtohej ndjeshëm. Në këto kushte, mjaftonte një tronditje e vogël – zvogëlimi i sasisë së arit dhe argjendit që ajo kishte në arkën e saj, mospagimi i kredisë nga ndonjë debitor i keq, ndryshime në kursin politik në qeverisjen e qytetit, etj., që depozituesit të mësynin në sportelet e bankës dhe ajo të falimentonte.
Krizat e para bankare në histori janë kriza të mirëfillta krediti që filluan me zhvillimin e transfertave të produkteve të fiskalitetit papal të Vatikanit. Sipas Edouard Perroy, “ky inovacion, i lindur që në fillim të shek.XIV-të, i shumëfishoi ndjeshëm mjetet e pagesës, mundësinë e spekulimit, vëllimin e transaksioneve dhe fitimin…është plotësisht e vërtetë se përmirësimi i teknikave bankare nëpërmjet zmadhimit fiktiv të kapitalit e lë gjithë ekonominë në dorën e krizës së besimit dhe kreditit; është egzaktësisht mekanizmi i flluskave financiare të sotme..” .
Falimentimet e para të bankave filluan që në fundin e shek.XII-të dhe fillimet e shek.XIII-të. Rasti i parë i evidentuar është ai i “Bankës Leccacorvo” në Xhenova të Italisë e cila u krijua në vitin 1244 për të falimentuar me shumë bujë vetëm 15 vite më vonë, në 1259. Shkaku kryesor i dështimit të saj ishte “angazhimi dhe zgjerimi i aktivitetit në shumë drejtime pa arritur që të konsolidohej…u përfshi në kreditë papale, në financimin e autoriteteve të qytetit, në mbështetjen financiare të Mbretit Saint Louis të Francës i cili njihej si një nga debitorët më të këqij të kohës, në financimin e kryqëzatave, në operacione të dyshimta këmbimi në interes të thesarit të mbretit” , në dhënien masive të kredive për tregëtarët e mëndafshit, për ndërtuesit e anijeve, etj.
Por, në vitin 1255, Xhenova dhe gjithë aktiviteti i saj ekonomik e tregëtar pësuan një depresion të thellë ekonomik të shoqëruar me konflikte e destabilitet politik. Banka e Leccacorvo-s, ashtu si edhe shumë banka të tjera kishin dhënë hua e kredi shumë më tepër se rezervat e tyre monetare në ar dhe argjend, ndërkohë që debitorët më të rëndësishëm të saj falimentuan, duke bërë që edhe vetë banka të falimentonte. Banka Leccacorvo, brenda një periudhe të shkurtër (1244-1259) njohu një cikël të plotë: zgjerimin dhe suksesin, stanjacionin dhe rënien, duke u bërë shembulli i parë në histori i pasojave drastike të gabimeve dhe iluzioneve të gabuara financiare e monetare.
E njëjta situatë ndodhi dhe me bankën tjetër të quajtur “Banka e madhe e Sienës” (major tabula Senensis) e themeluar në vitin 1250 nga fisnikët Orlando dhe Buonsignori ose të ashtuquajturit “Rothschildët e shek.XIII-të” , e cila konsiderohet si institucioni financiar më i rëndësishëm i Italisë së fundit të shek.XIII-të. Ajo u bë shpejt Banka kryesore e Papëve Innocent-i i IV dhe Nicolas-i i IV, dhe financuesja kryesore e princit Charles të Anjou-së të dinastisë mbretërore franceze. Falimentimi i saj ndodhi në periudhën 1298-1302, menjëherë sapo banka humbi klientelën e Vatikanit.
Vështirësitë për ta mbajtur në këmbë bankën erdhën si pasojë e opinionit që përhapën klientët e saj se banka e Sienës nuk gëzonte besimin dhe partneritetin e Vatikanit dhe Mbretit të Francës…se ortakët e saj kishin kontradikta të mëdha me njëri-tjetrin, se ajo ishte angazhuar në operacione të dyshimta larg Sienës dhe Italisë, etj. E gjithë kjo bëri që kreditorët dhe depozituesit e saj të dyndeshin në sportele për të kërkuar paratë e depozituara apo vënë në shërbim të bankës, duke bërë që ajo të shpallte menjëherë pamundësinë e pagesës dhe falimentimin.
