Dhoma e Tregtisë Tiranë hap zyrë konsulence për turizmin në Spanjë
Përfaqësues i DHTI në Spanjë është Eduard Hyseni, këshilltarit është emëruar José Yudici
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTI), hap zyrën e konsulencës për turizmin në Palma de Mallorca, Spanjë.
Përfaqësues i saj në Spanjë zgjidhet Eduard Hyseni, ndërsa në pozicionin e këshilltarit është emëruar José Yudici, me eksperiencë disavjeçare në industrinë e turizmit.
Përveç promovimit të vizitave të qytetarëve spanjollë në Shqipëri, kjo zyrë synon të krijojë më shumë bashkëveprim me kompanitë turistike dhe hoteliere në Spanjë.
“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, përmes angazhimit dhe misionit të saj, ka arritur që përmes kësaj zyre të vulosë objektivin për të sjellë sa më shumë kompani spanjolle “tour-operator” të turizmit në Shqipëri. Hapja e saj që në ditët e para ka tërhequr vëmendjen e mediave spanjolle”, bën të ditur DHTI.
Medie të njohura për informacion rreth fushës së turizmit, “Diario de Mallorca” dhe “Hosteltur” i kanë kushtuar një artikull përpjekjeve të Shqipërisë për të zhvilluar sektorin e turizmit dhe rëndësisë që ka krijimi i kësaj zyre në përftimin e investitorëve spanjollë.
DHTI informoi se së shpejti, është planifikuar që të bëhet një vizitë e Kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, me qëllim për të forcuar bashkëpunimin. Gjithashtu, është parashikuar të realizohet edhe një mision biznesi në Shqipëri me drejtues të lartë të kompanive hoteliere.
Shqipëria po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për turistët e huaj që kërkojnë plazhe të bukura në sezonin veror, por edhe të eksplorojnë Alpet shqiptare që ofrojnë peizazhe mbresëlënëse, e qytetet e lashta për kulturën dhe historinë.
Të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se të huajt kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre në Shqipëri, mbi 2.8 miliardë euro.
Por edhe shqiptarët kanë rritur shpenzimet në udhëtime jashtë vendit përgjatë kësaj periudhe. Referuar të dhënave rezulton se shqiptarët kanë shpenzuar në udhëtime jashtë vendit 1.77 miliardë euro, gjatë 2022-shit.
Bilanci i udhëtimeve, që mat diferencën mes shpenzimeve të të huajve në Shqipëri me atyre të shqiptarëve jashtë, ishte pozitiv gjatë vitit, në një vlerë prej 1.07 miliardë eurosh.
Raporti i INSTAT-it për turizmin tregon se, 7.5 milionë turistë të huaj vizituan vendin tonë gjatë vitit 2022, duke i besuar Shqipërisë pushimet e tyre jo vetëm gjatë sezonit veror, por edhe përgjatë stinëve të tjera të vitit.
Janë 1.9 milionë më shumë se, viti 2021 dhe 18 % më shumë se viti 2019, që deri tani mbante rekordin e shifrave.
Po ashtu, raporti jep të dhëna interesante të tregjeve të reja që po rriten me shpejtësi. 85 % më shumë vizitorë nga Anglia; 3.7 herë më shumë vizitorë nga Spanja; 2 herë më shumë vizitorë nga Sllovenia; 3 herë më shumë vizitorë nga Holanda; 84 % më shumë vizitorë nga Turqia; 2 herë më shumë nga vendet nordike; pa harruar edhe mysafirët nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe hyrjet nga vendet e tjera të Ballkanit.
Autoritetet në vend flasin për flukse vizitorësh të shpërndarë në të gjithë territorin dhe prurje inkurajuese për zonën veriore, falë edhe investimeve për të përmirësuar infrastrukturën drejt atyre pikave më tërheqëse.
Turizmi sot kontribuon me mbi 17 % në PBB./ATSH