Siguria publike kërkon politika gjithëpërfshirëse
Sistemi i organeve shtetërore dhe politikat në fushën e sigurisë
Nga Prof. Asoc. Dr. Bajram Yzeiri
Organet shtetërore përgjegjëse, për forcimin e nivelit të sigurisë, kanë ndërmarë disa ndryshime organizative në Policinë e shtetit, duke përforcuar strukturat vendore e njësitë e posaçme të shërbimit për turizmin, si dhe ato të luftës kundër krimit, sidomos atij ekonomik e kibernetik. Këto janë një zhvillim pozitiv i politikave të qeverisjes në fushën e rendit e sigurisë dhe duhen përshëndetur e mbështetur. Informacioni i pakët mbi këto zhvillime nuk mundëson të dimë, nëse po bëhet reformë e thellë mbi bazën e ndonjë studimi të përgatitur për gjëndjen e brëndëshme të Policisë e atë të sigurisë, të shoqëruar me programin apo strategjinë e zhvillimit; apo po bëhen vetëm disa ndryshime e forcime të pjesëshme organizative. Nëse është kjo e fundit, duhet të pranojmë se gjëndja e sigurisë nuk është ekzaminuar e diagnostikuar plotësisht dhe rruga e ndjekur nuk ndryshon nga politika e mëparëshme. Analizuar me kujdes ndryshimet e ndërmara, nuk janë plotësisht në harmoni me filozofinë e përcaktuar në dokumentat strategjik për sigurinë, (strategjinë e sigurisë kombëtare 2014-2020 që ende nuk është ripunuar dhe atë të sigurisë në komunitet 2021-2026); të cilat ia ngarkojnë përgjegjësinë e sigurisë, gjithë sistemit të organeve dhe orjentojnë zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse. Shprehur më thjeshtë, ndryshimet e ndërmara brënda Policisë së shtetit, janë vazhdim i politikave të mëparëshme, ku për 32 vjet siguria publike është konceptuar në mënyrë të njëanëshme, duke e identifikuar si përgjegjësi të një organi (Policisë së shtetit) dhe lënë jashtë vëmëndjes zhvillimin e unifikuar të sistemit me të gjithë mekanizmat shtetërorë e shoqërorë. Për të evituar përsëritjen e gabimeve të viteve të mëparëshme si dhe kontribuar sado pak në zhvillimin e ndryshimeve më të thella në sistemin e mekanizmave shtetërore dhe Policinë e shtetit, po sjell në vëmëndje disa mendime e sugjerime, si më poshtë. Në vlerësimin tim, ndryshimet duhen fokusuar tek
Sistemi i organeve shtetërore dhe politikat në fushën e sigurisë
Gjëndja e sigurisë publike lidhet me shkallën (nivelin) e mbrojtjes e garantimit të lirive e të drejtave themelore të njeriut nga ngjarje e burime të ndryshme të rrezikut. Ajo përfshin sigurinë individuale, të brëndëshme, të komunitetit, njerëzore etj dhe si e tillë ndikon në cilësinë e jetës së qytetarëve, ndaj dhe është shumë e ndjeshme dhe e diskutushme në mjedisin ku jetojmë. Duke vlerësuar mekanizmin shtetëror, politikat e qeverisjes dhe efektivitetin e tyre në jetën e përditëshme, rezulton se ka përmirësim të dukshëm në tregusit sasiorë e cilësore të kriminalitetit e viktimizimit si dhe në vlerësimin (përceptimin) e opinionit publik; por problemi duhet analizuar më gjerë, duke konsideruar të gjithë faktorët dhe burimet e rrrezikut. Faktorët kompleksë që ndikojnë në burimet e ndryshme të rrezikut dhe gjëndjen e sigurisë si dhe problemet shumëdimensionale që ajo ka, shtrojnë nevojën e analizës më të thellë, duke u fokusuar së pari tek sistemi i organeve përgjegjëse e funksionimi i tyre dhe pastaj tek organet e veçanta siç janë Policia e shtetit e agjensì të tjera ligjzbatuse.
Disa probleme që mund të konsiderohen për forcimin e sistemit të sigurisë:
