Mbreti Zog dhe fati i monarkive në Evropë para dhe pas Luftës së Dytë Botërore

Lufta do të sillte shfronëzime të tjera. Fati i ndarë i monarkive pas Luftës së Dytë


Nga Armand PLAKA

“Një tjetër mbret pa vendin e tij”, që në shqip do të tingëllonte më mirë: “Një tjetër mbret pa kurorë” ose: “Një tjetër mbret pa mbretëri”.  Kjo është diçitura (dmth. titulli) që e shoqëron këtë foto të ish-Mbretit Zog vetëm pak ditë pas agresionit të 7 prillit (më konkretisht më datë 13 prill 1939), ndërsa priste i shqetësuar përkrah motrës së tij Mexhide dhe Princeshës Geraldinë, se çdo të ndodhte më tej me fatin e tij e të vendit të tij, pasi kishte lënë pas edhe shumë kilometra të përshkuara plot ankth në udhëtimin tokësor “Shqipëri-Greqi-Turqi”.

Foto e ish-monarkut shqiptar, Ahmet Zogu gjatë kohës që ndodhej në Stamboll në ditët e para pas pushtimit italian të Shqipërisë. Marrë nga shtypi amerikan i kohës

Për qeverinë turke, ekuacioni ishte i thjeshtë: “Përderisa nuk do të perzihesh në politikë, mund të rrish e të sorollatesh nëpër Stamboll e Turqi sa të duash, pa problem”. Këtë na sugjeron diçitura shoqëruese poshtë fotos, botuar në shtypin amerikan të asaj date, e cila duhet thënë se sikurse shtypi e media në Europë, po e ndiqte tashmë përditë (duke sjellë shumë detaje e foto) fatin e monarkut shqiptar, vendit dhe familjes së tij në ditët e para pas pushtimit.

Por kujt i referohej në realitet titulli në të përditshmet amerikane? Përse shkruhej: Një tjetër mbret…? Kush ishte pra ai tjetri, apo ata të tjerët para monarkurt shqiptar që kishin pasur një fat të tillë?

Titulli lidhej më shumë me fatin e një homologu të Zogut nga një tjetër kontinent që kish rënë viktimë e të njëjtit agresion e shpirti aventurier. Ai ishte Perandori Haile Salassie i Etiopisë, vend i cili në vitin 1936 u bë një dominion vasal i Italisë fashiste. Kjo solli me vete reagime e mbledhje të “Lidhjes së Kombeve”, por në fund nuk ndodhi asgjë, çka i shërbeu Italisë si shembull për të ndërmarrë dhe hapin e radhës ndaj Shqipërisë, edhe pse kjo ndodhi tashmë pak vite më vonë kur Etiopia thuajse ishte harruar. E këtë radhë sërish me të njejtat metoda, por duke ia kursyer të paktën disa masakra dhe përdorim armësh kimike që gjeneralët italianë mburreshin se kishin kryer në një vend e ndaj një populli që duket se jetonte akoma në “epokën e gurit”.

Ish-Perandori etiopian, Haile Salassie, i cili pas Luftës së Dytë u rikthye në fron me ndihmën e britanikëve.

 

Lufta do të sillte shfronëzime të tjera

Lufta që do të niste zyrtarisht me pushtimin e Polonisë, rreth 6 muaj më vonë dhe do të thellohej në vijim e do të njihte të tjerë monarkë të shfronëzuar, por edhe luftë për fron brenda anëtarëve të një njëjtës familje, sikurse ishte rasti i monarkut jugosllav, Princit Petar II i dinastisë së Karagjorgjeviçëve, i cili hipi në fron me një puç ushtarak, duke rrëzuar regjentin Pavel, pasi ky i fundit kish nënshkruar më parë një pakt me Hitlerin dhe fuqitë e Boshtit për mbështetje të ndërsjellë më 25 mars 1941.

