Zogu takim me hebrenjtë: Më ndihmoni të rikthehem si Mbret i shqiptarëve!

Takimi në 1944 me krerët e Shoqatës Anglo-Hebraike në Londër, me ndikim në lobin hebre në botë


Nga Erald Kapri

Në pamundësi për t’u kthyer në Shqipëri në rrugën që ai do të dëshironte, duket se Mbreti Zog ka përdorur të gjitha mënyrat për të siguruar sërish fronin e Shqipërisë. Në fillim të vitit 1944, në një kohë kur lufta po kthehej gjithnjë në favor të aleatëve, Zogu nuk shikonte një perspektivë të qartë për mundësinë e kthimi në fronin e Shqipërisë.

Lëvizja partizane në Shqipëri po fitonte terren, ndërsa qeveritë perëndimore aleate nuk po e njihnin atë si kreun e qeverisë provizore shqiptare. Në këto kushte, Zogu ka luajtur një kartë të veçantë, por që nuk rezultoi e suksesshme.

Në janar të vitit 1944, Mbreti Zog takohet me një grup prej 3 ose 4 personash, krerët e Shoqatës Anglo-Hebraike në Londër, të cilëve u propozon një plan konkret bashkëpunimi. Krerët e kësaj shoqate ishin njerëzit më me ndikim në lobin hebre në botë dhe në të përmenden dy emra tepër të njohur, si Montefiore dhe Robert Ualey Cohen.

Plani i Zogut për lobin hebre ishte që nëse ata e rikthenin në fronin e Shqipërisë, atëherë Shqipëria mund të kthehej në vendstrehimin e tyre. Ky plan duket se ngjiti shumë te lobistët hebraikë, të cilët menjëherë këtë takim e raportuan në Ministrinë e Jashtme britanike, duke kërkuar që kjo ofertë të vlerësohej.

Kjo ofertë merrte një vlerë të veçantë për shkak të situatës në të cilën ndodheshin hebrenjtë. Shumica e tyre ndodheshin në kampet e përqendrimit dhe shoqatat hebraike në botë kishin marrë vendimin që hebrenjtë të largoheshin nga Europa Perëndimore në veçanti dhe të krijonin një shtet të tyrin. Por Palestina nuk ishte opsioni i parë dhe janë diskutuar shumë vende.

Mesa duket, Mbreti Zog, i njohur me këto zhvillime dhe me faktin se hebrenjtë kërkojnë një shtet të tyre, u ofroi atyre mundësinë e strehimit në Shqipëri, derisa kjo çështje të merrte zgjidhje për ata. Ndonëse ky takim i raportuar në Ministrinë e Jashtme britanike u trajtua si një informacion me vlerë, nuk pati të dhëna të tjera në lidhje me diskutimin e këtij plani.

Në Arkivin Britanik të Ministrisë së Jashtme mungojnë të dhënat nëse kjo temë u prek sërish nga palët. Dokumenti nr 1 Letër, 24 janar 1944, Z Clutton/ Departamentit përkatës Në rolin tim si kërkues në këtë departament për seksionin për hebrenjtë, kam marrë një informacion nga presidenti i Shoqatës Anglo-Hebraike, me kërkesën që ky informacion të përcillet më tej.

Duket që Mbreti Zog ka pasur një takim, për të cilin nuk e di se kush e mori iniciativën, me 3 ose 4 anëtarë të AJA-së (Shoqata Anglo-Hebraike) duke përfshirë z. Montefiore dhe z. Robert Ualey Cohen, ku ai ofroi mundësinë e sponsorizimit të një plani për strehimin e hebrenjve në Shqipëri, nëse hebrenjtë e ndihmojnë atë të rifitojë sërish fronin e tij.

Shoqata Anglo- Hebraike është e mendimit se vlerësimi i Zogut për një reagim të mundshëm për një projekt të tillë në Shqipëri vjen për shkak të besimit të tij të dukshëm në fuqinë e hebrenjve. Ata besojnë se ky informacion ia vlente të raportohej. Por, pavarësisht se në Ministrinë e Jashtme britanike nuk pati më asnjë lëvizje për këtë propozim, duket se shoqata e lobistëve hebrenj ka realizuar një plan të detajuar.