1. Konceptimi/standartizimi/vlerësimi i sigurisë dhe sistemit të organeve përgjegjëse.
Siguria si koncept, dukuri dhe gjëndje me rrezikshmëri shoqërore, që aktualisht përcaktohet e vlerësohet në kuptimin e ngushtë, duke iu referuar kriminalitetit, (sidomos atij të dhunshëm); ka nevojë të zgjerohet e standartizohet institucionalisht në nivel kombëtar, duke vlerësuar të gjitha pasojat e shkaktuara nga burimet e ndryshme të rrezikut (në kuptimin e gjërë); pra përveç krimit edhe ngjarjet aksidentale, fatkeqësitë natyrore, epidemitë etj të cilët rrezikojnë/dëmtojnë sigurinë individuale, atë shoqërore e shtetërore. Kjo do të krijonte një përfytyrim më të qartë e real të nivelit të sigurisë e faktorëve ndikues dhe ndihmonte në unifikimin dhe zhvillimin e politikave më efikase në këtë drejtim. Gjëndja dhe standartet e sigurisë, nuk janë thjeshtë problem i Policisë apo menaxhimit nga drejtusit e saj, por më i gjërë e kompleks; ku ndërthuren shumë organe shtetërore e organizma shoqërore, përfshi dhe sipërmarjen private. Në mënyrë figurative, sistemin e sigurisë mund ta paraqesim në formën e rrathëve, të cilët lidhen ngushtësisht midis tyre dhe përfshijnë: a) organet e pushtetit e administratës publike që marin vendime e zhvillojnë politika e shërbime publike në nivelin qëndror e atë vendor, b) organet e specializuara (të administratës), ku përfshihet Policia e shtetit dhe agjensi të ndryshme ligjzbatuse, që kanë përgjegjësinë për zbatimin e mbrojtjen e ligjit dhe afrimin e shërbimit të parandalimit, mbrojtjes e sigurisë, c) sipërmarja private, përfshi dhe në fushën e sigurisë; shoqëria me organizmat e saj, media dhe vetë qytetarët për mbrojtjen e të drejtave e lirive të individit, d) sistemi i drejtësisë, i cili jep drejtësi për zgjidhjen e konflikteve të ndryshme civile, shkeljeve administrative, dënimin e autoreve të veprave penale dhe rivendosjen e të drejtave të shkelura. Sistemi i organeve, kërkon unifikim e saktësim të përgjegjësive, autoriteteve, raporteve midis tyre, istrumentave të kontrollit dhe indikatorëve të vlerësimit. Fjala është për organet e larta shtetërore, ministrinë e brëndëshme e ministritë e tjera dhe ente të ndryshme; këshillat në nivelin vendor; organizmat kolegjiale, si komisionet parlamentare; këshilli/komiteti i sigurisë; organet e specializuara për mbrojtjen dhe zbatimin e ligjit, si Polici e shtetit, ajo e burgjeve, bashkiake, SHISH, mbrojtja nga zjarri, agjensia e mbrojtjes civile, e parandalimit të pastrimit të parave, krimit kibernetik etj; komitetet ndërministrore, për probleme të ndryshme të parandalimit të dukurive që ndikojnë në fushën e sigurisë e luftës kundër krimit të organizuar, drogës, mbrojtjen e mjedisit etj, si dhe këshillat e sigurisë vendore (KSV), të krijuara në vitet e fundit, të cilat kanë nevojë për forcim të pushtetit dhe vendimarjes.
2. Ngritja komitetit apo Agjensisë kombëtare, (në nivelin qëndror). Aktualisht mungon një organizëm i tillë për të analizuar e vlerësuar në mënyrë të unifikuar informacionin e kërcënimet; peshuar skenarët e vendimarjes si dhe kapacitetet operacionale e ato të kordinimit midis agjensive; paraqitur Kryeministrit, Presidentit dhe autoriteteve të larta shtetërore, në kohë reale peshën e kërcënimeve dhe vendimmarrjet respektive; si dhe punuar per formulimin e strategjisë të sigurisë kombëtare dhe harmonizuar atë me strategjitë e tjera sektoriale apo sipas fushave (të Mbrojtjes, sigurisë publike, luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit etj), monitoruar realizimin e objektivave sipas matricës së detyrimeve ndërinstitucionale në këtë fushë etj.
3. Rivlerësimi i planifikimit, (programeve e strategjive) dhe planeve të veprimit. Qëllimi është që planet të thjeshtohen sa të jetë e mundur e harmonizohen vertikalisht e horizontalisht dhe përcaktohen istrumentat e kontrollit e vlerësimit. Programet dhe planet e veprimit, duhet jo vetëm të jenë në harmoni e funksion të filozofisë së bashkëqeverisjes, por dhe ti japin prioritet politikave të parandalimit të krimit të dhunshëm (kundër jetës e pronës, familjes, sigurisë publike) dhe mbrojtjes të të drejtave të qytetarëve.
4. Materjalizimi i ndryshimeve në legjislacion, duke miratuar një ligj të ri mbi, ‘’Organet dhe Autoritetet e sigurisë publike’’, i cili aktualisht mungon dhe ndikon në proçesin e bashkëpunimit dhe nxjerjes së përgjegjësive; si dhe ndryshuar e plotësuar ligjet ekzistuse, për Administratën shtetërore, Organet e qeverisjes vendore, Prefektin, Policinë e shtetit, Policitë e agjensitë e tjera ligjzbatuse, Policinë bashkiake, Rregullin e qetësinë publike, Mbrojtjen civile, armët, lëndët e substancat e tjera të rrezikshme, biznesin etj.
