Sotir Seferaj, “Labi i mrekullueshëm”
Tituj pa mbarim “Urdhëri Naim Frashëri “ , “Mjeshtër i Madh”, titullin “Anton Mazreku”, “Nderi i Klubit Partizani”, etj.
Nga Bujar Qesja, “Mjeshtër i Madh”
Diku në një apartament të thjeshtë, pranë gjimnazit “Ismail Qemali”, teksa je kthyer nga Brryli, duke lënë pas Ministrinë e Jashtëme, jeton një emër i njohur. Jeta e tij është e dyzuar në dy fusha, të futbollit dhe të krijimtarisë. Me 18 shtator të vitit 2023, rrumbullakos të jetuarit në 85 vite, ose 1020 muaj, ose 4080 javë, ose 31025 ditë.
Jeton në thjeshtësi komode, brenda kënaqësisë së një jete mbushur me krenarinë e njeriut, duke përbashkuar karakterin, ndershmërinë, burrërinë, miqësinë e pastër dhe pa interes, e punuar, e punuar pa u ndalur. Dashuroj vajzën e bukur me origjinë nga Elbasani, e cila zotëronte tjetër fushë, atë të baletit. Balerina e njohur Shpresa Kapedani, së bashku me të, përbëjnë atë çiftin e njohur, në strehën e ëmbël dhe joshëse pranë gjimnazit “Ismail Qemali”.
Kam hedhur rradhë në mijëra shkrime, aq sa nuk numërohen. Ngjasojnë me kokërrizat e rërës mbledhur në dorë. Sigurisht rruga është e hapur, për të vazhduar këtë konkurencë me veten. Por në formatin e këtij burri të thjeshtë, të mënçur, me flokë të “humbura” se ku, pasi vitet ia kanë çveshur kokën, me jetë të ndara në dy sfera, ku gjysma i takon futbollit dhe tjetra letrave muza ime është në veçanti. Ndërlidhet si rrallë kush energjiku si sulmues krahu, i trajnerit profesionist të futbollit, i titujve të panumërt të fituara nga “Mjeshtëri i Merituar i Sportit”, e deri tek “Mjeshtëri i Madh”, me krijuesin dhe fantazistin e botimeve sportive.
Këto njerëz të rrallë janë të heshtur. Ato nuk bërtasin, e aq më pak të ulërasin, për atë çka ishin dhe çka bënë në jetën e tyre, duke qenë kontributorë të fuqishëm, por me aplitudë reagimi thuajse zero. “Puna flet vetë”, sentencë e njohur kjo. Por vëmëndja e profesionistit të letrave, duhet të çbirojë e nuhasë personazhe, që kanë bërë dhe bëjnë veçse mirë. Sotir Seferaj ngryset dhe e gdhinë pleqërinë e thellë ku është futur, me Shpresën e tij të shtrenjtë, që është kthyer shpresë në këtë epilog optimist të jetës, duke iu gëzuar punës kolosale të kryer, e duke e mbajtur armën e optimizmit të mprehtë, të pandryshkur, të parrudhur, të freskët si në rini.
Sotir Seferaj u lind në Selenicë dhe i dha nder së pari, qytezës së tij ëndërruese. Duhet të duash më parë Selenicën, pastaj të jesh bindës se do edhe Tiranën. Duhet të mësosh t’i biesh topit më parë në Selenicë, të bëhesh trajner aty, madje të guxosh që në vitin 1991 t’i japësh histori duke e vendosur në kategorinë e parë, të meritosh titullin “Qytetar Nderi i Selenicës”, që të dalësh në Tiranë. Të shkosh tek “Partizani” i famshëm i Panajot Panos.
Të luash futbollin e kombëtares në “Qemal Stafa”. Të meritosh tituj pa mbarim “Urdhëri Naim Frashëri “ i bronzit, i argjendit, “Mjeshtër i Madh”, titullin “Anton Mazreku”, “Nderi i Klubit Partizani”, “Personalitet i Shquar i Sportit” ,“Medalje Ari”. Dhe kur luajti 7 vite me “Flamurtarin”, pasi trajnoi fidanishten e këtij qyteti me famë në futboll, meritoi të marrë titullin shumë të lartë: “Qytetar Nderi dhe Personalitet i Shquar i Qarkut Vlorë”.
Në inbox-in tim, u kalua teksti i thjeshtë, por me shumë përmbajtje i Sotir Seferajt. Pa i hequr presjen po e perifrazoj: “Miku im i vjetër Bujar. Të pres të vish në Tiranë, të të dhuroj librin monografik kushtuar jetës dhe veprimtarisë futbollistike të Panajot Panos. Arsyjet e mia shëndetësore, ma kushtëzojnë ardhjen në Durrës. Të vish personalisht. Të përshëndes!
