Ing. Ibrahim Emiri: Si e projektova Shtëpinë e Pritjes në Përmet
Inxhinieri: Ja çfarë vendi i propozova Avdyl Këllezit, zv/kryetarit të Këshillit të Ministrave.
Nga Ing. Ibrahim Emiri
Vendi më i mirë për ndërtimin e shtëpisë së pritjes është në zonën e vreshtave në Bolëngë, në perëndim të Përmetit, sugjerova në takimin me drejtuesit kryesorë të partisë dhe të pushtetit në rreth, si dhe me shokun Abdyl Këllezi, i cili në vitin 1972 ishte një nga udhëheqësit e nomenklaturës më të lartë të regjimit komunist, ishte anëtar i Byrosë Politike të PPSH dhe zv/kryetar i Këshillit të Ministrave.
1- Drejtuesit kryesorë të partisë e të pushtetit në rreth kishin propozuar dy vende të tjerë:
2 – Afër sallës së kongresit dhe repartit ushtarak, si vend me vlera historike.
Në pjesën e sipërme të qytetit, afër ish kishës së Shën Kollit, me pamje interesante matanë Vjosës.
Këtu ka pamje fantastike, tha zv/kryeministri kur shkuam tek vendi që propozova, prandaj këtu do të ndërtohet Vila e Pritjes së Partisë. Zv/kryeministri u mahnit nga pamja që iu shfaq përpara, prej pozicionit dominant ku ndodhej vendi i propozuar për ndërtimin e vilës. Lugina e bukur e Vjosës shtrihej posht plot gjelbërim që nga Piskova deri në Petran; kodrat e Shqerisë e Ceries ngjiteshin butësisht në të djathtë të rrjedhës së lumit, ndërsa mali Dhëmbel ngrihej hijerëndë në të majtë të tij; Qyteti Përmet shtrihej qetësisht poshtë, anës Vjosës, kurse fshatrat përreth ngjiteshin varg në të dy anët e luginës.
Ishte fund pranvere, prandaj e gjithë natyra shkëlqente në atë ditë të bukur plot diell.
Të nesërmen, drejtuesit kryesorë të rrethit më përgëzuan për propozimin e bërë për vendin ku duhej ndërtuar vila e pritjes së partisë, si dhe për mendimet profesionale në diskutimin me antarin e Byrosë Politike të Partisë. Ata vendosën që mundësinë për projektimin e vilës së pritjes të ma jepnin mua, duke pasur besim se këtë detyrë do ta realizoja me përkushtim e përgjegjshmëri të lartë dhe do ta justifikoja besimin e Partisë.
Pata një ndjenjë gëzimi të ligjshëm, që vinte nga pasioni profesional si projektues, por mbi të gjitha me një peshë përgjegjësie të madhe për besimin që m’u dha. Sigurisht që ishte me rekomandim të zv/kryeministrit ky besim, ndërsa drejtuesit e rrethit i kërkuan atij që projekti të vinte nga Instituti i Projektimit në Tiranë.
Në Drejtorinë e Pritjes pranë Kryeministrisë më sqaruan të gjithë kërkesat e përgjithëshme apo specifike, që duhet të merrja në konsideratë gjatë hartimit të projektit. Vila e pritjes së partisë, theksuan ata, është nje objekt i rëndësisë së veçantë, sepse është në shërbim të udhëheqjes më të lartë të partisë e të shtetit.
Më sqaruan me hollësi për kërkesat funksionale të ambienteve të ditës, ambienteve të gjumit, ambienteve të shërbimit e të sigurisë, për sipërfaqet e rekomanduara dhe lidhjet reciproke të ambienteve në dispozicion të udhëheqjes dhe ambienteve të tjera, për furnizimin e dyfishtë me ujë dhe energji elektrike të objektit, për garantimin e sinjalizimit nga çdo ambient, tek dhomat e shërbimit apo të sigurisë, etj, etj. Vëmendje të veçantë i kushtuan sqarimit deri në detaje të difekteve funksionale të konstatuara në disa prej vilave ekzistuese, sipas vërejtjeve të bëra nga ndonjë prej kuadrove të nomenklaturës së lartë partiake, difekte që duhet të evitoheshin medoemos në projektin që do të hartoja.