Paniku dhe dyndja masive e depozituesve në ndërtesat e Bankës Buonsignori në vitin 1298 dhe për pasojë falimentimi spetakolar i saj krahasohet si i ngjashëm me një falimentim tjetër të madh bankar që do të vinte në histori 630 vite më vonë, depresionin e madh të viteve 1929-32 në SHBA. Banka u ndëshkua për mungesë likuiditeti për momentin, si pasojë e panikut të përgjithshëm dhe jo si pamundësi absolute për t’u përgjigjur klientëve të saj. Ajo kërkoi ndihmë nga autoritetet më të larta të qytetit të Sienës për t’i akorduar përkohësisht një shumë parash që të përballonte kërkesat imediate për rimbursim deri sa të qetësohej situata dhe deri sa të arrinin në Sienë paratë nga aktivitetet jashtë qytetit apo Italisë.
Ky rast hapi një debat që vazhdon prej shekujsh ndërmjet ekonomistëve: a duhet që autoritetet dhe institucionet publike të ndërhyjnë me ndihma publike për të mos lejuar falimentimin e bankave kur konstatohet se ato janë nën veprimin e panikut dhe psikologjisë së krizave të publikut të gjerë…kur ato janë në krizë likuiditeti dhe jo pamundësie absolute pagimi? Në krizën e depresionit të madh të viteve 1929-32 u veprua nëpërmjet bllokimit total të tyre dhe lënien që të falimentojnë në masë, ndërkohë në krizën financiare globale të viteve 2008-2010 u bë e kundërta, bankat u ndihmuan me likuiditet të bollshëm që të mos e ndërprisnin aktivitetin e tyre dhe të falimentonin.
Fillimi i shek.XIV-të korrespondon me falimentimin në masë të bankave më të mëdha të kohës, megjithëse këto kishin gati gjysmë shekulli që përbënin themelin e sistemit financiar ndërkombëtar. Banka e mëdha të familjeve apo grupeve financiare si “Acciainoli”, “Perruzzi”, “Bardi”, “Bonaccorsi”, “Cocchi”, ”Antellesi”, “Corsini”,etj., të quajtura si “mbështetëset e krishterimit”, falimentuan njëra pas tjetrës duke filluar nga viti 1340. Për të kuptuar se sa të mëdha e të rëndësishme ishin këto banka mjafton tu referohemi disa shifrave domethënëse. Xhiro vjetore e bankës “Bardi” në vitin 1318 ishte 875000 fiorinta, ndërkohë që Papa Clementi VI-të bleu në vitin 1348 gjithë qytetin e Avignon në Francë për vetëm 80000 fiorinta, dhe Mbreti i Francës bleu në 1349 qytetin e Montpellier për 133000 fiorinta .
Bankierët gjermanë : Jacob Fugger – Në këtë kontekst, u dalluan veçanërisht disa familje bankare. Bankierët gjermanë Höchstaetter dhe Welser ishin të njohur, por ishin Fuggerët ata që kishin një reputacion legjendar. Fuggerët ishin me origjinë nga qyteti i Augsburgut. Baza e pasurisë së tyre gjendej në aktivitetet tregtare të ndërmarra me ndërmarrje të veçanta gjatë shekullit të XV-të. Duke grumbulluar kapital nga brezi në brez, Fuggers arritën të mbanin një trashëgimi që u bë legjendare. Jacob Fugger, “bankieri i pasur”, ishte eksponenti më i njohur i kësaj familjeje. Ai konsolidoi pasurinë e familjes dhe e rriti atë në mënyrë eksponenciale, vecanërisht duke u dhënë hua sovranëve, monarkëve dhe papatit.
Me kapitalin e grumbulluar dhe monopolin në sferën e kreditit, familja Fugger arriti të shtrijë veprimtarinë e saj tregtare dhe financiare në të gjithë Evropën.
