Sandro Botticelli, shërbëtori në olimpin e dashurisë!

U ndikua në artin e tij nga artistë të rëndësishëm, si Filippo Lippi dhe Antonio Pollaiuolo


Nga Albert Vataj

Ndër të hershmit e rilindjes italiane, Sandro Botticelli, mbamendet se mishëronte përvojën e një shpirti ndjenjash delikate dhe harbimin e një penelate shëmbëllimesh të hovshme estetike. Ky tharm do të jetësonte një prej dëshmimeve më të zëshme të asokohjes, ulje-ngjitjet, feksjet dhe shpërthimet e kësaj penelate meditative dhe joshëse. Ai mishëroi njiherash edhe zanafillën e një kryevepre që u ngjiz prej shkrepëtimave ndjesore, dritim i cili do të ish dhe breror i ëndrrës së tij të amshuar.

Sandro Botticelli kumton ngërthimin e një kreshte të atmotshme të pikturës duke mos e fshehur dot kurrkund nëpër dritë dhe ngjyresa të hareshme një vragë zemre. Ai u dashurua marrëzisht me një fisnike, fatkeqësisht e martuar, Simonetta Vespucci. Ishte kjo një prej vetëtimave më ngjethëse që shkrepëtiu në qiellin e tij. Mbeti e vetme dhe “vrastare” deri në të fundmen frymë. Udhëtoi ai verbim marrok dashurie jo vetëm si një rast por si një fenomen. Bashkëjetoi me mjeshtrin, u bë muz dhe shpërthim i duhishëm përjetimesh dhe kumtimesh, të cilat edhe sot e kësaj dite depërtojnë në ëndjen tonë, në yshtjen tonë kureshtare për të tejjetuar thellë në mishin dhe gjakun e këtij shtati të plagosun.

Ngarendia e këtij shpirti në ngulmin për të skalitur emrin në ndërmendin e kohës, është e njimendtë dhe ngulmuese, e pareshtur dhe ngadhnjimtare, rrapëllitëse e kacafytëse me traditën dhe risitë. Ai ishte dhe mbeti një etapë shumë e rëndësishme e pikturës italiane, pararëndës i kolosëve të penelit dhe daltës italiane, Michelangelo, Rafaelo dhe Leonardo da Vinci. Ai jetoi dhe iku zemërthyer nga një ndjenjë që e përndoqi sa ishte gjallë dhe i bën hije në amshim. Ashtu si ata, Francesko Petrarka, Dante Aligeri edhe Sandro Botticelli, u dha çmendurisht dashuruve të pamunduna, me një bukuri të shëlbyer. Ndërsa Dante e thuri në “Komedinë Hyjnore” Beatriçen e tij, Petrarka i thuri lirikat duke e pavdekësuar Laurën emblematike, Botticelli, dashurisë së saj platonike i dha përjetësinë në “Lindja e Venusit”, e cila mbetet një gurthemel i rëndë në pikturën italiane dhe botërore.

Alessandro di Mariano Filipepi, i njohur si Sandro Botticelli, lindi në Firence më 1 mars 1445 dhe vdiq me 17 maj 1510. Ishte një piktor që i përkiste shkollës fiorentine. U ndikua në artin e tij nga artistë të rëndësishëm, si Filippo Lippi dhe Antonio Pollaiuolo. Kontaktet e tij të vazhdueshme me familjen Medici qenë padyshim të dobishme për t´i garantuar mbrojtje politike dhe për të krijuar kushte ideale për prodhimtarinë e kryeveprave të shumta.

Botticelli në kandën e shmbëllimit estetik, në ngulmin e kremtimit të sublimes që gëlonte në sentimentet e trazavaçe, zgjodhi hijeshinë, perfeksionin, dritimin depërtues, larminë e ngjyrave dhe tonalitetet ngjethëse, si pjesën e strukur të kurmit artistik. Finesa, eleganca dhe lëmimi me dritë i linjave, shprehin kësisoj përjetimin delikat dhe joshjen ndërkallëse të ndjenjave, këtyre telave të tendosur që lëshonin tinguj të panjohur deri asokohe, tinguj të ngathët trishtimi.

Kjo andë e kumtit artistik rendi përmbas tij në pjesën më të stuhishme, në kalljen dhe shkimjen e kësaj kundrie. Në vitet e mbrame të aktit të krijimit, një gjëndje e trazuar do ta ngërthente si një spazmë këtë shpirt delikat, këtë penelatë linjash të porozta, këtë shugurim shpërthyes drite. Ndikesat më të njimendta do të mësynin këtë shtat të drobitur ndjenjash në asokohjen e vërshimeve dhe ndryshesave të vrudhshme politike.

