Krifca: Konsolidojmë aftësitë e biznesit prodhues bujqësor shqiptar sipas standardit italian
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca mori pjesë në punimet e Forumit të biznesit Shqipëri-Itali
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca mori pjesë sot në punimet e Forumit të biznesit Shqipëri-Itali, që u zhvilluan në Tiranë, me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama, ministrit italian të Bujqësisë, Sovranitetit Ushqimor dhe Pylltarisë i Republikës së Italisë, Francesco Lollobrigida, si dhe të përfaqësive të larta të sipërmarrjes shqiptare dhe italiane.
Duke marrë fjalën Krifca tha se, “ky takim vjen si derivat i zotimit të ndërmarrë bashkërisht me homologun italian Francesco Lollobrigida për të vendosur më shumë ura komunikimi, për zhvillim të shtuar të biznesit dhe si një vullnet i qartë politik të cilin dje e treguam edhe me firmosjen e një memorandumi bashkëpunimi mes dy ministrive tona”.
Ministrja shprehu bindjen se jehona e punës së këtyre dy ditëve me homologun italian do të dëgjohet gjatë në vitet në vijim, si provë e aftësisë së dy popujve për t’u bashkuar në dimensionin historik dhe kultural, por po aq të suksesshëm edhe në atë ekonomik.
Krifca vuri theksin në ngritjen e marrëdhënieve mes dy vendeve tona në lartësinë e sfidave të kohërave në të cilat jetojmë dhe mbi të gjitha, “në drejtim të kapaciteteve prodhuese, përpunuese e agroushqimore”.
Me Ministrin e Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore dhe Pyjeve, z. Francesco Lollobrigida, organizuam në Ministrinë e Bujqësisë…
Posted by Frida Krifca on Tuesday, March 28, 2023
“Objektivat e Ministrisë së Bujqësisë në këtë angazhim janë sa për zhvillimin po aq janë dhe strategjike. Qëllimi ynë është të konsolidojmë aftësitë e biznesit prodhues bujqësor shqiptar sipas ekselencës italiane nëpërmjet adoptimit të standardeve dhe praktikave të një vendi absolutisht lider në botë në identitetin, markën “Made in Italy” dhe tregtinë ndërkombëtare të produkteve agroushqimore”, deklaroi Krifca.
Ministrja falënderoi homologun italian dhe ambasadorin e Italisë në vendin tonë, zotin Buci, që iu përgjigjën kërkesës së saj, për të sjellë në Tiranë përfaqësinë më të lartë të sipërmarrjes italiane të sektorit agroushqimor, si një mundësi e shkëlqyer për t’u takuar për bizneset shqiptare, konkretisht me strukturat e Agjencisë për shkëmbimet tregtare italiane IÇE, me Coldiretti, Federatën Kombëtare të Kultivuesve, me COPAGRI dhe CIA (ÇIA) dy organizma italianë dhe europianë që përfaqësojnë pjesën më të madhe të prodhuesve ushqimorë italianë.
“Me ne gjithashtu sot është dhe Filiera Italia, shoqata që bashkon prodhuesit bujqësor dhe agropërpunuesit. Përfaqësuesit e fermerëve dhe përpunuesve të vendit tonë janë takuar dhe me Confagricoltura, organizatën e cila mbron dhe përfaqëson ndërmarrjet bujqësore italiane në inovacionin e biznesit, qëndrueshmërinë e praktikave bujqësore dhe konkurrencën e kompanive”, tha Krifca, teksa solli në vëmendje faktin për diversitetin dhe potencialin e jashtëzakonshëm të dijes, kontakteve, teknologjisë dhe aksesit në tregje që bizneset prodhuese dhe përpunuese shqiptare mundën të përfitojnë nga panelet “biznes to biznes” të organizuara një ditë më parë në Ministrinë e Bujqësisë, si dhe sot nga Dhoma e Tregtisë.
Ministrja shprehu angazhimin se, nuk duhet dhe nuk do të ndaloj në mbështetjen për sipërmarrjet dhe sektorin e bujqësisë.
“Unë, ministri, tregu, konsumatorët dhe e ardhmja e vendeve tona duam të shikojmë më shumë nga kjo iniciativë. Prandaj e konsoliduam këtë objektiv në një marrëveshje konkrete të cilën do ta përdorim si katalizator dhe lehtësues të këtij bashkëpunimi”, tha Krifca.
Ajo theksoi se, marrëveshja që u nënshkrua dje me ministrin italian të Bujqësisë do t’i vijë në ndihmë sipërmarrjes shqiptare agroushqimore në sektorët e kultivimit të ullirit dhe përpunimit të vajit, vreshtarisë dhe prodhimit të verës, në fushën e prodhimit të qumështit dhe mishit si dhe të peshkimit.
“Ne angazhohemi gjithashtu të rrisim praninë e produktit bujqësor shqiptar në tregjet italiane, ndërkohë që njëkohësisht rrisim përdorimin e teknologjisë italiane në mekanizim dhe teknika agronomike. Më tej marrëveshja parashikon forcimin e mbrojtjes së treguesve gjeografikë me anë autoriteteve kompetente në të dy vendet si dhe nxisim shkëmbimin e informacioneve lidhur me skemat e certifikimit dhe origjinës”, deklaroi në fjalën e saj Krifca.