Me masa konkrete, Kina përmirëson vazhdimisht mjedisin e biznesit
Tërheqja e biznesit në bazë të zinxhirit industrial është bërë një mënyrë kryesore për nxitjen e zhvillimit
Nga Jiang Lei
Mjedisi i mirë është thelbi i epërsisë së një rajoni në zhvillim dhe është kyçi për zhvillimin me cilësi të lartë. Qysh prej fillimit të këtij viti, shumë krahina kineze kanë marrë masa konkrete e të sakta për përmirësimin e politikave ekonomike. Shaanxi, Jiangsu, Hunan dhe Chongqing në mënyrë aktive kanë përmirësuar mjedisin e biznesit që përshtatet me standardet ndërkombëtare dhe janë fokusuar te orientimi nga tregu, sundimi i ligjit dhe ndërkombëtarizimi. Masat janë më praktike e më të zbatueshme dhe kjo tregon qartë vendosmërinë e Kinës për përmirësimin e mjedisit të biznesit.
Në procesin e tërheqjes së investimeve, shumë krahina janë nisur nga epërsitë e tyre vendore, duke forcuar konceptin e mbështetjes te zinxhirët e prodhimit dhe të furnizimit. Siç mësohet, provinca Shaanxi ka zgjedhur 14 sektorët kryesorë industrialë, duke formuar 23 zinxhirë industrialë në pajisjet e energjisë diellore e fotovoltaike dhe pajisjet për transmetimin e energjisë, duke shfrytëzuar në mënyrë aktive rolin drejtues të fondeve financiare, me synim që të mbështetet zhvillimi me cilësi të lartë me anë të përkrahjes financiare. Deri tani janë miratuar rreth 30 fonde për industri të ndryshme me një vlerë prej afro 30 miliardë juanësh.
Foto nga VCG
Këtë vit, provinca Hunan ka forcuar strategjinë “Tërheqje e bizneseve në bazë të zinxhirit industrial dhe me promovimin e biznesit”, çka ka tërhequr më shumë ndërmarrje të investojnë në këtë provincë. Në katër muajt e parë të vitit, në Hunan janë tërhequr 190 projekte të mëdha, me një investim të përgjithshëm prej 182.98 miliardë juanësh. Krahas kësaj, edhe biznesmenët me origjinë nga Hunan-i janë tërhequr të kthehen aty, duke regjistruar 350 ndërmarrje me një vlerë të përgjithshme 161.46 miliardë juanë.
Tërheqja e biznesit në bazë të zinxhirit industrial është bërë një mënyrë kryesore për nxitjen e zhvillimit. Kjo mënyrë ndihmon të shfrytëzohet epërsia e grupimit industrial, çka mund të ulë kostot e transportit të ndërmarrjeve, të ngrejë efektivitetin e shfrytëzimit të burimeve industriale dhe të nxitë zhvillimin e koordinuar të pjesëve të ndryshme të zinxhirit industrial.
Gjatë procesit të tërheqjes së investimeve, krahinat e ndryshme janë përqendruar gjithnjë e më shumë te koordinimi i sektorëve tradicionalë dhe industrive të reja.
Foto nga VCG
Kompania teknologjike “Cambricon” e ka selinë në Nankin të provincës Jiangsu. Në vitin 2021, ajo ka krijuar biznesin e drejtimit automatik të makinave dhe mikroçipave në Nankin. Në të ardhmen, “Cambricon” do të tërheqë më shumë ndërmarrje që merren me qarqet e integruara dhe inteligjencën artificiale të bëjnë investime në Nankin.
Provinca Jiangsu ka deklaruar që do të shfrytëzojë fazën e artë të tërheqjes së investimeve dhe do të tërheqë ndërmarrje nga krahina të shumta, duke rezervuar energji të plotë për zhvillimin e ardhshëm me cilësi të lartë. Synimi i Jiangsu-së është të formojë shpejt sistemin modern industrial dhe të krijojë epërsi të re në konkurrencën industriale.
Foto nga VCG
Për të shmangur tërheqjen në mënyrë të verbër, të përsëritur ose me nivel të ulët, Chongqing-u është fokusuar në tërheqjen e investimeve me saktësi të lartë, duke synuar sektorët e automjeteve, informacionit elektronik, pajisjeve me nivel të lartë dhe biomjekësisë. Grupi i tërheqjes së investimeve në distriktin Liangjiang të Chongqing-ut bëri të ditur që projekti i nisur në janar do të krijojë bazën e kërkimit dhe prodhimit të motorëve për makinat elektrike, kapaciteti i së cilës mund të arrijë 3 milionë njësi në vit. Kjo do ta ndihmojë Chongqing-un të prodhojë makinat me energji të re dhe me lidhje inteligjente në internet në rang botëror.
Për të përmirësuar më tej mjedisin e biznesit, Hunan-i ka krijuar edhe platforma të shumta, si ekspozitat, zonat tregtare dhe aktivitetet stimuluese të biznesit, për tërheqjen e investimeve, duke pasur efekte të sakta dhe praktike. Drejtori i Drejtorisë së Tregtisë të provincës Hunan Shen Yumou tha që një sërë aktivitetesh janë fokusuar tek efektet praktike dhe përshtatjet e sakta me gjendjen lokale.
Foto nga VCG
Ndërsa studiuesi i Akademisë së Shkencave të provincës Jiangsu, Chen Peng, u shpreh: “Tërheqja e ndërmarrjeve dhe investimeve është si burim me ujë të pastër për zhvillimin e krahinave të ndryshme. Për të tërhequr më shumë investime, duhet medoemos të bëhen më shumë përpjekje për përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe, me një besueshmëri të lartë administrativ, të krijohen marrëdhënie të afërta e të sinqerta mes departamenteve të ndryshme dhe ndërmarrjeve. Kështu, do të ketë një mjedis zhvillimi me më shumë fuqi tërheqëse.”
Burimi: CRI.CN