Gjimnazi “Mihal Ekonomi”, modeli i përkryer durrsak i mësimdhënies!
Në shkollën “Mihal Ekonomi”. Çfarë mësuesish! Çfarë nxënësish! Çfarë historie është shkruar aty!
Nga BUJAR QESJA, “Mjeshtër i Madh”
Me arsimin pena ime, nuk është se është lyer fort. Jo se nuk mund ta rrihja këtë temë, por sesi mëndja dhe lapsi kanë “kullotur” në të tjera parcela rrëmimi. Por kur ke miq të thekur, që kanë jetë që “plugojnë” tokën e pasur të arsimit durrsak, mirkuptohesh me publiçstikën tënde, për të kthyer timonin e vëmëndjes edhe nga shkolla, nga nxënësit, nga mësuesit.
Me Elsa Ekonomin, krijuesen e të parës shkollë të mesme jo publike “Mihal Ekonomi”, jemi moshatarë. Kemi mbaruar gjimnazin bashkë. Elsa, e bija e ustait të arsimit në Durrës Mihal Ekonomi, mbaroi për gjuhë letërsi dhe tani i bëhen 50 vite jetë aktive në shkollë. Gjysëm shekulli. Si një burim me ujë kristal, që vjen nga thellësia e virgjër e tokës, ashtu edhe Elsa Ekonomi nuk ka ndërmënd të shterojë në kulturë dhe mësimdhënie.
-Orët që jap mësim, janë më të bukurat e ditës. E dua punën! E dua profesionin! I dua dhe respektoj kolegët! I dua si fëmijët e mi nxënësit! Këto nuk do të më plakin kurrë!
Kështu më tha Elsa Ekonomi, e cila mbiemrin tjetër Hila e mban nga bashkëshorti i respektuar, intelektual i njohur në Durrës Vasil Hila, në të premten e 7 prillit 2023. I isha përgjigjur ftesës së saj, se në shkollën “Mihal Ekonomi” do të zhvillohej Projekti Ndërkurrikular nga klasat e 11-ta me temë: “Të drejtat e njeriut”. Ishin të përgatitur shtatë grupe: i letërsisë, italishtes, qytetarisë, anglishtes, historisë, arteve dhe edukimit fizik në të drejtën e shëndetit.
Ishte një ftesë e pazakontë. Jo vetëm nga detyra, u bëra kurioz të prekja nga afër njohuritë e nxënësve të kësaj shkolle në këtë nivel arsimimi, se si e kishin konceptuar, ideuar dhe ndërtuar debatin për të drejtat e njeriut. Shkova i ftuar si mik, por këtë projekt do ta prekja nga afër edhe si intelektual, si gazetar, si njeri i këtij qyteti, për të parë përpjekjet e pasardhësve në mënyrën se si do të komunikonin, debatonin, argumentonin dhe gjykonin një çështje shumë delikate dhe të mprehtë për kohën. Aq më shumë kjo, kur para viteve 90-të, në këtë Shqipëri tonën “Të drejtat e njeriut”, i ngjanin një letre të grisur, apo një cope të shqyer, në formën e një krijese të vrarë.
Në oborr të shkollës, teksa ulur pranë Elsa Ekonomit, drejtores së shkollës dhe mësueses së letërsisë Dalina Beshirit, Vasil Hilës e kolegëve të tyre, po meditoja për gjimnazin e famshëm të Durrësit, me emrin plot mall dhe sentiment “16 shtatori”. Çfarë gjimnazi? Çfarë mësuesish? Çfarë nxënësish? Çfarë historie është shkruar aty? Ia përsërita sërish Elsës, se kur shkruhet për historikun e shkollës “Mihal Ekonomi”, të mos harrohet të thuhet, se dikur aty ishte një gjimnaz i artë, i një brezi të artë të Durrësit, që doli më pas palca e inteligjencës durrsake, vetë mburrja e saj.
Dhe “Mihal Ekonomi” është në udhë të mbarë. Qendron në ballë të arsimit jo publik, me konkurencë profesionale, lyer me magjinë e lëngut të artë, që del nga puna dhe pasioni i 23 mësuesve dhe 176 nxënësve të këtij “Mihal Ekonomi” që mahnit në atë që ka marrë përsipër të bëj.
Shënoj në tabletin tim.
Tema: Të drejtat e njeriut
Grupi i letërsisë
Çfarë është disidenca si përkufizim?
Disidenca në Shqipëri-karakteristikat, shoqëruar foto album me ngjyra të autorëve më të rëndësishëm disidentë psh klerikët.
Ndihmesa që dhanë disidentët në letërsi, sidomos në përkthimet.
Vuajtjet dhe torturat që ata pësuan.
Letërsia e burgut, përfaqësuesit.
Poezi e krijuar dhe e interpretuar nën tingujt e violinës.
Grupi i letërsisë: Serena Beja, Grejsi Xhaferraj, Alena Baçi, Melisa Pere, Xhorxho Muka. Mësuese: Dalina Beshiri.
