Klaudeta dhe Petrika Riza, dy miq të mirë si Korça e bukur

Një kafe dhe shumë mbresa. Një kafe dhe malli kishte mbushur gotat tona.


Nga Bujar Qesja, Mjeshtëri Madh

Ndodhem në Voskopojë prej 1 gushtit 2023. Rrugëtimet e mia të përditshme, nga Durrësi në sektorin “Teuta” të Plazhit, u zëvëndësuan me rrugët malore të Voskopojës. Ngjyra blu e detit, që është tapeti i përjetshëm i durrsakëve, u zëvëndësua me qilimin e gjithkohëshëm, bërë i gjëlbër i tëri të Voskopojës. E një 72 vjeçari, i duhet të ecë i shoqëruar nga bastuni simbolik i maleve, në tatëpjetat e poshtëpjetat, e relievit të thyer të Voskopojës. Klima e nxehtë, zëvëndësohet sa të hapësh e të mbyllësh sytë, me atmosferën shumë të freskët të lartësive 1300 metrave mbi nivel.

Qendrimi në Voskopojë, nuk më ka kufizuar lëvizjet duke qenë i bindur, se kam rastin më të mirë të njihem me shumicën e vendëve që rrethojnë Korçën. Kemi parë dhe qendruar në Vithkuq, në Bulgarec, në Polenë, në Voskop e Gjonomadh, në Lekas, në Ersekë, në Rehovë, duke prekur edhe Borovën historike. Mbresat janë të jashtëzakonshme. Ajo që më gëzon është, se po thyhet koncepti se “nuk ke se çfarë të bësh këtu”. Ka edhe emigrantë, që po shikojnë mundësinë e rikthimit dhe po shërbejnë veçanërisht në turizëm, ku këto zona kanë të theksuar shërbimet kulinare.

Voskopoja ime, ka prekur veçanërisht edhe takimet me miqtë, ku kam mundësinë më të mirë që të hidhem deri në Korçë, e të kuvendoj me ta. Rasti më i freskët është takimi me 22 gusht 2023, me çiftin e njohur korçar Klaudeta dhe Petrika Riza. Brezi ynë nuk e fal miqësinë, por e thellon më shumë atë. E çmon si ajri që thith dhe e ruan si fëmijën.

-Petrika të pres në Voskopojë, të kalojmë një ditë së bashku. Kemi rastin më të mirë, për ti hedhur më shumë mjaltë miqësisë tonë.

Dhe miku i thekur, i miri dhe i urti Petrika Riza, ma kthen pa u menduar gjatë:
-Po sikur të vini me zonjën tuaj, këtu në Korçën tonë. Të dalim mbase edhe tek “Antoneta” e Boboshticës. Ti kishe bërë një shkrim shumë të bukur për Ed Pinon dhe tërë familjen e gruas së tij, fëmijë të çiftit aq të shkëlqyer Antoneta dhe Maqo Kristo.

Nuk ia prishëm Petrikës. Së bashku me Kostandinën dhe Geaanën, ulemi në Korçë dhe menjëherë na merr në dorëzim çifti bujar, i mbulur i tëri me fisnikërinë dhe mikpritjen dehëse korçare, aktorët profesionistë dhe qytetarët nga më të kulturuarit Klaudeta dhe Petrika Riza. Na ka lidhur me Petrikën, koha kur drejtonim dy teatrot e njohura, ai “Andon Zako Çajupi” të Korçës dhe unë “A. Moisiu” të Durrësit. Ishte fillimi dhe mesi i viteve 2000. Por edhe vetë Petrika, bëri lidhje të përjetshme, me zonjën e respektuar, nga aktorët më në zë të teatrit të qytetit kryesor juglindor të vendit, Klaudeta Riza.

Petrika dhe Klaudeta, ishin veshur me të bardha. Aty kam vënë re se e bardha e tyre, shkonte paralel me bardhësinë e zemrave të tyre. Fytyrat u shkëlqenin dhe nuk ishte e detyruar, të merrnin ndihmë nga rrezet plot dritë të diellit. Respekti dhe vlerësimi çfaqej, që në veshjen e tyre. Kulturë korçare tipike. Zemëra të mbushura me ndjenjë miqësie dhe sinqeriteti. Po edhe kjo tipike korçare. Respekt mbi 100 përqind, për miqtë e mirpritur nga Durrësi, por që vinin nga Voskopoja e afërt. Tregues ky i prodhuar në traditat dhe edukatën familjare të fisit Riza.

