Nafta në Shpirag, Rama: Investimi në total shkon 7 mld euro, impakt historik dhe social
Sipas analizave të bërë në laboratorin e Holandës nafta e zbuluar në zonën e Shpiragut është një naftë e të njëjtës cilësi premium të Arabisë Saudite.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “investimi i parashikuar dhe projekti për nxjerrjen e naftës në Shpirag që do të realizohet nga kompania “Shell” nis me 3 miliardë euro dhe projeksioni është që deri në përfundim të të gjithë infrastrukturës së nevojshme, pasi do të fillojë puna për një sërë shpimesh për të krijuar gjithë kompleksin e nevojshëm për nxjerrjen e kësaj pasurie është 7 miliardë euro investim në vendin tonë”.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me zëvendëskryeministren njëherësh ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, lidhur me kërkimet për nxjerrjen e naftës në Shpirag, Rama tha se “ky është një investim që parashikon ndërtimin e gjithë infrastrukturës e logjistikës për depozitimin e rezervës, ndarjen në gaz, në naftë dhe në sulfur”.
“Kjo e treta ka një rëndësi të veçantë se krijon një bazë qoftë për prodhimin e imputeve bujqësore , qoftë për prodhimet kozmetike, bazë që Shqipëria mund ta shfrytëzojë për të ndërtuar një komponent të ri industrial që sot na mungon”, tha Rama.
Duke e cilësuar një zbulim të rëndësishëm, i cili mund të ketë një impakt historik, social por jo vetëm kaq, por edhe në pozicionin gjeo-politik e gjeo-strategjik të Shqipërisë”, Rama tha se “siç komunikuam dje jemi në një fazë shumë të avancuar në një përpjekje që zgjat prej thuajse 10 vjetësh dhe në prag të testimit përfundimtar, i cili është i domosdoshëm për të vlerësuar qëndrueshmërinë e presionit të fluksit të gazit e naftës që mund të nxirret nga nëntoka”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama bëri të ditur se “rezerva është aty në 6002 km në thellësi të tokës është prekur rezerva, pas një eksplorimi shumë të vështirë të formacionit gjeologjik të zonës dhe një investimi masiv të bërë për shkak të thyerjes së përsëritur të sondave, si rezultat i formacionit gjeologjik”.
“Lajmi interesant është që ende nuk është cekur uji, i cili është nën rezervën, ç’ka prezumon se madhësia e rezervës mund të jetë edhe më e madhe. Nuk jemi në kushtet kur flasim për shifra konkrete sepse do të ishte e gabuar informacionet në këtë fazë janë jo vetëm konfidenciale, por konfidencialiteti i tyre lidhet me atë që thashë se pa marrë rezultatin e testit final që përcakton që nxjerrja e kësaj pasurie është e arsyeshme nga pikëpamja financiare, sepse nëse financiarisht ky proces do të ishte me i kushtueshëm se fitimi atëherë kuptohet që rezerva është aty, mbetet aty për një kohë tjetër, ku teknologjia mund të vazhdojë në përmasa që sot nuk janë”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se Kompania “Shell” ka përdorur teknologjinë më të fundit dhe për nga gjithë aspekti i funksionimit teknik ajo që po bëhet në Shpirag është fjala e fundit në industrinë gaz dhe naftë nxjerrëse botërore”.
Më tej Rama bëri të ditur se “paralelisht me përgatitjen për testin që do të fillojë në tetor dhe rezultatet e e testit bazohen ne ndjekjen e qëndrueshmërisë se fluksit që del mbi sipërfaqe për ç’ka normalisht përdoret për një periudhë dy deri tre mujore po përgatitet plani masiv i investimit. Pasi gjithë ajo rezervë që duhet nxjerrë sipër duhet pastaj të hyjë në infrastrukturën përkatëse për ta transportuar sasinë e gazit e naftës e për ta nxjerrë atë në tregun vendas e atë botëror”.
Kryeministri Rama tha se “lajmi tjetër fantastik është se nafta është e cilësisë më të lartë, është hera e parë që ndodh në vendin tonë se burimet që janë zbuluar në të shkuarën e janë shfrytëzuar e shfrytëzohen akoma janë burime të një nafte të rënde që përdoret për bitum, solar, por nuk është një naftë që mund të hyjë në konsumin e automjeteve dhe vlera e saj është shumë më modeste. Sipas analizave të bërë në laboratorin e Holandës nafta e zbuluar në zonën e Shpiragut është një naftë e të njëjtës cilësi premium të Arabisë Saudite”.