Lamtumira e ëmbël e Yuri Kim!
“Lamtumirë Shqipëri, Toka e Shqiponjave!” – Ambasadorja amerikane përfundon detyrën diplomatike
Nga Dash Frashëri, botues i TiranaDiplomat.com
“Lamtumirë Shqipëri, Toka e Shqiponjave!”
Qysh kur diplomatja amerikane, Yuri Kim, u betua më 20 janar 2020 si Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, gjatë një ceremonie zyrtare në Departamentin e Shtetit, ajo e parandjente se do të hynte menjëherë dhe do të fitonte përjetësisht zemrat e shqiptarëve. Një vendi të vogël, shumë larg nga SHBA, por që ka një dashuri të pakushtëzuar ndaj shtetit më të fuqishëm në botë.
??️ | Yuri Kim u betua dje si Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, gjatë një ceremonie zyrtare…
Posted by U.S. Embassy-Tirana on Friday, January 10, 2020
Tashmë pas 41 muajsh qysh atëherë, kur ajo erdhi si ambasadorja e 17-të e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri , Yuri Kim largohet krenare nga “toka e shqiponjave”, ku ndjeu një mikpritje të jashtëzakonshme dhe një dashuri, ndoshta të panjohur për një diplomate të huaj.
E nisi “aventurën e saj” me prezantimin e Letrave Kredenciale te Presidenti Ilir Meta, dhe e mbylli atë me të tjera “letra”, me Presidentin Bajram Begaj.
E ëmëruar në detyrën e lartë, si krye zëvendës ndihmëse sekretare për Çështjet Europiane, ish-ndihmësja speciale në Zyrën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Colin Powell, nisi edhe “procesin e lamtumirës” , në përfundim të detyrës së saj në Shqipëri.
Më 28 maj, Ambasadorja Yuri Kim vizitoi Tropojën, duke shprehur mirënjohjen dhe dashurinë e saj për Tropojën, si një nga vendet e saj më të pëlqyera në Shqipëri.
Gjatë vizitës së saj në Bajram Curri, ajo u takua me qytetarë të zonës, duke vënë në dukje rrënjët e saj familjare në malësi, ambasadorja Kim falënderoi tropojanët për mikpritjen e tyre të ngrohtë dhe u tha atyre: “Kur jam me ju, ndiej se jam me familjen time.”
Yuri Kim e kishte vizituar Tropojën edhe më parë, dhe ra në “dashuri me të”.
Më 30 maj, Ambasadorja Yuri Kim vizitoi Shkodrën pas qëndrimit në Tropojë si pjesë e turit të saj lamtumirës në të gjithë Shqipërinë.
Ambasadorja Kim falënderoi njerëzit në veri të Shqipërisë që shfaqën historinë dhe karakterin e tyre dhe treguan ç’do do të thotë të jesh i fortë dhe besnik, të ngresh zërin për atë që beson dhe në të njëjtën kohë, të jesh i hapur ndaj botës dhe të tregosh mirësi ndaj të huajve. Ajo tha se u është përgjithmonë mirënjohëse shqiptarëve për mikpritjen, frymëzimin dhe shembullin e tyre.
Më 1 qershor, Ambasadorja Yuri Kim vizitoi bashkitë Skrapar dhe Libohovë për t’u thënë lamtumirë qytetarëve. Gjatë udhëtimit, ajo u ndal për të admiruar pamjet mahnitëse të Kanionit të Osumit dhe Kalasë së Libohovës. Ajo vizitoi gjithashtu Muzeun Etnografik dhe të Luftës në Çorovodë dhe u takua me banorët vendas në të dy rajonet.
Edhe Vlora nuk mungoi në vizitën e lamtumirës së ambasadores më të dashur për shqiptarët. Takime të rastësishme, takime të bukura.
Gjatë procesit te lamtumirës, Ambasadorja Yuri Kim u takua me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, Krytaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, Ministren e Jashtme, Olta Xhacka, si dhe Ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi, me të cilët ka punuar ngushtësisht.
Gjatë procesit te lamtumirës, Ambasadorja Yuri Kim u takua edhe me Këshillin e Lartë Gjyqësor, kreun e Sherbimit Informativ Shqiptar, SHISH, Vlora Hyseni.
Nuk mungoi edhe takimi me median, përmes një konference për shtyp.
“Dua t’ju shpreh diçka personale. Dua t’ju them se përvoja ime në Shqipëri më ka ndryshuar në mënyra të ndryshme. Do të largohem nga Shqipëria me respektin e thellë për historinë tuaj, traditat tuaja, këmbënguljen tuaj legjendare të shqiptarit. Do të largohem me mirënjohje për dashamirësinë dhe miqësinë tuaj.”
Mesazhet e fundit publike i dha me rastin e 247-të të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Ajo mori edhe bekimin e krerëve fetarë për detyrën e re!
“Do të largohem me simpati dhe solidaritet më të fortë për padurimi tuaj për një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj.
Dhe do të largohem nga këtu me një shpresë edhe më të madhe për këtë Tokë si e jona të Shqiponjës.”
Ajo ka lënë tashmë foton më të bukur të saj. Shënimin më të bukur të saj. Në Memorialin e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Mirupafshim Yuri Kim! Mirë se të vish në shtëpi! Tashmë e ke çelësin!
Tiranë, më 25 qershor 2023
LEXO ME SHUME PER AMBASADOREN YURI KIM