Kristo Kirka, rilindasi i fundit shqiptar

Beqir Balluku shkoi në burg, për të takuar Kristo Kirkën, fama e të cilit qe kthyer në legjendë.

Kristo Kirka, në rë majtë të Imzot Fan S. Nolit

Nga Agim Musta, Memorie.al

Kristo Kirka, rilindasi i fundit shqiptar, vdiq në burgun e Burrelit më 28 prill të vitit 1955. Po kush ishte Kristo Kirka, që diktatura komuniste u hakmor aq mizorisht ndaj tij? Kishte lindur në Korçë në vitin 1883, në një familje tregtarë të ndershme, e mbrujtur me ndjenjën e shqiptarizmit. U edukua me dashurinë për kombin shqiptar nga babai i tij, Dhimiter Kirka dhe dajua, Ciko Alla, një nga 9 arhondet, që qeverisën Korçën në fillim të shekulli XIX. Mbaroi gjimnazin grek, por mbeti kundërshtar i pa pajtuar me ‘megalomaninë” dhe “panhelenizmin”. Për hakmarrje, u padit të autoritetet turke, si veprimtar i devotshëm i çështjes shqiptare.

Për t’i shpëtuar burgut dhe internimit, në vitin 1905, në moshën 22 vjeçare, merr rrugët e mërgimit dhe vendoset në SHBA. Bëhet një nga veprimtarët më të spikatur në kolonitë shqiptare të Amerikës dhe vihet në krye të lëvizjes, për krijimin e Kishës Autoqefale Shqiptare. Në vitin 1908, së bashku me patriotët; Sotir Peci, Vangjo Mileri, Spiridon Huani dhe Gaqo Dushi, shkon në New York, për të dëshmuar dorëzimin prift të Fan Nolit. Mbas kësaj fitoreje të shkëlqyer të besimit ortodoks, që bëhet pararendës për pavarësinë e Shqipërisë, Kristo Kirka, zgjidhet kryetar i shoqërisë shqiptare “Besa – Besë” dhe zhvilloi aktivitet të etshëm politik.

Më 1913, Federata pan shqiptare “Vatra” e nis Kristo Kirkën me mision, për t’u takuar me udhëheqësit e shoqërive shqiptare në Ballkan. Nga Rumania, kthehet në atdhe dhe në krye të një delegacioni, shkon në Durrës, për t’i uruar mirëseardhjen Princ Vidit, Mbretit të Shqipërisë. Në vjeshtën e vitit 1914, rrok pushkën dhe vihet në ballë të luftëtarëve të Themistokli Gërmenjit, për të mbrojtur Shqipërinë juglindore nga andartët grekë. Luftëtarët e lirisë, sado trima që ishin, u detyruan të tërhiqen para ushtrisë së rregullt greke. Kristo Kirka, ditën e zezë kur grekët pushtuan Korçën, e përshkruan në këtë mënyrë:

“Ishte mbrëmje. Pasi kisha bërë një copë rruge, u ndala dhe mbajta frymën. Po lija pas qytetin tim, që e desha aq shumë. Qyteti m’u duk i përgjumur, me hijen e vdekjes, si jorgan hedhur mbi vete. Zemra më dridhej nga hidhërimi. Të nesërmen në mëngjes pashë, që ushtria greke po zbriste nga mali i Moravës dhe hynte në Korçë. Dheu m’u rrotullua, shikimi m’u err, gjunjët m’u prenë, nuk më mbajtën më këmbët. Më rrodhën lot të nxehtë faqeve. Nuk i fshiva, i lashë të rridhnin, që të lehtësoja shpirtin. Me dhimbje në zemër, mora rrugën e ikjes në drejtim të Vlorës. Tek ecja pa folur, ndjeja një lëmsh të helmët që më zinte fytin. Më digjej gjoksi nga zjarrmia…”!

Kthehet përsëri në Amerikë. Së bashku me Nolin dhe Konicën, mbron më zjarr çështjen shqiptare, me pendë dhe me gojë. Përleshet me grushta në mes të New York-ut me demagogët shoviniste grekë, që predikonin, se gjithë ortodoksët e Shqipërisë janë grekë.

Në vitin 1921, së bashku me Nolin, dërgohet në Shqipëri si përfaqësues i shqiptarëve të Amerikës. Po atë vit zgjidhet deputet i Korçës së bashku me Nolin në Parlamentin e parë shqiptar, ku mbron të drejtën dhe të vërtetën. Bashkëpunon ngushtë me Nolin, Mehmet Konicën, Mit’hat Frashërin, Faik Konicën, Ahmet Zogun, Peshkop Kolecin, Sotir Pecin, dr. Turtullin, At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Aqif Pashën, Qazim Kokoshin, Dhimitër Kicimbran, Hysni Currin, e të tjerë atdhetarë të shquar të asaj kohe, për krijimin e një partie Kombëtare Popullore, programin e së cilës e harton vetë Kristo Kirka, me ide kombëtare dhe nga më përparimtaret e kohës.

