Teodor Keko, një poet dhe ëndërrimtar i dhembshur si ai…

Dori u bë një protagonist shumë aktiv dhe kontribues i rëndësishëm në lëvizjet dhe proceset demokratike


Nga ILIR ÇUMANI*

“Korrupsioni nuk luftohet nga të korruptuarit.

Tetë vjet më parë, kur hyra në Parlament si deputet i PD-së, unë kisha një dhomë e një kuzhinë në katin e nëntë të një pallati.

Ligji i aprovuar ato kohë ia ndalonte deputetit të merrej me biznes ose me dypunësi, qoftë dhe indirekt. Unë e respektova këtë ligj dhe mbeta në mënyrë të natyrshme në këtë apartament, megjithëse fëmijët u rritën.

Mbeta në këtë apartament jo se desha të qëndroja në atë ngushtësirë, por se nuk kisha dhe nuk kam mundësi financiare të blej një apartament të ri.

E nisa nga analiza e vetvetes, për t’iu treguar se edhe unë habitem sesi shumë ish-kolegë të mi, dikur shumë më rrjepacakë ekonomikisht, nga unë, dhe ndryshe nga unë, pa asnjë të ardhur shtesë nga honoraret etj, sot banojnë në vila, apo apartamente superluksoze.

Një prokurori serioze duhet të ndalojë, para një peizazhi të tillë dhe të bëjë pyetjen e thjeshtë pa asnjë tendencë: Mund të më thoni se ku i gjetët lekët? Është vërtet kriminale të detyrosh një popull të shkojë të votojë për ca hajdutër pa asnjë princip!” /   –   1999

 

TEODOR KEKO

E njoha vjeshtën e vitit 1984, kur ai punonte redaktor letrar në gazetën “Drita”.

Asokohe isha një i ri 17 vjeçar dhe sapo kisha tentuar të shkruaja një prozë të shkurtër për t’ia dhënë për botim.

Nuk ishte një sprovë letrare, por mbase një ngasje dhe guxim prej fluturaku naiv e një adoleshenti endërrimtar…dhe vetëm kaq!

Nga përmbajtja e materialit që kisha shkruar, ai e kuptoi se ishte diçka që kishte të bënte me fëmijërinë time si i rritur jetim.

Mbase ishte kjo njëra nga arsyet që  ai tregoi paksa interes kur i shkova në zyrë ta takoja.

Atë çast u shkëput nga tavolina e zyrës ku punonte dhe u ulëm në një bar – kafe, diku aty pranë ish – Lidhjes se Shkrimtarëve që ndodhej në rrugën e “Kavajës”.

Përmes pyetjeve pafund  që  Dori bënte duke u përpjekur që të shmangte barrierat e atij kontakti të fillimnjohjes, (për shkak të disa viteve më shumë që na ndanin me njëri – tjetrin, por edhe të pozicionit të punës që kishte), e gjithë biseda vërtitej rreth episodeve dhe detajeve që lidheshin me personin tim, edhe për faktin se ndodhesha në pozicionin e një fëmije që nuk pata fatin të kisha prindër, dhe as t’i njihja ata.

E kuriozonte edhe më shumë fakti tjetër që të dinte se, në rrethanat në të cilat ndodhesha pa praninë  e një familjeje, si mundesha në atë moshë të përballoja situata të ndryshme dhe t’ia dilja mbanë atyre momenteve kritike me të cilat përballesha i vetëm…!?

Gjatë asaj bisede jo krejt të zakonshme mes dy njerëzve që takoheshin për herë të parë,  e cila zgjati pak më shumë se një orë, vura re se sytë e tij të vegjël, të thellë dhe zhbirues, hera herës visheshin nga një shtresë e lëngëshme që i jepnin më shumë shkëlqim dhe sinqeritet.

E bënin gati – gati si një fëmijë naiv e të pafajshëm në atë botë të çuditshme që na rrethonte.

Nga mesi i bisedës, Dori nuk mundi t’i mbante lotët. Mes emocionesh ato e tradhëtuan duke zbuluar si padashur atë pjesë të butë dhe të brishtë që e mbante brenda vetes.

