Mendësia e “armikut të popullit dhe partisë” në kapitalizëm, si garanci kapitullimi në ekonomi!
33 vite pas rënies së komunizmit në Shqipëri lipset një studim për të kuptuar sistemin ekonomik dhe atë politik
Nga Aranit Muraçi
33 vite pas rënies së komunizmit në Shqipëri lipset një studim për të shpjeguar rrugëtimin e sipërmarrjeve që janë rritur nga konkurenca e ndershme e tregut të lirë si dhe të zhvillimit të karrierës individuale në bazë të analizës së rezultateve konkrete rreth produktivitetit, për të kuptuar sistemin ekonomik dhe atë politik, në të cilin kemi vendosur të jetojmë.
Tre vjet pas Revolucionit Rus, ekonomisti austriak, Ludwig von Mises, parashikoi dhe argumentoi se komunizmi do të dështonte si sistem ekonomik dhe shpjegoi arsyet pse. Komunizmi ose socializmi nuk mund të arrijnë sukses në ekonomi, shkroi Mises në vitin 1920, përderisa shfuqizoi tregjet e lira në mënyrë që të mos ekzistonin çmimet e tregut për t’i orientuar drejtuesit qeveritarë në planifikimin e prodhimit. Mises ishte relativisht i panjohur kur bëri parashikimin e diskutueshëm, por edhe pas vdekjes në vitin 1973, teoritë e tij vazhdojnë të fitojnë adhurues të shumtë.
Siç theksoi Mises, lëndët e para, puna, mjetet dhe makineritë e përdorura në prodhim, në ekonomitë socialiste, do të mbeteshin jashtë tregut, në pronësi të shtetit, dhe do të kontrolloheshin nga planifikuesit shtetërorë. Askush nuk mund t’i blejë ose shesë ato. Asnjë çmim tregu nuk mund të zhvillohej, përderisa ato nuk ishin të këmbyeshme.
Nga ana tjetër tregu modern, i ndikuar nga zhvillimet e teknologjisë, informacionit dhe transportit, bëhet gjithnjë e më i ndërlikuar. Prodhuesit, në sistemin komunist, duhet të merrnin parasysh alternativat kur vendosnin se çfarë duhet të prodhojnë. Për shembull, planifikimi i një hekurudhe të re. A duhet të ndërtohet? Nëse po, ku? Dhe si? A është ndërtimi i hekurudhës më urgjent sesa ndërtimi i një ure, ndërtimi i një dige për të prodhuar energji elektrike, zhvillimi i fushave të naftës ose kultivimi i më shumë tokave bujqësore? Apo janë më urgjente shpenzimet në ushtri dhe ndërtimi i bunkerëve për t’u mbrojtur nga armiku, qoftë edhe nga armiku imagiinar?
Asnjë planifikues, qoftë edhe nëse zotëron një staf statisticienësh të shkëlqyer, nuk do të arrijë të sfidojë ligjet e tregut të lirë. Për të marrë vendimet e duhura, planifikuesit duhet të dinë vlerat relative – raportet e këmbimit ose çmimet e tregut – dhe të faktorëve të panumërt të përfshirë në prodhim. Kur këta faktorë janë në pronësi të qeverisë, mungon tregtia, dhe rrjedhimisht, mungojnë çmimet që përcakton tregu. Pa çmimet e tregut, planifikuesit nuk kanë asnjë të dhënë për vlerat relative të lëndës së parë, apo të hekurudhave, fushave të naftës, tokës bujqësore, termocentraleve, bunkerëve, urave ose banesave. Në mungesë të çmimeve të tregut për faktorët e prodhimit, planifikuesit asnjëherë nuk do të dinë se si të koordinojnë dhe kanalizojnë prodhimin për të kënaqur nevojat më urgjente të konsumatorëve.
Në plan politik, komunizmi shpenzonte më tepër energji për të identifikuar “armikun” ndryshe nga përpjekja që bëhej në një sistem demokratik për të përmirësuar produktin dhe shërbimet, për të kënaqur nevojat konsumatore si dhe për të mbetur sa më konkurues në treg.
