Potencialet e bashkëpunimit tregtar Shqipëri-Kinë
Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës komenton shkëmbimet tregtare midis Shqipërisë dhe Kinës dhe mundësitë e bizneseve shqiptare për të prezantuar produktet e tyre në tregun kinez
Intervistoi Fatos Çoçoli
Sipas INSTAT, shkëmbimet tregtare me Kinën për periudhën janar-mars 2023 u rritën me 28 përqind, duke shkuar në 20 miliardë e 627 milionë lekë, nga 16 miliardë e 72 milionë lekë që ishin në tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Jo rastësisht Kina është ndër partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, pas Bashkimit Evropian, duke mbuluar rreth 8 për qind të totalit të import-eksporteve. Midis dy vendeve janë nënshkruar rreth 38 marrëveshje ekonomike, ku midis tyre evidentohen investimet kineze në Shqipëri në fushën e energjisë, infrastrukturës dhe shfrytëzimit të pasurive natyrore. Nga ana e saj, Shqipëria eksporton drejt Kinës mineralin e bakrit dhe të kromit, por edhe mjaltë dhe produkte të tjera. Në Shqipëri ka një numër të shtuar të kompanive kineze, mbi 30 të tilla.
Kompanitë e fuqishme kineze, private dhe shtetërore, kanë shfaqur interes ndaj sektorëve më strategjikë të Shqipërisë. Shumë shpejt në tregun shqiptar do të mbërrijnë automjetet elektrike kineze, ndërsa janë gati për konsiderim projekte për energjinë diellore, me panele fotovoltaike të teknologjisë së përparuar të Kinës.
Panairi i madh ndërkombëtar i Kantonit, i zhvilluar në prill të këtij viti dhe Panairi i Ningbo-së mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, ishin mundësi shumë të mira për kompanitë shqiptare për të prezantuar produktet e tyre dhe për të depërtuar në tregun kinez.
Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës komenton shkëmbimet tregtare midis Shqipërisë dhe Kinës dhe mundësitë e bizneseve shqiptare për të prezantuar produktet e tyre në tregun kinez
***
Nikolin Jaka në intervistë për CMG
CMG: Z. Jaka, ju keni anetarë të Dhomës suaj që kryejnë tregti me Kinën. Anëtarë shumë seriozë, biznese të konsoliduara. Në këndvështrimin tuaj, Panairi i Ningbo-së është i dyti panair i madh në Kinë, që ne nuk kemi një përfaqësi të organizuar. Panairi i parë i madh ishte ai i Kantonit, i organizuar këtë pranverë për herë të parë me prani fizike, pas pandemisë së Covid-19. A e gjykoni një shans të humbur që nuk kemi mundur të kemi një përfaqësi të vetë Dhomës dhe të strukturave të tjera të konsoliduara të biznesit shqiptar, të pranishme në këto evente?
Nikolin Jaka: Në fakt, po të shikojmë marrrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Kinës, vëmë re që importet nga Kina zënë një peshë specifike të konsiderueshme në ekonominë shqiptare. Ne importojmë produkte të rëndësishme nga Kina. Këto produkte mbushën hendekun dhe hapësirat që kishte tregu shqiptar. Nga ana tjetër, sipërmarrësit të cilët kanë punuar dhe që vazhdojnë të punojnë me Kinën, vijojnë të ndjehen mirë dhe të jenë të relaksuar, në marrëdhënien me sipërmarrjen kineze. Kjo është e dukshme si në shkëmbimet tregtare, ashtu dhe në vlerësimet e marrëdhënies së besimit. Është mëse e natyrshme që sipërmarrjet nga të dyja vendet të krijojnë marrëdhënie besimi me njëra-tjetrën.
Pra, nëse në vitet e para kishte një marrëdhënie të kufizuar në besim, pasi shumica e sipërmarrjeve nisnin pagesat, ndërkohë që kontenieri mund të vonohej, tashmë janë strukturuar marrëdhëniet dhe kemi një besim dhe një bashkëpunim të frytshëm mes sipërmarrjeve shqiptare dhe sipërmarrjeve të Kinës.
Përpos, nga ana tjetër, Kina është një superfuqi ekonomike, një realitet i tillë tashmë. Brenda tregut të vet, Kina gjeneron produkte, nga cilësia më e përballueshme për një fuqi blerësë të ulët, e deri tek cilësia maksimale që ofron tregu në çdo vend të botës.