Sipas profesorit amerikan Bernd J. Fischer, Zogu ofroi sponsorizimin e një plani për një vendosje masive të hebrenjve në Shqipëri, që sipas Fischer bëhej fjalë për rreth 50.000 familje për t’u vendosur në Shqipëri dhe për t’u dhënë tokë në pronësi të shtetit. Kjo do të realizohej gjithnjë dhe vetëm nëse hebrenjtë britanikë do e ndihmonin atë për të rimarrë fronin e tij. Profesori amerikan e sheh këtë ofertë të Zogut në aspektin se ai ndodhej në një situatë të dëshpëruar për sa i përket të ardhmes së tij politike, por, gjithsesi, profesori Fischer e cilëson pa dyshim si një ofertë unike dhe ndoshta mund të konsiderohet si një tregues i angazhimit të Zogut për diversitetin fetar. Shoqata Anglo-Hebraike AJA , vijon ende sot të jetë një prej organizatave më të forta të lobit hebre ndërkombëtar, ndërsa në botën britanike ajo ende është shoqata me lobistët më të njohur. E krijuar që më 1871, kjo organizatë e formuar nga hebrenjtë e Perandorisë Britanike ka për objekt të saj promovimin e progresit shoqëror, moral dhe intelektual midis hebrenjve, si dhe marrjen në mbrojtje të atyre që mund të vuajnë si pasojë e të qenit hebrenj.

STATUSI I MBRETIT ZOG PAS LUFTËS

Britanikët: Ka pranuar psikologjikisht “pensionin” e tij Situata pas Luftës së Dytë Botërore për Familjen Mbretërore shqiptare duket se u kthye në një moment e pashpresë. Mbreti Zog, sipas zyrtareve të Ministrisë së Jashtme britanike, kishte pranuar tashmë pensionin e tij politik. Në vitin 1952 kur Zogu ndodhej në Aleksandri të Egjiptit, britanikët hartojnë edhe qëndrimin zyrtar që qeveria e tyre duhet të mbante për Mbretin Zog.

Kështu, sipas këtij qëndrimi zyrtar, Zogu nuk njihej si Mbret i Shqipërisë dhe nëse shkonte në Britani, ai do të kishte një status të një personi të thjeshtë. E vetmja lehtësi për të do të ishin disa lehtësi në doganë, por asgjë më shumë. Por, në këtë dokument zyrtar, britanikët pranojnë se mbështetësit e Zogut kanë rënë ndjeshëm, pavarësisht se ai ishte përpjekur të punonte me këdo dhe të çdo krahu politik. Ndonëse britanikët nuk e përfillën, ata krijuan një respekt për Zogut nisur nga fakti që ai kurrë nuk bezdisi qeverinë britanike.

“Zogu është një person sensibël e i arsyeshëm, i cili asnjëherë nuk e ka shqetësuar shumë qeverinë britanike gjatë luftës, edhe pse ish-mbretërit e tjerë kërkonin ndihmë për partitë e tyre në favor të mbretërisë. Ai ka qëndruar jashtë politike në një kohë të madhe dhe duket se e ka pranuar psikologjikisht ‘pensionin’ e tij”, thuhet në dokumentin zyrtar të politikës britanike për Ahmet Zogun. Në fakt, jeta dhe karriera e Zogut pas kësaj ka vijuar e zbehtë, përveç disa takimeve dhe kontakteve me miqtë dhe aleatët e hershëm. Ai nuk u rikthye kurrë në Shqipëri as fizikisht, por jetoi dhe vdiq në azil në Francë, pa ndonjë mbështetje politike.

Rikthimi i familjes së tij në Shqipëri është bërë i mundur shumë vite më vonë, në kohën e rrëzimit të regjimit komunist.

Dokumenti i 2/ 1952 Mbreti Zog i Shqipërisë 1- Qeveria britanike nuk e njeh Zogun si Mbret të Shqipërisë.

Nëse ai vjen në Britani, statusi i tij do të jetë i një individi privat, por gjithsesi ne mund t’i kërkojmë doganës që t’i sigurojë disa lehtësira, në respekt të rolit dhe statusit të tij të mëparshëm. 2- Gjatë Luftës së Dytë Botërore, lëvizja e rezistencës së armatosur në Shqipëri u kontrollua pothuaj e gjitha nga duart e lëvizjes së majtë partizane. Pavarësisht se Zogu pati një numër të konsiderueshëm ndjekësish përgjatë gegëve në Veri të vendit, rezistenca e tyre nuk ishte efektive, kjo kryesisht sepse ne dhamë mbështetjen tonë për partizanët, çka e bëri të qartë se çështja e rikthimit të Zogut në atdhe ishte në dorën e vet popullit shqiptar.

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…