Revolta e Spaçit, “Gjurmë qëndrese dhe solidariteti”

Autoriteti në pelegrinazhin “Gjurmë qëndrese dhe solidariteti” në kujtim të 50-vjetorit të revoltës së Spaçit


Me rastin e organizimeve për përkujtimin e 50-vjetorit të Revoltës së Burgut të Spaçit, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në datën 21 maj 2023 organizoi një pelegrinazh, i cili nisi në kilometrin e fundit të rrugës, në hyrje të ish-Burgut të Spaçit dhe u përmbyll në ambientet e ish-burgut.

Pelegrinazhit iu bashkua Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë, Arqipeshkivi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta, përfaqësues të pushtetit lokal dhe të trupit diplomatik, ish-të përndjekur politikë dhe organizatat që veprojnë në fushën e kujtesës.

Gjatë rrugëtimit, Autoriteti shpalosi instalacionin artistik “Gjurmë qëndrese dhe solidariteti”, me 10 silueta njerëzore, në shenjë kujtimi dhe përjetimi të dhimbjes, vuajtjes dhe qëndresës që kalonin çdo ditë gratë, fëmijët dhe familjarët e të dënuarve.

Kryetarja e Autoritetit Dr.Gentiana Sula me këtë rast tha: “Ata i qëndruan pranë familjarëve të tyre edhe në ditët me të errëta, pavarësisht stigmës, përjashtimit dhe kostove personale. Instalacioni synon njohje, nderim e vlerësim për humanizmin e tyre dhe reflektim për një shoqëri me njerëzore.

Kjo është një ngjarje që bashkon njerëzit për të nderuar ata që kanë humbur, të gjejnë ngushëllim dhe mbështetje tek njëri-tjetri, si dhe të zhvillojnë një ndjenjë solidariteti që na ndihmon të punojnë së bashku për t’u rikuperuar dhe rindërtuar.”

Ky organizim i Autoritetit ishte pjesë e programit të ceremonisë që Dioqeza Rëshen dhe Bashkia Mirditë mbajti në bashkëpunim me institucionet dhe organizata që angazhohen në fushën e kujtesës historike me rastin e përkujtimit të revoltës së të burgosurve politik të Spaçit, 21 maj 1973.

Siluetat, përmbajtja e instalacionit
Instalacioni “Gjurmë qëndrese dhe solidariteti” nën hashtagun #KurrëMëDiktaturë përmban tregimet e 10 njerëzve që kanë vuajtur në burgun e Spaçit përfshi këtu dhe familjarët e tyre gra, nëna e fëmijë, të cilët po ashtu si të afërmit e tyre të burgosur i bënë ballë padrejtësisë me vetmonim e dinjitet njerëzor. Tregimet e tyre janë pjesë e dëshmive gojore që Autoriteti ka realizuar, ndërsa me kujdes janë përzgjedhur disa dëshmi të publikuara në media.

Ja çfarë lexojmë në silueta:

Iliaz Kaja, ish – i dënuar më akuzën agjitacion e propagandë. Vuajti dënimin me 8 vite burg në Spaç.

“Çanga e zgjimit binte në orën 5. Pas apelit, në orën 6, dilnim nga kampi dhe i ngjiteshim malit. Ecnim një orë e gjysmë, derisa mbërrinin në galeri. Aty përshëndeteshim me shprehjen ‘Mirëdalsh!’, se edhe mund të mos dilnim më gjallë”.

Napoleon Gumeni, ishte 10 vjeç në prill të vitit 1970, kur iu arrestua babai, Izet Gumeni, dënuar me 25 vjet heqje lirie me akuzën për bashkëpunim me bandat.

“Nuk harroj. Isha 14 vjeç. Bashkë me motrën e vogël mbërritëm rreth orës dy në Spaç. Polici nuk na lejoi ta takonim babanë atë ditë, pasi na tha që ishte në punë. Fjetëm pas një barake të komandës, të rrahur nga era e ftohtë e grykës së Spaçit”.

Menduhije Pojani, vajza e Njazi Bylykbashit, ish – i dënuar për agjitacion e propagandë. Vuajti dënimin në burgun e Spaçit.

“Pas dënimit të babait, mamaja duhet të rriste katër fëmijët. Punonte gjithë ditën në bujqësi, mbante dru në kurriz, për të na ngrohur e ushqyer”. Na ndihmonte edhe gjyshja në moshë të thyer.

Rajmond Sejko, djali i madh i Teme Sejkos, i arrestuar dhe dënua për agjitacion e propagandë, me 8 vjet burg në Spaç.

“Pengu im është se… nuk munda të përcjell për në banesën e fundit babain Teme, vëllain Sokol e të mirën nënën time, Shpresa. Ende nuk e dimë ku u prehen eshtrat”.

Lirie Alibali, gruaja e Ylli Alibalit dhe kunata e Xhevat Alibalit, ish-të dënuar me akuzën, agjitacion e propogandë.

“Pas arrestimit të bashkëshortit, m’u mbyllën të gjitha dyert para fytyrës. Askush nuk donte të kishte të bënte me mua. Të afërmit më thonin: “Erdhe sot, mos hajde përsëri! Njerëzit largoheshin dhe ndërronin rrugë, ngaqë nuk donin të më flisnin, pasi isha me njollë në biografi. Nuk mund të ndaja babain e vajzave të mia. Pranova fatin tim!

