Përse Kina nuk është Rusia…disa përsiatje konceptuale mes rrethanave aktuale
Shumë zëra të shquar akademikë kanë shprehur vazhdimisht se njehsimi i Kinës me Rusinë nuk ka vend.
Nga Dr. Marsela Musabelliu
Një nga librat më të analizuar në fakultetet e shkencave politike dhe studimeve strategjike në dy dekadat e fundit është “Tabra e Madhe e Shahut” shkruar nga Zbigniew Brzezinski, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare të SHBA-së. Ai shqyrton peizazhin gjeopolitik të Euroazisë dhe analizon strategjitë që formësojnë objektivat e politikës globale.
Botuar në 1997 libri u shkrua gjatë një periudhe tranzicioni në botë pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe shfaqjes së fuqive të reja. Ai identifikon katër objektiva kyç që politika e jashtme amerikane duhet të arrijë për të ruajtur “Primatin” në Euroazi: 1. Parandalimin e shfaqjes së një fuqie dominante në Euroazi 2. Kontrollin te burimet energjetike të Lindjes së Mesme dhe rajonet e Detit Kaspik (të cilat ai i quan Ballkani Euroaziatik) 3. Krijimin dhe të mbajtjen e një sistemi të qartë aleancash dhe partneritete kyç me shtetet në Evropë dhe Azi për të mbështetur projeksionin e fuqisë amerikane. 4. Përfshirjen në konkurrencë paqësore dhe bashkëpunimi me Kinën në Euroazi, por duke e parandaluar atë që të shndërrohet në një superfuqi rivale. Për të arritur këto objektiva Brzezinski sugjeron një sërë recetash politike duke përfshirë zgjerimin e NATO-s dhe integrimi i ish- Republikave sovjetike në një orientim perëndimor. Ai gjithashtu bën thirrje për qasje më me “nuanca” që kombinon mjete ekonomike, politike dhe kulturore të ndikimit për të arritur objektivat strategjike në Euroazi.
25 vite më vonë dhe duket sikur fjalët dhe mendimet e Brzezinsk-it janë aplikuar më përpikëmëri. Por, Kina e sheh veten dhe Rusinë në tjetër këndvështrim.
Kthjelltësia analitike kineze
Që në Kinë e njohin Rusinë mirë është fakt i ditur. Pas demarkacionit përfundimtar të kryer në vitin 2008, janë gjithsej 4,209 kilometra kufi midis tyre, dhe ky është kufiri i gjashtë më i gjatë ndërkombëtar në botë. Negociatat për kufirin kanë filluar që në vitin 1950 dhe kanë mbaruar pas 58 vitesh. Ndër dekada, ëshë negociuar kilometër për kilometër dhe është njohur natyra, karakteri dhe qasja e gjithësecilit. Është krijuar një traditë studimi dhe analizimi.
Në ditët tona, në nivel akademik, një nga njohësit më të mirë të Rusisë në Kinë, Prof. Feng Yujun, drejtor i Qendrës për Studime Ruse në Universitetin Fudan në Shangai është shprehur se psikologjia kombëtare e Rusisë ka disa karakteristika kryesore, të cilat në Kinë nuk gjenden dhe nuk kanë për të gjetur vend asnjëherë. Si p.sh, Rusia “lëviz vazhdimisht nga një ekstrem në tjetrin”. Kjo lloj karakteristike psikologjike është në gjendje të përmbysë nga njëra anë kulturën dhe historinë e qëndrueshme të vendit dhe të ndikojë në sistemin ndërkombëtar, duke formuar një ndjenjë kundërshtie. Rusia ushqen gjithashtu një ndjenjë viktimizimi dhe ekskluziviteti, duke çuar në kulturën strategjike të pasigurisë dhe frikës nga të tjerët në nivele të larta. Poeti rus Tyutchev shkroi në një poezi: “Racionaliteti nuk mund ta kuptojë Rusinë, dhe sundimtarët e zakonshëm nuk mund ta masin Rusinë.”
