Pengu i një dashurie të humbur!
Historia e trishtë e jetimit: Lindi nga dashuria, u braktis nga gjakmarrja dhe vdiq mes dashurisë…
Nga ILIR ÇUMANI
Historia e trishtë e jetimit: Lindi nga dashuria, u braktis nga gjakmarrja dhe vdiq mes dashurisë…
– Ngjarje e jetuar –
PROLOG
Ai është një djalë i ndrojtur, tërheqës, tepër i edukuar dhe i sinqertë.
Flet pak dhe vetëm dëgjon, si për të thënë me këtë gjest se, diçka kërkon të mësojë prej teje.
Gjatë gjithë kohës kur bisedon me të, thuajse vetëm hesht, ashtu siç mund të heshti një nxënës i mirë para mësuesit, një fëmijë i bindur para një prindi….
Duket se rrethanat që e sollën në jetë këtë djalë, peripecitë dhe “dallgët” që ia trazuan fëmijërinë që në embrion, kanë zgjuar tek ai instiktin e të qenit njeri paqësor, racional dhe tolerant me cilindo që do të kishte të bënte me të.
Gjithësesi, ai është tepër i dashur e miqësor, dhe kjo bën që ta duash e të ndjesh edhe dhimbje për fatin që ka patur, por edhe respektin ndaj një djali dinjitoz si ai.
Quhet Andi Xhelili, është 23 vjeç. Është student i vitit të II-të në Universitetin e Tiranës. Studion në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja për anglisht.
Në të vërtetë, mbiemri i Andit në gjeneralitet e lindjes ka qënë “Seferi”.
Këtë mbiemër ai e trashëgoi nga dy prindër biologjikë, të cilët kurrë nuk mundi t’i njohë gjatë gjithë jetës së tij.
Mund të thuhet se, ardhja e tij në këtë jetë ka qenë krejt aksidentale, nga dy njerëz që nuk mundën të gëzonin frytin e dashurisë së tyre, për shkak të çmendurisë së kohës…
Nëna Beharja dhe babai i tij Kujtimi, atëhere ishin dy të rinj 18 – vjeçar, maturantë në një shkollë të mesme në qytetin e Krujës.
Ishte qershori i vitit l980 kur dy të rinjtë e dashuruar, pas shumë takimesh të fshehta, i kishin thënë “po” dashurisë së tyre të pastër, e cila kurrë nuk mund t’i çonte në altarin martesor.
Befas, gjithçka do të shkatërrohej në mënyrë të paimagjinueshme.
Prindërit e dy të rinjve të dashuruar, kishin shpallur hasmëri për shkak të një gjakmarrjeje që lindi në mes të këtyre familjeve.
Kjo armiqësi mes tyre, do t’i kushtonte shumë të rijnve adoleshentë Behares dhe Kujtimit, me një ndarje tragjike.
Ata nuk do të takoheshin më kurrë me njëri – tjetrin, duke lënë në mes një ëndërr të bukur që sapo kishte filluar, me shumë kujtime nga vitet e tyre më të bukura të shkollës, por të parealizuar, me një “mal” me brenga, dhimbje edhe lot…
Asgjë nuk mund ta toleronte këtë konflikt mes dy familjeve që tashmë kishin hyrë në gjak.
As lotët dhe përgjërimet e dy të rinjve që kërkonin nga familjet e tyre të shuhej kjo gjakmarrje për hir të dashurisë së tyre.
As foshnja në barkun e Behares që pritej të vinte në jetë pas tre muajsh…
Gjakmarrja sipas kanunit, duhej shpaguar me çdo çmim, edhe pse ndëshkoheshin ata që nuk ishin aspak fajtorë.
Absurdi i kësaj padrejtësie i kalonte caqet, përderisa prekte dhe ndëshkonte në mënyrë të pamerituar një krijesë të pafajshme që pritej të vinte në jetë.
Në këto rrethana, prindërit ushtronin presion të vazhdueshëm mbi vajzën 18 – vjeçare që ajo ta abortonte fëmijën për të larguar këtë “turp të madh” i cili e kishte “damkosur” të gjithë familjen dhe fisin.