Sotiri
Jo rastësisht vendosa të më shoqëronte për në Tiranë, mësuesi, specialisti, trajneri, mjeshtëri i fitnes-it, investitori në mjedise dhe objekte sportive në Durrës, themeluesi i shoqatës së njohur sportive “Olimpik” Adrian Dedja. Ta prekte edhe ai mjeshtërin e madh të futbollit , të publiçistikës dhe botimeve sportive Sotir Seferajn. Të prekte dhe të njihej me brezin, që po ia len vendin më të rinjve, me krenarinë dhe personalitetin e punës së jashtëzakonëshme të kryer. Dhe mbresat e tij ishin të paimagjinueshme.
“Labi i mrekullueshëm”, siç i thërriste shoku numër një Panajot Pano, na e dorëzoi librin i ngashëryer nga emocionet. Në kopertinë lexojmë: “Panajot Pano, Nderi i Kombit, më i miri i shekullit”. Super klas libër. Faqe 532. Kur u ulëm për të pirë kafenë, m’u lut ta mbaja pak nga krahët.
-Nuk po mundem me shiku, or durrësaku im i mirë! Ndonëse 85-vjeçar, nuk e kam lëshuar lapsin nga dora. Shkruaj e shkruaj tërë kohën. Me syrin e majtë thuajse nuk shikoj, e ndërsa me të djathtin vetëm 15 përqind. Kam botuar 7 libra, dy të tjerë i kam në dorëshkrim, pasi duhet financë për t’ia dhënë publikut. Janë synimet e mia. Janë objektivat e mia. Me ato nuk bëhet kompromis.
Sa shëmbull i shkëlqyer, po çfaqej para meje. Kur botoja gazetën “Teuta Sport”, diku nga viti 1995, Sotir Seferaj po punonte itensivisht për historikun e klubit të futbollit “Dinamo”. Dokumenta të çfletuara, gazeta, foto të mbledhura, punë me muaj të tërë në bibliotekë dhe arkiva, komunikime gojore me trajnerë, specialistë, kuadro, drejtues të këtij klubi të njohur. Dhe botimi i parë pa dritën në vitin 2002. Dhe nga ajo kohë, e deri tash që po godasim fjalë mbi tastjerë, ky selenicas i paepur nuk ka ndërmënd të dorëzohet. Shembull më të mirë, nuk ke ku e gjen. Nxitje dhe kushtrim për punët e mia të ngjeshura, ku më presin me dhjetëra libra për t’u shtypur e bërë pronë e lexuesit.
Adrian Dedja, u mahnit me punën e këtij burri të labërisë, që veç futbollist i njohur, veç trajner i kualifikuar dhe me rezultate, veç vëzhgues e organizator, por edhe fama e një kalemi të madh, e të rëndë të publiçistikës dhe krijimtarisë sportive. Para Panos, Sotir Seferaj kishte ngjallur “Refik Resmja, perandori i golave”, ku numërohen 540 faqe të historisë së një tjetëri madhështor i futbollit.
Vështroja librat, vështroja Sotirin. Fizik ende i fortë, në një rrudhje të natyrshme kundrejt moshës së thyer, por me sy zhbirilues, ku ende kërkonin të ushqeheshin me jetën e gjallë të të zotit. Kur vështron Sotir Seferajn kupton forcën, kurajon dhe papërkulshmërinë e njeriut, që synon dhe sfidon, që veçse sulmon, pa menduar mbrojtjen, duke vendosur deri në maksimum të punojë e shërbejë.
Në atë lokal modest, në takim meSotir Seferajn, në 9 marsin e vitit 2023, nuk po pinim kafe, por po preknim praktikën e njeriut të jashtëzakonshëm. Ani se nuk kanë dëshirë t’ia lakojnë emrin, por puna e tij ka heroikë brenda, ka forcë, potencë, ku nxit aftësinë dhe mrekullinë krijuese. Dhe ky Sotir ka ende shkallë për të ngjitur, për t’u vendosur aty ku shkëlqimi dhe nderi e kërkojnë labin e fortë, të konkurojë e të vezullojë m’u në mes të Tiranës.
Monografitë e “Zihni Gjinali, ustai”, “Skënder Begeja, ekspresi i fushës”, “Muhamet Përmeti, modeli i njeriut sportist”, “Niko Mile, artist i ringut”, janë pronë e lexuesit. Historiani i njohur Paskal Milo, i befasuar nga kjo punë, pasi i shpreh respekt Sotirit pohon:
-Librat e tua, e zbukurojnë bibliotekën time”.