Kërkesat e veçanta e të çuditshme për trajtimin e udhëheqjes së lartë të partisë e të shtetit të fusnin në një labirinth të panjohur, që mund të ishte pa krye. Ndjenja fillestare e gëzimit për mundësine që m’u dha për të projektuar një vilë të bukur e të rëndësishme, ndjenjë që vinte nga pasioni profesional si projektues, po zbehej e po ia linte vendin shqetësimit në rritje për peshën e përgjegjësisë, që më kishin besuar.
Projektimi arkitektonik e konstruktiv në vitet 70-të ishte punë skllavi, krejt artizanale, sepse çdo vizatim bëhej me dorë, me laps e me tush në letër. As imagjinata më e zhvilluar nuk e konceptonte dot komoditetin që ka sjellë tashmë zhvillimi i teknologjisë për hartimin e projektit me programe kompiuterike. Literaturë apo informacion për arkitekturën pothuajse nuk kishte. Ajo pak literaturë për arkitekturën, që ekzistonte në biblioteka, kryesisht revista të vendeve të kampit socialist, ishte vetëm për përdorim të brendshëm me përcaktimin “e rezervuar”. Për të marrë një ngacmim të nevojshëm për kompozimin arkitektonik, ndërsa sot mund të lundrosh pa kufi në internet, unë munda të shfletoj ato pak revista arkitekture, të cilat nuk kishin asgjë për vilat, si dhe dy libra të arkitekturës italiane, që arrita t’i siguroj me shoqëri për pak kohë.
Dëshiroja që në Përmet të ndërtohej një objekt unikal i karakterit social, i cili ndonëse nuk do të ishte direkt në shërbim të popullit, do të ishte në shërbim të udhëheqjes më të lartë të tij. Në fund të fundit, në slloganet e socializmit thuhej “Ç’do populli bën Partia”!
Fillova të mendoj për variante të ndryshëm kompozimi arkitektonik, por preferoja që vilën ta projektoja me frymë moderne e me lëvizje volumesh, ose me trajtim bashkëkohor, siç thuhej atëhere. Këtë ide ma mundësonte fakti që objekti do të ishte i vetmuar, jashtë qytetit. Pra, nuk isha i kushtëzuar për ta përshtatur me arkitekturën tradicionale të qytetit të vjetër, që më vonë do të quhej qendër historike. Megjithatë, çdo zgjidhje e kishte riskun me vete, mbasi vila që duhet të projektoja nuk ishte një vilë individuale dosido, por Vila e Partisë, pra vila ku do të qëndronte në Përmet udhëheqja më e lartë e partisë dhe e shtetit. A do të miratohej një projekt-ide moderniste?! Pasioni profesional më tundonte drejt modernes, ndërsa parimet e kohës për thjeshtësinë e tipizimin në ndërtim ma kufizonin fantazinë.
I gjendur para kësaj dileme, si dhe duke mos pasur shumë kohë në dispozicion për të përpunuar disa variante, pranova riskun, duke hartuar projekt-idenë me dy variante, të dyja me trajtim modern. Pra prirja profesionale dominoi mbi kufizimet e kohës. Isha akoma i ri në moshë, vetëm 29 vjeç dhe mosha bën të vetën. Rinia është mosha më pasionante, më energjike e më guximtare. Nuk thonë kot “i riu, si veriu”!
Procesi i kompozimit arkitektonik është një përpjekje e mundimshme për vendosjen e ekuilibrit optimal midis funksionalitetit, efektit arkitektonik dhe zgjidhjes konstruktive.
Vila u konceptua si objekt dy katësh dhe me një podrum me sipërfaqe të reduktuar, duke shfrytëzuar në maksimum relievin në rënie te truallit. Në podrum u parashikuan kuzhina dhe ambientet e shërbimit; në katin përdhe u projektua holli qëndror, ambient për oficerët e sigurisë, si dhe ambientet e ndëjtjes e të ngrënies për udhëheqjen, me një verandë me pamje nga qyteti; ndërsa në katin e parë ambientet e fjetjes për udhëheqjen, nga ku mund të dilej në ballkone për të soditur peisazhin e bukur përreth.
Taraca u parashikua e shfrytëzueshme, në mënyrë që prej saj të mund të soditej në të gjithë hapësirën përreth peisazhi i bukur i luginës së Vjosës.
