Makina ekonomike e Kinës nuk ndalet
Mbetet në vazhdimësi mbresëlënëse rimëkëmbja ekonomike e Kinës pas pandemisë.
Nga Dr. Enriko Ceko
Para disa ditësh u publikuan të dhënat statistikore për performancën e ekonomisë kineze për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023. Mbetet në vazhdimësi mbresëlënëse rimëkëmbja ekonomike e Kinës pas pandemisë. Një vrull ripërtëritjeje i funksionimit të të tëra ingranazheve të makinës ekonomike kineze vërehet përgjatë kësaj periudhe gjashtë mujore dhe pritet që ky vrull të vazhdojë edhe për pjesën tjetër të vitit 2023.
Foto: CFP
Sipas të dhënave statistikore të publikuara nga Byroja Kombëtare e Statistikave (BKS), prodhimi i brendshëm bruto i Kinës u rrit me 5.5% krahasuar me gjashtë mujorin e vitit 2022.
Sipas zëdhënësit të BKS, “(1)kërkesa e tregut është rikuperuar gradualisht, (2) oferta e prodhimit vazhdoi të rritet, (3) punësimi dhe çmimi në përgjithësi ishin të qëndrueshme dhe (4) të ardhurat e banorëve u rritën në mënyrë të qëndrueshme”.
Edhe gjashtëmujori i mëparshëm (pjesa e dytë e vitit 2022), pati një performancë të ngjashme me një rritje të PBB me 6.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 dhe kjo tregon qëndrueshmëri dhe vitalitet të ekonomisë në tërësi dhe të degëve dhe sektorëve të kësaj ekonomie në veçanti dhe kjo në një kohë kur mjedisi i jashtëm politik, ekonomik, social, kulturor, ligjor, mjedisor, teknologjik, etj., është bërë edhe më kompleks dhe edhe më sfidues, edhe pse niveli i mëparshëm i rikuperimit të rritjes ekonomike nuk ishte shumë i lartë për shkak të rritjes ekonomike më të ulët përgjatë periudhës së pandemisë.
Sipas BKS, prodhimi industrial në vitin 2022 u rrit me 3.8 për qind, krahasuar me vitin 2021 dhe po me të njëjtin ritëm u rritën edhe investimet në aktivet fikse.
Foto: CFP
I gjithë ky sukses vjen kur pritshmëritë e qytetarëve të Kinës, pritshmëri që janë gjithmonë e më shumë në rritje, arrihet të plotësohen në vazhdimësi, shtuar këtu se përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve në Kinë ka patur rritje të dukshme përgjatë tërë periudhës së të paktën dhjetë viteve të fundit.
Për periudhën prill – qershor 2023 rritja e PPB ishte 0.8% më e lartë krahasuar me tre muajt e mëparshëm, janar – mars 2023, dhe ky trend duket se do bëjë të mundur që objektivi vjetor i rritjes ekonomike prej rreth 5%, të mund të plotësohet dhe tejkalohet. Institucionet financiare ndërkombëtare dhe specifikisht Banka Botërore, e rriti me 1.3% më shumë pritshmërinë e rritjes ekonomike të Kinës, duke patur parasysh se ekonomia kineze ka qenë e aftë të përballet edhe me presionet inflacioniste në tregjet ndërkombëtare, duke bërë të mundur mbajtjen e inflacionit në vend nën kontroll, duke mos ndryshuar indeksin vjetor të çmimeve të konsumit. Pavarësisht pretendimeve të disa media ekonomike dhe financiare ndërkombëtare se Kina po kalon në një deflacion, duket se norma e ulët e rritjes së indeksit të çmimeve të mallrave të konsumit vjen paralelisht me mbajtjen nën kontroll edhe të indeksit të prodhimit të mallrave industriale dhe të komoditeteve bujqësore, gjë që sjell edhe më shumë siguri dhe garanci për sistemin e zinxhirit të furnizimit në ekonominë botërore, ku Kina po luan një rol gjithmonë edhe më të madh.
