Marie-Thérèse Marchal, francezja e bukur që la Parisin për Tiranën
REPORTAZH nga “Eldorado e vogël”e Tiranës, “Patisseri Française – Salon de The Restaurant”
Nga Dash Frashëri, botues TiranaDiplomat.com
“Nga Parisi në Tiranë!”
Mund të duket edhe si titulli i një libri aventurash të shkruar nga Zhyl Verni, apo një romani romantik i Gi Dë Mopasan! Një libri jete i shkruar bashkarisht nga Honore Dë Balzak, Viktor Hygo apo Emil Zola!
Por, jo. Është jeta midis Francës dhe Shqipërisë e shkruar nga Marie-Thérèse Marchal.
Një novelë shumë intriguese dhe komplekse, ku brenda faqeve të saj është një nga historitë më të bukura të francezes së bukur të dashuruar çmendurisht me “vendin e shqiponjave”. E themelueses së “Patisserie Française”.
Një zonjë sharmante, e ditur dhe energjike, nënë e pesë fëmijëve, tashmë të rritur e profesionistë të shkëlqyer në fusha të ndryshme të jetës, e cila sjell shijen e produkteve dhe kulturës franceze në Tiranë.
Ajo ka krijuar një botë kënaqësish të ëmbla franceze në Tiranë dhe një biznes të suksesshëm.
Marie-Thérèse Marchal është histori e një shembulli të suksesshëm të investitorëve të huaj në Shqipëri!
Bashkëbisedimi në dy takimet me të është i këndshëm, improvizues, herë në shqip dhe herë në frengjisht.
E ëmbël në bisedë, adhuruese e artit dhe me një koleksion pikturash, fotografish dhe artefaktesh, më nxit ta vizatoj, teksa bisedojmë.
Por si lindi dashuria e madhe e Marie-Thérèse Marchal për Shqipërinë?
VIZITA E PARË SI SPECIALISTE E UJIT
Gjithçka nisi, më 17 maji i vitit 1990 kur ajo erdhi për herë të parë në Shqipëri.
33 vjet më parë.
Si një konsulente për problemin e ujit të pijshëm. U akomodua në hotelin më të bukur të kohës në Tiranë, në Hotel “Dajti”, një hotel i ndërtuar në vitet 1930 nga arkitekti italian Gherardo Bosio dhe dizajneri Gio Ponti, dhe që në vitet e regjimit komunist ishte qendra kryesore për diplomatët dhe vizitorët e huaj dhe me dhoma thuajse të përgjuara nga mikrofonë të fshehur.
Pikërisht, kjo foto tregon Marie-Thérèse Marchal në hollin e Hotel “Dajtit”.
.
“Pashë që kishte plot për të bërë këtu. Qëndrova dy javë, vizitova disa uzina dhe disa vende të tjera”. U kthye vetëm pas dy muajsh me disa projekte të reja në kokë. Ndërmjetësoja me kompani franceze për të investuar në Shqipëri. Në fund të vitit 1991 pranoi një kompani dhe unë erdha bashkë me të si konsulente. Vizituam stacione pompash duke bërë analiza dhe kjo zgjati disa vjet”.
“Ndërmjetësoja me kompani franceze për të investuar në Shqipëri. Në fund të vitit 1991 pranoi një kompani dhe unë erdha bashkë me të si konsulente. Vizituam stacione pompash duke bërë analiza dhe kjo zgjati disa vjet. Ndërkohë kontaktoja edhe investitorë të tjerë si për prodhimin e mobilieve, për ekspertizë gjeologjike, për trenat, elektricitetin etj. Kontaktova edhe me Ministrinë e Financave në Paris dhe kur ishim duke konkluduar diçka, ndodhën rrëmujat e 1997-ës. Ndërkohë unë kisha marrë qysh në vitin 1996 pasaportë shqiptare”, – tregon ajo. Po këtë vit organizoi një konferencë në Pallatin e Kongreseve në bashkëpunim me pushtetin lokal për krijimin e vendeve të punës në vend.
DY HERË KANDIDATE PËR DEPUTETE
E dashuruar me Shqipërinë, ajo merr pasaportën shqiptare në vitin 1996 dhe kandidon për deputete në zonën e Kavajës.
“Herën e parë, më 1997, hodha kandidaturën në Kavajë në një zonë elektorale aty. Bëra fushatë pasi mblodha 400 firma dhe mora 3% të votave, isha e katërta aty nga 15 subjekte partiake në garë”, – kujton ajo, duke shtuar se njerëzit aty e pritën shumë mirë, megjithëse jetesa e tyre ishte shumë e mjerueshme. Nuk fitoi. “Më thanë që për dy-tri vota mund të kisha fituar, po nejse. S’ka problem”, – shton Marchal.