Lindja e bursës dhe tregjeve financiare : Flandria dhe Antwerp (Belgjikë) – Gjatë shekullit të gjashtëmbëdhjetë u regjistruan risi që transformuan ekonominë dhe financat e Evropës. Akumulimi i kapitalit, dimensioni tashmë global i tregut, fenomeni i spekulimit financiar u zhvillua paralelisht me përhapjen e bursave, të cilat, duke pasur origjinën në Itali gjatë shek.XIV-të, bënë që Flandria dhe Antwerp të shiheshin si vende simbolike të botës së biznesit gjatë shek.XVI-të, si pole të rëndësishme financiare e monetare. Nëpërmjet bursave, vendeve të dedikuara për këmbim dhe kontrata, tregtarë, bankierë, financues të ndërmarrjeve tregtare, ndërmjetës, etj., mund të takoheshin, diskutonin për biznesin, bënin marrëveshje, shlyheshin borxhet.
Kryeqytetet tregtare dhe financiare të Evropës në shek.XVI-të – Sektori ekonomik që pësoi transformimet më të mëdha gjatë shek.XV-XVI-të ishte ai i tregtisë. Përveç trafikut në Detin Mesdhe, gjatë shekullit të XVI-të rëndësi të madhe fituan rrugët në Oqeanin Atlantik, Detin Baltik dhe Detin e Veriut. Këto dy dete, që lagin brigjet veriore të Evropës, kontrolloheshin nga Lidhja Hanseatike dhe përshkoheshin nga anije të ngarkuara me mallra dhe mbi të gjitha me lëndë drusore, një nga lëndët e para më të rëndësishme të kohës. Gjatë këtij shekulli, tregtarët filluan gjithashtu të formojnë kompani financiare e sigurimesh për të kufizuar kostot dhe rreziqet e udhëtimit. Ndër qytetet kryesore tregtare, të evidentuara edhe nga një përqendrim i lartë i bankierëve, mund të përmenden: Xhenova, Piza, Venecia, Antwerp, Amsterdami, Sevilja, Lisbona, etj.
Shumë autorë të historisë bankare e financiare vlerësojnë se, nëse merret si etalon madhësia e kredisë dhe borxheve në raport me tërësinë e flukseve financiare ndërkombëtare, “krach” i viteve 1340-46, mund të konsiderohet si një krizat më të mëdha bankare në histori. Arsyet e kësaj krize të sistemit të kredisë janë të lidhura ngushtë me depresionin e madh të mesit të shekullit të XIV-të dhe krizën e përgjithshme që përfshiu kapitalizmin tregëtar, por edhe me historinë e zhvillimit dhe rolit specifik të qytetit të Firences dhe politikës së saj monetare. Në vitet 1300, Firence ishte qendra kryesore financiare e Europës dhe monedha e saj fiorin ishte mjeti i pagesës më universal i pranuar në Europë dhe në vendet e lindjes. Pozicioni i saj në atë kohë ishte shumë më i rëndësishëm se Londra e viteve 1880 apo Neë York-u i viteve 1925. Megjithëse ajo ishte dhe një qendër shumë e madhe tregëtare, supremacia e saj e vërtetë ishte ajo financiare. Bankierët fiorentinë u bënë mjeshtrit e rregullave dhe operacioneve bankare e monetare në gjithë Europën. Dalja e saj nga skena e historisë ekonomike e financiare ndodhi pikërisht si pasojë e krizës së bankave.
Shkaqet kryesore që çuan në këtë falimentim masiv janë të shumta:
• fryrja anormale e kreditit bankar shumë më tepër se mundësitë e tyre financiare;
• moskthimi i kredive apo mospagimi i borxheve nga mbretërit dhe oborret mbretërore të kredituara me shumicë shpesh edhe për arsye të pastra politike apo nën presionin e autoritetit të tyre ;
• pasojë e paqartësive politike dhe kontradiktave të vazhdueshme ndërmjet princërve e qytet-shteteve në Itali të cilët i depozitonin apo i tërhiqnin paratë e tyre në bankat fiorentine në funksion të aleancave fluide e konjukturore të kohës duke shkaktuar një kaos të vërtetë në rezervat monetare, depozita dhe kreditë apo huatë;
• dështimi i financave publike në Firence .;
• tronditja e madhe ekonomike që pësoi Europa në këtë kohë e cila u reflektua dhe në reduktimin drastik të aktivitetit tregtar dhe falimentime masive të artizanëve e prodhuesve të ndryshëm në pothuajse gjithë territorin e saj;
• kjo krizë reflektoi lidhjen delikate “ndërmjet qendrës së zhvilluar dhe periferisë së pazhvilluar”. Bankat e mëdha të një vendi të zhvilluar si Firence dhanë kredi të mëdha në vende më pak të zhvilluara për kohën si Anglia, Mbretëria e Napolit, etj., të cilat nuk i përdorën këto kredi për të zhvilluar prodhimin apo tregtinë, por për shpenzimet e oborrit mbretëror dhe luftërat e ndryshme duke mos qenë në gjendje të paguanin kreditë e tyre.