Autori Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

 

Folëm gjatë duke i rrëfyer histori të ndryshme nga jeta ime dhe e shumë bashkëmoshatarëve të mi.

I tregoja histori për të cilat kishte një dëshirë të pashpjegueshme që t’i dëgjonte dhe të gërmonte thellë e më thellë,  duke  tentuar përmes pse-ve pafund që  të  zhvishte  nga pluhuri i kohëve të shkuara shumë mistere të  ngjarjeve dhe  ndodhive, ndoshta edhe për të zbuluar diçka të re e të panjohur më parë…

Nuk e di përse, por atë çast mendova se, më shumë se kurreshtja dhe instikti që i buronte nga profesioni i gazetarit apo i shkrimtarit, ky bashkëbisedim mbase ishte një nevojë shpirtërore që lidhej me ndjeshmërinë që i vibronte në çdo pjesë të qënies së tij.

Mbase e gjitha kjo, ishte një përpjekje për të zbuluar dhe gjetur qoftë edhe tek një individ thelbin real të dramacitetit kolektiv që përjetonte një shoqëri e tërë,  e imponuar përmes një modeli, e izoluar dhe e frustuar  nga normat dhe  rregullat strikte e standarte, një absurd i kohës.

Mbase përmes një rrëfimi e bashkëbisedimi diskret, Dori përpiqej të gjente shkakun e njëjtë që ndante dhe bashkonte  shumë histori të ngjashme dramatike  të cilat i kishte hasur në jetën e tij dhe e bënin që të ndjehej i revoltuar por i pafuqishëm për t’i ndryshuar ato.

Duke qenë se vinte nga një familje e njohur artistësh dhe me emër në të gjithë vendin, (biri i dy artistëve të shquar, regjisorëve Endri e Xhanfise Keko), nuk kishte si të ndodhte ndryshe që në shpirtin e tij të butë e të brishtë, të mos zinte vend fara e shëndetshme e një krijuesi të talentuar që më pas e bëri aq të njohur në fushën e letrave shqipe.

Por nga ana tjetër, vetëdija dhe vokacioni i ndërgjegjes qytetare  nuk mund ta linte jashtë atmosferës që kishte nisur të gëlonte në qarqet dhe mjediset intelektuale të kohës, ku në shkrimet dhe dorëshkrimet e tij, në publicistikë, prozë e poezi, gjithmonë e më shumë zinin vend problematikat e mprehta shoqërore dhe tema e ekzistencializmit.

Pas viteve ’90 – të, Dori u bë një protagonist shumë aktiv dhe kontribues i rëndësishëm në lëvizjet dhe proceset demokratike që kalonte vendi ynë. Hyri dhe në politikë, madje edhe në parlament, atje ku bëheshin ligjet e një vendi të lirë dhe demokratik.

Por me sa duket, kostumi i politikanit nuk i qëndronte për shtat, ngase ai ishte një njeri mëndjehapur, i çliruar nga komplekset dhe konceptet e doktrinës konservatore  e nepotike të kohës, të një rregjimi të kalbëzuar që po linim pas.

Në këto rrethana, rrjedhimisht nuk mund ti vije fre edhe atëherë kur bëhej fjalë për mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor.

Shpesh herë, duke e goditur politikën e pistë dhe të pandershme me sarkazmën dhe humorin e tij të zgjuar, rëndomë e shpërfillte dhe e anatemonte hapur atë përmes publicistikës dhe fjalës që merrte në parlament, sepse në karakterin e tij shpërfaqeshin ato ndjeshmëri dhe virtyte të larta njerëzore me të cilat personifikoheshin në mënyrë të patjetërsueshme brengat dhe dhimbjet e njerëzve që vuanin prej saj.

Të gjithë ata që e kanë njohur, krahas humorit të hollë dhe të mençur që e dominonte personalitetin e tij, nuk kishte si të mos i’a vinin re edhe këtë cilësi të dukshme.
Sepse Teodor Keko ishte Njeriu që nuk bënte pakt me të keqen dhe të shëmtuarën në kurriz të njerëzve të thjeshtë, kundër popullit të tij. Ai e donte dhe e çmonte Njeriun…

*Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…