Golemi: Gjirokastra kryeqendra e folklorit dhe traditës

Në Gjirokastrën e bukur dhe turistike, artistë nga i gjithë vendi, diaspora e më gjerë  performuan përgjatë 8 netëve në këtë qytet


Për 8 ditë e netë feste në Gjirokastër, qyteti i gurtë u kthye në kryeqendrën kombëtare të promovimit të vlerave të folklorit dhe traditës, artistike dhe të trashëgimisë kulturore.

Kështu u shpreh në një intervistë për ATSH-në, kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi pas përfundimit të edicionit XI të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, që u zhvillua në kalanë e qytetit të gurtë nga 24 qershori, deri në 1 korrik.

“Me emocione të jashtëzakonshme përulemi me mirënjohje para të gjithë grupeve artistike pjesëmarrëse në festival nga jugu në veri, para grupeve nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, arbëreshët e Italisë e diaspora shqiptare. Çfarë u pa në skenën magjike të Kalasë së Festivalit apo përmes ekranit të medieve sociale, ishte kurorëzimi i një pune të gjatë e të përbashkët nën drejtimin e Ministrisë së Kulturës e posaçërisht të ministres Elva Margariti, të cilën e falënderoj për të gjithë përkushtimin e ditëpërditshëm”, tha Golemi.

Kryebashkiaku Golemi falënderon gjithashtu për punën e shkëlqyer të gjithë stafin realizues të festivalit si dhe artistët pjesëmarrës.

“Faleminderit artistëve të tjerë që mbushën ‘Sheshin e Çerçizit’ çdo mbrëmje me interpretimet e tyre dhe mbajtën festën gjallë deri pas mesnate. Shumë faleminderit grupeve të Gjirokastrës për emocionet e papërsëritshme që dhuruan mbrëmjen e 30 qershorit”, tha Golemi.

Golemi nuk harron pa përmendur edhe bizneset e familjet gjirokastrite që pritën e përcollën festivalistë e turistë.

“Kanë qenë ditë intensive për të gjithë, por unë e them me bindje se kapërcyem me sukses një sprovë të madhe teksa vijojmë përpjekjen e përbashkët për të rritur standardet e për t’u përmirësuar në çdo drejtim”, tha Golemi.

Pyetjes se çfarë masash mori bashkia për të afruar turistët dhe a u shtua numri i turistëve gjatë këtyre ditëve të festivalit në Gjirokastër, Golemi iu përgjigj se “natyrshëm, krahas promovimit të vlerave të traditës dhe atyre kulturore, Festivali Folklorik Kombëtar shërbeu si një pol i rëndësishëm për tërheqjen e turistëve, duke qenë një sipërmarrje model në këtë drejtim”.

“Paralelisht me prezantimin dinjitoz të vlerave kulturore të zonës, bashkia Gjirokastër prej muajsh ka qenë e angazhuar për sigurimin e kushteve të duhura në qytet për vizitorët dhe pjesëmarrësit në festival. Në këtë kuadër i jam shumë mirënjohës çdo punonjësi të bashkisë Gjirokastër dhe institucioneve të tjera vendore nga Këshilli i Qarkut, te Drejtoria e Policisë, nga Shërbimi Zjarrfikës te mjekët e infermierët për gatishmërinë që gjithçka të shkonte siç duhej”, nënvizoi ai.

Golemi bëri të ditur se strukturat e bashkisë morën masat e duhura përsa i përket mirëmenaxhimit të fluksit të turistëve në pikat turistike dhe muzetë që administrojmë duke ofruar një shërbim model.

“Kjo punë e bërë nuk do të kishte dhënë frytet e duhura pa bashkëpunimin me biznesin lokal dhe komunitetin, të cilët në këtë ngjarje me vlera të papërsëritshme për kulturën tonë kombëtare e prezantuan Gjirokastrën plot dinjitet ashtu si e meriton qyteti vlerë e UNESCO-s”, tha Golemi.

Lidhur me interesin e  të rinjve për folklorin e traditën, Golemi u shpreh se “pjesë e ansambleve dhe grupeve popullore që u ngjitën në skenën e Kalasë së Argjiros ishin edhe një numër i konsiderueshëm të rinjsh. Vajzat dhe djemtë nga të gjithë qarqet e vendit, por edhe Diaspora sollën plot talent dhe kolorit vlerat e kulturës sonë kombëtare duke na bërë shpresëplotë për trashëgimin e këngëve, valleve tradicionale, ritualeve, kostumeve popullore, etj në brezat e ardhshëm”.

“Në këtë kuadër edhe të rinjtë gjirokastritë dhanë një kontribut të vlefshëm si për prezantimin e vlerave artistike por edhe në shërbim të mysafirëve, vizitorëve dhe turistëve, duke bërë që ky edicion i 11-të të lerë gjurmë në historikun e Festivaleve Kombëtare”, shtoi Golemi.

Sa i përket aktiviteteve të tjera që do të zhvillohen gjatë verës për të tërhequr vizitorët në Gjirokastër, Golemi theksoi se “Festivali Folklorik Kombëtar ishte një pikë kulmore, që do të pasohet nga një program i larmishëm aktivitetesh gjatë muajve të verës. Në fillim të vitit ne kemi publikuar kalendarin e organizimeve vjetore, ku gjatë verës janë programuar aktivitete artistike, kulturore, çelje ekspozitash, shfaqje filmash, etj. Aktivitete të tilla si Open Cinema, Çeço Fest, Iso mbi kalldrëm, Divani lunxhot, Ditët e Kulturës Ndërkombëtare etj.”.

“Këto aktivitete synojnë gjallërimin e qytetit  dhe tërheqjen e turistëve vendas dhe të huaj, të cilët përgjatë verës do të jenë të shumtë”, tha Golemi.

Për më shumë se një javë, Gjirokastra ishte qyteti më turistik dhe kulturor, i hapur për të gjithë grupmoshat. Ai mirëpriti çdo artdashës, vizitor në kalanë historike dhe përgjatë gjithë qytetit përmes aktiviteteve të shumta dhe muzikës së Festivalit Folklorik Kombëtar.

Në Gjirokastrën e bukur dhe turistike, artistë nga i gjithë vendi, diaspora e më gjerë  performuan përgjatë 8 netëve në këtë qytet. Risia e këtij festivali ishte numri i madh i të rinjve që interpretuan në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër duke dëshmuar se sa brezat e rinj e duan dhe e përqafojnë muzikën folklorike. /ATSH

Rama: Kuvendi Kombëtar, pjesë e rezistencës kundër sulmeve barbare ndaj gjuhës shqipe

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Kuvendi Kombëtar për gjuhën shqipe është pjesë e rezistencës kundër sulmeve barbare ndaj gjuhës…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Rama: Kuvendi Kombëtar, pjesë e rezistencës kundër sulmeve barbare ndaj gjuhës shqipe

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Kuvendi Kombëtar për gjuhën shqipe është pjesë e rezistencës kundër sulmeve barbare ndaj gjuhës…