Edhe pse formalisht “Mbretëria Jugosllave” vijoi të ekzistonte deri në 1945, kur ajo u hodh poshtë nga partizanët e Titos, Jugosllavia në vitet e luftës do të kthehej në një arenë përplasjesh masive mes kombësive të ndryshme mes njëra-tjetrës dhe atyre dhe pushtuesve italianë e gjermanë nga ana tjetër, të cilët pas puçit të Beogradit urdhëruan menjëherë pushtimin “blitz” për të mos e humbur atë nga zona e tyre e influencës e krijuar kësisoj realitete tërësisht të reja me shtete e zona pushtimi e admnistrimi që ishin në vetvete një lloj “sui generis” për nga mënyra se si funksiononin.

Dilema „Pro“ apo „Kundër“ Boshtit?

Diskutimi nëse do të rreshtoheshin krah Boshtit apo Aleatëve, u rikthye sërish në oborret europiane e sidomos ato ballkanike, çka solli për ca kohë mëdyshje jo të vogla e çorientim edhe në elitat ushtarake e intelektuale të vendeve përkatëse. Kish ndodhur edhe më parë, në Luftën e Parë Botërore, sidomos me oborrin mbretëror rumun e atë grek. Në Athinë, mëdyshjet patën bërë që Greqia ta braktiste neutralitetin e të hynte me vonëse në luftë përkrah “Entante”-s në vitin 1917, por sidoqoftë me një efekt shumë vendimtar, edhe pse oborri me prejardhje bavareze s’do të donte kurrë të vihej përballë kushëririt të vet, Kajzerit Gjerman.

Por këtë radhë punët ishin disi më ndryshe. Në shumë vende kishin ardhur në fuqi krerë ekzekutivësh shumë autoritarë, kryesisht ushtarakë nacionalistë të vijës së ashpër, duke fokusuar rolin dhe emrin e monarkut përkatës, siç ishte Gjenerali Metaksas në Greqi, apo Antonesku në Rumani, por më parë dukej se ky vend i takonte padyshim atij më emblematikut dhe më të hershmit ndër to; ai ishte Benito Mussolini në Itali, ardhur në fuqi me marshime këmishash të zeza në mënyrë triumfale e plot zhurmë qysh në fillimvitet njëzetë.  Dhe ata kishin marrë tashmë tituj të ndryshëm honorifikë, duke u parë si “baballarë të kombit”, si shpëtimtarë, si liderë të kohës së re. Diku thirreshin e nderoheshin me pompozitet nën emrin “Duce del Fascismo”, diku tjetër si „Conducator“, e diku tjetër madje edhe si „Punëtori i parë“ kjo pak rëndësi ka, ata ishin bërë praktikisht të paprekshëm.

Poster i përdorur në Greqi gjatë kohës së diktaturës së gjeneralit Metaksas

Sidoqoftë, diktatura e Gjeneralit Metaksas, formësuar qysh nga mesi i viteve tridhjetë, e mbështetur tërësisht nga elita ushtarake dhe e toleruar nga Mbreti, edhe pse kishte tërësisht tipare fashiste nuk preferoi në asnjë çast të bënte aleancë me Boshtin dhe iu përmbajt linjës tradicionale për aleancë me Britaninë e Madhe.

Në raste të tjera ishin vetë mbretërit që përbënin frymëzim nacionalist e ndiqeshin nga populli në rrugëtimin e tyre autoritarist e diktatorial. I tillë ishte, le të themi, Mbreti bullgar, Car Borisi III, i cili do të paraqitej më 20 janar 1941 në kapakun e së famshmes “Time” në SHBA me një uniformë ushtarake, duke sjellë me vete qartësisht mesazhin e tij krah Hitlerit.

Ish-Cari i Bullgarisë, Boris III, në kapakun e revistës së famshme amerikane, TIME, më 20 janar 1941, i fiksuar në uniformë ushtarake dhe helmetë në funksionin e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Mbretërore Bullgare, si një nga shtetet anëtare të Boshtit Nazifashist

Diku tjetër e kishin zgjidhur ndryshe: Duke hequr monarkinë e vendosur një president diktator, siç ishte Franko në Spanjë, por edhe Gjenerali Mannerheim në Finlandë, cili me zgjuarsinë dhe eksperiencën që e karakterizonte e renditi vendin fillimisht krah Fyhrerit dhe i veshi pushtetit të tij tashmë kompetenca shumë autoritare, diktuar më shumë nga situata e luftës. Të dy falë aftësive dhe lojrave politike, arritën të dalin paq nga Lufta e të vijonin të mbanin pushtetin (sidomos Franko që e gëzoi atë deri sa vdiq në vitin 1975). Në këtë kategori mund të rendisim madje edhe vetë Hitlerin, i cili bëri një shkrirje të rolit të Presidentit me atë të Kancelarit (dmth të kryeministrit) në një funksion të vetëm, në atë që do të njihej tashmë si „Fuhreri“ i Rajhut Gjerman.

