Përjetësia e Nexhip Çopës!
Këshilli Bashkiak i Kavajës i vendosi sheshit qendror të Golemit emrin e “Dëshmorit të Atdheut”, Nexhip Çopa
Nga Bujar Qesja, “Mjeshtër i Madh”
Kisha kohë pa e prekur Golemin. Nuk më kishte çuar puna. Por ja që u desh të vinte 18 prilli i vitit 2023, që t’i kthehesha kësaj qyteze të njohur për bujqësi, për arësim dhe tash së fundi edhe për turizëm. E kisha lënë të baltosur këtë Golem, që nga koha kur quhej EDE-ja dhe ishte sektor i Ndërmarrjes Bujqësore Spitallë. Por miku im i shkëlqyer Vasip Çopa më bëri një nder, që siç u pa, mbetet nga më vlerësueset. E kam parë mikun tim, me shumë emocion. Ma do mëndja, nga më të veçantat e jetës.
Dhe a e dini si më tha ky Vasil Çopa?
-Të ftoj i nderuar, që të martën e 18 prillit të jesh në Golem. Nuk jam i vetëm që do të pres. Kam sebep….. Dhe meket disi… Pas 42 vitesh më rikthehet edhe im vëlla, Nexhipi. Tek sheshi do të jemi që të dy. Do të kemi festë. Të gjithë Golemin, do ta kesh aty. Por do të gjesh aty edhe miq nga Kavaja, nga Tirana dhe nga Durrësi, nga gjithë vendi.
Fatmir Efica më tregoi, se Këshilli Bashkiak i Kavajës kishte vendosur, që sheshit qendror të Golemit t’i vihej emri i “Dëshmorit të Atdheut” Nexhip Çopa. Lindi me 28 janar të vitit 1959. U largua nga jeta me 6 shkurt 1981. U rilind me 18 prill 2023, duke i mbetur përjetësisht Golemit, në sheshin qendror të tij. Redjan Krali, kryebashkiaku i Kavajës firmosi mbi atë vendim, që e quan tash e tutje sheshin krysor të Golemit me emrin e djalit vendas “Nexhip Çopa”.
Jemi të detyruar të sjellim në kujtesë, mbase nga dramat më të mëdha kombëtare që i ndodhi Shqipërisë pas luftës së dytë botërore. Duke kryer stërvitje në kushtet të dimërit të ashpër në zonën e Fekenit, për t’iu ngjitur malit të Meçekut, për të kapur majën e saj me lartësi 1827 metra, afro 500 studentë dhe oficerë të shkollave ushtarake të vendit, përfshihen nga orteqe të pandodhura më parë. Dhe nuk ishin thjesht orteqe, por mbi trupat e heronjve shqiptarë të inteligjencës ushtarake, u shkëput një pllajë mali. O Zot çfarë ndodhi në atë 6 shkurt 1981!
Sakrifica njerëzore, vetëflijimi dhe vetësakrifimi për jetën e shokut, fryma e jashtëzakonëshme e solidaritetit, humanizmi dhe trimëria që janë në genet e traditës së shqiptarit, atë 6 shkurt 1981 njohu përmasa të paimagjinueshme. U plagosën 400 studentë dhe oficerë, ndërmjet tyre 80 shumë rëndë. Të gjakosur, të gjymtuar, me thyrje dhe fraktura, me copëtime dhe këputje të mishrave, ato kishin humbur në thellësinë e dëborës. Alarmi drithërues, pushtoi tërë masivin malor të Dajtit dhe piskama e solidaritet të ngrinte kapakun e kokës.
Me 6 shkurt 1981, pavarësisht sekretit shtetëror për të mos “ngacmuar” kombin, është nënshkruar nga kapitujt më të ndritur, më të shkëlqyer, më të mahnitshme të solidaritetin të skajshëm njerzor të shqiptarit ndaj shqiptarit, të njeriut ndaj njeriut, të vëllait ndaj vëllait. Të 500 studentët dhe kuadrot e shkollave elitare ushtarake të vendit, ishin bashkuar në një trup, në një kolonë vertebrale. Hej shqiptar, hej!
Është homazh, është nderim, është detyrim, është patriotizëm, është mesazh ndër breza t’i kujtojmë të 11-të dëshmorët e malit të Meçekut, që përfshihen në tragjedinë e Fekenit. Për 48 orë, shqiponjat tona të malit, kanë gërryer borën me thonj. Llokmat e mishit të copëtuara, skuqnin dëborën. Por asnjë nuk e kishte mëndjen këtu. Duhej nxituar. Shokët janë mbulur nga dëbora. Çdo sekondë, çdo minutë ishte një jetë më shumë e humbur. Por pas kësaj lufte të pabarabartë me natyrën, ku ai dimër zor se mund të përsëritet, u shpëtuan shumë, shumë jetë. Por 11-të e ndalën frymëmarrjen, për të mos iu kthyer më kurrë.
