Imzot Arjan Dodaj: Gëzuar Pashkën Katolike!
Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj uroi besimtarët katolikë për festën e Pashkës
Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj uroi sot besimtarët katolikë për festën e Pashkës, duke theksuar se “uroj që Shqipëria, me Ringjalljen e Krishtit Zot, të ketë forcën për të mposhtur dimrin demografik, jo vetëm për hemorragjinë e shkaktuar nga emigrimi, por edhe për uljen e ndjeshme të numrit të të lindurve”.
“Në këtë festë të Pashkës ta ndjekim Jezusin, duke u çliruar nga e keqja nëpërmjet çarmatosjes së duarve, të syve dhe zemrave nga çdo paragjykim, urrejtje dhe përçarje dhe veçanërisht nga ideja që t’i përgjigjemi të keqes me të keqe. Kështu të rizbulojmë bukurinë e pranisë së të afërmit në jetën tone, vlerën e tij, pasi me urrejtje jo vetëm zbrazim zemrat tona, por rrezikojmë të zbrazim edhe vendin tonë nga shpresa që kërkon zemra e etur e çdo shqiptari. Shqipëria, me shpresën që jep Ringjallja, të kthehet në sinonim shprese, Shqipëria të kthehet në një oportunitet dhe jo më utopi për zemrat e gjithë të rinjve dhe familjeve të reja dhe po ashtu për ato kategori që janë më të mënjanuara, ndoshta sepse nuk janë pjesë e një qarku të caktuar”, theksoi Imzot Dodaj.
Imzot Dodaj u shpreh se “Shqipëria, me Ringjalljen e Krishtit Zot, të ketë forcën për të mposhtur dimrin demografik, jo vetëm për hemorragjinë e shkaktuar nga emigrimi, por edhe për uljen e ndjeshme të numrit të të lindurve. Pashka është forca e dashurisë që na rijep jetën dhe shpresën të gjithëve. Pashka është jeta që jep arsye për jetën, në çdo familje, veçanërisht për të rifilluar nga familja. Për këtë aryse edhe vendi ynë të rifillojë nga familja, duke mbështetur të rinjtë që duan të krijojnë familje, nëpërmjet shpresës për një shtëpi, për një punë të paguar me dinjitet, dhe për fëmijët që kanë të drejtën të vijnë në jetë dhe të vlerësohet merita në formimin e tyre arsimor, pavarësisht statusit social nga ku vinë”.
“Lufta që vijon me pasojat e veta në më të brishtët, na ka dëftuar që të gjithë në fakt jemi vulnerabel, të brishtë dhe të paaftë përballë forcës së të keqit. Ndonjëherë mendojmë se mund të dominojmë të keqen duke reaguar me një të keqe më të madhe, por kështu kemi kontribuar në përkeqësimin e situatës. Kurrë paqja nuk vjen nëpërmjet armëve, ashtu si edhe në shoqërinë tonë, kurrë dialogu nuk vjen nëpërmjet fyerjes, hakmarrjes, shantazhit apo shtypjes. Por, fatkeqësisht, siç thotë edhe Psalmi “Njeriu në prosperitet nuk kupton, por është si kafshët që birret” (Ps 48,21 ). Sa herë përballë të keqes jemi sjellë si të ishte diçka kalimtare. Kemi vijuar të jetojmë, sikurse e keqja të ishte normale. Drama e shoqërisë sonë është që e keqja është bërë aq shumë familjare, sa nuk bën më lajm. Kjo po krijon pothuajse një kulturë jete të izoluar, sikurse gjithçka të ishte një faktor individual dhe personal pa një efekt social, kur në të vërtetë e shohim sesi e keqja mbjell vetëm zhgënjim dhe krimi paguan vetëm me vdekje”, u shpreh Imzot Dodaj.
Imzot Dodaj tha se “Pashkët e Ringjalljes së Jezusit na ndihmojnë të luftojmë të keqen, duke ndjekur këtë mister të dashurisë së Hyjit që dëftohet në Zotin Jezus, i Cili e lufton të keqen dhe nuk i dorëzohet asaj, nuk është i izoluar në një ishull, por nëpërmjet vuajtjes na bëhet afër në vuajtjen tonë për dashurinë që ka ndaj nesh. Padrejtësia nuk bën gjë tjetër, veçse të gozhdojë në kryq jetën e njerëzve të pambrojtur dhe kështu nuk i lë hapësirë paqes dhe shpresës për të ardhmen, por me Ringjalljen Jezu Krishti na hap dyert e një shprese që ka forcën të rrokullisë gurin e çdo falimentimi njerëzor. Pashkët janë fitorja, ngushëllimi i atij që qan dhe drita në errësirë. Në duelin midis jetës dhe vdekjes, jeta fiton me forcën e dashurisë”.
“Ja pra, kjo është udha drejt të cilës jemi të thirrur brenda një bote që ka shumë nevojë të thurë sërish bukurinë dhe arsyen që i jep domethënie jetës. Kemi nevojë për dritë. Vetëm më dashuri mundet e keqja dhe me dritë errësira. Pashkët janë ftesë për një krijimtari të re në mbarë botën, e cila me forcën e Krishtit të Ringjallur, Princit të Paqes, të mund të rigjejë Paqen! Për të gjithë vëllezërit tanë Shqiptarë kudo qofshin, paçin bekimet e Krishtit të Ringjallur, gëzuar për shumë mot Pashkët!“, tha Imzot Dodaj. /ATSH