Ndërkohë, Kina këto produkte i ofron me çmime të menaxhueshme dhe të përballueshme, në mënyrë që qytetari dhe konsumatori të arrijë të realizojë blerjen e tyre.
Kuptohet se për qytetarin dhe konsumatorin çmimet janë referenca e parë. Pastaj kemi të bëjmë me cilësinë. Kina i ka të dyja. Ka edhe çmimin e përballueshëm, edhe cilësinë. Ka edhe produkte jo shumë të shtrenjta, që për nga cilësia janë jo në nivelin maksimal, por kënaqin kërkesat e një fuqie blerëse të ulët. Besoj që konsumatori do të dijë t’i zgjedhë, në mënyrë që të shkojë drejt cilësisë. Kjo, ngaqë është një shprehje angleze që thotë se “Jam i varfër dhe blej shtrenjtë”. Që do të thotë se më mirë blej një palë këpucë të shtrenjta dhe shkoj pesë vjet me to, se sa të blej dhjetë palë këpucë të lira, të cilat nuk zgjasin.
Kështu që, në këtë këndvështrim, une mendoj që Kina ka shumë hapësira për bashkëpunim, ndërkohë që sipërmarrja shqiptare nuk i ka shfrytëzuar këto hapësira. Panairet që bëhen në Kinë janë panairë të jashtëzakonshme. Janë evente dhe panaire që kanë një prani dominuese jo vetëm nga Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga vendet e tjera të zhvilluara. Kjo, ngaqë Kina është një vend i madh.
Ne tani duhet ta shohim Kinën jo thjesht si një potencial për të importuar në Shqipëri, por tashmë ka ardhur koha të konsiderojmë Kinën ashtu siç është, një potencial i madh për të eksportuar produktet shqiptare në tregun kinez. Në njëfarë mënyre, kemi edhe të drejtën tonë për të shlyer këtë lloj defiçiti tregtar që është krijuar me Kinën.
Kina, në shumicën e rasteve, ka qenë bujare me ofertat që i ka bërë institucioneve përgjegjëse në Shqipëri, për të vënë në dispozicion të sipërmarrjes shqiptare pavione të tëra pa pagesë. Kjo ende nuk është shfrytëzuar nga entet përgjegjëse në Shqipëri, për të mbledhur sipërmarrjen dhe për ta dërguar në prezantimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre në Kinë.
E njëjta procedurë ka qenë dhe me Panairin e madh të Kantonit, që është një panair global, ku ata që promovojnë produktet e tyre aty janë potencialisht të fuqishëm dhe që krijojnë mundësi të mëdha bashkëpunimi dhe mundësi të mëdha të koordinimit të kërkesave dhe të ofertave.
Urojmë që të kapim trenin dhe për herën tjetër të jemi gati. Ndërkohë, nga ana tjetër, është mëse e domosdoshme, ju jeni analist dhe e vlerësoj maksimalisht analizën tuaj.
Pamje nga Panairi i Ningbo-së (Foto CMG)
CMG: Ju folët për potencilin tregtar në marrëdhëniet me Kinën. Ndërkohë, sikurse ju e përmendët, ekonomia e Kinës është ekonomia e dytë më e madhe dhe më e fuqishme e planetit. Po potenciali investues i kapitalit kinez? Si do ta shikonit bashkëpunimin dypalësh në investime, edhe në kuadër të nismës së njohur kineze “Një Brez, një Rrugë”? Bëhet fjalë për projekte bazë të infrastrukturës, si autostrada e ndërtuar nga Kina në Mal të Zi. Apo Ura e Peljesaçit në Kroaci dhe ndërtimi i hekurudhës Budapest-Beograd. Mundet të kemi edhe ne një shans të tillë, në rast se do të kemi qasjen dhe vullnetin e duhur?
Nikolin Jaka: Nga komunikimet që unë, në cilësinë e Kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, kam patur me delegacione të ndryshme të Kinës që vijnë në Shqipëri, qoftë dhe ne kuadër të programit për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, ky program ofron investime kineze sipas projekteve të paraqitura nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Ndër këto që ju përmendët janë projekte të paraqitura nga Mali i Zi dhe Serbia, apo dhe Maqedonia e Veriut. Të treja këto vende kanë arritur të marrin financimin e qeverisë kineze, në kuadër të këtij programi. Pse të mos paraqesim projekte edhe ne ?