Venecia 1499 : rënia e sistemit bankar
Viti 1499 konkretizoi shumë nga kërcënimet dhe dyshimet mbi qëndrueshmërinë dhe efiçencën e sistemin financiar venecian. Frika mbi soliditetin e bankave krijoi një valë të madhe paniku që u përhap në gjithë qytetin. Çuditërisht, festa e krishtlindjeve të Venecies së vitit 1498 ngjante shumë me situatën e New York-ut dhe Wall Street-it të vitit 2007. I njëjti entuziazëm dhe besim tek sistemi financiar që po lulëzonte, tek bankat që po jepnin kredi të pafundme, tek tregjet financiare që e kishin lënë në hije ekonominë dhe tregtinë. Por, ky optimizëm fshihte një kërcënim të madh : rreziqet e jashtëzakonshme që bankat kishin marrë përsipër nëpërmjet manovrimeve dhe “kreativitetit financiar pa limit”. Në këto ditë të fundit të 1498, pallati i Dozhës ishte nervoz dhe i shqetësuar.
Dyshimet mbi kapacitetin dhe mundësitë e shtetit për të paguar borxhet e tij, pra bankat kryesore të Venecies, po rriteshin çdo ditë e më tepër. Një luftë e re me perandorinë Otomane dukej e pashmangshme. Por, një konflikt me fuqinë kryesore të lindjes ndikonte negativisht mbi tregtinë dhe të ardhurat e bankave të implikuara në këtë veprimtari fitimprurëse. Kjo ndikonte po kaq negativisht edhe në vetë të ardhurat e arkës së shtetit dhe mundësive të saj për ti paguar bonot e thesarit bankave kreditore.
Banka më e madhe “Garzoni” realizonte në atë kohë rreth 75% të transaksioneve financiare të qytetit. Menjëherë u përhap paniku se ajo nuk mund të respektonte detyrimet e saj dhe të garantonte depozitat. Në janar 1499, sportelet e saj u mbipopulluan në mënyrë të veçantë nga bankierët fiorentinë dhe ata të qyteteve të tjera, si dhe nga venedikasit që kërkonin të tërhiqnin me çdo kusht paratë e tyre. Në 1 shkurt 1499 Banka Garzoni shpalli pamundësinë e rimbursimit të të gjithë kërkesave duke vënë kështu në dyshim besimin në gjithë sistemin bankar venecian. Shteti tentoi ta kufizonte panikun duke njoftuar dhënien e një ndihme imediate për bankën. Por, as kjo masë nuk i qetësoi njerëzit që kërkonin me çdo kusht rikthimin e parave.
Në periudhën shkurt-maj 1499, falimentuan dhe tre banka të tjera të mëdha, ndër të cilat edhe Banka Lippomano, me aktivitet dhe reputacion shumë të madh në gjithë Europën. Në Bruzh, Amsterdam, Barcelonë, Firence, Milano, Gjermani, Francë, etj., mbretëronte paniku. E gjithë Europa u sul drejt sporteleve të bankave veneciane për ti zbrazur sa më shpejt ato. Ndërkohë, shteti nuk kishte likuiditetet e mjaftueshme për të ndihmuar sistemin bankar dhe zbutur histerinë e tërheqjes sa më shpejt të parave. Asnjë nga bankat e mëdha nuk mundi të shpëtonte. Në më pak se një vit, i gjithë sistemi bankar venecian u shemb i tëri. Të gjitha tentativat për të krijuar “fonde garancie” për bankat dështuan.
www.akad.gov.al