Pra, kinezët nuk po ndjekin klishetë e shkruara dhe të thëna mbi Rusinë, ata po punojnë më shumë për të studiuar Rusinë, për të kuptuar Rusinë dhe për të fituar njohuri për Rusinë në një hapësirë tredimensionale të përbërë nga zhvillimi historik, krahasimi botëror, interesat kineze dhe vlerat e përbashkëta të gjithë njerëzimit. Nga sa më sipër, kuptohet edhe ndryshimi drastik në qasje historike, analitike dhe reaktive që kanë Kina dhe Rusia.
Më zhvillimet e fundit në Ukrainë, përveç botës akademike kineze, edhe në nivel zyrtar, Kina kundërshton analogjitë midis vendeve, realiteteve, ose projeksioneve të ngjashmërisë që hidhen në sidomos diskurse mbi Ukrainën dhe Tajvanin. Sipas fjalëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme Kineze, “Të jemi të qartë Tajvani nuk është Ukraina” dhe “ata që luajnë dhe ndezin zjarrin për çështjen e Tajvanit do të përfundojnë vetëm duke u djegur”.
Euroazia e shekullit të XXI-të: Kina, Rusia, dhe konflikti në Ukrainë
Shumë zëra të shquar akademikë kanë shprehur vazhdimisht se njehsimi i Kinës me Rusinë nuk ka vend. Amerika po përdor luftën në Ukrainë për të rrethuar Kinën – por nuk ka arritur të bindë botën se po bën gjënë e duhur, shprehet një profesor kinez. Por, jo vetëm, intelektualët kinezë e përshkruajnë politikën e jashtme amerikane si të favorshme për të gjeneruar kaos në mbarë botën. Ky këndvështrim është mbajtur prej kohësh, dhe ngjarjet në Ukrainë vetëm sa e kanë forcuar këtë bindje të tyre. Pse? – Akademikët kinezë, mbështesin argumentet e tyre duke vënë në dukje zhvillime të tilla si prania e Japonisë dhe Koresë së Jugut në samitin e NATO-s 2022 në Madrid dhe përshkrimi i Kinës si një sfidë sigurie në konceptin strategjik të organizatës. Në këtë drejtim, mendimtarët kinezë dyshojnë se iniciativat e udhëhequra nga ShBA që synojnë Rusinë në Evropë ndajnë të njëjtin motivim si përpjekjet e ngjashme të bëra nga ShBA kundër Kinës në rajonin Indo-Paqësor përmes iniciativave Quad, AUKUS dhe të tjera. Ata besojnë se Uashingtoni po e përdor krizën për të ndërtuar më shumë lidhje midis aleatëve të tij në rajonin Indo-Paqësor dhe Euro-Atlantik. “Feudalizmi global” – ky është përshkrimi i dhënë në Kinë një sistemi të fragmentuar në të cilin hegjemoni vendos rregullat e veta mbi vendet e treta pa ofruar stabilitet ose të mira publike për të gjitha palët, veçanërisht në vendet e varfra. Edhe pse studiuesit pajtohen se ShBA-ja është ende në gjendje të mbledhë aleatët e saj tradicionalë, në Kinë gjykojnë se nuk ka arritur të fitojë zemrat dhe mendjet e shumë njerëzve në vendet aziatike, afrikane, latino-amerikane, etj. Nisur nga synimet e saj për të krijuar një botë me lulëzim të përbashkët, Pekini ka krijuar ofertat e tij në formën e Iniciativës së Zhvillimit Global, Iniciativës së Sigurisë Globale dhe së fundmi në Mars 2023, Iniciativës së Qytetërimit Global. Duke propozuar një mori formatesh bashkëpunimi, Pekini del me një qasje gjithëpërfshirëse me një fokus të veçantë për shumicën e vendeve në zhvillim.
Samiti i NATO-s në Lituani
Më 12 Korrik u mbajt në Vilnius samiti i NATO-s ku në komunikatën përfundimtare, Kina u përmend 15 herë, duke thënë se “ambiciet e deklaruara dhe politikat shtrënguese të Kinës sfidojnë interesat, sigurinë dhe vlerat tona” dhe se Kina parashtronte “sfida sistemike” për aleancën.
Menjëherë Kina shprehu kundërshtim për deklaratën, që si më parë edhe këtë herë, NATO-ja e lidh Kinën prapë me Rusinë. Ky është një qëndrim jo-konstruktiv dhe do të shkaktojë vetëm përshkallëzim të tensioneve. Kina kurrë nuk ka qene “aleate” e Rusisë dhe nuk ka detyrim të veprojë me të njëjtin hap të Moskës, dhe as ti japë llogari pjesës tjetër të botës se ku dhe si qëndron.
