Adoleshentët “vetëvrasës” të Shqipërisë!
Shoqëria shqiptare është në një stad të thellë e të rëndë, që mund të përkufizohet pa droje, si degradim!
Nga Denis Dyrnjaja
Kuptimi i një aksidenti vetëvrasës. Kjo do të duhej te ishte sot temë e analizave mediatike, që me gjasë nuk do të ndodhë, pasi të gjithë po merren me detajet dhe pasojat e jo me shkaqet e aksidentit fatal që iu mori jetën 3 të rinjve së fundi në Tiranë. Por le të shohim disa elementë për t’i dhënë kuptim një ngjarjeje tragjike si kjo.
Elementi kryesor dhe që e bën ngjarjen shumë të rëndë e të dhimbshme është se viktimat janë të një moshe shumë të re nga 20 deri në 25 vjeç. Elementi i dytë është fakti që një djalë vetëm 20 vjeç posedon një makinë me vlerë rreth 100 mijë euro, shumë luksoze dhe të shpejtë. Elementi i tretë është viktimat dytësore, në këtë rast dy vajza të reja që në kërkim të luksit dhe jetës së shfrenuar, gjetën vdekjen.
Duke bashkuar këta komponentë krijohet një tablo më e qartë pa e ngarkuar me detaje të tjera që mund të dalin rrugës si psh, prezenca e alkoolit apo lëndëve narkotike nga i riu që drejtonte makinën e cila ecte me shpejtësi skëterre. Sikurse kanë dalë të dhënat nga profili i tij në rrjetet sociale, 20 vjeçari që ngiste audin luksoz ishte një shkelës përsëritës i rregullave të qarkullimit rrugor, veçanërisht i shpejtësisë ekstreme në rreth 300 km/orë. Po kështu rezulton si i skeduar edhe për mos respektim të rregullave të tjera të kodit rrugor. Thënë troç kontingjent riksu për fatalitet. Por nëse e sheh pak më thellë shkaku i humbjes së jetës së këtij të riu dhe të gjithë bashkëmoshatarëve të tij duhet gjetur edhe në faktorë të tjerë.
P.sh. është e pakuptueshme deri në absurd sesi mund t’i blesh, dhurosh apo edhe lejosh fëmijës 18, 19 apo 20 vjeç të posedojë një makinë luksoze. Dhe kjo është përgjegjësi e familjes e ky nuk është një rast i izoluar, por për fat të keq masiv. Madje mund të cilësohet si standard që adoleshentët të kenë makina luksoze dhjetëra mijëra euroshe pa punuar asnjë ditë të vetme në jetën e tyre. Të veshin rroba të markave të shtrenjta e të demonstrojnë jetën ekstravagante në publik. Po për kë bëhet kjo paradë luksi? Për karshillëk të djemve parelinj ndaj njëri tjetrit dhe për të tërhequr vëmendjen e vajzave të reja. Dhe ato sigurisht janë komponenti plotësues në këtë panoramë absurdi. Herë të ardhura nga rrethet për një jetë më të bukur dhe pse jo luksoze në metropolin e Shqipërisë, por edhe vajza që jetojnë në Tiranë, këto vajza pa ndonjë perspektivë konkrete punësimi në kërkim të aventurave të moshës, shndërrohen në target për këtë kategori djemsh. Të dyja palët kanë çfarë të japin e marrin. Është një lloj tregtie me shkëmbim, që lehtësisht kuptohet tanimë se si funksionon. Dhe në këtë tregti rolin më të rëndë dhe më skandaloz e luan media. Ajo i bën jehonë modeleve të luksit të shfrenuar. Bëri bujë deklarata e një showgirli që harxhonte 5 mijë euro në muaj vetëm për mirëmbajtjen fizike. Dikush mund ta ketë edhe këtë mundësi financiare, por jo gjithkush ama, e aq më shumë një vajzë që punon si imazh, për një pagë modeste.
Pra ky model i ofrohet publikut në mënyrë masive dhe pa kriter, duke ndezur fantazinë edhe te të rinjtë e tjerë që kjo është ajo që duhet bërë dhe arritur, ky është modeli i suksesshëm. Pasurimi i shpejtë dhe nevoja për përfitime është shndërruar në një binom dalldie, ku është futur shoqëria edhe me kontributin madhor të media’s e cila në vend t’i dekurajojë i promovon. Nga tjetër rrjetet sociale janë një habitat i dëmshëm. Adoleshentë që përdorin rrjetet sociale për të ekspozuar jetën e shfrenuar, vajza që rendin pas luksit të rëndë, prindër që nuk dinë ku mbaron kontrolli dhe detyrimi familjar e ku fillon liberaliteti. Media që në vend që të përdorë ndërgjegjësimin, përdor shfrytëzimin e kësaj mendësie dhe dalldie komunitare.
Këto janë shkaqet e jetëve të humbura dje e që do të vazhdojnë fatkeqësisht të humbin. Shoqëria ka humbur ekuilibrin dhe refenrecën. Nuk dallojnë shembujt e shëndetshëm, por shembujt bombastikë. Rruga dhe vulgu është ngritur në piedestalin shoqëror, për famë dhe para dhe kjo mënyrë po reklamohet frikshëm. Ndaj shoqëria është në amulli me veten dhe standardet e një normaliteti që bart brenda vetes edhe si çdo kund tjetër. Por jo përjashtimet të shndërrohen në referencë, referenca në model e modeli në masivitet.
Aksidentet kanë ndodhur, ndodhin dhe do të ndodhin. Por ky i djeshmi hyn te ajo kategori aksidentesh që e kanë fundin të paralajmëruar që në fillim, sepse e gjithë shoqëria është në një stad të thellë e të rëndë, që mund të përkufizohet pa droje, si degradim!