
Nxënësi i Harri Fulcit, Loni Adami, sekretari që shpëtoi stemën e Legatës Amerikane!
Loni Adami ishte një ndër sekretarët me jetëgjatë të Legatës. U punësua nga ish-Ministri Fuqiplotë, Charles C. Hart në 1929.

Nga Erald Kapri, studiues
Pushtimi fashist i Shqipërisë në 1939-ën, solli edhe mbylljen e Legatës Amerikane në Tiranë. I Dërguari i Jashtëzakonshëm dhe Ministri i Plotfuqishëm, Hugh G. Grant u largua nga Shqipëria në shtator të atij viti. Një ndër shqetësimet e Grantit ishin objektet, mobiliet dhe sendet e shumta në Legatë. Stafi i paktë i Legatës u angazhua që pjesën kryesore të tyre t’i fshihnin poshtë, në bodrumin e ndërtesës.
Loni Adami ishte një ndër sekretarët me jetëgjatë të Legatës. Ai u punësua nga ish-Ministri Fuqiplotë, Charles C. Hart në vitin 1929 kur ishte vetëm 19 vjeç pasi kishte përfunduar shkollën amerikane të Harri Fulcit si nxënësi më i mirë. Në ato muaj vere të 1939-s, Loni kishte me vete edhe bashkëshorten e tij, Andromaqin, e cila ndihmonte në sistemimin e objekteve.





Pas luftës, Loni Adami do të arrestohej nga komunistët dhe do të vdiste nga torturat në burg duke lënë vetëm Andromaqin më fëmijët.

Me rivendosjen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-ve në mars 1991, i ngarkuari me punë Kristofer Hill u njoh me bashkëshorten e Loni Adamit. Në datën 1 tetor 1991, nisi nga puna Ambasada Amerikane në Tiranë pikërisht në ish-godinën e vjetër të saj të ndërtuar në fund të viteve 20-të.

Andromaqi i rrëfeu Hillit se ajo me bashkëshortin e saj, Lonin, hoqën stemën e Legatës dhe pasi e kishin mbështjellë mirë, e kishin fshehur në bodrum. Kurioz për këtë detaj, Hill shkon në bodrum bashkë me Andromaqin dhe gjejnë stemën e vjetër të Legatës. Në shenjë nderimi dhe respekti, Andromaqi ngriti flamurin amerikan në oborrin e Ambasadës. Stema u rivendos në derën kryesore të Ambasadës.
