“Turneu i pretendentëve” i David Bronshtein, një libër klasik i shahut

Është fat i madh që shahistëve dhe masës së madhe të amatorëve shqiptarë të shahut po u bie në dorë ky libër i Bronshteinit,


Nga Gjergj M. Zavalani

Është fat i madh që shahistëve dhe masës së madhe të amatorëve shqiptarë të shahut po u bie në dorë ky libër i Bronshteinit, i pranuar nga mbarë bota shahistike si një vepër klasike e shahut dhe pa dyshim një ndër 10 librat më të mirë të shahut të të gjitha kohërave. Letërsia jonë shahistike në shqip (që deri në vitin 1990 kishte njohur botimin e vetëm disa librushkave dhe dispensave me shaptilografë) filloi të lëvizte mbas vitit 2000 kur filluan të përktheheshin e botoheshin ca libra, kryesisht për fillestarë, të shahistëve të njohur sovjetikë si Keres, Kotov, Averbah, Suetin etj. Si përkthyesa kontribuan mjeshtrat Omari e Seitaj, shahistët Semi Numani, Lefter Shabanaj, Arjan Bllaca, Luan Banushi etj. Dhe ja tani na erdhi kjo kryevepër e Bronshteinit të madh, e sjellë në shqip nga veterani i apasionuar i shahut tonë Semi Numani. Për herë të parë libri i Bronshteinit “Turneu Ndërkombëtar i mjeshtrave të mëdhenj; Noihauzen-Cyrih, 29 gusht – 24 tetor 1953” u botua në Moskë në tetor 1956 dhe njohu edhe dy ribotime në rusisht në vitet 1960 dhe 1983. Ai u përkthye në anglisht dhe u botua për herë të parë në Angli në vitin 1979. Unë jam njohur për herë të parë me këtë xhevahir të letërsisë shahistike në gusht 1980 në Peshkopi (ku shoqëroja si trainer të rinjtë e Skënderbeut në kampionatin e atij viti) nga i paharruari Agim Hito, shahist dhe trajner i apasionuar. Gimi e kishte si “Kuran” librin e Bronshteinit dhe shumë vite më vonë (aty nga v.1995) ma huazoi për një kohë të gjatë për ta studiuar. Mbas vdekjes së Agimit në v. 1998, familja e tij do ma dhuronte si kujtim librin e vyer të Bronshteinit.

Turneu i pretendentëve të Cyrihut -1953 (prej nga do të dilte fituesi që do të ndeshej me kampionin botëror në fuqi Mihail Botvinik në v.1954), mbahet nga ekspertët e shahut si gara më e fortë zyrtare në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore deri në fillim të viteve 90, në kuadrin e garave periodike vetjake 3 vjeçare që filluan të zhvilloheshin qysh nga viti 1948 për të përcaktuar rivalin e kampionit botëror në fuqi. Në turneun e Cyrihut – 1953 morën pjesë 15 mjeshtra të mëdhenj dhe të paktën 8 prej prej tyre simbas rezultateve të dy viteve të fundit bënin pjesë në dhjetëshen e parë të botës. Bronshteini në këtë superturne mundi të dilte vetëm në vendin II-IV së bashku me yjet e tjerë Keres e Reshevski. Turneu i pretendentëve i Cyrihut u fitua me meritë nga Smisllovi që humbi vetëm një ndeshje me Kotovin dhe i la me dy pikë pas (18 / 28) rivalët e tij të rrezikshëm Bronshtein , Keres dhe Reshevski.

Komentet e Bronshteinit në këtë libër që po u jepet lexuesve shqiptarë sot, janë të shkëlqyera e plot erudicion. Mbi të gjitha ato janë mësimdhënëse. Ai është i interesuar më shumë në idetë dhe konceptet se sa në linjat alternative të varianteve të ndryshme. Natyrisht që si artist krijues Bronshteini dallohet më tepër për komentet e tij në meslojë se sa për ato në hapje apo finale. Shumë njohës të shahut janë shprehur që ai me këtë libër na ka dhënë një lloj manuali mbi meslojën. Vërejtjet e Bronshteinit mbi gabimet e kolegëve të tij janë të çiltra dhe aspak keqdashëse. Ai u kujton lexuesve se edhe mjeshtrat e mëdhenj janë qënie njerëzore dhe si të tillë janë të paçliruar përfundimisht nga gabimet. Ai thoshte se lojërat e Turneut të Cyrihut – 1953 përfaqësojnë “një hap përpara në zhvillimin e krijimtarisë shahistike.”