Në një çantë të vogël, të shoqëruar me mbishkrimin “Bujar Qesja, me dashuri, respekt e miqësisht, mikut, shokut, kolegut e gazetarit të njohur. Nga Sotir Seferaj”, më dorëzon mikrobibliotekën e tij, që m’u duk më e mrekullueshmja në botë. Peshë e rëndë ajo çantë e vogël, e një njeriu të madh, që më kërkonte ta mbaja nga mungesa e shikimit, por që në atë mbrëmje m’u çfaq shkëlqimi i rrallë dhe i veçantë i një dielli verbues. Ç’të qe kjo? Ëndërr?!
I putha librat e tij. I putha dorën, plot shtatë herë. Ia bekova punën, me mirësinë e njeriut që merret me letrat dhe e njeh mirë vështirësinë e zanatit. Por ky Sotir, m’u duk i rrallë, nga më të rrallët që kam hasur, pasi ia rriste fuqinë e mrekullisë, bindja për të punuar e lënë trashigimi pasuri. Më të mirën dhe më të bukurën pasuri, nuk ke ku e gjen, nuk ke ku e kërkon.
Më mba pak Bujar, më mba! M’u duk si lis gjigand ky 85 vjeçar me shpirt rinor, që ska ndërmënd të lëvizë, e jo më të bjerë. E pyeta thjesht për ta ditur dhe nisur nga dëshira për të qenë i mbështetur nga opinionet, për këtë magji të punësë së tij, se si i kanë shkuar promovimet. Si ka mundur edhe materialisht, t’i zbusë shpenzimet e tërë këtë turravrap krijimtarie?
Ta kisha ditur përgjigjen, të cilën m’u lut njëmijë herë të mos e shkruaja, s’do ta kisha pyetur.
-Asnjë libër skam mundur të promovojë. Nuk m’u ndodh njeri pranë. Kam trokitur derë më derë sikur të lypja bukë goje, për të mbledhur ca para, e për t’i botuar këto libra. Librat, miku im, nuk janë të mijat, por të historisë së sporteve, shkruar me mundim nga Sotir Seferaj. Arrita t’i botoj, pa mundur të fus në xhep qofte një kacidhe për mundin, kohën dhe djersën e harxhuar. Ja kam bërë hallall! Por jam në hall, për t’i dhënë lexuesit dhe dy libra të tjerë, që kam kohë të bëra gati.
Ashtu si historia e klubit të futbollit “Dinamo”, Sotir Seferaj është me dorëshkrim të përfunduar prej vitesh, të 350 faqeve të historikut të klubit të futbollit “Partizani”. Tjetër perlë e tij, me afro 400 faqe, pret prej vitesh të dalë në dritë. Është “Shqipëria kampione e Ballkanit 1946”.
Nuk kam qenë kurrë i tronditur sa atë ditë, kur u takova me Sotir Seferajn për të marrë Panajot Panon e tij, për të marrë rradhazi Refik Resmen, Zihni Gjinalin, Skënder Begenë, Muhamet Përmetin, Niko Milen po të tijët. Peshë e rëndë puna e tij. Të rënda po aq edhe peripecitë, lodhjet, mundimet, ngarkesat fizike dhe psikologjike që ka hequr.
Duke menduar edhe moshën 85 vjeçare, e parë e gjykuar mbi lodhjen e shikimit, deri pranë verbimit. Humbet dritën e syve, për t’i konvertuar në dritë për historinë dhe traditën e futbollit, të personazheve dhe idhujve të tij.
Me Shpresën, e kthyer në të vetmen shpresë që ngrys ditët ky Sotir Seferaj, në një shtëpi të thjeshtë pranë brrylit, teksa kalon Ministrinë e Jashtëme, për t’u ndodhur pranë gjimnazit “Ismail Qemali”. Përkimi vjen interesant dhe natyrshëm. Ismail Bej Vlora, historia e Pavarësisë! Sotir Seferaj beu i futbollit, i historisë dhe traditave të tij.
Dhe mëndjen e kanë tek djali Renato, që jeton në Austri dhe Adriana që banon në Greqi.. “Vdes” Seferaj për tre fëmijët e Renatos, veçanërisht për Kristin dhe Antonion 6 dhe 3 vjeçar. Mbesa Alissa, ka përfunduar studimet në Mançester të Anglisë, për fizioterapiste. Me siguri nusja e djalit Branka, që punon në një firmë optike, do t’ia mbajë me sa mundet shikimin, emrin të njohur të futbollit dhe krijimtarisë sportive Sotir Seferaj.
Sotir Seferaj, shikimi i tretur mbi libra!
Bujar Qesja
Durrës: 25 mars 2023