Shpesh herë nga familja, vajzës i thuhej me kërcënim se edhe nëse do ta lindte fëmijën, do ta dorëzonin në Befotrof, jashtë dëshirës së saj.
Pastaj do ta martonin me një djalë nga një tjetër familje, për të “varrosur” kështu njëherë e përgjithmonë këtë histori, ndoshta të vetmen dashuri të vërtetë të saj.
Në përpjekje për të përballuar opinionin e egër konservator dhe provincial të kohës, ajo bëri të pamundurën për t’i njohur foshnjës atësinë, gjë të cilën arriti ta realizojë, por që nuk mundi t’i rezistojë presionit të familjes për ta mbajtur pranë Andin e vogël, foshnjën e porsalindur.
E ndodhur në udhëkryq, më në fund Beharja detyrohet ta dorëzojë fëmijën në Befotrofin e Shkodrës, duke lënë pas një pjesë të trupit të saj, por, duke marrë me vete edhe peshën e një dhimbjeje të madhe, të një ndëshkimi dhe përbuzjeje të pamerituar…
TREGON VJOLLCA, MOTRA BIRËSUESE E ANDIT…
Vjollca Xhelili, motra adoptive e Andit tregon se nëna saj Zyraja, një grua fisnike dhe bujare, edhe pse kishte tetë fëmijë, kërkonte me çdo kusht të mbante në shtëpinë e saj një fëmijë jetim të marrë nga befotrofi i qytetit të Shkodrës.
Familja jonë në Shkodër përbëhej nga 10 anëtarë.
Nëna, babai dhe ne fëmijët, gjashte motra dhe dy vellezër. Hyqmetja, Fatmira,Vaideja dhe unë kishim mbaruar për mësuesi.
Ndriçimi kishte mbaruar ekonomikun, kurse Baftjarja për mjeke laborante.
Ndërsa Flutura dhe Gëzimi kishin mbaruar inxhinierinë mekanike.
Të gjithë ishim arsimuar mirë, kishim përfunduar shkollat e larta dhe kishim dalë në punë.
Mirëpo, njëri nga vellezërit tanë Gëzimi, ishte zhdukur nga Shiroka për në Mal të Zi, pa lënë asnjë gjurmë.
Ai nuk u kthye më kurrë në shtëpi dhe nuk u bë asnjëherë i gjallë…
Ka qënë viti l982. Regjimi i asaj kohe, por edhe ne si familje, Gëzimin e konsideronim të humbur.
Nëna dhe babai e vuanin më shumë humbjen e vëllait tonë. Pas dy vjetësh, nga meraku për vëllanë vdes edhe babai.
Me vdekjen e tij dhimbja në shtëpinë tonë u bë edhe më e madhe.
Nëna jonë Zyraja besonte shumë në Zot, dhe gjithmonë shpresonte se një ditë ajo do t’a gjente birin e saj.
Sa herë që dilnim në qytet dhe kalonim nga jetimorja, ajo shpesh më thoshte:
“Moj bijë, si thua, a nuk e marrim në familjen tonë një fëmijë nga befotrofi, mbase më lehtësohet ndopak dhimbja për Gëzimin…?!”
Më bënte përshtypje ky mendim i saj dhe thosha me vete: si ka mundësi, kjo grua me 8 fëmijë të ketë në mendje një gjë të tillë..!?
Në fillim m’u duk diçka për të qeshur, por kur ajo më përsëriste shpesh të njëjtën gjë, vendosa të mos i’a prish dhe i them: po mirë, moj nënë, tani që po afrojnë edhe festat e Vitit të Ri, shkojmë dhe po e marrim një fëmijë për ta mbajtur ca kohë në shtëpinë tonë.
Ditën e parë kur shkuam në befotrofin e Shkodrës, takuam drejtoreshën.
Asaj i bëmë të ditur kërkesën tonë për të na e dhënë një fëmijë dhe për ta mbajtur ca ditë për festat e vitit të Ri.
Mua, rastësisht më shkuan sytë tek një femijë tre vjeçar, tepër tërheqës. I them nënës:
Ja, marrim këtë fëmijën që po loz këtu.
