Gjena Verdha, gjimnastja e përjetshme!
“Njihuni me Gjenën”, mbetet faqja e parë e librit tim gjigand të gazetarisë, e shtrenjtë dhe e paharruar.
Nga Bujar Qesja, “Mjeshtër i Madh”
Janë disa përkime vërtet të veçanta dhe që as i ke menduar se mund të “përplasen” njëra me tjetrën. E kam skicuar këtë shkrim që në marsin e vitit të kaluar, teksa isha brenda në shtëpi dhe Kovidi kishte çelësat e saj. Mëndja si një sferë gjigande, rrotullohej me fuqinë e mendimit. Më çfaqej hera herës Gjena Verdha, me komentet që i bënte punës time krijuese.
Dhe nuk mund ta harroja kurrë këtë emër, kjo për një arsyje të thjeshtë dhe të vetme. Shkrimi i parë në gazetën e njohur “Sporti Popullor”, lidhet me pikërisht me Gjenën.
Duhet të ketë qenë viti 1972 dhe nga këtu i bie të kenë kaluar plot 49 vite, apo gjysëm shekulli. Titulli i shkrimit, e kujtoj sikur ta kem shkruar sot:
“Njihuni me Gjenën”. Gjena ishte aso kohe 25 vjeçare dhe unë gazetari i ri me arsim të lartë ende në vazhdim, kisha mbushur 21 vjeç. Të dy kishim emocione:
Unë si i ri dhe në botimin tim të parë në një gazetë kombëtare dhe Gjena Verdha si gjimnaste me nivel e cilësi, që bëhej pjesë i një shkrimi të veçantë që i kushtohej enkas asaj.
Kujtimet e paharruara synojnë të dyja palët, ndonëse në distancë pasi nuk u takuam më, por mbetëm me përshtypjet e mrekullueshme të vitit 1972.
Gjena Verdha! Ndonëse 75-vjeçare, është e veshur me vellon e bukur të freskisë pranverore, duke sfiduar moshën por duke i lënë gojë hapur edhe italianët e Riminit, teksa u ngulit atje që nga viti 1992. 12 muaj kam pritur, për të bërë këtë shkrim të dytë për Gjenën.
I stresuar, i goditur me kazmën e të papriturave për pasigurinë që u krijua nga një i quajtur Covid 19, e kisha lënë në magazinën e kompjuterit tim gjthçka kisha mbledhur për Gjenën.
Dhe fundi i marsit i vitit 2021, ma dha ngacmimin e reagimit, për të hedhur për herë të dytë pas 49 vitesh shkrimin dedikuar Gjena Verdhës, gjimnastes që vendosi gurin e parë të traditës së gjimnastikës durrsake, duke u ndjekur nga grupi i të rejave shumë të talentuara si Nazmie Dervishi, Lindita Laçi, Eriketa (Keti) Pengili, Vjollca Beqiraj, Vasilika Filo, Anastia Tefa, Suzana Çobani, Adriana Muço, për të ardhur tek mrekullia e mrekullive Mimoza Risto.
Dhe vendosa që shkrimin ta titulloja:
Nga “Njihuni me Gjenën” në “A u njohët me Gjenën”. Koha nga njëri shkrim tek tjetri, është vetë jeta e jonë e zhvilluar deri në përmasat e tanishme. Gjena mjeshtre në gjimnastikë, pedagoge në shkollën “ Nako Spiro” dhe shkollën e mesme të fizkulturës “Benardina Qerraxhia”, trajnere e sportit të “gëzimit të muskujve”, nxitëse dhe promovuese dhe të krijimit të klasave sportive që nga viti 1968. Pas mbarimit të Universitetit të Sporteve, Gjena Verdha ka një autoritet të padiskutueshëm në qarqet sportive dhe në masën e sportëdashësve të Durrësit dhe jo vetëm, duke u zgjedhur edhe anëtare e Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve të Rrethit të Durrësit.
Dhe mbeti e njëjta. Me një përkushtim ndaj gjimnastikës, si vetë ëndërrat rinore të një vajze që kërkon ti marrë jetës të gjitha mundësitë, me një raport shumë njerëzor me shoqet dhe kolegët, me një komunikim që ia shtonte karatët e vlerave dhe cilësive përshëndetëse dhe tani me një sentiment dhe ndjeshmëri, që e bën të lëkundet si një lavjerrës ore, zemrën dhe shpirtin e saj.
-E dua Durrësin, i dua durrsaket e mia, durrsakët e mi, gjithçka ka lidhje me atë kryeqytet të botës, shprehet Gjena e përvëluar nga malli.
Vajza që u lind dhe u rrit në fshatin e bekuar të Shën Vlashit, u bë bashkëpronare me një mjet, që as ka ndërmënd të ndahet prej tij. Kudo që shkon shoqërohet nga “shoqja “ e saj e ngushtë: biçikleta. Katër herë në ditë e bënte rrugën Shën Vlash – Durrës. Punë, përpjekje, vullnet, këmbëngulje, shembulli i një vajze që kërkonte ridimensionimin e një pune që s’kishte të ndalur.