Wang Wenbin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme u shpreh specifikisht: “Marrëdhëniet Kinë-Rusi janë ndërtuar mbi bazën e mos-aleancës, mos-konfrontimit dhe mos-shënjeshtrimin e ndonjë pale të tretë. Ai vazhdoi duke thënë se Kina bën thirrje për të ndaluar akuzat e pabaza dhe retorikën provokuese që shënjeshtrojnë Kinën, dhe për të hequr dorë nga mentaliteti i vjetëruar i Luftës së Ftohtë.
Duke përshëndetur “partnerët” aziatikë në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut të mërkurën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg deklaroi “NATO është një aleancë rajonale midis Evropës dhe Amerikës së Veriut, por sfidat me të cilat përballemi janë globale dhe siguria jonë është e ndërlidhur. Çfarë ndodh në Rajonin Euro-Atlantik ka rëndësi për Indo-Paqësorin, dhe ajo që ndodh në Indo-Paqësorin ka rëndësi për Euro-Atlantikun”.
Por edhe vetë Samiti dy-ditor i Vilnius përfundoi me ndarjeve midis anëtarëve dhe kritika. Gjatë samitit pavarësisht përmendjeve të përsëritura të “punojmë së bashku” në komunikatë, u shfaqën një sërë mosmarrëveshjesh, duke përfshirë perspektivat e ndara për anëtarësimin e Ukrainës. Analistët kanë vërejtur mospërputhje të dukshme sepse ndërsa disa shtete të Evropës Lindore mbrojnë një angazhim përfundimtar në afatin kohor të Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania tregojnë hezitim për të shkuar përtej premtimit të tyre të mëparshëm se Ukraina do të bëhet përfundimisht një anëtare. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky e ka quajtur dështimin e NATO-s për të vendosur një afat kohor për anëtarësimin e vendit të tij “të pashembullt dhe absurd”.
Për më tepër, udhëheqësit e NATO-s dërguan sinjale të ndryshme edhe mbi Azinë në veçanti. Presidenti francez Emmanuel Macron tha në një konferencë për shtyp në fund të samitit se NATO duhet të mbajë fokusin e saj në rajonin e Atlantikut të Veriut. Ajo mbetet një Organizatë e Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe, çfarëdo që të thonë, gjeografia është kokëfortë: Indo-Paqësori nuk është Atlantiku i Veriut. Ne nuk duam që të duket sikur NATO po krijon legjitimitet për të qenë i pranishëm gjeografikisht në rajone të tjera, tha Macron.
Së fundmi, Kina nuk është Rusia, as ka qenë ndonjëherë si Rusia. Dy vendet kanë prioritete strategjike shumë të ndryshme, ka një ndryshim të madh në aftësitë dhe potencialet e tyre përkatëse ekonomike dhe ushtarake. Prioriteti strategjik i Kinës është ruajtja e një mjedisi paqësor të favorshëm për rritjen e saj ekonomike.
Ky dualizëm Kinë/Rusi u ravijëzua në çdo fjalim politik gjithmonë e më shpesh që prej aneksimit të Krimesë në vitin 2014, dhe më pas të gjitha shkrimet akademike dhe mediatike kishin të njëjtën inklinancion Rusia dhe Kina, gjithmonë në një fjali, gjithmonë bashkë, gjithmonë me tendencën së ato janë “të njëjta”. Dhe narrativa është drejtuar drejt faktit që në Euroazi kemi “armiq të përbashkët” dhe armiqtë ngjajnë me njëri-tjetrin.
Në rastin më të mirë, kjo quhet përtaci analitike, në rastin më të keq, po krijohet narrativa që do të zbusë aksionet e mëvonshme. Evropa dhe Perëndimi kanë ekspertë të shkëlqyer për këto çështje, edha ata i kanë dhënë mendimet e tyre, dhe kanë shkruar gjerësisht se Kina dhe Rusia, në këtë lojë shahu të gjeopolitikës në Euroazi nuk janë e njëjta gjë, por agjendës gjeopolitike nuk i kanë interesuar argumentat.
Burimi: CRI.CN