
E ku më bukur se në Përmet vjen pranvera!
“Qyteti i Luleve” – Përmeti – ndoshta e feston më bukur se çdo qytet tjetër, “Ditën e Verës”.

Nga Dash Frashëri
“E ku më bukur se në Përmet vjen pranvera!”
Përmeti – ndoshta e meriton më shumë se çdo qytet tjetër – pasi quhet “Qyteti i Luleve”. Simbolit të “Ditës së Verës”.
Dita e Verës kremtohet më 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, që përdoret aktualisht është “14 mars”).
Ajo është një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.
Bilbilat këndojnë përmes pishave të Malit të Dhëmbelit; ku zogjtë të zgjojnë me cicërimat e tyre, si orkestra më e bukur në botë, buzë Vjosës, verojkës së kaltër së qytetit.
Përmeti ka një traditë të bukur disaqindra vjeçare, qysh kur datohet për herë të parë në Shekullin e XIV.
Ritualet i fillojmë me ndezjen e zjarrit në vigjilje të datës 14 mars,i cili simbolizon dhe përcjelljen e dimrit për t’i lënë zyrtarisht vendin pranverës. Stinës së Luleve. Stinës ku dashuria parfumoset me aromën e luleve.
Gatimet e shijshme tradicionale nga amvisat përmetare, hareja e fëmijëve dhe buzëqeshja e të gjithëve e ngjyrosin me ngjyrat më të bukura telajon e pranverës.
Në vigjilje të natës se Ditës së Verës, çdo shtëpi përmetare është e mbushur me një gëzim të veçantë. Të gjithë vendosin në dorë verojkën dyngjyrëshe: kuq e bardhë, simbolit të mirësisë dhe fatit.
Faza e parë është faza përgatitore qe nis me grumbullimin e zaireve që janë të nevojshme për Ditën e Verës. Faza e dytë është nata e Verës që nis me 13 mars me zjarrin, faza e tretë mëngjesi i Ditës së Verës që nis me 14 mars dhe së fundi pikniku i Ditës së Verës në mesditën e 14 marsit.