Juri Egorov – vija e kuqe e artit!
Juri Egorov ishte një pianist sovjetik që u arratis nga Bashkimi Sovjetik drejt Perëndimit në pranverën e vitit 1976.
Nga Dr. Monika Stafa
Ngaherë jam tërhequr prej artit historik. Ndoshta pse mes tyre jam përpjekur të njoh fenomene, personazhe, vende të cilat më pas i kam dashur ose jo. Ndoshta dhe sepse më kanë ndihmuar të shoh më mirë botën sot. Por edhe atë nesër.
Dikur lënda e historisë më hutonte me aq luftra në javë sa c’kisha për të mësuar. Por duket ishte pikërisht kjo rrëmujë që më tërhiqte më shumë. Disa ndodhi të vogla, në dukje të parëndësishme që më conin drejt ngjarjes vetë, asaj të madhes.
Kur mendoja për kombet e ndryshme, pjesmarrëse në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, shpesh pyesja veten, po në Luftën e Ftohtë kush luftoi?
Çfarë ndodhi mes superfuqive që dolën fituese nga lufta?
Përse jo shumë kohë më pas shkuan sërish në një luftë të heshtur?
Po sot përse ka ende luftë?
Lufta e Ftohtë nuk ishte një luftë e vërtetë. Ndryshe nga dy luftërat botërore, mes forcave nuk pati beteja fizike. Në vend të kësaj, ishte një konkurrencë e tensionuar midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, së bashku me aleatët e tyre përkatës.
Të dyja këto dy superfuqi donin mëvetshëm të ishin kombi më i fuqishëm në botë, duke zhvilluar e prosperuar vendin e tyre, duke u përpjekur njëkohësisht të reduktonin fuqinë dhe ndikimin e të tjerëve.
Uashingtoni dhe Moska konkuruan në shumë fusha por sidomos për para dhe burime natyrore.
Për aleatë gjithashtu. Për teknologjinë e armëve, influencë apo dhe prestigj. Për eksplorimin e hapësirës apo dhe idetë.
Për artin gjithashtu.
Midis SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik ekzistonte një garë që shtrihej në të gjitha fushat por në muzikë të dyja superfuqitë duket se ja kthenin nderet njëra -tjetrës duke përjashtuar vendet më të vogla nga lufta e tyre për hegjemoni.
Kur Bartoku shkoi në Nju Jork nuk ja shtriu dorën askush. Ai vinte nga Hungaria. Bartoku vdiq në 1945 në një spital për të varfrit.
Dy vjet më vonë, po në Nju Jork Shostakovic triumfoi. Atij, muzikantit të armikut, amerikanët ishin të gatshëm t’i përkuleshin me nderime.
Aq e bukur ishte kjo lojë mes dy superfuqive sa kur Van Kliburn, pianisti amerikan, në vitin 1958 kishte fituar Konkursin e parë Cajkovski të Moskës, Kryetarit të Jurisë i ishte dashur fillimisht të pyesë Hrushovin nëse kësaj radhe nderi duhej t’i takonte amerikanit.
Po përse u lëshua në gjunjë një superfuqi si SHBA të pyeste tjetrën?
Kishte kaluar vetëm një vit nga lëshimi i Sputnikut të parë. Ndaj amerikani e quajti me vend që përparësia e Bashkimit Sovjetik ishte aq e madhe sa dhe mund ta pyeste me zemërgjerësi nëse pianisti amerikan ishte vërtet më i miri.
Po, sigurisht.
Atëherë jepjani cmimin, tha Hrushov.
Po frynin erëra të reja përtej oqeaneve.
Këto histori arti të cilat në dukje të tërheqin për emocionin artistik dhe shijen që të kultivojnë, janë pjesëza që kur i ndjek në filma apo i lexon në romane për shumëkënd mund të mbarojnë aty. Por në të vërtetë ngjarja sapo ka nisur.
Van Kliburn u kthye në një hero për të rinjtë në mbarë botën. Për anën lindore të saj doemos. Ai mëshironte lirinë, botën moderne dhe falë pamjes së tij rinore, Amerikën e Elvis Preslit.
Ndoshta kjo ishte dhe arsyeja përse një tjetër artist i talentuar rus, Juri Egorov, i arratisur tashmë prej B.S. donte ta takonte.
Juri Egorov, 22 vjec, ishte një pianist sovjetik që u arratis nga Bashkimi Sovjetik drejt Perëndimit në pranverën e vitit 1976.
Në Romë kishte kërkuar strehë në Amsterdam, pa e ditur mire se cfarë e priste por me mendimin e ngulët se do ta shijonte deri në fund lirinë.
Qëkur e kish vizituar njëherë të vetme, qytetin e tulipanëve, flinte e zgjohej cdo mëngjes me zhurmat e njohura të tij; motorët e barkave në kanale, frushullimën e gjetheve në dritaret e hotelit, tringëllimën e zileve të ciklistëve apo dhe rrotat cjerrëse të tramvajeve.
