Yuri Kim: Reforma në Drejtësi po funksionon!
Ambasadorja e SHBA-ve: Kundërshtarët e Reformës në Drejtësi tashmë duan që ajo të dështojë,
Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, u shpreh sot se, kundërshtarët e Reformës në Drejtësi tashmë duan që ajo të dështojë, pasi po shohin që funksionon.
Në një aktivitet me rastin e 110-vjetorit të krijimit të Gjykatës së Lartë, Kim u shpreh se, “Reforma në Drejtësi vazhdon të prodhojë rezultate reale dhe të prekshme çdo ditë”.
“Kanë kaluar tashmë më shumë se 3 vite që jam këtu dhe kam pasur privilegjin të takoj shqiptarë nga të gjithë fushat e jetës. Dhe ata më kanë thënë shumë qartë se duan drejtësi, duan mundësi dhe duan një mundësi të barabartë, një arsye për të qëndruar në këtë vend dhe për ta bërë atë vendin që duhet të jetë, një Shqipëri e mrekullueshme”, tha Kim.
Ambasadorja theksoi se, dyshimi fillestar i qytetarëve shqiptarë për Reformën në Drejtësi po zëvendësohet gradualisht me optimizëm të matur.
“Ata kanë qenë dëshmitarë të përparimit të konsiderueshëm deri tani dhe Gjykata e Lartë ka shumë gjëra për të qenë krenare. Nga 19 anëtarë kjo gjykatë kishte vetëm 1 gjyqtar 4 vite më parë. Sot ka 16 gjyqtarë dhe siç e kam thënë shumë herë më parë, 3 vakancat e mbetura duhet të zëvendësohen sa më shpejt të jetë e mundur me gjyqtarë që zotërojnë integritetin dhe profesionalizmin që kërkon ky pozicion dhe që populli shqiptar meriton”, shtoi ajo.
Kim theksoi se, SHBA janë krenare që mbështesin gjykatën me udhëzime ekspertësh dhe që e ndihmojnë me uljen e stokut për çështjet e prapambetura në gjykatë, por si gjithmonë ka më shumë për të bërë, pasi populli shqiptar kërkon dhe meriton drejtësi të dhënë në kohë.
“Në këtë përvjetor të veçantë është një kohë për të menduar për arritjet dhe në të njëjtën kohë duhet të jemi edhe më të kujdesshëm për rreziqet që shfaqen kundër Reformës në Drejtësi. Kundërshtarët e Reformës në Drejtësi tashmë duan që ajo të dështojë, pasi po shohin që funksionon. Ata do të donin të vazhdonin të fshihnin veprimet e tyre korruptive, do të duan të jenë në gjendje të vazhdojnë të bazohen në pandëshkueshmëri”, tha Kim.
Kjo, sipas saj, “është një shenjë që Reforma në Drejtësi po funksionon me të vërtetë, por gjithashtu tregon se sa e rëndësishme është që të gjithë ne së bashku, Gjykata e Lartë, SHBA, BE dhe të gjithë vendet partnere dhe organizatat tona partnere të qëndrojnë të përkushtuara ndaj kësaj detyre” shtoi ajo.
Kim siguroi se, “ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim dhe këtë mund t’jua premtoj, kjo nuk ka për të ndryshuar”.
“Themeli i Reformës në Drejtësi në Shqipëri është ndarja e gjyqësorit prej ndikimit politik, por kjo është e pamundur nëse mbizotërojnë modelet dhe besimet e vjetra, ‘sepse kështu është jeta, kështu bëhen gjërat, kështu ka qenë gjithmonë’. Kjo gjë nuk duhet të vazhdojë. Ruajtja e integritetit dhe pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe eliminimi i ndërhyrjeve reale janë thelbësore për suksesin. Kemi parë shumë shembuj të këtyre incidenteve në të shkuarën”, tha Kim.
Ambasadorja theksoi se, “është gjithashtu kritike për besimin e publikut një integritet dhe pavarësi e tillë e sistemit të drejtësisë, që do ta ndihmojë lulëzimin e demokracisë, do të sjellë zhvillim ekonomik dhe do të tërheqë investime të huaja. Më e rëndësishmja, do të sigurojë drejtësi dhe kushte të barabarta për të gjithë qytetarët shqiptarë”.
“Janë vendosur të gjithë mekanizmat ligjorë për të siguruar një sistem drejtësie të qeverisur nga shteti i së drejtës. Tani është koha që zyrtarët publikë pa përjashtim të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të zbatuar plotësisht legjislacionin në përputhje me standardet ndërkombëtare që gjykatat të jenë më të forta, më të paanshme dhe më objektive se dje. Të udhëhequra nga parimet e shtetit ligjor në çdo vendim që japin. SHBA mbetet e përkushtuar për të mbështetur Shqipërinë, ndërsa ky vend ecën përpara drejt integrimit euroatlantik. Puna që ju të gjithë po bëni është thelbësore për këtë”, shtoi ajo.