Nëna i’a nguli sytë fëmijës dhe me intuitën e pagabuar që mund të ketë vetëm një nënë si ajo më thotë:
“ky fëmijë është i sëmurë moj bijë. Nuk e shikon si i’a kanë mbuluar fytyrën bulëzat e djersës…!?”
I’u afrua dhe po i fshinte djersët me një shami. “Këtë fëmijë do ta marrim dhe do ta mjekojmë në shtëpinë tonë”, këmbënguli nëna.
Firmosëm marrjen e fëmijës në dorëzim sipas procedurave që kishte drejtoria e befotrofit dhe menjëherë thërrasim mjeken pediatre, zonjën Rexhina Preka, e cila pasi e viziton, konstaton se fëmija kishte marrë një bronkopneumoni të rëndë.
Në këto kushte, mjekja pediatre i caktoi kurën me antibiotik dhe mamaja filloi ta trajtonte fëmijën me ushqim special gjatë gjithë atyre ditëve.
Edhe pse lejen për t’a mbajtur në shtëpinë tonë këtë fëmijë e kishim të kufizuar, mamaja shkonte shpesh në drejtorinë e befotrofit për t’a shtyrë këtë leje sa më shumë që të ishte e mundur.
Ishte fund i vitit l984. Ato ditë të para të janarit të vitit l985, bënte një i ftohtë i madh dhe të gjitha zonat e veriut ishin bllokuar nga dëbora dhe moti i keq.
Për këtë arsye fëmija nuk mund të dilte nga shtëpia, sepse gjendja e tij do të rëndohej edhe më shumë. Fëmija me emrin Andi Seferi qëndroi në shtëpinë tonë plot tre muaj dhe gjendja e tij shëndetësore u përmirësua shumë, drejt një shërimi të plotë.
Prezenca e Andit në shtëpinë tonë ndryshoi shumë gjëra.
Në radhë të parë na ndryshoi atmosferën e rënduar që kishte pllakosur familjen tonë nga humbja e vëllait, por edhe nga vdekja e babait.
Tashmë ai ishte bërë pjesë e pandarë e familjes sonë dhe mamaja e kishte të vështirë ta largonte nga vetja.
Ditët e para kur motrat vinin për të parë mamanë, befasoheshin me prezencën e fëmijës së vogël dhe e pyesnin nënën se i kujt ishte ky fëmijë.
Mamaja bënte shaka dhe u thoshte se është fëmija Çimit, vëllait tonë beqar. Dhe ato me humorin karakteristik shkodran i’a kthenin:
“Po kur morët viçin, sillni edhe lopën…”.
ZYRA XHELILI, SHEJNTORJA QË U BË NËNA E DYTË E ANDIT
Nënë Zyraja, kjo grua e dhembshur dhe me zemër të madhe, është me origjinë nga Turqia.
Në vitet e paraçlirimit, në moshë fare të re, ajo e lë familjen e saj në Turqi dhe emigron e vetme në Shqipëri.
Në fillim vendoset në Tiranë, ku edhe martohet me avokat Sherif Xhelilin, një jurist i mjaft i njohur në periudhën e mbretit Zog, me të cilin lind plot tetë fëmijë.
Si një familje e prekur nga regjimi komunist nga ana e të shoqit, kjo familje transferohet në Shkodër.
Vështirësitë e jetës dhe të qënit jabanxhi në një vend të huaj, duket se e kishin bërë shumë të ndjeshme dhe të butë natyrën e kësaj gruaje me zemër të madhe.
Bujarinë, kujdesin, dashurinë dhe përkushtimin e të cilës nuk e ndjenë vetëm tetë fëmijët që ajo i rriti me shumë mund e sakrifica, por i ndjeu edhe Andi i vogël, fëmija jetim i cili shumë shpejtë do të fitonte zemrën e kësaj gruaje fisnike.
Nënë Zyraja që ditën e parë kur e njohu Andin, vogëlushin e jetimores, nuk do ta ndante më asnjëherë nga fëmijët e saj.
Tashmë, Andi kishte vendin e tij në familjen Xhelili. Nënë Zyraja do të ndiqte hap pas hapi ecurinë fëmijës, duke u interesuar çdo ditë në befotrof, për të parë nga afër të gjitha kushtet e jetesës.