Kristo Kirka, ishte një nga iniciatorët për thirrjen e Kongresit të Beratit, në shtator të vitit 1922, ku u shpall Autoqefalia e Kishës Ortodokse Shqiptare. Merr rrugën për Stamboll, në krye të një komisioni, për t’i kërkuar Patrikut njohjen e Kishës Autoqefale Shqiptare nga Patrikana e Stambollit. Për të gjitha këto veprimtari, nderohet nga Kisha Shqiptare me dekoratën “Për kujtim të veprimtarisë në dobi të Kishës Autoqefale Shqiptare”!

Në vitin 1924, Kristo Kirka emërohet konsull i Shqipërisë në Boston dhe më vonë në New York. Nga viti 1925 – 1929, Kristo Kirka, ka pasur detyrën e kryetarit dhe nënkryetarit të Federatës pan shqiptare “Vatra”. Në vitin 1933, kthehet familjarisht në atdhe dhe në vitin 1935, emërohet nënprefekt në Himarë. Krahina e Himarës ishte bërë problematike për shtetin shqiptar, mbasi një grusht njerëzish që e hiqnin veten më grekë se grekët, kërkonin hapjen e shkollave greke dhe privilegje të veçanta ne krahinën e Himarës.

Kristo Kirka, me zgjuarsinë dhe vendosmërinë që e karakterizonte, ua dogji në duar planet djallëzore agjentëve të panhelenizmit. Në vitin 1937 transferohet nënprefekt në Bilisht, ku fiton respektin dhe dashurinë e popullit të Devollit. Gjatë luftës italo – greke, kur ushtria greke hyri në qytetin e Korçës, në dhjetor të 1940, Kristo Kirka arrestohet nga autoritetet pushtuese dhe internohet në kampin e Kosinjës, afër Athinës.

Gjatë viteve 1942 – 1944, Kristo Kirka emërohet kryetar i Bashkisë së Korçës, detyrë që e kryen me përgjegjësi të lartë qytetare. Aderon në ‘Ballin Kombëtar’ dhe zgjidhet anëtar i Komitetit Qarkor të Korçës. Komunistët duke njohur simpatinë që Kristo Kirka gëzonte në popull, u munduan ta tërheqin në të ashtuquajturën Lëvizje Nacionalçlirimtare, që nuk ishte gjë tjetër, veçse një gracke dhe mashtrim për vendosjen e diktaturës sllavo – komuniste në Shqipëri. Ftesën që i dërguan për të marrë pjesë në Kongresin e Përmetit e hodhi poshtë me përbuzje. Miklimet djallëzore të komunistëve, nuk e tunduan patriotin e sprovuar, Kristo Kirka.

Kur repartet komuniste hynë në Korçë, në tetor të vitit 1944, i pari që u prangos ishte Kristo Kirka, ai Kristo, që shkriu gjithë jetën për Shqipërinë e që u quajt tradhtar e armik i popullit. Komandanti i garnizonit të qytetit, Beqir Balluku, shkon në burg, për të takuar Kristo Kirkën dhe për ta njohur atë burrë, fama e të cilit, qe kthyer në legjendë. Me krenarinë e fituesit, Beqir Balluku i drejtohet me këto fjalë Kirkës: “Gjithë jetën dhe pasurinë e shkrive për Shqipërinë, por fati të dënoi, se nuk erdhe me komunistët”.

Dhe Kristo Kirka, kryelartë, i përgjigjet, “Detyrën ndaj atdheut e kam kryer me nder e me zemër. Nuk jam aspak i penduar”. Për hir të së vërtetës duhet thënë, se Beqir Balluku, urdhëroi lirimin e Kristo Kirkës nga burgu, mbas 12 ditësh arresti. Ai kthehet në shtëpi dhe vetë burgoset, duke ndjerë rrezikun që i qëndron mbi kokë, si shpata e Demokleut.

Në qershor të vitit 1946, arrestohet për të dytën herë, por kësaj radhe, ai s’do të kthehet kurrë më në Korçën e tij të dashur, as gjallë dhe as i vdekur. Ata, që s’kishin as fe dhe as atdhe e dënuan me 20 vjet burgim “në emër të popullit”, si “armik i popullit”. Vendimin e dënimit të padrejtë, të dhënë nga varrmihësit e kombit, ai e priti pa iu dridhur qerpiku, duke sjellë ndër mend fjalët e rilindasit të madh, Sami Frashëri, se “Kur lartësohen kriminelët, njerëzit e ndershëm kalben në burgje”.