Çfarë përfaqësonte dhe ku gjendej Ahmet Zogu mes monarkëve të tjerë?

Por ku gjendej Ahmet Zogu, monarku shqiptar në këtë mes? Ç’rol dhe ç’pozicion zinte ai në krahasim me monarkët e tjerë në kontinent? Në vitet ’30, ndërsa në Europën kontinentale i hapej lirisht rruga fashizmit si ideologji “trendy”, e cila mendohej në shumë qarqe intelektuale ( madje edhe të demokracive perëndimore) se do të sillte progresin e paqen e munguar e do të mbante larg bolshevizmin, gjendej pikërisht aty ku e kish nisur: Monark në dukje me pozita shumë të forta në vend, me tipare autoritare, por edhe me një aftësi mbresëlënëse për të lëshuar pe, bërë kompromise e luajtur si një lojtar i spikatur në skakierën e politikës së jashtme. Por gjithçka rezultoi një “blof”.

Megjithëse ish-Mbreti Zog ishte, ose më mirë të themi, ishte i detyruar të ishte “shumë miqësor” përballë ambicieve të Italisë, çuditërisht ideologjia fashiste, sikurse dhe ajo komuniste nuk kishte mundur dot të zinte rrënjë në Shqipëri. Në fund ai e pësoi nga një “miqësi”, pasojave të së cilës, kishte dhënë shenja se i ishte druajtur fort. Legjenda e gazetarisë italiane, Indro Montanelli, do të shkruante më vonë: “Musolini u tregua naiv dhe kjo u pa menjëherë. Pasi u bë mbret, Zogu e mori seriozisht mbretërimin, duke marrë qëndrimet e pavarësisë dhe duke treguar shpesh arrogancë, që dikur rrezikuan të provokonin një krizë në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe në vitin 1934, Zogu refuzoi të rinovonte traktatet tregtare me Italinë…”.

Pjesë nga një botim në italisht dhe në shqip, kushtuar Ushtrisë Mbretërore Italiane në Shqipëri në vitin 1942, ku paraqitet diktatori italian, Benito Mussolini

Përpjekje të pashpresa për të penguar një fat të parashkruar

Ndërsa në prag të pushtimit nga Italia, ai do të merrej shumë seriozisht me një rrezik që në terma realë, nuk e rrezikonte aspak, duke rrasur në burg një tufë rioshësh me një përzierje bindjesh anarshiste, majtiste e komuniste, të tulatur nga “represioni” i tij. Çuditërisht, si komunistët ashtu dhe fashistët tashmë bashkoheshin në një pikë: Rrëzimin e Mbretit dhe monarkisë, duke i veshur hapur monarkut tashmë epitete jo thjesht ofenduese.

Edhe pse Partia Fashiste Shqiptare do të ngrihej nën shembullin dhe urdhrat e asaj italiane vetëm pas pushtimit të plotë të vendit nga trupat musoliniane, admiruesit e Fashos, përzier me agjentët e Italisë do të gëlonin në qytetet kryesore të Shqipërisë edhe para pushtimit, madje qysh në gjysmën e dytë të viteve ’20 e në mënyrë të organizuar, siç na dëshmon edhe një foto e simpatizantëve të fashizmit mbledhur asokohe në zyrat e Fashos në Tiranë në vitin 1929. Dhe gjithçka ndodhte, sikurse na dëshmojnë dokumentet e kohës, nën vëzhgimin permanent të autoriteteve zogiste dhe “Zyrës Sekrete”, një pararendëse e Sigurimit të Shtetit.