Në më të shumtën e rasteve, vogëlushi jetonte në shtëpinë e nënë Zyrasë dhe natyrshëm ai u bë pjesë e pandarë kësaj familjeje kaq të dashur.
Të gjithë fëmijët e Zyrasë, duke e parë Andin si “pikën e dobët” të nënës së tyre, tashmë e konsideronin atë si vëllain e tyre më të vogël.
Njëherë nënë Zyraja u sëmurë dhe zuri shtratin. E kishin zënë ethet dhe rënkonte nga sëmundja duke shfryrë nënë zë: “..e zeza, do vdes, djali, djali…”, (e kishte merakun për Andin).
Andi i vogël e kishte dëgjuar këtë shprehje dhe nisi t’a marrë me të mirë nënë Zyranë duke i thënë: “ Jo nëna, jo, nuk do vdesësh..!
Po vdiqe, do të vdes edhe unë me ty….”
Kjo e kishte prekur shumë nënë Zyranë, e cila nuk mundi t’i mbaj lotët.
Vjollca, motra adoptive e Andit, tregon momentin kur Andi i mbushi 6 vjeç dhe do të shkonte në klasën e parë.
Me këmbënguljen tonë e regjistruam në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”.
Por çudia më e madhe për ne ishte kur Andi nisi të mësonte të shkruante emrin e tij.
Një ditë, mësuesi i klasës së parë Mustafai, vjen në shtëpinë tonë dhe na tregon një fletore të detyrave të klasës të Andit.
Në kapakun e kësaj fletoreje ishte shkruar nga dora e tij ky emër: Andi Xhelili.
– Nuk e kuptoj, – vazhdoi mësuesi, – në regjistër ky djalë figuron me mbiemrin “Seferi”, ndërsa në të gjitha fletoret e klasës, ai shkruan mbiemrin tuaj: “Xhelili”.
– Ai fëmijë ju do shumë të gjithëve, përse nuk e birësoni…!?, – guxoi të shkonte më tej mësuesi. Për një çast, ne që ndodheshim aty shtangëm dhe pamë njëri tjetrin në sy…
Në të vërtetë birësimin e Andit e dëshironte prej kohësh nënë Zyraja.
E dëshironte qysh ditën e parë kur ajo e mori në jetimore. Por ajo druhej se mos i cenohej “biografia” fëmijës, pasi familja e saj shikohej me një tjetër sy…
Pas viteve ’90 – të, familja Xhelili u tranferua në Tiranë. Nënë Zyraja e mori me vete edhe Andin, i cili sapo kishte përfunduar klasën e tetë me nota të shkëlqyera.
Kur Andi mbushi 15 vjeç, ajo i nisi të gjitha proçedurat për birësimin e tij pranë Komitetit Shqiptar të Birësimit.
Këto procedura u përfunduan me sukses dhe tashmë Andi figuron si biri i nënë Zyrasë, gruas që e deshi dhe bëri kaq shumë për këtë fëmijë.
Me shpenzimet e saj, ajo mundi t’a regjistrojë fëmijën në shkollën turke “Mehmet Akif Kolej”.
Mirëpo Andi studioi aty vetëm dy vitet e para, pastaj transferohet në shkollën e mesme te gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”, sepse pagesa në këtë shkollë private u shtrenjtua dhe nënë Zyraja nuk mundi t’a përballonte atë.
Vitet e fundit gjendja shëndetësore e nënë Zyrsë u rëndua shumë.
Disa ditë para se të ndërronte jetë, ajo u la fëmijëve të saj biologjik një amanet, një porosi të veçantë:
“Ma kini kujdes djalin e vogël Andin, ta doni më shumë se e keni dashur tani që jam gjallë….”
Vdekja e nënë Zyrasë ishte një humbje e madhe për të gjithë familjen Xhelili.
Por ai që e ndjeu më shumë këtë humbje ishte Andi, djaloshi jetim që gjeti tek kjo grua fisnike dashurinë e humbur të prindërve që e lindën dhe që s’mundi t’i njohë kurrë ata.