Jura, Jurka, Juroshka, Jurinka apo dhe thjesht Juri e përshkruajnë si të përzemërt, gazmor, të ndershëm, të cmendur, të drojtur, dhe herë -herë të dëshpëruar, rebel, të frikësuar apo dhe të lig.
Ne e dimë se sado të përpiqemi të themi se jetojmë në një botë të lirë, kjo nuk është e vërtetë. Liria është dhe arratia në ikje jo vetëm politike. Në rastin më të zakonshëm e pa pasoja ajo të jep një ngazëllim të skajshëm.
Sidomos kur pas fjalëve vjen veprimi, ikja pra.
Kur kilometrat rrëshqasin me shpejtësi poshtë teje dhe bindesh se mund të fluturosh deri në hënë. Një ndjenjë të tillë ka të ngjarë të ketë përjetuar dhe Juri.
Duhej të ikte. Në Moskë ndihej i përndjekur. Ishte koha e informatorëve.
I vinte të shpallte me zë të lartë se i kishte ardhur në majë të hundës duke u hequr si dikush që nuk ishte. Derisa një ditë ju sos durimi e ju rrëfye një djali tjetër, një pianisti jo aq të talentuar. Por ne e dimë se zilia të shtyn drejt sjelljeve të papërshtatshme. Dhe shoku i tij kish qëlluar një informator.
Kur banonte në Kazan, ishte i bindur se gjithcka përtej Rusisë ishte tokë e shkretë. Asnjë komb në botë nuk e kishte fuqinë, ndikimin dhe shtrirjen e pamatë të vendit të tij. Vetëm zogjtë shtegtarë e dinë se ku mbaron Rusia, shkruante Cehovi.
Kur e ftuan një të shtunë në Amsterdam e kuptoi se në Perëndim homoseksualiteti i tij nuk do të bezdiste askënd. Prej asaj mbrëmjeje, mbante me vete gjithmonë një kartëvizitë ku vecohej me germa të arta një emër me një tingëllim gjerman. E ruante atë si një talisman pavarësisht prej pantallonave që vishte.
E kishte kuptuar se ajo copëz letre, pakëz më e madhe se një kuti shkrepse, do të ishte bileta e tij e hyrjes në perëndim. Pa u mbushur një orë prej arratisjes, u gjend në periferi të Romës i mbyllur në një qelë të një abacie të vjetër pranë Zotit por shumë larg familjes.
….
Për herë të parë termi “Lufta e Ftohtë” u përdor në vitin 1947. Pavarësisht se tingëllonte kontradiktor në kuptimin e vet, ky term nënkuptonte luftën për jetë a vdekje midis SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik; midis kapitalizmit dhe komunizmit.
Secila prej dy superfuqive e dinte mirë se ishte përfshirë në një luftë afatgjatë. Të bindur se epërsia e sistemeve që kishin zgjedhur, sociale, politike dhe ekonomike do të sillte përfundimisht fitoren apo humbjen vetëm nëpërmjet konkurrencës. Dhe vetëm me mjete paqësore.
Por a i kishin bërë mirë të mëdhenjtë hesapet e tyre? Me jetë dergjur burgjeve dhe të tjera që iknin në arrati? Të drejta që shkeleshin në njërin sistem për të gjetur veten tek tjetri?
Me ndere në art që i bënin njëri -tjetrit ndërsa vuajtjet dhe tirania ishte e pashembullt në njërin krah të oqeanit?
A nuk ju duket lojë e gjitha kjo?
……
Juri Egorov u bë i famshëm në një recital në Alice Tully Hall, në SHBA në vitin 1978. Ky debutim i siguroi karrierën. Nuk do të ishte asgjë ky djalë, nëse nuk do të ishte kaq romantik, thanë kritikët për të. Ndërroi jetë prej SIDA-s në vitin 1988. Dhe ishte vetëm 33 vjeç.
Miku i tij Jan Brokken me romanin e tij “Në shtëpinë e pianistit” nuk shkruan vetëm për të panjohurat e jetës së një artisti të arratisur por dhe për dy botë që ndahen por befas bashkohën vetëm për një arsye; në vijën e kuqe të artit.
Vitrina e librit
Në shtëpinë e pianistit- Jan Brokken; Pas një fillimi të furishëm të karrierës artistike në Bashkimin Sovjetik, Juri Egorovi, ashtu si Rudolf Nurejevi e shumë artistë të tjerë, vendosi të arratisej. Qysh 22 vjeç, ai zhytet në jetën e gjallë boheme të Amsterdamit. Edhe suksesi nuk vonon: turnetë ndërkombëtarë dhe loja pianistike përkrah dirigjentëve më të vlerësuar. Por, nën talentin e shkëlqyer, bën strehë brishtësia e malli i dëshpëruar për Nënën Rusi.
– William Shakespear- Victor Hugo; dy te mëdhenjtë e së njëjtës fushë bëhen bashkë në një libër. Ne fakt Hugo i ka kushtuar një libër shkrimtarit të madh. Po përse? Pse lindi kjo nevojë e francezit për një libër për një anglez?