Zhvillimi i standarteve të Policisë së shtetit e agjensive të tjera të specializuara
Tashmë Policia e Shtetit është me status civil, e organizuar sipas modelit perëndimor, e centralizuar e profesionale dhe e aftë për të kryer misionin dhe përgjegjësitë e saj. Ajo ka dhënë prova për mbrojtjen e rendit e sigurisë dhe luftën ndaj krimit, forcimin e ligjit dhe autoritetit shtetëror, sidomos në periudha krizash e fatkeqësish që ka kaluar shteti e shoqëia jonë (vitet 1990 – 1992, 1997- 2001 dhe 2019 – 2021). Pyetja që shtrohet është, nëse janë ndryshimet organizative, çelësi i duhur për të zhvilluar (ngritur) nivelin e sigurisë? Përgjigjet, janë të ndryshme në vartësi të indikatorëve që përdoren dhe vlerësimit që u bëhet, faktorëve e tregusve të punës. Eksperienca e viteve tës mëparëshme, ka treguar se trajtimi i problemit (organizimit), si një çështje e brëndëshme (e mbyllur) dhe fokusimi tek ndryshimet organizative (rregullim i strukturave e përgjegjësive, lëvizje e drejtusve e punonjësve etj); duke lënë jashtë vëmëndjes problemet dhe masat e tjera të rëndësishme për zhvillimin e standarteve institucionale; nuk ka dhënë rezultatin e dëshiruar. Për sa më lart, problemi kërkon studim dhe analizë më të thellë e objektive, sepse përveç organizimit që mund të realizohet lehtë, do të duhet të zbuten e zgjidhen të gjithë faktorët e shkaqet që ndikojne në pasigurinë, koruptimin e demotivimin e personelit, për të çliruar energjitë dhe motivuar punonjësit në kryerjen e detyrave. Ndryshimet doemos që do sjellin përmirësime, por keto nuk mund të jenë cilësore në standartet e organizatës dhe veprimtarinë e saj, nëse nuk do gjënden e përdoren instrumentat e duhur për të shtuar përkushtimin dhe rendimentin e punonjësve në punë. Zhvillimmi i nivelit të sigurisë, kërkon ndryshime cilësore si brënda organizatës e veprimtarisë të saj, ashtu dhe në sistemin e mekanizmit shtetëror që ka përgjegjësi për sigurinë, të shprehur më lart. Në vlerësimin tim, Policia e shtetit vuan më shumë nga sëmundja e; ‘’ Dëmtimit të vlerave (gjakut), parimeve të veprimtarisë dhe sigurisë brënda saj’’; si dhe ‘’ Drejtimi (politik e profesional) jo koseguent e i përgjegjshëm’’, se sa nga çorganizimi.
Dëmtimi i vlerave, parimeve të veprimtarisë dhe sigurisë brënda rradhëve të saj
Në ndryshim nga vlerat e larta morale, profesionale, atdhedashëse e të besnikërisë ndaj ligjit që kanë treguar punonjësit e kësaj organizate për 32 vite, duke rënë në krye apo për shkak të detyrës 421 punonjës; në veprimtarinë e përditëshme është përhapur sëmundja e abuzimit në detyrë e shprehur me veprime koruptive, pasivitet e indiferencë në detyrë, dhe në jo pak raste duke bashkëpunuar me krimin për të përfituar. Këtë sjellje e ka nxitur edhe shëmbulli i zyrtarëve të shtetit e punonjësve të drejtësisë në mjedisin e jashtëm; por shkaku kryesor do kërkuar brënda Policisë, tek drejtimi, kontrolli e sidomos qëndrimi tolerues ndaj këtij fenomeni. Politikat e zbutura për rekrutimin dhe pastrimin e rradhëve të Policisë, kanë kompromentuar integritetin dhe sjellë pasiguri e mosbesim brënda rradhëve të Policisë, ç’ ka do të duhet shumë punë për ti kthyer e përforcuar këto vlera në motivuse. Lidhur ngushtë me vlerat, parimet dhe besushmerinë në to, është dhe siguria juridike e punonjësve, për plotësimin e të drejtave të dhëna nga ligji (ushqimi, strehimi e ndonjë e drejtë tjetër nuk respektohen); vëndin e punës dhe zhvillimin e karierës; si dhe shpërblimin e punës, në raport me rrezikshmërinë që paraqet lufta kundër krimit.
