Rama: Clinton frymëzoi Europën dhe botën mbarë me forcën unikale të fjalës së tij
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se kontributi i Presidentit Bill Clinton për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit tonë do të mbetet një trashëgimi e çmuar në faqet e historisë.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se kontributi i Presidentit Bill Clinton për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit tonë do të mbetet një trashëgimi e çmuar në faqet e historisë.
Në ceremoninë e nderimit me “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike” të Presidentit të 42-të të SHBA-së, Bill Clinton, Kryeministri Rama u shpreh se nuk ka qenë kurrë më e vështirë për të sesa të përgatisë këtë fjalim.
“Të flas këtu duke e ditur se pas meje do ta marrë fjalën një njeri të cilit qysh përpara se sa të hyja në jetën e përditshme politike ia kam parë, dëgjuar, lexuar fjalimet, për shijen e jashtëzakonshme të udhëtimit drejt një bote më të mirë, në krahët e pasionit të tij prej Uliksi në kërkimin e një Itake paqeje, prosperiteti e dashurie mes njerëzve, ku rruga është vetë qëllimi i të gjitha përpjekjeve. E më pas jo vetëm ja kam riparë, ridëgjuar, rilexuar ato që ka thënë, por edhe studiuar se si i ka thënë për të mësuar jo vetëm prej përmbajtjes, por edhe prej artit të tij të pashembullt të komunikimit duke i analizuar ritmin, nënvizuar hapjet, kulminacionet, mbylljet, ndjekur intonacionin e përdorimin e duarve e mbi të gjitha, duke i admiruar atë që as nuk mësohet dot, as nuk tregohet dot, empatinë magjepsëse që e bën Presidentin Clinton një nga oratorët më të mahnitshëm që ka njohur historia”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje momente nga fjalimet e Presidentit Clinton në inaugurimin e tij të parë si President në janarin e vitit 1993 e deri tek fjala e lamtumirës në janarin e vitit 2001, ku këshillon këmbënguljen deri në fund.
Po ashtu, Rama rikujtoi pjesë nga fjala përpara memorialit të shpërthimit terrorist në Oklahoma City, ku Clinton tregon se rruga e pajtimit është e vetmja përtej dhembjes së shkatërrimit, apo nga fjala në memorialin e presidentit Franklin Delano Roosevelt, ku ushqen kurajën përballë çdo pengese”.
“Nga eulogjia në funeralin e kryeministrit të vrarë të Izaelit Yitzhak Rabin ku ngre lart tolerancën mbi çdo tundim hakmarrjeje, tek mbështetja për kandidatin e tij kundërshtar për shoqes së tij të armëve, në primaret e vitit 2008 ku na mëson zotnillëkun dhe solidaritetin në frontin e përbashkët të ideve dhe kështu vazhdimisht përmes qindra fjalimesh, njëri më i bukur se tjetri, por pa diskutim dhe falë faktit se ai thoshte atë që bënte dhe bënte atë që thoshte”, tha Rama.
Sipas tij, “Presidenti Clinton ia rrëmbeu zemrën Amerikës dhe frymëzoi Europën dhe botën mbarë me forcën unikale të fjalës së tij”.
Rama theksoi se “ai pararendi sivëllain e tij politik Toni Blair dhe hapi shtegun e rrugës së tretë në politikën europiane duke dhënë një kontribut historik jo vetëm për Amerikën, por për krejt shpirtin reformist të Europës të dalë nga pasperdja e hekurt, ku shembja e perandorisë sovjetike nxori në pah dhe ndryshkun ideologjik të së majtës europiane të cilës laburizmi i ri i Toni Blairit, e më tej qendra e re e Gerhard Schröder, i hapën rrugën e mbyllur në shumë vite duke i dhënë seriozitetin e alternativës qeverisëse dhe fuqinë për të shembur monopolin e konservatorëve europianë.
“”Një kritikë e përhapur e bazuar në një keqkuptim të madh mbi të majtën në pushtet të atyre viteve, është se ajo ishte shumë e adaptueshme ndaj politikave liberale, por e vërteta është se ato ishin vitet e një revolucioni ripërtëritës brenda të majtës europiane e cila ia doli të rikthehej në qendër të skenës politike me një fuqi rrezatuese si një e majtë kritike, por konstruktive; me autoritet, por jo autoritare; vizionare por jo fluturake. Ajo luajti një rol themelor në lëvizjen e ‘Europës Përpara’ përtej hendeqeve ideologjike në një botë besim-humbur tek ideologjia dhe rrezatoi aq shumë anë e mbanë, përfshirë dhe mbi vetë të djathtën në Europë por edhe mbi ne këtu në Shqipërinë e vogël sepse ishte një rrugë e tretë gjenuine, jo një zgjatje e përsëritur e të parës dhe e të dytës, po një e mesme vërtetësish dialektike për atë botë të traumatizuar nga lufta e ftohtë”, vijoi Rama.
Sipas tij, “rruga e tretë, metoda Clinton, e vendos fokusin tek përgjegjësia qytetare dhe recetat funksionale më shumë se sa tek vijat ndarëse në shoqëri dhe tek partizanllëku politik.
“Edhe për të majtën shqiptare, të dalë nga një bunker ideologjik ku ajo ishte mishërimi i më të keqes së komunizmit lindor, rruga e tretë ishte si uji në shkretëtirë dhe sedra nuk më lë të mos ua them, Zoti President, se sot e gjithë ditën Shqipëria është një nga të paktat vende rreth e rrotull, ku një parti e rrugës së tretë, vazhdon të qeverisë prej vitesh përmes reformash të paguxuara prej të tjerëve më parë dhe përmes fitoresh spektakolare”, shtoi ai.