Pak ditë para ultimatumit italian që u pasua menjëherë nga pushtimi, u vunë re disa përpjekje të pashpresa të monarkut shqiptar me anë të të dërguarve të tij në Berlin për të gjetur mbështetje te Rajhu i Tretë, çka rezultoi në një veprim fare naiv e të padobi, pasi  tashmë Rajhu i Tretë dhe Italia ishin lidhur me kohë në një aleancë që sa vinte e zgjerohej, bëhej më agresive e konkrete, ndërsa Shqipërinë e kishin lënë “me mirëkuptim” si sferë ekskluzive të interesave italiane, aleatit më të çmuar të Hitlerit në Europë.

Këtë e dëshmojnë më së miri edhe plot raporte, komente dhe analiza të botuara në atë kohë edhe në shtypin gjerman, të cilat mbështesnin tërësisht sulmin italian në Shqipëri dhe gjenin dhe indekse për ta vënë në lojë monarkun shqiptar me karikatura, por edhe me lajme ku shfaqej sipas tyre sidomos tendenca e tij abuzive me fondet publike, babëzia dhe niveli kulturor i ulët, çka veç të tjerave e përligjnin sipas tyre, edhe më shumë aksionin italian.

Sjellja me dy standarde e Rajhut pas kapitullimit të Italisë

Çuditërisht, po ky shtyp në vjeshtë 1943, kur në Shqipëri po i vinte radha regjencës dhe mallkohej Italia e Badolios, e cila tashmë shihej jo vetëm e e falimentuar përballë aleatëve, por edhe aleate e vasale e tyre, lëvdonte përpjekjet e shqiptarëve për t’i bërë ballë agresionit të 7 prillit, ngrinte lart sakrificat e tyre për pavarësi dhe dënonte “politikat imperialiste” të Romës, dikur aleate e tyre. Kështu, në një analizë botuar në faqen e parë të shtypit vjenez, asokohe pjesë e Rajhut Gjerman, (por shkruar e sigluar në Berlin) më 28 shtator 1943 nga Gerhard Christof me titull: “Pavarësia e Shqipërisë” ndër të tjera shkruhej: “Rezistenca e tyre i pengoi italianët që ti vinin në jetë planet e tyre në mënyrë paqësore”……” Shqiptarët u hodhën në kryengritje, por ata sigurisht se nuk mund të ofronin dot një rezistencë afatgjatë. Fuqitë dinastike, të cilat fshiheshin pas kësaj politike imperialiste të Romës, u konkretizuan në shpalljen e Viktor Emanuelit “Mbret II Shqipërisë”.

Fati i ndarë i monarkive pas Luftës së Dytë

Për t’u krithyer aty ku e lamë: Monarkia në Shqipëri megjithë veçantitë e veta, do të shkurorëzohej edhe një herë, ndërsa në fuqi vinin komunistët, me një vendim të posaçëm të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe në dukje me bekimin e heshtur të aleatëve perëndimorë, në Kongresin e Përmetit më 24 maj 1944.

Do të kishte sërish një përpjekje për rikthim në vitet pas rënies së komunizmit, por që u kompromentua nga një përpjekje që u perceptua gjerësisht si “grusht shteti”, fare e padenjë si formë bashkëkohore për të pretenduar ndërrimin e sistemit apo ardhjen në pushtet, paçka se më parë u konsumuan përpjekje që deri më sot shihen minimalisht si “të dyshimta” për të manipuluar rezultatet e një referendumi popullor për formën e regjimit në vend, i cili ( më 29 qershor 1997)  u mbajt çuditërisht paralelisht me zgjedhjet parlamentare për të mbushur radhët e një parlamenti republikan.

Poster që revokon suksesin e fushatës ushtarake italiane ndaj Etiopisë në vitin 1936