Për herë të dytë garoi për deputete në vitin 2001. Kësaj radhe në lagjen e ish-Bllokut. Ishte më e vështirë. Nuk arriti të mblidhte më shumë se 100 vota, ndërkohë që vetëm për të vendosur kandidaturën kishte mbledhur 300 firma.
SHOQE ME PRESIDENTIN NIKOLAS SARKOZI
Ish-Presidenti i Francës (2007-2012), Nikola Sarkozi, është një nga miqtë më të mirë të Marie-Thérèse Marchal.
Një njohje e vjetër dhe solide, qysh kur Sarkozi ishte kryetar bashkie në Neuilly-sur-Seine (1983-1992) dhe më pas Ministër i Financave dhe Ministër i Brendshëm, kur president i Francës ishte Zhak Shirak.
“Me Sarkozinë më lidh një miqësi e gjatë dhe shumë e mirë. Nikolas ishte shumë inteligjent dhe këmbëngulës. E dija që do të kishte një të ardhme të madhe”, tregon Marchal.
“BUKË DHE ËMBËLSIRA FRANCEZE”
Marie-Thérèse Marchal, si një eksploratore e lindur dhe investitore kurajoze e ndjen se duhet të ndërtojë biznesin e saj në Tiranë. Bashkëshorti i saj, Pierre, i cili megjithëse nuk është kaq entuziast sa Marie për jetën në Tiranë, e mbështet atë në projektet e saj të biznesit
“Kisha një vëlla që ishte specialist pastiçerie në Francë, ishte nr. 1. Edhe e provova ngadalë-ngadalë. Hapa një dyqan të vogël me disa specialitete që u pëlqyen shumë. Dhe kështu vazhdova”, tregon Marie-Thérèse.
Dyqani i saj “Bukë dhe ëmbëlsira franceze”, i hapur te Shallvaret, falë kujdesit të saj dhe produkteve “ndryshe” u bë shpejt një pikë referimi për kryeqytetasit.
Investitore inteligjente nga natyra, guximtare si karakter dhe shumë e dashur për klientët e saj, Marie-Thérèse e ndjeu si duhet të ndryshonte ambient dhe t’i jepte një përmase tjetër biznesit tashmë të konsoliduar të saj.
Dhe pikërisht, lindi “Patisseri Française – Salon de The Restaurant”. Ishullit të saj të kënaqësisë sublime.
Prekja franceze shquhet gjithkund në këtë ambient të ëmbël. Është prekja e zonjës së kësaj ëmbëltoreje, dora dhe imagjinata e Marie-Thérèse Marchal. Arredimi dhe dekoracioni është pika e saj e fortë. Ambienti është i rëndësishëm për të, shumë i rëndësishëm.
Që nga detaji i një Tour Eiffel të metaltë në hyrje të pastiçerisë deri në nuancën e dritës së abazhurit mbi tavolinën e fundit aty. Njohëse e dhjetëra qindrave recetave ëmbëlsirash, po kaq i rëndësishëm është për Marie edhe detaji i një bajameje apo një luleshtrydheje si dekoracion në një tortë të thjeshtë.
Që ishulli i saj francez të jetë një eldorado i vogël i Tiranës. Ka arritur ta shndërrojë vërtet Pastiçerinë e saj në një ishull kënaqësish të vogla.
Pret e përcjell aty si një zonjë shtëpie miq e klientë dhe ata janë kaq të shumtë. Një ndër të përhershmit është dhe arkitekti i njohur, Andi Papastefani, por dhe fotografi Roland Tasho.
Ajo i zgjedh luleshtrydhet, stafidhet, bajamet, arrat e frutat e thata sipas kritereve të formës e cilësisë. Pastaj gjithë historia zhvillohet në kuzhinë, prej nga dalin kënaqësitë e ëmbla franceze.
Ajo ka dhe një bibliotekë simpatike me libra në gjuhën franceze, ku marr disa prej tyre si dhuratë.
Edhe djali i saj, Gregor Marchal, ka shkruar një libër të titulluar: “Itinerari i një oficeri francez në frontin e lindjes në Shqipëri”. Një libër me karakter studimor, me kërkime të pranisë franceze midis viteve 1916-1920, i shoqëruar me fotografi, dokumente dhe dëshmi të prezencës së ushtarëve francezë në Shqipëri, gjatë Luftës së Parë Botërore. Një punë kolosale prej mëse 20 vjetësh, e nisur në 2003.
“Shtëpia e saj” i ngjan një galerie të vogël pikturash e antikash.
Largohem nga “Patisseri Française – Salon de The Restaurant” i përcjellë me shumë dashuri! Për t’u rikthyer sërish!