Në rininë e tij Bronshteini ëndërronte të bëhej matematikan por rruga për në Universitet iu pre nga fillimi i Luftës më 1941 (në v.1935 babain e tij e përjashtuan nga partia bolshevike dhe në v.1937 e dënuan me shtatë vite punë të detyruar në Gulag) dhe, i përjashtuar nga shërbimi ushtarak për shkak të shëndetit të dobët dhe miopisë, ai u dërgua për të shërbyer në një spital ushtarak në Kaukaz. Gjatë luftës gjithë kohën e lirë ai ia kushtoi shahut duke studiuar me thellësi lojërat e Botvinikut (që tashmë ishte bërë figurë e njohur botërore e shahut) dhe ato të klasikëve të tjerë. Frutet e punës së tij të palodhur nuk vonuan të vinin dhe në kampionatin e BRSS-së më 1945 ai zuri vendin e III-të duke mbetur vetëm pas Botvinikut dhe mikut të tij të afërt Boleslavski.

Sukseset e tij në vazhdim (1948-kampion i BRSS-së së bashku me Kotovin dhe fitues i Turneut Ndërzonal të Saltsjobaden-it afër Stokholmit; 1949- përsëri bashkëkampion i B.R.S.S.-së me Smisllovin; 1950- fitues i Turneut të Pretendentëve të Budapestit mbas një maçi shtesë shumë të barazpeshuar me Boleslavskin) do të mbërrinin kulmin me barazimin e maçit për titullin botëror të shahut që u mbajt në Moskë në vitin 1951. Thashethemet se Bronshteini kishte qenë i detyruar ta humbiste maçin me Botvinikun vazhdojnë të dëgjohen edhe sot. Ai vetë në librin “Nxënësi i magjistarit”, 1995, shkruar bashkë me hollandezin Tom Fyrshtenberg, thotë: “Më kanë pyetur shumë, shumë herë nëse isha i detyruar ta humbisja lojën e 23-të të maçit dhe nëse kishte ndonjë konspiracion kundër meje që të më ndalte t’ia rrëmbeja titullin botëror Botvinikut. Shumë budallallëqe janë shkruar për këtë. E vetmja gjë që unë jam i përgatitur të them rreth gjithë këtij debati është se unë kam qenë subjekt i një presioni të fuqishëm psikologjik me prejardhje të ndryshme dhe se varej tërësisht prej meje t’i dorëzohesha ose jo atij presioni.” Në të njëjtin libër ai shprehet: “Unë kisha arësye për të mos u bërë kampion bote, mbasi në atë kohë një titull i tillë do të thoshte të hyje në botën zyrtare të burokracisë shahistike me shumë detyrime formale. Një pozicion i tillë nuk pajtohet me karakterin tim.” Bronshteini, ashtu si Rihard Reti dhe Aleksandër Aljehini para tij apo edhe Mihail Tali pas tij, e shihte shahun më së shumti si art, si krijim artistik. Në një rast ai ka thënë : “Shahu është imagjinatë”. Aq të zhvilluar e kishte imagjinatën Bronshteini sa një herë edhe në ëndërr në vitin 1961 ai ka fituar me gurët e zinj një lojë kombinative në Mbrojtjen Nimco-Indiane.

1.- d4 Kf6 2.- c4 e6 3.- Kc3 Fb4 4.- Fg5 h6 5.- Fh4 De7 6.- Kf3 d6 7.- Da4+ Kc6 8.- d5 ed 9.- cd De4 10.- Kd2 D:h4 11. – dc 0-0 12.- a3 Kg4 13.- g3 Df6 14.- ab D:f2+ 15.- Md1 b5
16.- Db3 Fe6 17.- Da3 Ke3+ 18.- Mc1 De1+ 19.- Kd1 D:d1 X

Në një farë mënyre për mendimin tim ai ishte eksponent i “shahut për shah”. Shpesh u shmangej rrugëve “shkencore” në hapje dhe vazhdimisht improvizonte. Matematikani, ekonomisti dhe veprimtari i shquar i shahut sovjetik Boris S. Vajnshtein ka shkruar për krijimtarinë e Bronshteinit librin “ Improvizimi në artin e shahut.” Thuhet që Vajnshteini (ky njihet nga elita e shahut shqiptar nëpërmjet librit “Mendimtari” kushtuar kampionit të dytë të botës në shah Emanuel Lasker) e ka ndihmuar shumë Bronshteinin në hartimin e librit mbi superturneun e Cyrihut-1953.