Në hartimin e projekt-idesë u konceptua jo vetëm vila si objekt, por edhe sipërfaqia përreth e kufizuar nga një rrethim me kangjelatë dekorative. Ambienti në hyrje të vilës u trajtua si lulishte me një shatërvan të vogël, ndërsa në pjesën jugore sipërfaqia përreth vilës u konceptua si kopësht plot me drurë frutorë të varieteteve të zgjedhura.
Fatmirësisht projekt-idea u pëlqye në të dy variantet dhe u vendos hartimi i projekt-zbatimit.
Më në fund, mbas një pune stresante mjaft intensive, rezultati ishte i kënaqshëm e sadisfaksioni ishte i natyrshëm. Hartimi i projekt-zbatimit me të gjithë komponentet e vet të shumtë: arkitektura, konstruksioni, instalimet hidrosanitare e elektrike, arredimi, projekti dentrologjik i ambientit, si dhe preventivimi i punimeve, ishin një punë e madhe, që duhej realizuar në një kohë relativisht të shkurtër. Konstruksioni u projektua nga ing. S. Çeku, projektet e instalimeve u hartuan nga I.S.P.- 1 Tiranë, kurse për projektin dentrologjik bashkëpunuan specialistë të ndërmarrjeve respektive të rrethit.
PROJEKT- IDE, Planimetritë e miratuara
PROJEKT- IDE, Pamjet
PROJEKT- ZBATIM, Pamjet dhe Prerjet
Plani i sistemimit të teritorit të vilës
Ndërtimi i objektit filloi të realizohet nga NSHN Përmet, ende pa përfunduar plotësisht projekti konstruktiv. Duhej të përfundonte ndërtimi i konstruksionit e hidroizolimi i taraces para fillimit të dimrit, që në Përmet ishte i zgjatur, me shumë lagështi e ngrica. Ritmet e ndërtimit ndiqeshin me grafik të veçantë e të detajuar, jo vetëm nga ndërmarrja e ndërtimit, por edhe nga organet e pushtetit në rreth, sepse Vila e Partisë ishte objekti më i rëndësishëm, që lidhej me festimin e 30 vjetorit të Kongresit të Përmetit. Njëkohësisht me ndërtimin e objektit kryheshin punimet për rrugën e re, që të çonte në vilë, për linjat e ujësjellësit e të kanalizimeve, për furnizimin me energji elektrike, për linjën telefonike, për sistemimin e rrethimin e territorit, për ndriçimin e jashtëm, për mbjelljen e drurëve të shumëllojshëm dekorativë e frutorë, etj.
Paralelisht me hartimin e detajuar të projekt-zbatimit në të gjithë komponentet e vet, duhej kontrolluar sistematikisht zbatimi i projektit në të gjithë proceset e ndërtimit, pra bëhej ajo punë që sot quhet mbikqyrje apo supervision. Ndërkohë, punimet ndërtimore e sidomos njerzit që punonin në objekt, megjithëse të përzgjedhur nga drejtoria në ndërmarrje, ishin në “mbikqyrje” të pandërprerë edhe nga operativët e Sigurimit të Shtetit.
Ndërsa përfunduan punimet ndërtimore e po vazhdonte montimi i pajisjeve e mobilimi i ambienteve brenda vilës, në ambientin rreth saj po kryheshin punime të ndryshme sistemimi për gjelbërimin. Në këtë kohë filluan të vijnë njeri pas tjetrit nga Tirana si vizitorë në vilë, funksionarë të ndryshëm të partisë e të shtetit, si antarë të Komitetit Qëndror të Partisë, apo përfaqësues të Qeverisë, që ndodheshin me shërbim në Përmet. Ata, të shoqëruar nga drejtuesit e rrethit, mbasi vizitonin vilën gati të përfunduar, nuk i kursenin vlerësimet e tyre, si për pozicionin fantastik, për ambientin shlodhës, për funksionalitetin racional, ashtu edhe për trajtimin arkitektonik modern.
Po afronte 24 maji i vitit 1974, festa jubilare e 30 vjetorit të Kongresit të Përmetit.
Vila e përfunduar, mbas kontrolleve rigoroze e inspektimeve të bëra nga Ministria e Punëve të Brendshme, u inspektua nga Komisioni Qeveritar i festës, i cili mbasi e vlerësoi maksimalisht objektin ne tërësi, vendosi të merrej në dorëzim nga Drejtoria e Pritjes pranë Kryeministrisë për ta mobiluar, kompletuar e vënë në gatishmeri të plotë, në mënyrë që të akomodohej sa më mirë Udhëheqësi më i lartë i Partisë.
