Dinamiti në ambasadën sovjetike, 72 vjet nga ekzekutimi i 22 intelektualëve të pafajshëm
22 viktimat u ekzekutuan nga regjimi komunist pa e mësuar arsyen. Dokumentet gjyqësore u plotësuan me mangësi
Nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991
Sot, më 26 shkurt 2023, mbushen 72 vjet nga ekzekutimi i intelektualëve Sabiha Kasimati, Tefik Shehu, Pjetër Guraziu, Jonuz Kaceli, Anton Delysa, Haki Kodra, Gafur Jegeni, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia, Reiz Selfo, Qemakl Kasaruho, Zyhdi Herri, Gjon Temali, Petro Konomi, Niko Lezo, Pandeli Nova, Thoma Katundi, Mehmet Shkupi, Ali Qorralliu, Fadil Dizdari, Hekuran Toka dhe Lluka Rashkoviç.
Pasdreken e 19 shkurtit 1951 u hodh një sasi e vogël dinamiti në oborrin e ndërtesës së ambasadës sovjetike. Pati alarm në Ministrinë e Brendshme dhe qarqet e larta politike të Tiranës. Byroja Politike e KQ të PPSH u mblodh urgjentisht për të marrë në shqyrtim incidentin në ambasadë.
Ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu, kërkoi nga Byroja Politike që arrestimet të bëheshin qysh atë natë, disa qindra persona, pa bërë hetime për ngjarjen dhe pa gjetur provat për personat e pandehur. Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit përpiluan listën e vdekjes, arrestimin dhe pushkatimin e 22 vetave (nga datat 19-26 shkurt 1951).
Secili prej emrave të përzgjedhur, të arrestuar me ngut dhe të dënuar politikisht, kishte një histori të pasur individuale dhe familjare, në fusha të ndryshme dhe përfaqësonte më së miri shtresën intelektuale e properëndimore të Shqipërisë së asaj kohe.
Të arrestuarit u pushkatuan pas pesë ditëve, mesnatën e 26 shkurtit të vitit 1951, pranë Urës së Beshirit. Ky veprim u quajt i përligjur, sipas një dekreti me gjashtë nene, për “veprimtaritë terroriste” që u hartua me vonesë nga kreu i Ministrisë së Brendshme Mehmet Shehu dhe u miratua rrufeshëm nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe Byroja e PPSH, më 26 shkurt 1951, kur gjithçka, pa gjyq, kish marrë fund. Ministri i Drejtësisë nuk mori pjesë në këtë farsë.
Pas ekzekutimit të viktimave që shkuan drejt vdekjes pa e ditur pse, dokumentet gjyqësore u plotësuan me mangësi. Kur viktimat nuk jetonin më, nga një dokument i vonuar gjyqësor, u mor vesh se më datën 27 shkurt 1951, një trupë gjyqtarësh kishte dhënë vendim për dënimin me vdekje të 22 të vdekurve.
Familjet e të ekzekutuarve u përndoqën brutalisht për vite me radhë. Në korrik të vitit 1991 ata kërkuan pafajësinë e familjarëve të pushkatuar pa gjyq. Vendimi i Gjykatës së Lartë i shpalli të pafajshëm 22 intelektualët e dënuar.
Në vitin 1993, të sinjalizuar nga banorë të zonës dhe të orientuar nga dëshmitarë okularë, familjarët arritën të gjenin vendekzekutimin dhe vendvarrimin e përfolur pranë Urës së Beshirit. Me identifikimin e vendit u krye edhe zhvarrimi i tyre dhe më pas rivarrimi me të gjitha nderimet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
***
✅️Më 25 shkurt të 2019, Autoriteti i propozoi Presidentit të Republikës vlerësimin me tituj nderi të personave të përfshirë në gjetjen dhe zhvarrimin e eshtrave të të ekzekuturave pa gjyq natën e 26 shkurtit 1951, për t’u prehur më pas në varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
✅️Presidenti i Republikës i nderoi me medalje 22 intelektualët e ekzekutuar, po ashtu familjarët e tyre për vlerat dhe dinjitetin njerëzor të treguar në vite.
✅️Më 26 shkurt, rruga që të çon në vendekzekutimin e tyre në Mënik mori emrin “26 shkurti”, me propozim të AIDSSH. Hapa të tjerë janë hedhur për kthimin në vendkujtese të asaj zonë.
✅️Po kështu Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i ka kushtuar vëmendje të veçantë ridimensionimit të figurës së Sabiha Kasimatit.
✅️Në 105-vjetorin e lindjes, në vitin 2017, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës u zhvillua një takim i zgjeruar, me bashkëpunimin e Ambasadës Italiane dhe Bibliotekës Kombëtare, ku familjes Kasimati iu dorëzua teza e saj e diplomës, e mbrojtur në Itali. Po atë ditë u hodh ideja për vendosjen e emrit të saj Muzeut të Shkencave të Natyrës, si ideatore dhe themeluese.
✅️Personaliteti shkencor dhe shoqëror i Kasimatit u trajtua në një vepër të plotë, ku u mblodhën punimet e atij takimi dhe u pasurua me të tjera, botim që shkon në ndihmë të të rinjve dhe të interesuarve për figurën e saj.
✅️Në vitin 2018, Sabiha Kasimati u trajtua si një ndër akademiket e përndjekura nga Sigurimi në projektin “Roli i shkencës në Shqipëri në kontekstin historik në vitet 1944-1954” të AIDSSH, në bashkëpunim me Ambasadën Zvicerane, profili i plotë i së cilës mund të studiohet sot në faqen www.dosjet.gov.al të Autoritetit.
✅️Në 2018, Universiteti i Tiranës miratoi vendosjen e emrit Sabiha Kasimati Muzeut të Shkencave të Natyrës, mbështetur në propozimin e AIDSSH. Në bashkëpunim me PNUD Shqipëri dhe PERFORM, AIDSSH realizoi këndin e kujtesës për Sabiha Kasimatin në hyrje të Muzeut të Shkencave, një punë shumëdimensionale që informon të gjithë të interesuarit për jetën, veprimtarinë e saj shkencore dhe më gjerë. Po këtë vit, Autoriteti i propozoi Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Rinisë, përfshirjen e studimit të saj në tekstet shkollore.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!
Sot, më 26 shkurt 2023, mbushen 72 vjet nga ekzekutimi i intelektualëve ?????? ????????, ????? ?????, ?????̈? ???????,…
Posted by Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991 on Sunday, February 26, 2023