Në asokohje e atij motmoti, Firencen e kishin kapluar metastazat e një përjetimi ngjethës krizash politike dhe fetare. Me vdekjen e Lorenco il Manjifiko-s dhe ardhjen e Girolamo Savonarola, profet i rënies së idealeve njerëzore, Botticelli, kompozimeve të tij i fut dhimbjen e mbarsur me zellin e një pathosi. Kësisoj që të mëtojë një tjetër komunikim me botkuptimin e andave ndër tallaze.

Me lindshmërinë e mistikës qëllimisht ai braktis perspektivën duke përplotësuar një zmbrapsje të ndërgjegjshme, përkunder një shijeje të lashtësuar. Trashëgimtari i tij i vetëm ishte Filippino Lippi, që ndau me të, paprehshmërinë e pranishme në krijimtarinë e etapës së mbrame.

Gjithëpoaq Sandro Botticelli mbamendet si një nga piktorët, etapa e të cilit do të plazmonte një mbamendje të qenësishme të historisë së pikturës italiane, traditën e personazheve. Ia vlen të kujtohet se asokohe ai u thirr të përbashkohej në një nga sipërmarrjet më të guximshme të arteve figurative, që ishte dekorimi i Kapeles Sistina. Saora duke fituar patronazhin e familjeve kryesorë dhe më me ndikim, të Firencës. Kujtojmë se te e vona, me vdirjen e të gjallëve në moshën 65-vjeçare, reputacioni i Botticellit u përball me vështirësi, të cilat patën ndikim në zbehjen e yllit të tij të famës. Një lëpe mjegulle e mbuloi shtatoren që kishte ngritur biri i një lëkurërexhësi. Ai u zbeh duke u shuar ngadalë si drita e një qiriri, me ardhjen një stili të ri nga Perugino dhe Francesco Francia. Për tu eklipsuar në të pastajmen me krijimin e stilit të Lartë të Rilindjes, me kolosët e penelit dhe daltës, idesë dhe botkuptimit, Michelangelo dhe Raphael. Prej asaj ndërmëndjeje emri i Botticellit i zhbë. Kjo yjësi në rrugëtimin e tij në galaksi sikur humbi në terrin e përjetësisë. Por koha si gjykatësi më i drejtë do ta rivendoste në podin e famës sërish këtë apostull të penelatës italiane. Hovin më të zëshëm në kushtrimin e kësaj vlere do ta kishte në motin 1890, kohë e cila do të reinkarnonte më mishin dhe gjakun e kohës, këtë shpirt ngadhnjimtar vlerash të pavdekshme. Tëk e mbramja e gjithë krijimtaria e Botticellit shikohet dhe trajtohet si përfaqësim i vetvetishëm i fillimeve të Rilindjes dhe si një etapë e rëndësishme, pa shtresimin e së cilës ky humus i vlerave të yshta do të ishte i mangët.

Sandro Botticelli nuk u martua kurrë, duke shprehur neveri për këtë etapë jetësore, e cila i shkaktonte makthe dhe e degdisi këtë shpirt të ndjeshëm në terratinë e një përjetimi të copëzuar, në dritimin e mekun të një gjallimi që rijetohej prej tij si një ëndërr e makthshme. Ai vuajti thellë nga dashuria e pashpërblyer e shëlbyeses, Simonetta Vespucci, një fisnike e martuar, një shëmbëllim i përsosur i përfytyrimeve që gjakonin në kurmin e tij të dorëzuar. Me gjas, ajo shërbeu si modele për “Lindjen e Venusit”, dhe shfaqej nëpër punë të ndryshme. Pavarësisht vdekjes së saj të hershme në 1476, ajo udhëtoi me të në të gjitha sipërmarrjet kumtuese duke qenë sakaq drita dhe ngjyra, trajta dhe forma e vetvetishme e këtij mjeshtri. Boticelli në një nga amanetet e tij në të gjallë ishte, që kur të vdiste të varrosej në këmbët e saj në Firence. Dëshira e tij u plotësua 34 vjet më vonë, më 1510. Atëditë e sot, ai prehet te këmbët e asaj dashurie, e cila vetëm si e tillë, e ndaluar, e pashpërblyer,do ta kthente atë në një dashuri hyjnore, në një dashuri të shëlbyer, në një përjetim me të cilin shpirti i tij udhëton në përjetësi dhe ne atëmot e tash magjepsemi, teksa e kundojmë te “Lindjen e Venusit”.

Ky ishte Sandro Botticelli, një mbret në fronin e famës dhe një shërbëtor në olimpin e dashurisë.

Kasa: 12 milionë turistë deri në fund të vitit

Turizmi mbetet një nga shtyllat kryesore të ekonomisë dhe zhvillimit në vend.

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Kasa: 12 milionë turistë deri në fund të vitit

Turizmi mbetet një nga shtyllat kryesore të ekonomisë dhe zhvillimit në vend.