I shpreha mikut të madh, i cili po ndjente ndjeshmërinë maksimale për mikpritjen, se kisha probleme me hollimin e gjakut. Disa shenja nuk po më pëlqenin dhe i kërkova të testohem, për analizë urgjente në një laborator.

-Hidhu shpejt në makinë! Hajde këtu. Është nga laboratorët më të mirë në Korçë.

Respekti për Petrika Rizën e tejkaloi atë që mendoja, se ishte njeri me peshë në Korçën e tij të vendlindjes. Një doktor i njohur dha porosi, që të dilte brenda pak minutash formula ime e gjakut dhe mbi këtë bazë të testohej emergjenca. Por e dija përgjigjen, pa e konfirmuar laboratori. Gjaku im u qetësua dhe iu dorëzua së mirës, sapo më mori në ngarkim, miqësia e pastër dhe e sinqertë e çiftit Riza. Unë, Kostandina dhe Geana, ishim të siguruar. Këta janë miqtë tanë. Kjo është Korça, “e bukura lule”.

Një kafe dhe shumë miqësi. Një kafe dhe shumë mbresa. Një kafe dhe malli kishte mbushur gotat tona. Jorgani i madh dhe i rëndë i miqësisë, na kishte mbledhur të tërëve dhe po ndjenim forcën e saj, ani se takimet tona janë të rralla. Kështu erdhi koha dhe rastet duhen çfrytëzuar sipas mundësive.

-Më pëlqeu shkrimi për Boboshticën Bujar. Ti flitje për Antonetën dhe Maqon. Shkruaje për tri motrat Djanën, Almën dhe Anën. Nuk harroje bashkshortët e tyre Artanin dhe Koçon, por veçanërisht shkëlqeje me portretin e Eduart Pinos. Dhe mirë e thoje, që Ed Pino më së pari është inxhinjer shpirtëror, i kulinarisë së famshme të Boboshicës, e më pas inxhinjer miniere. Mendoj të gëzohemi së bashku atje. Ed Pino, nuk e di miqësinë tonë dhe do të habitet kur të na shikoj së bashku. Sa më takon mua, jam mik e kaluar mikut, këtu e 24 vite të shkuara, që kur Thoma Kristo hapi “Antonetën” e tij.

Dhe çfarë u bë tek “Antoneta” me 22 gusht 2023, më duket se e kam thënë që lapsi im vihet në vështirësi për ta trajtuar. Mu kujtua një thënie e hershme:” Miq nuk ishim, por miq u bëmë dhe miq mbetëm”. Antoneta dhe Maqo, kishin rastin më të mirë të ngriheshin nga parajsa e tyre dhe të vinin të uleshin, në sofrën bujare të Kristove pasardhës nga vajzat dhe të manaxhuar aq mirë dhe nga dhëndurrët, e sidomos i mirnjohuri Ed Pino, siç kam dëshirë të quaj.

Por Klaudeta me Petrikën, na kishin vendosur një “kurth”. Befas në vendin që ishim ulur, na çfaqet si në ëndërr një zonjë e bukur, duke iu lexuar më shumë hijeshia, nga zambakët e mrekullueshëm që mbantë në duar. Kishte një si kartonçinë në formatin A4 dhe vjen e ulet mu përballë nesh.

-Nuk më dashka vjerra, pasi ju qënkeni në mbarim! Por në fund ju zura zoti Bujar. Kam ardhur enkas për ju, për tju transmetuar një mesazh në të shkruar. Dhe kjo buqetë që e mbushi “Antonetën” me aromë dehëse, është për ju.