Dhe ata janë:
Komandanti i batalionit të parë të këmbësorisë Dushan Fejzi Shameti 31 vjeçar nga fashati Dorëz i Tepelenës, Çlirim Halil Pulaj 36 vjeçar, shef i planëzimit, nga Tragjasi i Vlorës; Nikollaq Naun Bero 37 vjeçar, pedagog taktike nga Berati; Aleko Thimio Gjoni 23 vjeçar, student dega prapavijë, nga fshati Nivicë Sarandë; Besnik Sulo Shehu 23 vjeçar, student gjitharmësh nga Picari i Gjirokastrës; Bilbil Zoto Pashaj 23 vjeçar, student gjitharmësh, nga fshati Kremenar, Mallakastër; Bujar Masar Ago 23 vjeçar, student dega prapavijë nga Tirana; Ilir Stefan Gramatikoi 23 vjeçar, student, dega prapavijë nga Tirana; Pëllumb Hysen Rrapo 23 vjeçar, student, dega prapavijë nga Berati; Qemal Qazim Lika 23 vjeçar, student gjitharmësh nga Tirana, Nexhip Dervish Çoba 21 vjeçar, student viti i dytë nga Kavaja.
Atyre u ndali frymëmarrja, por asnjëherë nuk ndalon kujtesa, vëmëndja e një populli që lirinë, dashurinë për tokën dhe njeriun e ka të shenjtë. Ato janë shpërndarë në të gjithë Atdheun, duke frymëzuar e nxitur qendresën, sakrificën dhe solidaritetin.
Dhe teksa shkruaj, jo pa drithërima, kujtoja ftesën që më bënte Vasil Çopa, që të vija me 18 prill 2023 në Golem. Atë ditë do të rilindej i vëllai, Nexhipi. Më i vogli nga 11-të Dëshmorët e Atdheut. 21 vjeçar. Shikon nënë Lemja portretin e të birit. Sa bukur i qendron uniforma ushtarake!
Pllaka e mermertë në qendër të Golemit, është mbuluar me Flamurin Kombëtar. Shumë kanë ardhur. Janë edhe ata shokët e Nexhipit, që dhe tani plagët e duarve të tyre për të shpëtuar shokët, më duken se nuk janë mbyllur. Flet gjeneral Vladimir Qirjazi. Flet Agron Zerani. I çan shpirti nga kujtimet Fatmir Hoxhës nga Golemi edhe ky, shok i ngushtë me Nexhipin. Qajnë edhe tani. Nexhipi u duket i gjallë si atëhere. Falenderojnë pa fund, ata njerëz të mirë dhe të ndjeshëm, që nxituan ta quajnë sheshin kryesor të Golemit me emrin “Nexhip Çopa”.
Flet Agron Zerani. Zë ushtaraku. Nuk e di se si mu duk, që të gjithë qendruam gatitu. Respekt.
-Në kujtim të vëllait tim Nexhip Çopa, do të mbjell 5 pemë dekorative. Ky shesh meriton të zbukurohet. Ky është sheshi i këtij populli. Ky është sheshi i Nexhipit.
Fjalë të qendisura foli edhe myftiu i xhamisë së Golemit Gëzim Avdullaj. U fol me zemër në dorë. U fol me shpirtin e pastër, me shpirtin e bardhë si vetë ngjyra që i dha përjetësinë Nexhip Çopës. Foli Redjan Krali. Mbajti fjalë të shkurtër edhe Entjen Xhafa. Një kurim perfekt i ceremonisë, nga aktivi i Bashkisë së Kavajës, Fatmir Efica.
Dhe pastaj fjala e Vasip Çopës. Duar që dridheshin. Zemër e tronditur. Por brenda kësaj lexoja tek Vaso mirënjohje pa fund, krenari pa fund, mirësi pa fund. Tronditjen ia mbulonte gëzimi. I vëllai kishte rilindjen.
Hajde nënë Leme, hajde! Eja tek djali, Nexhipi! Nuk e shikon se po të pret? Nga thellësia e banesës së përjetëshme, që deri tani është 43 vjeçare ai po të flet. Ja dëgjoje! Eja nënë, eja! Më ka marrë malli! Pas 43 vitesh ju erdha përsëri, për të mos ikur më. Oh sa ju dua!
Vasipi bashkon duart me nënë Lemen, me Redjanin, me Etjenin dhe tërheqin kordonin e flamurit kombëtar. Zbulohet pllaka e mermertë me emrin “Nexhip Çopa”. Vaso e puth flamurin e Atdheut të tij. Është flamuri që e mbuloi me lavdi Nexhipi, e bëri më të kuq sa ç’ishte me gjakun e pastër. Nderi lahet me nder.
Emri i “Dëshmorit të Atdheut” Nexhip Çopa, e zbukuron më shumë sheshin. I bukur sheshi kur erdha. Por shumë më të madh, por shumë më të bukur, por me shumë jetë e pashë kur u largova nga Golemi, së bashku me gazetarin e fotografisë Denis Simaku. Meritë e madhe që fiksoi këtë lindje të re të Nexhipit. Sa me dëshirë e bëri këtë punë Denisi! Detyrim sigurisht për heroizmin e Nexhipit, që të gjithëve na duket dhe nxitojmë se kush më parë, ta bëj vëllain e vet. Ky është amaneti. Kjo është tradita. Kjo është fisnikëria dhe humanizmi i shqiptarit.
Sa i lumtur ndjehet edhe nipi i Nexhipit, djali i Hidajetit! Është Nexhipi i ri 10-të vjeçar. Fis i madh Çopajt. Shikonte pllakën e mermertë. Një lot i nxehtë ia “dogji” faqen. Se ka njohur. Dhe tani, e ka kaq pranë.
Me 18 prill 2023, u ndodha në Golem. Tashmë me një ndryshim të madh. Sheshi i kësaj qendre aktive të turizmit, quhet “Nexhip Çopa”. Është rilindja e tij. Është kujtesa e jonë. “Kush kujtohet, nuk harrohet”.
———————–
Bujar Qesja
Durrës: 19 prill 2023