default[/caption]
Foto: CFP
Rritja me 8.2% e totalit të shitjeve të mallrave me pakicë dhe shifra prej 77.2% e normës së kontributit të rritjes së shpenzimeve të konsumit përfundimtar në rritjen ekonomike, tregojnë se ekonomia kineze është e orientuar drejt nga konsumi, ashtu siç është e orientuar drejt edhe nga prodhimi. Balanca midis prodhimit dhe konsumit dhe kontributi në rritje i Kinës në ekonominë botërore me lëndë të para, materiale dhe pajisje, produkte dhe shërbime gjysëm të përfunduar dhe produkte dhe shërbime përfundimtare, tregojnë më së miri shëndetin e ekonomisë kineze. Tashmë po bëhet mëse e dukshme në arenën transnacionale se nëse Kina do të teshtinte, atëhere do ishte e tërë bota që do sëmurej rëndë dhe kur themi bota bëhet fjalë për ekonomitë e vendeve të zhvilluara dhe në zhvillim.
Për këto arsye është vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) që ka shtuar pritshmëritë që ekonomia e Kinës të kontribuojë në afërsisht 1/3 (33%) të rritjes globale në vitin 2023. Kjo bën që edhe besimi që kanë sipërmarrësit vendas dhe të huaj për të bërë biznes në Kinë të rritet. Tashmë bëhet e ditur se përfaqësues të drejtimit të nivelit të lartë të kompanive të tilla si Apple, Tesla, Starbucks, etj, kanë vizituar Kinën në kërkim të mundësive të reja aktuale të bërjes së biznesit. Kjo është edhe arsyeja se përse çdo vit në Kinë hapen rreth 30 – 40.000 biznese të reja vendase dhe të huaja.
Rritja ekonomike e qëndrueshme afatgjatë kërkon zgjerim të kërkesës agregate dhe kjo kërkesë agregate është e mundur që të realizohet nga (1) përmirësimi i eficiencës dhe efikasitetit të sektorëve të industrive të shërbimeve si udhëtimi, hoteleria, turizmi dhe transporti, që ndikojnë kryesisht në përmirësimin e indeksit të veprimtarive të biznesit joprodhues, (2) rritja si në sasi ashtu edhe në cilësi e investimeve në asetet fikse, (3) rritja e investimeve në industritë e teknologjisë së lartë, (4) inciimin dhe vazhdimin e projekteve të mëdha të infrastrukturës në sektorët e energjetikës, prodhimit dhe magazinimit të ujit, transportin dhe llojet e reja të infrastrukturës, (5) rritja e kërkesës për financim të SME-ve në të tërë sektorët, zgjerimi i zhvillimit të jetës rurale dhe shtimi i investimeve në bujqësi dhe agrobiznes, etj. Kjo duke bërë të mundur integrimin e prodhimit bujqësor dhe industrial, për të sjellë në Kinë një raund të ri të revolucionit teknologjik dhe transformimit rural, bujqësor, industrial dhe teknologjik, për të kultivuar një sistem ekonomik modern dhe për të arritur zhvillim me cilësi të lartë.
Tashmë në Kinë ka filluar një proces inovativ dhe produktiv komunikimi midis qeverisjes dhe përfaqësuesve të komuniteteve të biznesit për përmirësimin e kushteve të bërjes së biznesit. Si rezultat i këtyre komunikimeve dhe konsultimeve të dyanshme, në Kinë janë paraqitur mjaft politika që synojnë nxitjen e konsumit të brendshëm dhe investimet vendase dhe të huaja.
Nga ana tjetër, rritja me 11.9% e të ardhurave buxhetore në katërmujorin e parë të vitit 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duket se do ndikojë pozitivisht edhe në çlirimin e potencialit të konsumit dhe të prodhimit. Konsumi dhe prodhimi përbëjnë bazat e ekonomisë kineze dhe këtu një element shumë të rëndësishëm përbëjnë investimet.
Në vazhdimësi pritet që politikat në nxitjen e sektorit privat të fokusohen kryesisht në (1) shmangien e barrierave të hyrjes në treg, (2) zgjerimin e kanaleve të financimit për projektet e investimeve private, (3) ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare, (4) hapjen e mëtejshme të tregut vendas për investimet e huaja dhe (5) nxitjen e pjesëmarrjes së huaj në tregun financiar kinez. Këto masa do e bëjnë edhe më të sigurt dhe edhe më të pandalshme ekonominë kineze.