Disa foto pasqyrojnë një pjesë, të historisë së gjimnastikës së vajzave durrsake. Number one, mbetet gjithnjë “Njihuni me Gjenën”. Edhe për djemtë Durrësi është me themele. Janë shumë mbase si kujtoj të gjithë: Dashamir Kërtusha, Alqi Klemo, Tomor Fishta, Dilaver Hasimi, Diamand Cingu, Vlash Radoja, Njazi Dermani etj. Dhe përkrah tyre, mbetet puna mjeshtërore e trajnerëve historikë si Tomor Fishta, Alqi Klemo dhe Dilaver Hasimi.
Dhe kjo Gjena Verdha, bën çiklisten në rrugët dhe bregdetin e Riminit, duke mbajtur gjithnjë të zgjuar veshin e kujtesës, teksa dëgjon porsi dallgët e detit të gjëmojnë në shpirtin e përmallshëm, puna e jashtëzakonshme e bërë me gjimnastikën dhe fizkulturën në Durrës.
Kur më flet në mjetet moderne të komunikimit, i shoqëron fjalët me lot dhe hera herës ngashëren nga malli, për punën që kanë kryer ajo së bashku me një brez të paharruar të gjimnastikës së Durrësit. Që të gjitha tashmë duhet të jenë 70-të e kacafiu, ashtu sikundër kjo faqe e parë e gjimnastikës “Njihuni me Gjenën”.
Vështroj fotot. Përpiqem ta vendos kujtesën në mokrrën e fuqishme të reagimit. Vite, personazhe, ngjarje dhe histori. Gjena Verdha mbi traun e ekuilibrit, sikur të qendronte mbi një fije teli. Gjena Verdha në kërcimin e kaluçit. Gjena Verdha në ushtrimet e lira. Gjena Verdha në historinë e bukur të gjimnastikës, teksa dëgjojmë melodinë e një shpirti që vjen nga kodrinat e gjelbëruara të Shën Vlashit dhe përzihet me erën e detit Adriatik, por në krahun e fqinjit tonë ëndërrues Italinë.
Gjena, ti nuk je e vetme. Ti ke ëndërrat e thurura të vajzërisë së hershme, që të janë bërë si shoqëruese e pakonkuruar, e fillimit të fazës së tretë të moshës. Ti ke gjithnjë pranë punën e bujshme dhe historike që ke bërë me gjimnastikën. Ti Gjena Verdha, ke për pasuri shpirtërore dashurinë e nxënësve të tu, të gjimnasteve që përgatite, të kolegëve dhe kolegeve që as kanë ndërmënd të të harrojnë. Gjallëria e jote, ngjason me shpërthimin e dallgëve, që vijnë aq të buta dhe të ëmbla në breg dhe flasin me fëshfërimën e tyre.
E vonova një vit këtë shkrim, por pa më shkuar ndërmënd se mund të të zbehja, punën kolosale që ke kryer me gjimnastikën durrsake. Ti ishe gjithnjë e para. Ti je gjithnjë e para. Ti do të mbetesh gjithnjë e para, pasi shpirti i jot mbetet gjithnjë i pari, për të kujtuar e për ti dhënë shkëlqimin e paharruar, asaj ndërtese sportive që ngrite me thonjtë dhe mundin tënd të artë.
Ti je në Rimini dhe ne këndej anës tjetër të Adriatikut. Por jemi së toku, në atë që quhet historia e përbashkët e gjimnastikës dhe sportit durrsak. Nuk mund të harroj shkrimin tim të parë “Njihuni me Gjenën” dhe tashmë më duhet të kujtoj edhe këtë shkrim, që pa dyshim nuk mund të jetë i fundit “A u njohët me Gjenën”. Kanë kaluar nga shkrimi në shkrim 49 vite. Do të kalojnë pas kësaj edhe vite të tjera. Por kurrë nuk do të na shkitet nga ADN-ja e jonë: “Njihuni me Gjenën”.
Ishte shkrimi i parë, i nisjes së karrierës të një gazetari të ri dhe shkrimi i parë kushtuar një gjimnaste, që emrin e kishte bërë të njohur. Por edhe ky i tanishmi “A u njohët me Gjenën” e plotëson të parin.
Durrësi dhe durrsakët nuk duhet ti harrojnë kurrë, asnjëherë djemtë dhe vajzat e tyre, që i dhanë emër dhe nder në sporte. Njëra prej tyre është edhe Gjena Verdha.
“Njihuni me Gjenën”, mbetet faqja e parë e librit tim gjigand të gazetarisë. Dhe faqja e parë, mbetet gjithnjë faqja e pare, e shtrenjtë dhe e paharruar.
.