Gjithsesi Bronshteini dha një kontribut të shquar në teorinë e hapjeve. Sipas vlerësimit të ekspertëve ai mbetet një nga shahistët më të mëdhenj dhe më origjinalë të të gjitha kohërave. Në një listë mbi fortësinë e 60 lojtarëve më të fuqishëm të të gjitha kohërave botuar në janar 1987, Bronshteini renditet i 16-ti me koefiçient fortësie Elo (historike) 2670, fill mbas Keresit, Korçnoit dhe Spaskit. Në këtë listë që kryesohet nga Fisheri (Elo 2785), Bronshteini lë pas shahistë shumë të shquar si Rubinshtein, Tarrash, Fain, Pillsbëri, Shtajnic, Ejve, Geller, Bogoljubov, Boleslavski, Nimcoviç, Larsen, Portish etj.
Për mendimin e V. Korçnoit, pikërisht Bronshteini e kuptonte më thellë shahun nga të gjithë bashkëkohësit e tij. Bronshteini njihej para së gjithash si mjeshtër i sulmit që zotëronte një fantazi të rrallë shahistike; në kombinim me idetë e thella strategjike dhe llogaritjen e saktë, kjo cilësi e bënte atë jashtëzakonisht të rrezikshëm në pozicionet dinamike. Kërkimet e tij e pasuruan teorinë dhe praktikën e hapjeve si edhe meslojën me ide të reja. Trajtimi origjinal i Mbrojtjes Indiane të Mbretit i solli atij nje varg fitoresh të shkëlqyera. Në librat e veta Bronshteini zbulon jo vetëm përmbajtjen shahistike të lojërave, por edhe gjendjen shpirtërore të pjesëmarrësve të garës dhe karakteret e tyre krijuese.

Bronshteini qe njeri me kulturë të gjerë dhe fliste lirshëm disa gjuhë të huaja. Unë kam patur fatin ta takoj atë në Moskë, në shtator 2004, fare rastësisht. Ndodhesha për disa ditë me punë private në Rusi dhe natyrisht që shkova nja dy herë mbasdite edhe në klubin qëndror të shahut, Moske, në bulevardin që mban emrin e Gogolit të shquar. Aty lexova një lajmërim mbi promovimin e librit dy vëllimësh në rusisht me lojërat e zgjedhura të Viktor Korçnoit. Për mua paraqiste interes të veçantë ajo ngjarje pasi Korçnoin e madh e pata takuar dhe intervistuar një vit më parë (tetor 2003) në Plovdiv të Bullgarisë gjatë kampionatit europian ekipor të shahut.

Ndonëse isha me vonesë dhe qëlloi mot i keq me shi, u nisa vrap për të gjetur vendndodhjen e asaj veprimtarie. Kur mbërrita në destinacion (një hotel- restorant jo shumë larg Lubjankës famëkeqe) ne mbremje, veprimtaria kishte përfunduar, por fatmirësisht Korçnoi nuk kishte ikur, por ishte ulur për t’u çlodhur për kafe me ca miq të vjetër nga koha e tij sovjetike në një sallë të veçantë të atij hoteli. Jashtë shumë njerëz qenë grumbulluar për të takuar Korçnoin e ardhur nga Zvicra, por policët dhe portieri i ndërtesës bënin punën e tyre.

Mezi munda t’ia mbushja mendjen portierit që isha gazetar shahu nga Shqipëria dhe ai, mbasi shkoi e takoi Korçnoin dhe mori miratimin e tij, më lejoi të futesha brenda. Mbaj mend që nuk ishin më shumë se 5-6 veta dhe midis tyre njoha Bronshteinin (Fytyrën e tij e kisha fiksuar nga librat dhe nga revistat e shahut si dhe nga televizioni jugosllav qysh në fund të viteve ‘70) dhe një fotogazetar të pashëm me mbiemrin Dollmatovski, që e kisha takuar më parë në Olimpiadën e Elistës në vitin 1998. Korçnoi me mirësjellje më paraqiti tek Bronshteini dhe të tjerët e pranishëm.

