Xhaçka: Raporti i fundit i PE për Shqipërinë është provë e fortë e mbështetjes
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka mori pjesë në takimin e 16-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka mori pjesë sot në takimin e 16-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE.
Xhaçka u shpreh në fjalën e saj se, “Parlamenti Evropian është mbështetës i madh i Shqipërisë në rrugëtimin e saj evropian.
“Raporti i fundit i PE për Shqipërinë është provë e fortë e mbështetjes”, theksoi Xhaçka.
Xhaçka u shpreh se, “situata e sigurisë në Evropë është dramatike pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës”.
“Ballkani Perëndimor ndihet i kërcënuar dhe me arsye të mirë. Rajoni ynë prej kohësh është në qendër të përpjekjeve ruse për të prishur projektin euroatlantik”, tha ajo.
Xhaçka shtoi se, “pas luftës në Ukrainë, integrimi i rajonit në BE ka marrë një vrull të ri. Urojmë që kjo përpjekje të jetë e qëndrueshme dhe e përshpejtuar”.
“Presim mbajtjen e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare deri në fund të vitit. Kjo do të dërgonte një sinjal të fuqishëm të besueshmërisë së perspektivës së BE-së për rajonin”, tha më tej Xhaçka.
Xhaçka u shpreh se, “një perspektivë e prekshme e anëtarësimit është parandalimi më i mirë i përpjekjeve që synojnë destabilizimin. Shqipëria po bën çmos për të përmbushur të gjitha kërkesat në këtë aspekt”.
Duke folur për reformën në drejtësi, Xhaçka tha se, “ka dhënë rezultate të prekshme. SPAK ka dhënë disa vendime të rëndësishme përfundimtare për zyrtarë të lartë të shtetit”.
“Bashkëpunimi i frytshëm me shtetet anëtare të BE, Europol dhe Eurojust ka sjellë rezultate të prekshme. Kemi treguar angazhim në luftën ndaj prodhimit dhe trafikimit të kanabisit. Progres në sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve të lidhura me krimin e organizuar”, theksoi ministrja Xhaçka.
Xhaçka u shpreh se, “Shqipëria ka bërë përparim të qëndrueshëm në zbatimin e Planit të Veprimit të Taskforcës së Veprimit Financiar. Kemi përfunduar shqyrtimin e tre grupeve të para të negociatave. Presim miratimin e raportit të shqyrtimit mbi grupin themelor dhe hapjen e negociatave për këtë grup”.
“Shqipëria është e përkushtuar ndaj vlerave thelbësore të BE. Kemi forcuar rolin tonë si një partner i besueshëm dhe konstruktiv në rajon. Shqipëria ka dhënë kontribut proaktiv për sigurinë e Ballkanit Perëndimor”, theksoi Xhaçka.
“Shqipëria ka treguar rol aktiv dhe domethënës në mbështetjen e Ukrainës në Këshillin e Sigurimit”, tha Xhaçka, duke shtuar se, “Shqipëria ka paraqitur kandidaturën e saj në KDNJ për periudhën 2024-2026”.
Sa i përket mbështetjes së konvergjencës ekonomike të vendeve të rajonit, Xhaçka u shpreh se, “presim me padurim zbatimin e Planit të ri të Rritjes me 4 shtylla. Zbatimi i vazhdueshëm i Planit Ekonomik dhe Investimeve për BP, do të ngushtojë hendekun e zhvillimit ekonomik me BE”.
‘Konvergjenca ekonomike do të jetë temë kryesore e kryesimit të Procesit të Berlinit nga Shqipëria”, tha Xhaçka.