“Ahmetaj”/ Rama: Fjala i takon drejtësisë!
Kryeministri: Kërkesa e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të ish-zv.kryeministrit duhej miratuar
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot kërkesa e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, duhej miratuar, pasi Prokuroria vuri përpara dosjen e një pune voluminoze hetimore.
Në një deklaratë për shtyp pas votimit nga Kuvendi të kërkesës së SPAK-ut, Rama tha se tanimë është në dorën e drejtësisë të tregojë deri në fund në është një rast fajësie apo pafajësie.
“Arben Ahmetaj nuk është as një njeri i panjohur dhe as një bashkëpunëtor i largët për mua. Ai është një ndër bashkëpunëtorët me të cilët jam takuar më shumë, kam komunikuar më shumë në telefon, kam diskutuar më shumë për shumë nga vendimmarrjet tona gjatë këtyre viteve. Nuk më takon mua të them nëse Arben Ahmetaj është fajtor apo i pafajshëm, por ndryshe nga një rast i disa viteve më parë, kur ishim të bindur se kërkesa e prokurorisë duhej kufizuar dhe ashtu bëmë, rasti i sotëm ishte një rast kur kërkesa e prokurorisë duhej miratuar pa asnjë ndryshim. Sepse ndryshe nga atëherë, kur Prokuroria erdhi në Kuvend si lexuese gazetash të mëngjesit, pa bërë asnjë hetim, këtë herë na u vu përpara dosja e një pune voluminoze hetimore. Në mos e provoftë fajësinë e deputetit, çka mund dhe do ta thotë vetëm gjykata, ajo dosje krijon përshtypjen se ka dyshime të mjaftueshme, për të mos e ndaluar autorizimin e kërkuar nga SPAK-u për Kuvendin. Këtu mbyllet çdo koment i imi mbi rastin konkret. Tanimë është në dorën e drejtësisë të na e tregojë deri në fund në është një rast fajësie, apo pafajësie”, u shpreh Rama.
Kryeministri e ripërsëriti mesazhin e tij se kush e ngatërron rrugën e përbashkët me një rrugë ku bën dy punë, edhe për shtetin edhe për xhepin, merr një përgjegjësi që nuk e ndan dot as me të, as me PS-në, po duhet ta mbajë vetë.
“Më duket e udhës t’i rivendos edhe disa pika mbi “i”, për këtë rrugë që vazhdon me bekimin e shumicës së shqiptarëve. Kjo që kam zgjedhur, që ne, shumica politike e këtij vendi kemi zgjedhur, është një rrugë e përbashkët, ku të përbashkëta janë arsyet e mirëkuptuara, qëllimet e shpalluara, përpjekjet e bashkërenduara, po të përveçme, personale janë përjetimet e fuqisë që i është dhënë një individi, çdo individi, përkohësisht për të marrë vendime, të ndryshme janë virtytet e dobësitë njerëzore të secilit, raportet me veten, karrigen, paranë. E prandaj, edhe fati i rrugës së përbashkët është një, i përcaktuar nga e përbashkëta e përpjekjeve tona nën dritën e diellit, ndërsa fatet e bashkudhëtarëve në këtë rrugë nuk janë njësoj, për njëqind e një arsye, ama njëra ndër të cilat është niveli i rezistencës ndaj tundimit të pasurimit të paligjshëm, në ndërveprimet e panumërta për shkak të detyrës, larg syve të publikut dhe në kontaktet me gjithfarë njerëzish e interesash, që jeta në politikë apo institucione, t’i sjell në derë. Afërmendsh nuk është asnjëherë dot e mirë, një ditë kur kjo e vërtetë materializohet, duke marrë fytyrën e bashkudhëtarëve konkretë, sepse ndjesia lënduese, herë e zhgënjimit, herë e disproporcionalitetit, e herë e thjesht befasisë është e fortë, dhe vështirësia e tretjes së saj është e madhe, por në fund, mbetet gjithnjë fakti se të gjithë bëjmë zgjedhjet tona dhe zgjedhja ime nuk ndryshon dot në asnjë mënyrë dhe për asnjë rast. Prandaj po e përsëris edhe një herë sot për të gjithë familjen tonë politike, atë që e kam thënë me fjalë të tjera disa herë më parë, po e kam stërthënë shumë herë, qysh ditën e parë të hyrjes në këtë godinë, në të gjitha mbledhjet e takimet e të gjitha niveleve të qeverisjes, se kush e ngatërron rrugën e përbashkët me një rrugë ku bën dy punë, edhe për shtetin edhe për xhepin, merr një përgjegjësi që nuk e ndan dot as me mua, as me ne, po duhet ta mbajë vetë, qoftë kur del para pasqyrës, qoftë kur sheh lart nga Zoti, apo qoftë kur i bie të gjendet para derës së drejtësisë”, theksoi ai.
Kryeministri deklaroi se nuk zgjedh asnjë bashkëpunëtor për të mos e lëshuar, kur ai e lëshon veten jashtë rrugës së përbashkët.
“Ua kam thënë shumë troç, dhe po e rithem këtu publikisht para të gjithëve: Unë nuk zgjedh asnjë bashkëpunëtor për të mos e lëshuar, kur ai e lëshon veten jashtë rrugës së përbashkët, po çdo bashkëpunëtor e zgjedh për të mos lëshuar rrugën dhe njerëzit që na kanë zgjedhur të gjithëve ne për t’i udhëhequr në këtë rrugë”, shtoi ai.