Dhe nisi leximin. Dhe ja se çfarë:

-Mes ditësh plot gëzim, gjallëri e frymëzim, mes ajrit të pastër të Voskopojës sonë të hershme, formulojmë me rastin e ditëlindjes tuaj, urimet tona më të përzëmërta. Paçi më shumë shëndet, mbarësi, vitalitet fizik e mendor. Edhe 100 vitet e ardhshme, duhesh ti jetosh, gjithmonë mes dashurisë të njerëzv të tu të shtrenjtë, gëzimit që ju falin fëmijët e Geana, mbeska juaj e adhuruar, si dhe miqve dhe shokëve që ju duan me shpirt e ju falin gëzim e lumturi!
Mbeç i ri në shpirt e në mendime, gjithmonë në majën aktive të penës tuaj të talentuar, ngjyer kurdoherë me nuancat e lëngut të jetës, që të motivojnë për të qenë sa më i dobishëm, e sa më i vlerësuar. Gjithnjë duam të të shikojmë të ndodhesh pranë njerëzve, që ta japin lëndën e parë, duke të nxitur frymëzimin armën tënde kryesore krijuese.
Urime miku ynë i hershëm Bujar! Bekimet e Zotit qofshin gjithmonë mbi ju!
Miqësisht Klaudeta dhe Petrika Riza.

Në këtë jetën time kam befasuar shumë njerëz, kushtëzuar kjo nga zanati im. Por që të mbetesha me gojë hapur ja kështu, duke ngrirë i tëri dhe hodha menjëhërë vështrimin nga Petrika dhe Klaudeta. Por isha shumë i prekur. Po kështu edhe Kostandina me Geanën mbanin frymën. Vura re që xhami i syzeve, u vesh nga një lëng i ngrohtë, që ishin lotët e mi, që nuk i bindeshim të zotit.

Edhe njëherë pata rastin më të mirë, për të ndjerë dhe për të prekur, si edhe për të thënë, se nuk është gjë pasuria, nuk janë gjë milionat, para një tufe me lule dhe një fletë e thjeshtë formati, ku miqtë i shprehnin respektin dhe i falnin sinqeritetin miqve të tyre, që e kishin gjetur të hapur katërkanatësh derën e bujarisë korçare.

-Faleminderit! Njëmijë herë faleminderit Klaudeta dhe Petrika! Sa bukur! Sa prekëse! Sa shumë ndjenjë! Sa shumë shpirt! Zemrën tuaj në dorë ma dhatë, duke i thënë zemrës tme të bëhet e fortë dhe të përballoje emocionet.

Por vlerë ka edhe Ornela Zyko, që përfaqëson një biznes Ori Art Flower. Mënyra se si e realizoi surprizën dhe elekunca në të folur, që lexoi dedikimin e çiftit Riza, meriton falenderime jo të zakonshsme. Nën shoqërinë e Ed Pinos, të gruas së tij Almës bujare dhe të mënçur, Artanit, baxhanakut të Edit të spsotuar më shumë nga puna se sa biseda, kaluam tek “Antoneta” ditë që mbahet mënd, rast që meriton të varet aty ku quhet kujtesa dhe memoria ime.

Si për ta përligjur këtë pritje të pazakontë, e lyer me mjaltin e shpirtit të Klaudetës dhe Petrikës, tërhoqa një paralele duke blerë pak mjaltë gështenje. Doja që shija e mjaltit, të mos ikë edhe për pak kohë. Por ajo që u shkrua si në një shkëmb, është miqësia pa kufi që na dhanë boboshtarët, por sidomos miqtë tanë të mëdhenj Klaudeta dhe Petrika Riza.

Po ktheheshim në Voskopojë, shtëpia durrsake e gushtit. I bëra shenjë Klaudetës të ulet në vendin e parë. Por më kot. Me humor Petrika më shprehet:
-E ka protokolli të ulesh në fillim Bujar!

Me humor dhe gëzim e nisëm ditën, me humor dhe gëzim e sosëm. Një kafe, një ëmbëlsirë, pak ujë dhe shumë kënaqësi kapën perëndimin e vonë të 22 gushtit 2023. Të përcjellë mes lotësh dhe entuziasmit tonë, me duar të ngritura lart përshëndetëm dhe përcollëm në drejtim të qytetit, një pjesë të kulturës së njohur korçare, që në këtë rast përfaqësohej nga çifti simpatik Klaudeta dhe Petrika Riza.

________________________
Voskopojë: 23 gusht 2023

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…