EPILOG…
Andi, së bashku me Vjollcën motrën adoptive, qysh kur u shpërngulën nga Shkodra në vitin 1992, jetojnë në Tiranë, në një shtëpi të improvizuar me dy dhoma të vogla, në ambientet e ish – “Shkollës së Lirë”, në Rrugën “Ali Demi”.
Vjollca Xhelili punon si edukatore në kopshtin Nr. 22 të kryeqytetit.
Ajo është një nga motrat birësuese që i është përkushtuar shumë Andit, pasi është më pak e ngarkuar se motrat dhe vëllezërit e tjerë.
Edhe pse është në prag të pensionit, ajo kurrë nuk u martua, ngase nuk pati kohën të mendonte për këtë moment të rëndësishëm që çdokush e konsideron si të tillë: krijimin e një familjeje të re.
Në gjithë këto vite, Vjollca i’u përkushtua me dashurinë e një motre të vërtetë vëllait të saj adoptiv.
Pas humbjes së nënë Zyrasë, ajo është personi që i ka qëndruar më pranë Andit, e ka ndjekur nga afër në të gjitha stadet e jetës së tij.
Nga momenti kur e njohu atë në befotrofin e Shkodrës dhe deri kur Andi mbushi 23 vjeç, Vjollca i ka shërbyer atij, i përgjigjet për çdo nevojë, i kryen të gjitha shërbimet, duke e larë dhe hekurosur, i gatuan dhe kujdeset për veshjen dhe paraqitjen e jashtme të tij.
Gjithmonë kështu është kujdesur ajo për Andin edhe kur ishte i vogël.
E mësonte, e përgatiste për në shkollë, e ushqente dhe e argëtonte tek lodrat e qytetit, e shoqëronte për në shfaqjet e teatrit dhe të kinemasë.
Ajo ndiqte hap pas hapi të gjitha ndryshimet e tij dhe shikonte se si rritej ky fëmijë në sytë e saj, në sytë e të gjithë njerëzve që e rrethonin plot dashuri.
Vjollca gëzohej, gëzohej pamasë kur shikonte se si mund t’i falte kaq shumë dashuri Andit të vogël.
Të gjitha këto ajo i kujton me shumë nostalgji.
Ajo flet me një pasion të zjarrtë për vëllanë e saj adoptiv, flet me një dashuri kaq të madhe, aq sa çdo vëlla do të ishte shumë krenar për një motër si ajo.
Nga dëshira për të rrëfyer shumë episode për vëllanë e saj, ajo nuk nguron të tregojë edhe një “sekret” të vogël të Andit.
Sot, ai është i fejuar. Vajza që i “rrëmbeu” zemrën është bashkë me të në një fakultet.
Atje u njohën dhe bashkë u dashuruan. Por historia e dashurisë së tyre, ndryshon shumë nga ajo e prindërve të vërtetë të Andit, ngase kjo e fundit tashmë është e fashitur dhe i përket një të shkuare të largët që ndoshta s’do të kthehet më kurrë…
POST SCRIPTUM
Ky shkrim, është shkruar kohë më parë nga autori.
Për ironi të fatit, jo rrallë herë ndodh që dramat njerëzore të përsëriten si një kumt therrës e piskame deri në palcë të kockës.
Pikërisht, atëherë kur dukej se çdo gjë për Andin po shkonte për së mbari, kur sapo kishte përfunduar studimet universitare dhe nisi të punonte në një institucion mjaft komod, pak kohë pasi kishte kurorëzuar me një dasëm lidhjen e tij martesore me shoqen e jetës, vdekja e këput pabesisht në pikun e moshës.
Ishte vetëm 30 vjeç, kur i pushon së rrahuri zemra nga një atak i befasishëm kardiak…
Ishte një tragjedi si për të na kujtuar në mënyrë të pamëshirëshme, tepër cinike dhe të pabesë që ndodh shpesh se fati i jetimit, edhe kur duket se merr një zgjidhje dhe ka një shpresë për të ardhmen, sërish e lë pas gjurmën dhe hijen e një të kaluare të dhimbshme, e cila për fat të keq e përndroqi Andin duke e larguar shumë herët nga kjo botë.
Historia e trishtë e Andi Xhelili, është jeta e një jetimi që mbeti pengu absurd i një dashurie të humbur njëherë e përgjithmonë…!