Një ndër dobësitë e mëdha të sistemit komunist që kontribuoi në kapitullimin e tij ishte energjia negative e shpenzuar për dekada me radhë nga më shumë se gjysma e popullsisë, energji të cilën e kërkonte partia në emër të “luftës së klasave’. Për të identifikuar ‘armikun e popullit dhe të partisë’ kërkohej vigjilencë e madhe nga të gjithë ata të cilët besonin se nuk ishin ‘armiq’ të tyre. Thuhej se dy në tre vetë ishin spiunë të njëri-tjetrit. Nga frika se mos shkonin për ‘dhjamë qeni’, siç thotë populli, në komunizëm njerëzit përpiqeshin në radhë të parë të tregonin në çdo moment dhe të ishin sa më bindës se nuk ishin “armiq të brendshëm” tek ata të cilët mbanin postet më të larta në parti. Dhe pastaj duhet të ishin edhe produktivë! Por përmbushja e këtyre dy objektivave krijonte brenda individit një konflikt të brendshëm dhe të panevojshëm.
Ndërsa i tërë kapaciteti mendor se kush po i spiunonte, për çfarë, pse dhe si, ashtu si edhe frika se mos nga ‘heronj të punës socialiste’ në mbrëmje zgjoheshin papritur në mëngjes nën akuzën e rëndë si ‘armiq të popullit dhe partisë’, i mundonte deri në torturë njerëzit gjatë komunizmit, aq sa punën dhe produktivitetin e kthenin në plan të dytë, ndërsa kolektivizimi i detyronte në disa raste, kur zbuloheshin armiqtë rreth e rrotull tyre, të mohonin shoqërinë, të afërmit deri edhe familjarët.
“Zbuluesi” më i mirë mund të ishte joproduktiv dhe mediokër në çdo punë tjetër që mund t’i besohej, por meqë dinte të nuhaste dhe të identifikonte “armikun” kjo dhunti i jepte atij prioritet në parti, dhe një mundësi të shkëlqyer për karrierë.
Në rastet kur nuk gjendej ose mungonte armiku me çfarë pune dhe rezultatesh do të mund të justifikohej “zbuluesi”? A mund ta sajonte zbuluesi, i cili zotëronte më tepër “talent” në zbulim, armikun që e rivalizonte në ndërmarrje, parti, shoqëri deri edhe në romancë apo dashuri?!
Kina komuniste, në fund të viteve ‘70, e kuptoi këtë gabim të madh ideologjik mes dy sistemeve. Ndoshta e vërtetoi shkencërisht nga përvoja e saj në Shqipëri, duke krahasuar defektet tona me progresin e sistemit kapitalist, në perëndim. Kina edhe pse si sistem politik vazhdon të ndjekë modelin komunist sot dhe jo atë demokratik, si ndryshim nga ish vendet sovjetike zhduku konceptin e “luftës së klasave”.
Si sistem ekonomik “de facto” Kina pranoi dhe lejoi kapitalizmin ashtu si në perëndim, duke garantuar garën dhe tregun e lirë, madje me rregulla më strikte, ndërsa zhvillimin e konceptoi mbi analizën krahasuese të rezultateve konkrete të punës, produktivitetit, talentit dhe konkurencës.
Kur Kina u prish përfundimisht me Shqipërinë, vendi ynë u zhyt për një dekadë në izolim. Gjatë dekadës së fundit, para kapitullimit të sistemit në tërë bllokun sovjetik, Shqipëria e thelloi varfërinë në krahasim me vendet e tjera të Europës, sikurse nuk hoqi dorë në zbulimin e “armiqve’ të radhës, përfshirë edhe ish-kryeministrin, numrin dy të partisë, i cili e kishte udhëhequr vendin ‘me dorë të hekurt’ për më shumë se tri dekada.
Prandaj sot, plot 33 vite pas rënies së komunizmit, për të shmangur rrezikun e një kapitullimi të dytë ekonomik, lipset një studim dhe një reflektim i gjerë politik. Nëse ekziston një, qoftë edhe një ndërmarrje private ose shtetërore, që bazohet në analizën e punës dhe të meritës, talentit, krijimtarisë dhe produktivitetit mbi ndonjë projekt që lejon dhe zhvillon karrierën individuale të shqiptarëve, dhe gjithashtu nëse sipërmarrja e lirë private funksionon sipas ligjeve të tregut, si dy parime bazë të zhvillimit dhe progresit ekonomik, është i lutur të ndihmojë me të dhëna dhe statistika konkrete çdo ish-ministër i ekonomisë ose i financave në këto tri dekada!
Individualisht çdokush mund ta ketë konstatuar me lehtësi se sa kohë dhe energji është shpenzuar gjatë tri dekadave të fundit nga shqiptarët (djathtas si për ironi më tepër sesa majtas), në mungesë të analizës së rezultateve të punës dhe produktivitetit, për ‘zbulimin e armiqve imigjinarë’ në të gjitha ndërmarrjet, shtetërore dhe private, sipas parimit të kapitullimit të ‘luftës së klasave’.