Ndërkaq, të gjendur së bashku nën të njëjtën çati mikpritëse, siç ishte ajo e dinastisë shqiptare në Egjipt, nën Mbretin Faruk në vitet ‘50, sikurse u mor vesh më vonë edhe nga raportet e deklasifikuara të CIA-s pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri, Viktor Emanueli në emrin e Savoja-ve do i kërkonte ndjesë monarkut shqiptar për agresionin e 1939, aksion i cili si një reaksion zinxhir e në mënyrë fare paradoksale, kish sjellë me vete madje edhe vetë rrëzimin e familjes e të dinastisë së tij. Kështu Princi Umberto, do të binte si pasojë e një referendumi mbarëpopullor në qershor 1946, ku publiku italian shprehej i vendosur për një formë republikane të administrimit politik të vendit, duke mos ia falur kësisoj familjes mbretërore pasivitetin dhe më vonë edhe mbështetjen që i kish dhënë regjimit fashist, megjithëse në terma zyrtare Roma dhe familja Savoja e kish braktisur fashizmin qysh në verë 1943, duke shkarkuar e burgosur madje ish-liderin karizmatik, Benito Mussolini. Ironia është se pas Luftës, Perandori etiopian, Haile Salassie u rikthye në vend me ndihmën e britanikëve, të cilët gjithashtu e strehuan atë gjatë kohës që ai ishte në ekzil dhe vijoi kështu të mbretëronte deri në vitin 1970.

Ndërkaq, vetëm pak vite pas Luftës “me ndihmën sovjetike” ato vende të Ballkanit që kishin pasur akoma një mbretëri më këmbë, së bashku me vende të tjera me origjinë republikane, po formësonin një sistem hibrid me emrin “demokraci popullore” (dmth: diktatura të proletariatit), sikurse ndodhi me Rumaninë në 1947, apo dhe me Bullgarinë e Pasluftës me abdikimin formal të Car Borisit qysh më 15 shtator 1946, ndërsa vendi qysh në 1944, kishte braktisur tashmë aleancën me Gjermaninë dhe frenat e pushtetit “de facto” i kishte marrë tashmë një elitë ushtarake e politike pro-sovjetike.

 „Vdekjet“ dhe „rilindjet“ e monarkive

Më parë, rëniet e tyre kishin nisur në masë me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, me shfronëzimin e dinastive gjigante siç ishte ajo e Romanonëve në Rusi, apo ajo e Habsburgëve në Austro-Hungari dhe ajo e Hohencolernëve në Gjermani. Fati i Romanovëve do të ishte fatal, ku jo vetëm Cari, por edhe familja e tij u shkuan në plumb si kurban për themelet e një „bote të re“. Fati i dinastive ish-austro-hungareze dhe asaj gjermane, do të ishte dëbimi dhe ekzili.

Disa të tjerë siç ishte rasti i Greqisë me përmbysjen që erdhi nga “junta e kolonelëve”, e cila do shërbente si një urë kohore mes dy epokave e dy sistemeve, bëri që ky proces të shtyhej për shumë vite më vonë pas Luftës së Dytë, duke e shndërruar vendin e tyre nga monarki në republikë.

Ndërkaq, Spanja pas vdekjes së Frankos, diktatorit që erdhi në fuqi pas Luftës Civile të vitit 1936 e që i mbijetoi edhe Luftës së Dytë, falë dinakërise së tij (edhe pse njihej si idhtar e admirues i Hitlerit e fuqive te Boshtit),  deri në 1975 pas një mungese të gjatë të monarkisë, me bekimin e vetë Franco-s, sikurse u mor vesh më vonë, ndryshe nga Greqia, do i rikthehej monarkisë nën princin “Huan Karlos I i Burbonëve”, duke i dhënë udhë thashethemeve se Franco nuk kishte dashur të linte pasardhës, pavarësisht se studiuesit politikë e shohin atë lëvizje si të suksesshme e largpamëse, pasi diktatura e Francos sipas tyre, shërbeu për konsolidimin e disa piketave të rëndësishme në një faze të vështirë, që do ta çonte Spanjën drejt demokracisë.

Ndërkaq një grusht vendesh të tjera në veri dhe veriperëndim të Europës, si Belgjika, Holanda, Britania e Madhe, Danimarka, Suedia dhe Norvegjia do të vijonin në përpjekjet e tyre në forcimin e të drejtave civile, reformave ekonomike e shoqërore, ndërsa forconin demokracinë parlamentare në kuadër të së ashtuquajturës “monarki kushtetuese”, e cila lejon më së miri përshtatjen e një modeli në dukje arkaik qeverisje, ndërthurur me sistemet më moderne të zhvillimit ekonomik shoqëror e politik që bota ka njohur.

 

Lexo më shumë nga

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…