Mendoj se mungesa e projekteve të programit në Shqipëri mbase është edhe si mungesë e instrumentave të duhur që ne duhej të kishim, për të negociuar marrëveshjet e duhura me qeverinë kineze, për të investuar në Shqipëri.
Gjykoj se administratës sonë publike, këto 30 vjet i kanë munguar gjithmonë ekspertët e mirëfilltë të negocimit. Është shumë e rëndësishme që qeveria të ketë ekspertë të veçantë për negociata strategjike për ekonominë e vendit dhe zhvillimin e vendit. Kjo, ngaqë infrastruktura rrugore, ajo hekurrudhore, ajo portuale dhe ajo aeroportuale janë si damarët e gjakut për njeriun. Sa më të lirshme dhe funksionale të jenë autostradat dhe rrugët e tjera, aq më e shëndetshme është ekonomia e atij vendi.
Kështu që në këtë këndvështrim, mendoj se nuk është vonë asnjëherë. Gjykoj se qeveria shqiptare duhet ta shfrytëzojë këtë moment. Kina po investon në çdo vend të botës dhe mendoj se Shqipëria nuk ka pse të ruhet nga termat gjeopolitike të investimeve. Në fund të fundit, ne jemi të interesuar që të zhvillojmë vendin tonë. Normalisht, pa prishur ekulibrat dhe marrëdhëniet me vendet partnere dhe me partnerët strategjikë.
Nga ana tjetër, jam i bindur që nuk ka asnjë shtet dhe asnjë aleat që të ndalon ty të zhvillosh vendin tënd me formula të ligjshme dhe të rregullta, në tryezën e duhur dhe në partneritetin e duhur. Duke qenë gjithnjë i hapur dhe transparent në çdo lëvizje dhe në çdo përpjekje për të arritur një investim strategjik për zhvillimin ekonomik të vendit.
Të mos harrojmë që Kinën e kemi në Shqipëri. Investitorët kinezë janë në kompaninë e shfrytëzimit të naftës shqiptare, në kompaninë Bankers. Investitorë kinezë kishte dhe në Aeroportin e Rinasit. Pra, Kina me investime është e pranishme në Shqipëri. Vullneti dhe dëshira e Kinës për të qenë në Shqipëri janë të pranishme. E rëndësishme është që ne të dimë për të trajtuar marrëdhënien e duhur, që të kemi feedback-un, vlerësimin e duhur. Unë jam i bindur që vullneti i qeverisë kineze për të investuar posaçërisht në Shqipëri, është i madh.
Panairi i Ningbo-së (Foto CMG)
CMG: Duke parë mënyrën se si kanë evoluar marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve, a jeni optimist për të ardhmen e marrëdhëniëve tona reciproke tregtare dhe të investimeve të Kinës në Shqipëri? Panairet e Kantonit dhe të Ningbo-së kanë edhe edicionet e tyre të vjeshtës po këtë vit…
Nikolin Jaka: Ne kemi bërë një analizë, një skanim. Është shumë e rëndësishme që të kuptojmë se ku ka ngecur, ku qëndron problematika që nisma e investimeve dhe oferta për pjesëmarrjen në panaire nuk ka ecur. Ne si Dhomë e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës i kemi identifikuar problematikat dhe i kemi dërguar një kërkesë të drejtpërdrejtë Agjencisë Shtetërore të Nxitjes së Investimeve, AIDA, e cila është institucioni përgjegjës, së bashku me Departamentin e Zhvillimit Ekonomik në Ministrinë e Jashtme. Kemi kërkuar që në Panairin e ardhshëm në Kinë, Dhoma të jetë një aktor, për të realizuar mbledhjen, grumbullimin e sipërmarrësve prodhues shqiptarë, që kanë kapacitetet e duhura, për të penetruar në tregun kinez. Ne i kemi evidentuar prodhuesit shqiptarë, të cilët janë të gatshëm, për të reklamuar produktet e tyre në panairet e Kinës. Këta prodhues janë në sektorin e bletarisë, në sektorin e ullinjve dhe të vajit të ullirit, si dhe në sektorin e bulmetrave dhe të nënprodukteve të qumështit. Kemi dhe sektorin e produkteve të konservimit të perimeve dhe frutave. Po shohim që në panairin e rradhës, që do të kemi mundësi të marrim pjesë, të kemi një prani dinjitoze nga sipërmarrja prodhuese shqiptare.
Burimi: CRI.CN