Grupi i Italishtes
U përcaktuan tema : “E drejta për shkollim”.
Ndër idetë e hedhura u përzgjodh personazhi: Malala Yousafzai, si përfaqësues bashkëkohor dhe fitues i çmimit Nobel për Paqen 2014.
Nxënësit kishin përgatitur ditarin Malales dhe treguan nëpërmjet tij historinë, se si një vajzë adoleshtente, e lindur dhe rritur në një vënd ku të drejtat njerëzore thyhen çdo ditë dhe fitorja e saj. Grupi i italishtes: Laura Hidri, Andia Huda, Tomas Prillo, Fatos Alliaj. Mësuese: Tea Tatazi.
Grupi i qytetarisë
Çështjet e trajtuara :Liria si e drejtë themelore e njeriut.
Informacion mbi deklaratën e përgjithshme të të drejtave të njeriut.
E drejta për arësim, si një e drejtë themelore e njeriut.
Konventa e të drejtave të fëmijve, e ilustruar me postër.
Grupi i qyetarisë: Paula Hyka, Natalia Vasa, Rejv Tahiri, Eden Keçi, Klaus Abdyli. Mësuese: Brunilda Abdyli.
Grupi i anglishtes
Minikonkurs ndërmjet dy klasave të 11-ta, për të drejtat e njeriut.
Shpërndarja e çertifikatave të fituesve të konkursit ndërkombëtar të anglishtes Kangaroo.
Grupi i anglishtes: Juna Spaho, Lura Gjepali, Aksel Luarasi, Anisia Todhri, Orio Nushi, Andia Huda. Mësuese: Silva Driza.
Grupi i historisë: Holokausti, Aushvic, të drejtat e grave, Poster, Fletëpalosje.
Grupi i historisë: Ronela Heba, Andia Huda, Laura Hidri, Ledjan Pashkaj, Rei Zeqiri. Mësuese: Yllka Rustemi.
Grupi i edukimit fizik: e drejta e shëndetit.
Lojë: kush qëron më shpejt koshat me portokalle. Fitoi Xhoxhi Huta dhe Paola Hyka , ndaj Ledjan Pashkaj dhe Gresi Xhuli.
Arte: 4 piktura, 1këngë- Helvetina Myrtaj –Stand Up.
Grupi i arteve: Sindy Xhija, Helvetina Myrtaj, Laura Hidri, Serena Beja, Klint Kodra. Mësuese: Edmonda Çeçi Rotani.
E gjitha në 70 minuta. Më tërhoqi vëmëndjen nxënësja Andia Huda. Banonte në plazh. E bija e një mobileri dhe e një nëne që mirban shtëpinë. Ekselencë! E folura në anglisht dhe italisht, theksi dhe komunikimi i saj të linte gojëhapur. Mësova nga mësuesit e shkollës, se ishte e përkryer në të gjitha lëndët. U ndala me të dhe bisedova jo pak. Regjimi ditor model. Ngrihej herët për të ardhur, po herët në shkollë. Edhe këtu e para.
-Këtë anglishte dhe italishte, thua të jetë 100 përqind nga shkolla?
-Shkolla ka pjesën e saj. Por që në klasën e gjashtë, anglishten e zotëroja në të shkruar e në të folur.
-Po të kishe përballë një anglez apo një amerikan, do t’ia dilje?
-Sigurisht që po. Pa dashur të kem qoftë edhe 1 përqind mburrje, do të mbetem e barabartë.
-Si ja ke dalë?
-Studimi sistematik. Në dukje gjërat duken të vështira, por po të mësosh me disiplinë dhe regjim, e ndjen se ska probleme që nuk kapërcehen.
Projekti erdhi po aq i bukur në sytë e mi, si koha e vendosur të shkëlqejë nga dielli i papenguar nga retë, që mua m’u duk se ndiçonte më shumë se çdo herë oborrin e shkollës “Mihal Ekonomi”. Nxënës të bukur në pamje, por që aq bukur dhe me aftësi demostronin dijet dhe njohuritë. Hyra në bisedë me shumicën prej tyre. Me kulturë. Me humor. Me shumë respekt. Dhe bekimin e Mihal Ekonomit që nxënësit të jenë kështu, e çon më tutje, e bija, e mrekullueshmja mësuese, e mira zonjë: Elsa Ekonomi Hila.
“Mihal Ekonomi” i saj shembull.
Largohem nga “Mihal Ekonomi”, i mbushur me diellin shpirtëror që m’u dhurua. Ndjehem optimist! Ndjehem entuziast! Kam lumturi brenda vetes. Preka një testim jo vetëm mësimor, por edhe kulturor, me logjikë në shprehje dhe komunikim, në debat dhe thellim njohurish.
Jam i bindur, se do të ndjehem po kaq komod edhe në prezenca të tjera, që me siguri nuk do të mungojnë.
“Mihal Ekonomi” jo vetëm në një rast po më befason. Sa mirë!
——
Durrës: 12 prill 2023