Mungesa e një “vaksinë efikase” përballë largimit masiv të njerëzve të dobishëm të Shqipërisë!
Prandaj çdo lloj qeverisjeje i duhet që edhe për interesin e saj, nëse një e tillë ka për qëllim të jetë e dobishme, të rindërtojë me shumë kujdes dhe ta shohë zhvillimin individual por edhe atë shoqëror mbi produktivitetin
Nga Aranit Muraçi
Peter Linebaugh, në përmbledhjen e tij rreth një libri të vitit 1976 i William McNeill, “Plagues and Peoples” – Murtaja dhe popujt – vëren se mbijetesa jonë varet nga rezistenca ndaj dy llojeve të parazitëve, të mikro-parazitëve që banojnë në trupin tonë (bakteret, viruset) dhe makro-parazitët (klasat mbizotëruese) që në kontekste të ndryshme shfrytëzojnë, tatojnë, vrasin, grabisin, robërojnë, poshtërojnë njerëzit nga këndvështrimi i arsyeve të tyre ekonomike.
Mbijetesa e çdo lloj paraziti – vëren autori – varet nga mënyra sesi reagon pritësi i tij, ose nga vitaliteti i tij. Për këtë arsye është në interesin e parazitit, që të mos e dobësojë pritësin e tij deri në vdekje. E thënë ndryshe e dëshiron atë në kushte mbijetese për t’u ushqyer dhe mundësisht për t’u rritur mbi punën dhe produktin e tij. Autori këshillon se si zgjidhje duhet të arrihet një ekuilibër, aq sa pritësi duhet të lejohet të jetojë në masën që prodhon një tepricë për të ushqyer si veten ashtu edhe parazitin, sikurse atë mikro ashtu edhe atë makro.
Massimo De Angelis, profesor i Politikave Ekonomike dhe Ndryshimeve Sociale si dhe bashkëdrejtor i Qendrës për Drejtësi Sociale dhe Ndryshim në Universitetin e ‘East London’ parashikoi se pandemia e koronavirusit do të marrë fund, por nuk do të përmirësojë asgjë nëse me mposhtjen e një mikro-paraziti që e shkaktoi atë, ne do t’i lejojmë makro-parazitët të vazhdojnë të qeverisin jetët tona. Ndoshta duhet të bazohemi rreth të njëjtave teknika të kontrollit shoqëror të eksperimentuara për të luftuar mikro-parazitët. Është detyrë e qeverisjes të bazohet dhe të rindërtojë shoqërinë mbi produktivitetin tonë.
Ka qartësisht shumë ndryshime midis dy llojeve të parazitëve. Për shembull, për mikro-parazitin, trupi i sulmuar është kryesisht ai i individit, ndërsa për makro-parazitin, është kryesisht i gjithë trupi shoqëror. Pavarësisht dallimeve të tjera, kjo qasje e vendos jetën dhe mbijetesën tonë në mesin e dy fushave të forcës, një në një shkallë të lartë dhe një në një shkallë më të ulët, duke formuar dy kontekste veprimi dhe reagimi, domethënë, të marrëdhënieve, qoftë mes nesh ashtu edhe mes dy llojeve të parazitëve.
Në mesin e këtyre dy fushave të forcës janë subjektivitetet e turmës, subjektivitetet e shumta të tyre që lëvizin dhe reagojnë ose jo përballë dy parazitëve përgjatë fazave të ndryshme historike.
Efektet e mikroparazitëve mund të përdoren nga shoqëritë kundër makro-parazitëve, ose në të kundërt ato mund të përdoren nga makro-parazitët për të trullosur pjesën e shëndoshë dhe të dobishme të shoqërisë. Proces i njohur ndryshe si ‘përdorim politik’ i parazitëve. Në një konflikt të tillë pjesa më e madhe e shoqërisë, që është edhe më e dobishme, duhet të luftojë për të jetuar në një botë më të mirë, ose parazitët për të mbijetuar në një mjedis ku ata mund të përshtaten më mirë dhe të vazhdojnë të mbeten parazitë.
Në këtë kontekst, përdorimi politik i parazitëve është kryesisht një çështje emergjente, e cila lidhet me format e qeverisjes së mbijetesës sonë. Prandaj në një shkallë më të lartë të realiteteve individuale të prodhimit, teprica ka shumë rëndësi (prodhimi që rezulton nga puna për të ushqyer sa më tepër të tjerë). Së pari, nevoja për të ardhura minimale (bazë) për të gjithë, pra një algoritëm social, një mekanizëm automatik, që synon të kundërpërgjigjet ndaj ndikimeve negative të çdo krize të mundshme (shëndetësore, mjedisore, etj.) në sektorët më të dobët shoqërorë apo territorialë. Dhe së dyti duhen gjetur teknika dhe metoda efikase që të nxiten dhe inkurajohen njerëzit e dobishëm që të shkojnë gjithnjë e më tepër drejt produktivitetit, sepse nga pamundësia e një shoqërie për të luftuar si duhet makro-parazitizmin, nuk i mbetet gjë tjetër veçse ta ushqejë edhe atë.
Teprica si një parim i hapjes së politikës ndaj pjesëmarrjes në vendim-marrje duhet të inkurajohet dhe promovohet si zgjidhje për të forcuar njerëzit e dobishëm dhe për të minimizuar nga ana tjetër makro-parazitët. Pjesëmarrje do të thotë jo një moment thjesht konsultativ, por ajo duhet të shërbejë si një fuqi konstituive relacionale që transformon gjithnjë e më shumë hierarkitë e kontrollit në sisteme pjesëmarrëse në shumë shkallë ku zbatohet parimi i subsidiaritetit (vendimet e marra në nivelin më të drejtpërdrejtë të mundshëm të ndikimit të qeverisjes me qëllim përshtatjen e parazitëve në një mjedis ku ata të kenë mundësi të bëhen sa më produktivë, por gjithashtu duke i mbajtur sa më larg produktivitetit të të tjerëve).
Kriza e koronavirusit u pasua nga ajo e çmimeve, dhe tregoi se askund nuk do të përmirësohet asgjë me mposhtjen e një mikro-paraziti, nëse i lëmë makro-parazitët të vazhdojnë të orientojnë jetët tona, dhe nuk i luftojmë ndoshta rreth të njëjtave teknikave të kontrollit shoqëror të eksperimentuara për të luftuar njësoj siç veprojmë me mikro-parazitët. Prandaj çdo lloj qeverisjeje i duhet që edhe për interesin e saj, nëse një e tillë ka për qëllim të jetë e dobishme, të rindërtojë me shumë kujdes dhe ta shohë zhvillimin individual por edhe atë shoqëror mbi produktivitetin.
Në të kundërt, në epokën në të cilën jetojmë, globalizmi nga nevoja për produktivitet dhe cilësi do t’i ndajë dhe do t’i largojë njerëzit e dobishëm nga një mjedis ku parazitët shfaqen gjithnjë e më të dëmshëm dhe të rrezikshëm dhe do t’i çojë ata në mjedise më të sigurta. Pasojat nëse nuk gjejnë “ushqyesit” e tyre të zakonshëm, ku të priten siç ishin mësuar, në një kohë tjetër, herët a vonë, do të jenë të rënda jo vetëm për mbijetesën, por me shumë mundësi edhe fatale për makro-parazitët.