Takimi qe i shkurtër dhe unë si dëgjues mundohesha të kapja diçka nga biseda e tyre në rusisht. Kur dolëm jashtë në shi, filluam bisedën në anglisht me Bronshteinin, i cili më tha se kishte ardhur posaçërisht nga Minsku i Bjellorusisë për t’u takuar me mikun e tij të vjetër, të cilin nuk e braktisi edhe në situata të vështira, madje duke marrë parasysh edhe pasojat për mosdenoncimin publik të aktit “tradhëtar” të Korçnoit më 1976. Mbaj mend që e pyeta Bronshteinin për lidhjen e tij fisnore me Trockin e famshëm (Ljev Davidoviç Bronshtein) por ai më dha një përgjigje shmangëse që as pohonte dhe as mohonte gjë. E vërteta është që Bronshteini me Trockin janë të një trungu në vijë mashkullore. Nuk mundëm të vazhdonim më tej bisedën për shahun, mbasi një shi i tërbuar na ndau pa mbërritur të përshëndeteshim me njëri-tjetrin. Nuk do ta harroj kurrë portretin fizik të David Bronshteinit, që nga larg të kujtonte një teknokrat tipik: i shkurtër, me ballë të gjerë e flokë të rëna, vetulla të spikatura e me syze. Në të folur ishte impulsiv e i drejtpërdrejtë, shkurt një mesdhetar i vërtetë.

Nga mesi i viteve ‘90 Bronshteini, tashmë me një pension të vobektë, e la Moskën tepër të shtrenjtë dhe u vendos bashkë me gruan e tij të tretë Tatjana Boleslavskën ( 22 vjet më e re nga ai, kritike arti dhe docente e Universitetit Pedagogjik Shtetëror të Bjellorusisë) në Minsk. Vitet e fundit të jetës Bronshteini i kaloi pak a shumë të qeta, por tashmë pak gjëra i zgjonin atij interes. Pak i tërhoqën vëmendjen edhe ngjarjet e revolucionit “portokall” në Kiev, të cilat i ndiqte në TV dhe rastësisht pa edhe shtëpinë ku kishte kaluar vitet e fëmijërisë. Filloi të ecte me vështirësi dhe shikonte keq për shkak të glaukomës. Megjithatë mjeshtri i madh parimisht nuk vizitohej dhe nuk merrte barna. Ai vdiq në 5 dhjetor 2006 në një spital të Minskut mbas një insulti hemorragjik të trurit. Me ndërgjegje deri afër fundit, Bronshteini para vdekjes shpesh përsëriste: “Unë po vdes dhe bashkë me mua po ikën një shtresë e tërë e kulturës shahistike.”

“Duke iu përveshur punës për veprën time të parë shahistike, unë mendërisht e vura veten në vend të lexuesit dhe kujtoja se me çfarë emocioni hapja çdo libër të ri mbi shahun duke shpresuar të gjeja në ‘të mendime të gjalla, fjalë të kuptueshme, një tregim mbi bukurinë e artit shahistik. Mësova shumë nga librat dhe deri më sot i kujtoj me mirënjohje më të mirët prej tyre…”

Me këto fjali e fillon Bronshteini parathënien e librit të tij të parë “ Turneu Ndërkombëtar i Mjeshtrave të Mëdhenj, Noihauzen-Cyrih, 29 Gusht – 24 Tetor 1953”.

Shpresojmë që amatorët tanë të shahut, pse jo edhe shahistët me tituj, të gjejnë kënaqësi artistike dhe të mësojnë nga libri madhor i Bronshteinit gjenial. Urojmë që përkthyesi i palodhur Semi Numani të na sjellë në shqip edhe vepra të tjera nga thesari i letërsisë shahistike botërore.

Përkujtohet Avni Mula në ditën e lindjes, Gonxhja: Vuri themelet e artit operistik

Për kontributin e tij si kompozitor është vlerësuar me titujt “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”.

Global 360

Armenia njeh pasaportat e Kosovës

Armenia nga sot njeh zyrtarisht të gjitha pasaportat e Kosovës, duke përfshirë ato të zakonshme, diplomatike dhe zyrtare.

Diplovista

Hetimet e SPAK-ut, Rama: I qetë e i vendosur që të vijojë beteja ndaj pandëshkueshmërisë

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri bën një bilanc të zhvillimeve kryesore të vendit, që nga përparimi në…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Përkujtohet Avni Mula në ditën e lindjes, Gonxhja: Vuri themelet e artit operistik

Për kontributin e tij si kompozitor është vlerësuar me titujt “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”.