Pse jemi kaq të varfër?
Vërtet kemi faj ne shqiptarët, që jemi kaq të varfër?
Nga Lumo Skëndo
Pse jemi kaq të varfër?
Vërtet kemi faj ne shqiptarët, që jemi kaq të varfër?
Shumë njerëz, duke parë që në Shqipëri s’ka rrugë, s’ka ura dhe me gindra njerëz bien dhe thyejnë qafën nga rripat a mbyten në lumenjtë; duke parë që askund s’ka shkolla dhe gjindja është e ngarkuar në padije e në egërsi; duke parë që 9/10 e shqiptarëve vuajnë urie dhe të këputin shpirtin, thonë: “Shqipëria ësht’e varfër!”
Shqipëria është si një lopë, të cilën e mjelin, po s’e ushqejnë as me kashtë! Ashtu edhe Shqipërisë i marrin ç’ka e ç’nuk ka dhe e lënë të thatë e të varfër. Vështroni sesi:
Në të katër vilajetet e Shqipërisë, mot për mot qeveria nxjerr një libër (vittregonjës); për atë që ka sy dhe di të shohë, në këtë vittregonjës, ka shumë gjëra për të kuptuar:
Janina zë në mot (ka të ardhura) afro 28.500.000 grosh dhe prishen në një mot afro 12.000.000 grosh. A e shihni shqiptarë se teprojnë 16.500.000 grosh në mot?
Vilajeti i Manastirit zë në mot 55.300.000 grosh dhe prishen vetëm 25.000.000 grosh, domethënë teprojë afro 250.000 lira në mot. Në vilajetin e Shkupit teprojnë në mot më tëpër se 200.000 lira. Nga Shkodra s’para teprojnë.
A mendohi pak, o vëllezër, ku venë dhe ç’bëhen këto afro 300.000 lirat? Njeriu pse paguan për të dhjetën? Pse paguan për udhët? Pse paguan për shkollat? Pse paguan për çdo bagëti? Për të mos pasur udhë, për të mos pasur shkolla, apo për t’i pasur të gjitha këto?
Përse paguajnë shqiptarët, që të vijnë hajdutët dhe dackanarët e t’i rrjepin?
Këto duan pak menduar; njeriu ka mendje të mendohet; në mos u mendoftë, s’quhet njeri. Ne paguajmë se na kërkojnë, po rrojmë më keq se kafshët. S’kemi siguri dhe nder, as në gjë, as në shpirt. Tek rri në shtëpi, vjen kusari e të vret; vjen një i lig e të rrjep! Ke një djalë, s’ka shkolla të mira (le që s’ka as të liga) ku ta dërgosh. Paguajmë për shkolla, por shkolla shqipe s’kemi! Duam të ecim, po rrugë nuk ka, duam të shesim drithin, kali s’shkon dot në udhët!
Këto gjëra a i kini menduar ndonjëherë gjer’ e gjatë, o shqiptarë?
Të themi, ku venë ato 500.000 lirat, që teprojnë nga Shqipëria? Këto të holla venë në Stamboll! Në Stamboll janë ca halldupë me bark të madh, që marrin mite (ryshfet) dhe as një mizë punë s’bëjnë. Për të ushqyer ata derra të butë, derdhin djersë me mijëra shqiptarë!
Prapë të themi: sikur të tëra të hollat, që merren nga vendi ynë të prisheshin për të mirën tonë, vendi ynë do t’ish si lule. Merrni me mend, pastaj, sa i lumtur do të jetë populi ynë, kur të jemi të lirë e të qytetëruar; kur të punojmë të tërë me gjithë shpirt; kur të çelen baltot, të punohen metalet dhe pyjet, kur të kemi udhë të hekurta, kur të jemi të sigurt që s’vjen njeri të na ndalojë, kur të kemi dituri e të lulëzojë bujqësia, tregtia e mjeshtëria, kur të mos trembemi më nga uji (përmbytja), nga zjarri dhe nga Valiu! Ahere do të jemi me të vërtetë të lumtur. Ahere do të kuptojmë se paskemi rrojtur si shtazët. Ahere do të na vijë tmerr, që s’jemi zgjuar ca më parë.
Kemi vend të bukur, jemi njerëz të mirë, kemi veti të pëlqyera, jemi zemërbardhë dhe gjithë të huajt (përveç halldupëve), kur na zënë në gojë, na lavdojnë. Po kemi një të metë të madhe, që sduam veten tonë!
Lumo Skëndo
Kalendari Kombiar, 1899
Foto: Mid’hat Abdyl Frashëri (Lumo Skëndo) 20 vjeçar në Stamboll në vitin 1900
Marrë nga faqja në Facebook: Mid’hat Abdyl Frashëri