Foto të pamjeve të vilës pas përfundimit të ndërtimit
Mbas përmbysjes së sistemit komunist, vila, që filloi të administrohej nga Bashkia e qytetit u vu në shërbim të grupeve me vizitorë të huaj, që vinin në Përmet. Në këtë periudhë në vilë akomodoheshin vazhdimisht përfaqësues të “Caritasit” Italian, të cilët bënë binjakëzim të qytetit Italian Castelaneta me Përmetin. Në vitin e mbrapshtë 97, për fat të keq, vila u bë objekt i grabitjes e shkatërrimit vandal, sidomos në ambientet e brendshme, duke ngelur si objekt i shkatërruar dhe i braktisur.
BUJTINA E MIKPRITJES, PËRMET
Aktualisht ndërtesa ekzistuese e vilës është privatizuar dhe pronarët e saj kanë shprehur interesin për ta rivitalizuar e kthyer në nje bujtinë moderne, me të gjithë komoditetet e kohës.
MA Studio & Partners (Modelling Architecture) ka hartuar projekt-idenë për rivitalizimin dhe zhvillimin e objektit “Vila e pritjes”, e cila kur të rivihet në shfrytëzim mund të quhet edhe “Bujtina e mikpritjes”. Projekt-idea për rivitalizimin dhe zhvillimin e objektit u konceptua dhe zhvillua me të njëjtën frymë moderne arkitekturore, në mënyre që të qëndrojë në harmoni të plotë vila ekzistuese me objektin e ri që i bashkëlidhet. Zhvillimi i bujtinës parashikohet të bëhet në jug të objektit ekzistues, duke bashkëlidhur një ndërtesë 3 kate + podrum, me funksion hoteleri dhe ambiente relaksi. Objekti ekzistues rivitalizohet funksionalisht shumë mirë për bujtinë, me ndërhyrje shumë të vogla në interier, kurse trajtimi arkitektonik në exterier vetëm do të freskohet, duke ruajtur origjinalitetin. Në podrumin e strukturës së propozuar janë parashikuar ambiente relaksi, si palestra, jacuzzi, sauna, banja turke, dhoma veshje-zhveshje, si dhe ambiente shërbimi, si impianistike, lavanteri-hekurosje, magazinim hotelerie, etj. Në secilin prej tre kateve të hotelit që propozohet janë parashikuar 4 module me dhoma gjumi + tualete respektive, pra gjithsej 12 dhoma gjumi të kompletuara. Dhomat janë parashikuar me ballkon me pamje nga perëndimi, nga ku peisazhi i luginës së Vjosës dhe e vreshtit para objektit jane fantastike. Në hapësirën perëndimore të terrenit është parashikuar një pishinë e hapur, për ta bërë bujtinën funksionalisht më relaksuese për frekuentuesit, duke qenë kështu i vetmi objekt me pishinë në Përmet. Tarraca parashikohet të funksionojë e shfrytëzueshme si bar-kafe, sidomos në mëngjes dhe darkë, nga ku pamja e luginës dhe e qytetit është mahnitëse.
Trajtimi arkitektonik i bujtinës në dy pamjet ballore është ruajtur modern, por i qetë e neutral, për t’u harmonizuar e ekuilibruar me trajtimin arkitektonik të objektit ekzistues, i cili është më dinamik.
Në trajtimin estetik të pamjeve ballore është vendosur ekuilibër harmonik midis sipërfaqeve prej xhami, me sipërfaqet e plota me ngjyrë neutrale. Në katin përdhe të hotelit dhe në lidhjen me objektin ekzistues është parashikuar veshje me gurë, për ta bërë më tradicionale dhe interesante pamjen e kompleksit.
Me realizimin e këtij investimi qyteti i Përmetit do të plotësohet me një vlerë të shtuar turistike e arkitektonike, ku turistët apo frekuentuesit e bujtinës do të befasohen nga peisazhi fantastik i luginës së Vjosës, që duket prej saj, si dhe do të relaksohen nga faciliteti funksional e harmonia arkitektonike.
“M.A. Studio & Partners” uron që të miratohet projekt–idea e bujtinës moderne, si dhe financimi i investimit.
——————————
– Shkrimi është marrë nga libri “Mbresa të një projektuesi”