Evropianët midis Kinës dhe SHBA-së: “Nuk duam luftë”
Sipas një sondazhi të kryer ditët e fundit nga Këshilli Europian mbi Marrëdhëniet e Jashtme (ECFR), shumica e të intervistuarve europianë preferojnë të rrinë neutralë mbi konflikt të mundshëm midis ShBA-së dhe Kinës.
Nga Dr. Enriko Ceko
Sipas një sondazhi të kryer ditët e fundit nga Këshilli Europian mbi Marrëdhëniet e Jashtme (ECFR), shumica e të intervistuarve europianë preferojnë të rrinë neutralë mbi konflikt të mundshëm midis ShBA-së dhe Kinës.
Sondazhi i opinionit i kryer në prill 2023, në 11 shtete anëtare të BE-së (Austri, Bullgari, Danimarkë, Francë, Gjermani, Hungari, Itali, Holandë, Poloni, Spanjë dhe Suedi), tregoi se gati gjysma e të pyeturve e shohin Kinën si një “partner të domosdoshëm” dhe jo një kërcënim apo rival.
Në sondazh morën pjesë 16,168 qytetarë të bashkimit Evropian, që u pyetën për një gamë të gjerë temash.
Studimi tregon se instinktet e qytetarëve të Bashkimit Evropian për politikën e jashtme bashkëpunuese nuk kanë asnjë lidhje me polarizimin gjeopolitik.
Të pyetur për skenarin hipotetik të një konflikti midis Kinës dhe SHBA-së për Tajvanin, ata u pyetën se çfarë do të donin të bënte vendi i tyre. Një mesatare prej 62% deklaruan se donin neutralitet.
presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen/CFP
Duket se në BE ka dy linja, ajo e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që mendon se Kina po “përforcon qëndrimin e saj ushtarak” dhe se “përdor shtrëngimin në marrëdhëniet e saj me jashtë”, dhe linja e presidentit francez Emmanuel Macron, i cili kohët e fundit ka hedhur dukshëm në arenën ndërkombëtare të idesë së “ringjalljes së partneritetit strategjik dhe global me Kinën” dhe duke gjykuar sondazhin në fjalë duket se qytetarët evropianë anojnë nga këndvështrimi i Macron, duke shpresuar për bashkëpunim me Kinën dhe jo për një përballje.
Nga qytetarët e 11 vendeve, vetëm ata të Gjermanisë, Suedisë, Francës dhe Danimarkës e shikojnë Kinën si “rival” ose “kundërshtar”, ndërsa më shumë se 43% e tyre e shikojnë Kinën si “partner të domosdoshëm”.
Konflikti në Ukrainë e ka parë Evropën duke bashkëpunuar ngushtë me SHBA-në dhe shumica e qytetarëve pajtohen se Uashingtoni është një aleat ose të paktën një partner. Megjithatë, tre të katërtat e të anketuarve thanë se Evropa nuk mund të mbështetet gjithmonë te Uashingtoni dhe se ajo duhet të kujdeset për aftësitë e saj mbrojtëse. Vetëm 8% e qytetarëve besonin se SHBA-ja do ta mbrojë gjithmonë Evropën dhe për këtë arsye evropianët nuk kishin nevojë të jepnin përparësi për një kapacitet të pavarur ushtarak.
Raporti qartëson se evropianët kërkojnë që liderët e BE-së kanë një mundësi për të ndërtuar konsensus publik rreth qasjes së Evropës ndaj Kinës, SHBA-së dhe Rusisë, duke theksuar nevojën për të kuptuar se çfarë e motivon publikun dhe për të komunikuar qartë për të ardhmen.
Qytetarët e shumë vendeve evropiane e kanë bërë të qartë se nuk duan që kombet e tyre të rreshtohen me SHBA-në në ndonjë luftë të mundshme të ardhshme me Kinën.
Për të qenë specifik, 62% e të gjithë evropianëve të anketuar i thanë Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë se ata presin që udhëheqësit e tyre “të qëndrojnë neutral” nëse një konflikt i tillë shpërthen, dhe vetëm 23% deklaruan shprehimisht se kombet e tyre duhet të mbështesin automatikisht SHBA-në.
Në këtë anketë austriakët (80%) dhe bullgarët (79%) ishin më të vendosur për të qëndruar jashtë çdo lufte, ndërsa suedezët (49%), ishin të vetmit që nuk kishin opinionin e shumicës për neutralitetin, por edhe këtu vetëm me 1% ndryshim nga mesatarja.
Të dhënat e sondazhit nuk janë befasuese. Evropianët kanë mbajtur peshën më të madhe të konflikteve ndërkombëtare të këtyre 30 viteve të fundit, pasi është kontinenti evropian që është bërë strehë e miliona emigrantëve që kanë ardhur dhe vazhdojnë të vijnë në Evropë kryesisht nga Afganistani, Iraku, Lindja e Mesme, Afrika, etj. Përveç kësaj, janë qytetarët evropianë si taksapagues që kontribuojnë në shpenzimet militare në rritje të vazhdueshme të Bashkimit Evropian dhe gjithashtu edhe në mbështetjen dhe ndihmën ekonomike dhe financiare që jep Bashkimi Evropian dhe vendet evropiane individualisht në luftën për arritjen e objektivave të mijëvjeçarit për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për mbështetjen e vendeve të pa zhvilluara dhe të varfra.
presidenti francez Emmanuel Macron/CFP
Presidenti francez Macron gjatë vizitës së para disa javëve në Kinë tregoi se ai dëshiron që Evropa të vazhdojë t’a shohë Kinën si një partner. Ai ka thënë: “Pyetja që evropianët duhet t’i përgjigjen … a është në interesin tonë të përshpejtojmë një krizë në Tajvan? Jo. Gjëja më e keqe do të ishte të mendonim se ne evropianët duhet të bëhemi ndjekësit në këtë temë dhe merrni sugjerimin tonë nga agjenda e SHBA-së …”
Kancelari gjerman Scholz, që miratoi pak kohë më parë blerjen nga ana e një kompanie kineze të aksioneve minorancë të portit të Hamburgut, ka shkruar në fillim të këtij viti në revistën “Foreign Affairs” se: “Gjatë fazës së globalizimit pas Luftës së Ftohtë, Kina gjithashtu u bë një lojtar global, siç kishte qenë në periudhat e mëparshme të gjata të historisë botërore”.
Është fakt se ishte Kina dhe jo SHBA që ulën tensionet në Lindjen e Mesme, duke ndërmjetësuar zbutjen e tensioneve midis Iranit dhe Arabisë Saudite.
Është fakt se Kina ka piketuar dhe po investon në projekte madhore infrastrukturore mbarëbotërore, pjesë e nismës “Një brez, një rrugë”, dhe jo SHBA.
Hungari/CFP
Është fakt se Kina ndërmori iniciativën për uljen e tensioneve në lidhje me konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës, duke sjellë në Evropë të dërguarin e saj të posaçëm, dhe jo SHBA.
Sondazhet e kryera në internet përmes anketimit të opinionit publik nga ana e firmave të specializuara Datapraxis, YouGov, Alpha, Szondaphone dhe Analitiqs, mbi bazën e kampioneve që përfaqësojnë të tërë popullsinë e kombet përkatëse në këtë proces, treguan se qytetarët evropianë kërkojnë që qeveritë e tyre dhe drejtuesit e Bashkimit Evropian të dëgjojnë më shumë zërin e qytetarisë evropiane.