Luke Syku, gruaja e Prel Sykut, i arrestuar dhe dënuar me 20 vite burg me akuzën agjitacion dhe propagandë.
“Shkova ta takoja me djalin e vogël. Prela e la 6 muajsh. I përmalluar, i lëvdon të voglit sandalet: Sa të bukura! Djali ia kishte marrë borxh një shoku sa për takimin me babanë”.
Ioan Çeli, ishte 16 vjeç kur i arrestohet i ati, ushtarak i dënuar me akuzën për akte të dhunshme kundër pushtetit popullor.

“Pas arrestimit të babait, motra e madhe, që ndiqte studimet në Fakultetin e Filozofisë, në Tiranë, u përjashtua nga shkolla me ceremoni. Kërkuan ta nxirrnin për demaskim para shkollës”.

Ornela Vorpsi, vajza e Seit Vorpsit, dënuar me akuzën për agjitacion e propagandë. Vuajti 8 vite burgim, pjesën dërrmuese në Spaç.

“Pata frikë ta takoja, pasi ai donte të më përqafonte, por unë isha një fëmijë që trembesha ta prekja këtë të huaj. Në takim babai i dha nënës një qese, ku kishte futur dhëmbët. Ata i ishin thyer nga torturat e mëdha”.

Leonard Bejko, ishte 5 vjeç kur iu pushkatua babai, Dervish Bejko, i dënuar në vitin 1971 me akuzën tentativë për arratisje. Është një nga të dënuarit me vdekje të Revoltës së Spaçit, që shpërtheu më 21 maj të vitit 1973.

“Babanë e kam brengë. Kam shumë boshllëk, se u rrita pa të. Në Pogradec i kam ngritur një varr në kujtim të tij. Kur e vizitoj, ndez një cigare. Po kujt t’ia ndez?! Nuk ka eshtra. Ia ndez tokës, mermerit të ftohtë”.

Ylber Merdani, ish – i dënuar me akuzën agjitacion e propagandë. Vuajti dënimin me rreth 10 vite burg në Spaç.

“Një popull që ruan në memorien e tij të kaluarën, ka në dorë çelësin e burgut. Nuk burgoset dot më kurrë e nuk rikthehet më e kaluara, se nuk ka forcë në botë të kthejë fatin që ka caktuar i madhi Zot për secilin nga ne. Fluturoni me shqiponjat, qëndroni të ndershëm dhe mos u përzieni me sorrat e minjtë!”.
Aktivitetet e Autoritetit në përkujtim të revoltës së Spaçit.

Grupi i punës së Autoritetit ngritur në përkujtim të 50-vjetorit të revoltës së burgut të Spaçit ka punuar për sjelljen e 50 intervistave audio-vizuale me ish të përndjekur politikë në këtë burg si dhe fëmijët e tyre. Këto intervista janë pjesë e botimit që do të dalë së shpjeti në qarkullim.

Janë hartuar e tekste dhe video për Platformën -“Të mësojmë për të shkuarën – burime arsimore të hapura 1944-1991”, një platformë e cila vjen në shërbim të mësuesve të historisë, me qëllim përcjelljen e ngjarjes tek nxënësit e sistemit para universitar.

Me datën 22 maj, ora e parë e mësimit në sistemin parauniversitar do t’i kushtohet përkujtimit të kësaj ngjarje si nevojë për ndërgjegjësimin e brezave mbi të shkuarën e vendit. Përfaqësues të Autoritetit së bashku me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit do të jenë në shkollat e mesme të vendit për të marrë pjesë në këtë orë mësimore.

Nëpërmjet bashkëpunimit mes AIDSSH-së dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, Autoriteti zhvilloi edhe një konkurs mes nxënësve të shkollave artistike të vendit, për krijimin e një logoje kushtuar 50–vjetorit të Revoltës së Spaçit, me qëllim final edukimin e brezit të ri rreth padrejtësive të së kaluarës dhe nevojës në rritje për respekt ndaj viktimave. Bazuar në pëlqimet e mara, fitues është punimi i nxënësit Rodjon Zhuri, klasa XII-të, shkolla artistike “Ajet Xhindole” Berat. Kjo logo po përdoret përgjatë vitit 2023 në komunikimin shkresor zyrtar të Autoritetit.

Në datën 4 maj Autoriteti për Informim mbi Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit mbajti aktivitetin “Spaçi në arkiva -50 vjet nga Revolta” me dokumente nga arkiva e ish-Sigurimit të Shtetit për kampin e punës së detyruar në Spaç, revoltën, vendimet me vdekje dhe ridënimet.

Aktiviteti synoi nxitjen e analizës dhe debatit profesional juridik mbi zbatimin e ligjeve të kohës parë nga perspektiva e shkeljes së të drejtave të njeriut. Aktiviteti gjeti mbështetje nga partnerët akademikë të Autoritetit, Shkolla e Magjistraturës, Universiteti Evropian i Tiranës dhe Fakulteti i Drejtësisë së Universitetit të Tiranës.

Lexo më shumë nga

Rama: Linçimi publik ndaj Veliajt, i neveritshëm

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “përkohësisht di që Erion Veliajt i cënohet jeta e tij familjare nga gjyqi publik…

Global 360

Armenia njeh pasaportat e Kosovës

Armenia nga sot njeh zyrtarisht të gjitha pasaportat e Kosovës, duke përfshirë ato të zakonshme, diplomatike dhe zyrtare.

Diplovista

Hetimet e SPAK-ut, Rama: I qetë e i vendosur që të vijojë beteja ndaj pandëshkueshmërisë

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri bën një bilanc të zhvillimeve kryesore të vendit, që nga përparimi në…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Rama: Linçimi publik ndaj Veliajt, i neveritshëm

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “përkohësisht di që Erion Veliajt i cënohet jeta e tij familjare nga gjyqi publik…