Lajmi i dënimit të rilindasit Kristo Kirka, tronditi thellësisht shqiptarët e Amerikës. Vetë Fan Noli, ndërhyri pranë qeverisë së Tiranës për lirimin e tij, por kërkesa e Nolit, u hodh poshtë nga shërbëtorët e Beogradit, që kishin marrë përsipër zhdukjen e nacionalistëve shqiptare. Kristo Kirkën, që kish kaluar 60 vjetët, të prangosur duar e këmbë, e nisën për të vdekur në burgun ferr të Burrelit – varrin e inteligjencës shqiptare. Filloi kështu kalvari gjysmëshekullor për familjen Kirka. Po në qershor të vitit 1946, arrestojnë djalin e tij, Niko Kirkën, maturant në gjimnazin e Korçës.

U shtetëzojnë shtëpinë dhe katandinë, deri tek lugët dhe filxhanët e kafesë. Niko Kirkën, pasi e torturojnë barbarisht në qelitë e Sigurimit, e dënojnë me 8 vjet burg “në emër të popullit”. E dërgojnë në kampin shfarosës të Vloçishtit, për të punuar si skllav në tharjen e kënetës të Maliqit. Niko Kirkën nuk e përkulën as zhytja deri në kërthizë në llumin e kënetës, as shushunjat që i ngjiteshin nëpër këmbë për të thithur gjakun, as lidhja me pranga nëpër shtylla nën diellin përvëlues, as uria dhe acari i dimrit. Ai u kthye në simbol qëndrese, për mijëra të rinj shqiptarë, që vuanin pa asnjë faj në burgjet dhe kampet e diktaturës së kuqe.

Persekutimi komunist ndaj familjes Kirka, vazhdoi për gjysëm shekulli. U pushua nga puna zonja e Kristo Kirkës, Androniqi, së bashku me dy vajzat e saj. Ato u detyruan të punonin vetëm, në punë të rënda fizike. Ndërkaq, Kristo Kirka, që kishte kaluar rreth një dekadë në burgun e zi të Burrelit, po jetonte ditët e fundit të tij, mes shokësh dhe miqsh bashkëvuajtës. Ata e nderonin dhe kujdeseshin për të sikur ta kishin babanë e tyre të vërtetë. Ai ndodhej në agoni kur vajza e tij e dashur, Katerina, shkoi ta vizitonte në atë vend mjerimi.

Të nesërmen e asaj dite, me 28 prill të vitit 1955, apostulli i shqiptarizmit, Kristo Kirka, ndërroi jetë. Asnjë “ah” dhe asnjë mallkim nuk doli nga goja e tij në çastet e fundit. Trupi i tij pa jetë, u varros në gropën e përbashkët, prapa burgut, afër qershisë, ku ishin groposur disa qindra ish të burgosur, që deshën Shqipërinë, më shumë se jetën e tyre. Ish bashkëvuajtësi i tij, poeti Arshi Pipa, i prekur thellë nga vdekja tragjike e rilindasit të fundit shqiptar i kushtoi një elegji Kristo Kirkës, disa strofa të së cilës po i paraqesim më poshtë:

“Vdiq flamurtari i moçëm!
Si rrojti vdiq me nder,
I pastër, i devoçëm
E pa u përkule njëherë

Ndër qela u sos t’Burrelit
me dhunën e tradhtarit,
me njolln’ e kriminelit
mbi ballin e atdhetarit

Nuk foli, nuk mallkoi.
Por kur ra fjala ju pre,
Ndigjuem qysh lehtë ankoi:
“Për flamur!…Për atdhe!”

Persekutimi i familjes Kirka vazhdoi, pa ndërprerë. Biri i vetëm i Kristo Kirkës, Niko Kirka u rraskapit burgjeve dhe kampeve me punë të detyruar, për 8 vjet rresht. Edhe kur mbaroi dënimin, Nikos nuk i zunë këmbët vend, duke shkuar nga një kantier në tjetrin, i ndjekur këmba – këmbës, nga fantazmat e gjalla të Sigurimit të shtetit enverist. Shembja e Murit të Berlinit dhe ekzekutimi i diktatorit Çaushesku, tronditi nga themelet regjimin e kalbur komunist shqiptar.

Në korrik të vitit 1990, ambasadat e vendeve perëndimore në Tiranë u pushtuan nga mijëra të papunë dhe të persekutuar nga regjimi komunist. Në dhjetor të atij viti “kështjella” e fundit prej rërë e komunizmit në Evropë, Shqipëria, u shemb nga demonstratat e të rinjve dhe të popullit të shumëvuajtur shqiptar. Niko Kirka me familjen e tij, mori rrugën për në SHBA, ku ai kish lindur 65 vjet më parë. Ai vendoset në New York, ku merr pjesë aktive, me shkrime e fjalime, për mbrojtjen e çështjes shqiptare.

Kur në Shqipëri do të gjejë guri vendin e tij, emri i Kristo Kirkës, do të shkruhet me gërma të arta, në Panteonin e martirëve të kombit.

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…