Drejtimi jo efiçent e profesional e në mjaft raste edhe i gabuar nga organet drejtuse në ministri e Polici
Edhe pse organet drejtuse në ministri dhe Policinë e shtetit nuk e pranojnë këtë, mendoj se ato janë përgjegjëse për zhvillimin e politikave dhe zbërthimin e zbatimin e tyre në veprimtarinë praktike. Mjafton të kujtoj disa prej tyre, si: Mos realizimin plotësisht të objektivave për zhvillimin e reformës së planifikuar në vitin 1999 (shndrimi i Policisë në një shërbim publik civil) dhe të tjerave në vazhdim, sipas ligjit organik e programeve të miratuara, e cila ka cënuar parimet e organizimit, depolitizimit, demilitarizimit, decentralizimit dhe trasparencës. Mosnjohja nga ekipet drejtuse në ministri e Polici e programeve dhe parimeve të reformës dhe interpretimi i tyre sipas interesave të çastit, ka ndikuar në cënimin e parimeve të rëndësishme dhe bërjen e ndryshimeve organizative të pa nevojshme. Mungesën e stabilitetit brënda organizatës dhe rradhëve të Policisë, për shkak të ndryshimeve të shpeshta organizative dhe ndryshimit të drejtimit duke nxitur krijimin e ekipeve, mbi bazën e njohjes, shoqërisë e anësisë politike dhe levizjeve pa kriter të personelit. Prej disa vjetësh personeli po përjeton gjëndje jo të mirë për të mos thënë krizë, sidomos në nivelin e mesëm e atë të lartë drejtues, ku niveli arsimor e profesional është heterogjen, (shumë drejtues me diploma B e grada të dhuruara). Dobësimin e strukturave të luftës kundër krimit, të cilat në ushtrimin e funksioneve të policisë gjyqësore i kushtojnë vëmëndje administrimit të krimit të ndodhur e shumë pak zbulimit për zbardhjen e krimeve të rënda e atij të organizuar. Metoda e lënies së përgjegjësisë, prokurorisë dhe gjykatës, e inkurajuar edhe nga drejtimi në ministri, ka justifikuar paftësinë dhe punën e dobët të strukturave përgjegjëse; ç’ka duhet flakur, duke ndryshuar përgjegjësitë, proçedurat dhe metodologjinë. Rendimenti i ulët i Policisë gjyqësore në luftën kundër krimit, për shkak të problemeve në organizim, nivelit arsimor e profesional, mënyrës së drejtimit dhe istrumentave të vlerësimit. Mospërfshirja në reformën e sistemit të drejtësisë dhe vonesa në vetingun brënda Policisë, ka dëmtuar integritetin dhe frymën e luftës kundër krimit. Shpresoj që organet përgjegjëse të kenë programuar gjithcka që duhet për kurdisjen e orës të strukturave kundër krimit, duke organizuar veprimtarinë mbi bazën e inteligjencës, fuqizuar deri në 50% personelin; larguar inaktivët, të paaftët e inkriminuarit dhe aplikuar shpërblimin mbi pagën bazë për punonjësit e suksesshëm. Mungesën e vullnetit për ndryshimin e kritereve të vlerësimit të zbulushmërisë së krimit. Ende Policia vazhdon të raportojë në mënyrë fiktive dhe mburet me fuqinë zbuluse ‘’të lartë’’, deri ne 85 % dhe ministria e organet e tjera kënaqen, duke e ditur që shumica e veprave janë të vetëzbuluara dhe mbi 1/3 e ngjarjeve që raportohen të zbuluara, pezullohen për zbulimin e autorit nga prokuroria. Konformizmi midis dy organeve, ‘’për të mos e trazuar shejtanin’’, ka krijuar pasivitet, mungesë vullneti e përkushtimi dhe ndikuar negativisht në zbulimin e krimit të rëndë e atij të organizuar. Nëse ekziston vullneti për ti konsideruar, këto e të tjera mangësi në sistemin e organeve shtetërore të sigurisë dhe Policinë e shtetit në veçanti, si dhe në politikat e zhvillimit dhe menaxhimin e nivelit të lartë; do të përbënin drejtime e alternativa pune për zhvillimin e standarteve institucionale dhe paramentrave të sigurisë individuale e asaj publike. Forcimi i ligjit dhe kapaciteteve në fushën e sigurisë, nuk arihet duke bërë thjeshtë disa ndryshime organizative në një organ të vetëm (Policinë e shtetit). Ai kërkon; krijimin e një sensi urgjence, që organet shtetërore dhe shoqëria të dalin jashtë ambjentimit dhe adresojnë e kapërxejnë pengesat kryesore; zhvillimin e gjithë mekanizmit shtetëror dhe institucioneve të sigurisë; menaxhimin efiçent të sektorit të sigurisë; forcimin e trasparencs dhe marrëdhënieve me shoqërinë, sipërmarjen e lire e qytetarët dhe ngritjen e rrjetit monitorues të sigurisë, me studiues që mund të kontribojnë në fushën e sigurisë.
Burimi: Shtetiweb.org